Genc Fuga dhe Altin Basha bashkë, bllokadë Mirela Kumbaros

689
Një ligj i Ministrisë së Kulturës për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar nga godina ku është aktualisht, i cili qëndron aty prej afërsisht 80 vjetësh, ka ngjallur pakënaqësinë dhe revoltën e artistëve shqiptarë. I pakonsultuar më parë me ta, ligji i propozuar në datë 15 janar të këtij viti, i cili ka të bëjë marrjen në varësi të Ministrisë së Kulturës të disa objekteve kulturore që nuk kanë qenë në varësi të saj ka shkaktuar revoltë. Aktorët kërkojnë pezullimin e këtij pr/ligji si dhe hapjen e dialogut me përfaqësues të komunitetit për një draft të ri. Ata kanë theksuar se, nëse nuk tërhiqet nga ky projekt, atëherë ministrja duhet të japë dorëheqjen. 

Genc Fuga dhe Altin Basha bëhen bashkë për të bllokuar nismat e Mirela Kumbaros. Atyre u janë bashkuar edhe shumë aktorë të tjerë. Thelbi? Për të ndaluar zhvendosjen e Teatrit Kombëtar te “Turbina” dhe ndalimin e projektligjit të Artit dhe Kulturës. “Sot filloi një proces! Një pjesë e madhe e komunitetit tonë firmosi peticionin kundër lëvizjes së TK dhe ndalimin e projektligjit të Artit e Kulturës të hartuar nga ministria! Kush dëshiron të bëhet pjesë e këtij peticioni të kontaktojë për të firmosur.”, shkruan Fuga, ndërsa dje lajmëronte mbledhjen te salla e Black Box-it.

“ ” 
Çfarë shkruante dje Genc Fuga për Mirela Kumbaron:
‘Ministrja e Kulturës, zonja Kumbaro, nuk harron asnjëherë të surprizojë gjithë komunitetin artistik. Kjo është një veçori e punës së saj, edhe në këtë mandat të dytë. Që në muajin e parë të vitit 2018, i është dashur që të dalë në intervista të ndryshme dhe të na çudisë. Duke shfletuar faqen e internetit të kësaj ministrie, shohim në kolonën e Baza Ligjore – Projektligje, të publikohet, projektligji: “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10352, datë 18. 11. 2010. “Për artin dhe kulturës”, të ndryshuar. ” Ditët e para të vitit 2018, duhet të ishin ditët e “dëgjesave” të platformave të reja të drejtimit të disa institucioneve qendrore artistike, nën varësinë e Ministrisë së Kulturës. Por, kjo nuk ndodhi! Sigurisht, të mbetur pa mandate, disa drejtues, janë pajisur me Urdhrin përkatës, që i përcakton si “të komanduar”. Por, një drejtor i komanduar, nuk mund të kryejë veprime me “të tretët”! Në natyrën e këtyre institucioneve, është një marrëdhënie e ngushtë pikërisht me “të tretët”. Gjithçka kalon në heshtje, derisa opinioni kujtohet e fillon të rendisë hamendësitë e tij: 

-Përse nuk u morën masa për organizimin e konkurseve për drejtimin e ri të institucioneve qendrore kulturore? Nuk dihet. Ndoshta iu ka dalë nga mendja. Në rast se nuk donte t’i lëvizë, por donte mënyrën si punonin ata, përse i le pa mandate? Se mund të organizohej konkursi dhe të kishim emrat e drejtuesve aktualë, fitues si platforma më e mirë 4 –vjeçare (kjo gjë është e mbrojtur me Ligj). 

-Përse i duhen drejtuesit “të komanduar”? Këtu imagjinata merr krahë, dhe, ju siguroj, për keq (për keq d.m.th në dëm të institucioneve publike e interes të komunitetit artistik) Nga ana tjetër, duke parë këto pikëpyetje që venë e vinë, dhe që pikëpyetjet pa përgjigje, kanë veti të shumohen deri në pyetje retorike, Ministrja Kumbaro, bën 2 veprime të radhës:

1- Deklaron që Teatri Kombëtar, “lëviz” tek “Turbina”, dhe godina aktuale e TK-së vihet në dispozicion të Teatrit të Operës!!!

2- Shfaq “pa bërë zë” një projektligj në internet!

Mendjet e njerëzve (duke përfshirë edhe timen), të çoroditura nga pyetjet retorike të thëna më lart, tashmë kanë marrë edhe këto dy goditje “nën brez”, dhe, ashtu të çoroditur ulen në tastierë e shkruajnë. Fillon shikon se si “institucionet qendrore kulturore bashkohen dhe trajtohen njësoj me ato lokale.”

Vazhdon me shfuqizimin e germës “dh”! Uppps iku Cirku! Ku shkoi? Mbase i shkon Bashkisë. Por, po i vajti Bashkisë, kalon në precedent për të gjithë bashkitë. Pra, i lind e drejta Tepelenës që të ketë Cirkun e vet (fjala që bie). Kësaj i thonë mirë e hodhe, por ku e çove? Galeria Kombëtare, shndërrohet në Muze Kombëtar të Arteve të Bukura. Po kjo pikë e zezë, ç’ishte? Po galeria ku vajti? Si do t’i bëhet me nevojën Kombëtare të të pasurit Galeri? Vazhdon me marrjen nën kompetencë të QKK-së, Bibliotekës Kombëtare, Arkivin Qendror e krijimin e dy qendrave të reja. Sikur u gëzuam shumë që këto institucione i kishim shumë pranë Qeverisë, me një status independence “larg politikës”… Ku gabuam? Në Nenin 5, vjen një nga ato goditjet, që ty të vjen mendja rrotull, jo më për 4 vjet (një mandat), POR pa mandat fare. Çështje dëshire të ministres! Uppps! Domethënë, që në nenin 5, ti e ke humbur kthjelltësinë e mendimit, dhe je i bindur, që gjuha e përdorur nuk është më Shqiptare! Përherë e më tepër të del në pah “me Urdhër të Titullarit”, çka në esencë “të vet” e shndërron nga projekt-ligj në projekt-rregullore e brendshme e një mega-strukturë kulturore, të pakulturë, arrogante, fyese dhe zhdukëse të çdo lloj tendence “ndryshe”! Kujdes, bëhet fjalë për çdo skenë në Republikën e Shqipërisë. Mos kujtoni se gjen qetësi në Nenin 9, pika 4, që thotë se për çdo mendje shkrepje artistike e kulturore të institucioneve që nuk kanë objekt artin apo kulturën, duhet të marrë miratimin me shkrim të ministres! Kujdes nga Neni 12, se sapo u zhduk e drejta për të menduar e vepruar, çdo bashkie në fushën e art-kulturës. Kujdes 1000 herë nga Neni 15, i cili heq “kriteret e vendosur me VKM të shpërblimit të figurës artistike, dhe e lë gjithçka në dorë të negociatës, dhe “punës veresie”. Rreshti më i rrezikshëm është: Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë mbas botimit në Fletoren Zyrtare! Ore, çfarë po bëhet? Më falni por janë shumë gjëra që ndodhin Brenda Eklipsit të Hënës. E përmenda Hënën, se ajo, dihet, ka shumë ndikim në jetën tonë! E keni dëgjuar shprehjen: Nuk është me Hënë të mirë?! Unë nuk dua të marr leje me shkrim edhe për provimet e studentëve të mi, aq më pak, te ministrja e Kulturës. Unë jam Kryefamiljar, pedagog, aktor, regjisor, socialist etj., etj., dhe kam bindjen time; “Nuk i zgjidhim problemet, duke mos folur për to”. M’u kujtua një status në fb – personal: Ju ia rrasni me vare, mbrapa koke, punëtorit, qysh me mjes, e pastaj e pyesni: Shok Punëtor, pse t’merren mend? E me sa mend unë vazhdoj e shkruaj??? Tani është vonë! Tani kam filluar t’iu them njerëzve në rrugë: më fal se të fika cigaren me ballë, se vetëm xixa shoh!
hashtag.al
Sigal