Gerald Lulja:Televizioni më jep siguri, emocion dhe forcë

1044
Sigal

INTERVISTA /Flet modeli & balerini Gerald Lulja: Nuk besoj shumë në fat

E kemi parë në skenë si balerin , më pas si një model dhe se fundmi si figurant në videoklipe muzikore. Bëhet fjalë për Gerald Lulen, 21-vjeçarin, i cili është kthyer në një personazh vërtet të dashur për publikun shqiptar . Është i qeshur, mjaft i dashur dhe me direktiva të qarta për sa i përket botës së modës, pasi Geraldi është njohur me këtë fushë në moshë shumë të vogël në Greqi dhe Itali. I gjithë rrëfimi i tij në këtë intervistë ka të bëjë me mënyrën se si ai e sheh botën e televizionit & spektaklit & Idetë e tij për projektet e reja . Mes fjalëve të tij, duket qartë një djalë me ambicie, mjaft i kujdesur në ato që thotë dhe që nuk pranon të adhurojë askënd, përveç punës së tij. Një rrugëtim i gjatë mes baletit, modës & programeve televizive e bëjnë Geraldin një 21-vjeçar të kompletuar dhe me shumë arritje në një moshë të re.

Përshëndetje Gerald , prej kohësh merreni me modeling, me thoni ju lutem eksperiencat e deritanishme.
Prej kohësh merrem me Modeling dhe mendoj se, sot jam profesionist në këtë fushë. Fillimisht nisa bashkëpunime me shumë fotografë të njohur për sete të ndryshme, më pas kam qenë pjesëmarrëse (figurante) në disa klipe muzikore të shumë këngëtarëve të njohur. Aktualisht jam pjesë e agjencisë prestigjioze “Icon” nëTiranë.

A ka industri mode në Shqipëri, ç’mund të na thoni?
Në fakt e kam dëgjuar shpesh dhe më vjen keq sepse e thonë pikërisht ata që ndërkohë merren me këtë gjë. Është mëse normale që s`mund të flasim për industri si vendet e botës, por gjithsesi, edhe këtu ka shumë përpjekje për të arritur. Stiliste, Modelë, Fotografë, janë në gamën e modës, ku secili përpiqet në një mënyrë apo tjetër të sjellë diçka të re. Ndoshta, fakti është se shumë herë duke mos pasur dhe një edukatë mode shumë gjëra nuk perceptohen. Është më e thjeshtë të flasësh kundër sesa të ecësh me hapin e kohës.

Cila mendoni se është arma juaj më e fortë si Model?
Mendoj se është publiku që duhet të vlerësoj armët e mia në TV sepse unë nuk kam vetëm një armë, kam komunikimin, paraqitjen skenike dhe mendoj se ato ndërthuren mjaft mirë me njëra-tjetrën. Nuk dua të tregohem modest, por është ende shpejt të tregoj avantazhet e mia. Dua që çdo gjë t’ia lë kohës. Por mund të them se TV më jep siguri dhe është ajo që dua të bëj në këto momente.

Fillimet tuaja në modeling , sa të vështira kanë qenë?
Nuk besoj shumë në fat në këtë pjesë. Unë mendoj se fati është si ta bësh. Unë dhe e kam ndjekur dhe më ka ndjekur, kanë qenë shumë gjëra së bashku që më kanë çuar drejt ekranit të TV. Çdo gjë ka qenë dhe është e vështirë, por, falë talentit dhe vullnetit tim, ia kam dal mbanë! Do t’ia dal gjithnjë sa herë të kem oferta, për emisione të ndryshme. Nuk do ta refuzoja.

Modelingu, një talent për ju apo një mundësi e mirë për të kapërcyer drejt ekraneve shqiptare?
Modelingu është një tjetër pasion i imi, të cilin e bëj me shumë dëshirë mendoj që të dyja qëndrojnë. Janë që të dyja një mundësi shumë e mirë për të hyrë në botën e shou-t dhe të kulturës, një gjë që unë e kam dëshiruar gjithnjë madje që i vogël. Modelingu ka nisur shumë herët për mua, dhe më ka pëlqyer shumë. Fotot e mia janë pjesë e disa kalendarëve të rëndësishme në Greqi dhe Itali. Është një fushë që nuk do ta braktisja kurrë.

Në këto momente çfarë mund të themi, po shijon famën, apo suksesin?
Të shijosh frytet e punës tënde është diçka shumë e bukur dhe domosdoshmërisht që televizioni ka edhe famën brenda, kështu them t’i shijoj të dyja. Është herët të flas për suksese të mëdha apo të vogla, dua që shkallët e mia të ngjiten ngadalë. Jam drejt një rruge të tillë dhe shpresoj të jetë një rrugë shumë e gjatë.

Kush është idhulli juaj në fushën e modës?
Nuk kam ndonjë idhull dhe nuk do të doja të kopjoja dikë. Përpiqem të jem sa më origjinal dhe nuk dua të adhuroj askënd. Adhurimi im i përket fesë sime. Jam tepër i kujdesshëm në këto gjëra, idhujt për mua s’kanë vend.

Projekti juaj më i afërt, me çfarë po merreni konkretisht?
Të jeni të sigurt që projektet e mia do jenë në nivele akoma më të larta, kam mësuar shumë deri tani dhe do t’i vë në zbatim. Jam korrekt me gjërat që dëshiroj t’i shtoj jetës sime. Më pëlqejnë shumë ngjyrat dhe do doja të eksploroja shumë në projektet e mia, që do të jenë gjithnjë pjesë e kulturës dhe artit.

Dihet që tregu shqiptar është mjaft i varfër për sa i përket figurave të spektakleve dhe moderatorëve, si e shihni veten në këtë aspekt?
Sado i varfër të shihet në sytë e të tjerëve, unë e shoh si një vend me plot mundësi. Ai që ka vërtet talent, sado mungesa mundësish, e gjen rrugën të depërtojë dhe të tregojë që di të bëjë shumë mirë punën e tij. Mua më pëlqen shumë të jem pjesë e botës së televizionit dhe do doja që karriera ime të jetë shumë e gjatë në këtë fushë. Sigurisht do ishte fantastike që edhe unë të jem një emër i së ardhmes, megjithatë është një punë e madhe të gdhendësh emrin në një ekran dhe në një format televiziv shou. Televizioni për mua është një det blu që unë nuk ngopem kurrë duke e parë.