Gazmend Paja:Rolin e doktor Harxhit e solla në skenë pas dy vjetësh pune mbi figurën e tij

659
Sigal

INTERVISTA/  Flet aktori i mirënjohur i “Portokallisë”, Gazmend Paja

Ai është rritur që fëmijë me dashurinë për artin falë babait, “Artistit të Popullit” Luftar Paja. Pikërisht në moshën 7 vjeç ka luajtur rolin e parë me Teatrin e Fierit, por kurrë nuk e kishte menduar që me çdo kusht të bëhej aktor. Nuk ishte shtysa as e babait as e nënës, por ishte një dëshirë e brendshme që nga dita në ditë po merrte formë në ndërgjegjen e tij, se s’kishte rrugë tjetër, aktrimi ishte brenda qenies së tij. Konkurroi vetë, pa as më të voglën ndihmë të të atit dhe rezultatet ishin të menjëhershme. Tashmë ai ka disa vjet që është një ndër aktorët më të spikatur të emisionit humoristik në Top -Channel “Portokalli”.

-Në librin monografik për babanë tuaj më ka bërë përshtypje një foto, kur ju i vogël luanit në një rol. Mos vallë kjo shënoi dhe pikënisjen tuaj si aktor?

Atëherë s’e mendoja çka po ndodh sot. Ishin momentet, kur nuk diktoja vetë, por prindërit. Por di që kam lozur me dëshirë dhe më dukej vetja shumë i madh dhe ndihesha krenar kur më thoshin: Ua Gazi në teatër! Atëherë isha vetëm 7 vjeç dhe  s’kisha idenë se sa peshë kishte aktrimi, po ashtu nuk dija se si fitohej respekti me punë në këtë drejtim.

E mban mend se si titullohej ajo dramë?

Posi jo. E di shumë mirë. Titullohej “Dosja 63”. Ai rol më ka pëlqyer. Fotot e asaj drame mi ka ruajtur babai me shumë kujdes. Pas këtij roli unë kam luajtur dhe një rol tjetër me “Mjeshtren e Madhe” Hajrie Rondo. Edhe ky rol përkon me një dramë tjetër, me temë sociale, që titullohej “Shqetësimet e një mjeku”. Këto dy role bënë që babai të më mbante pranë dhe vazhdimisht kur ka pasur role për fëmijë në Teatrin e Fierit thuajse kam qenë i pranishëm.

Pse vallë të zgjodhi ty babai në këtë rrugë dhe jo vëllanë e madh Sokolin?

S’e di. S’e kam pyetur, por mund të them se mbase ka parë një interes më të madh tek unë për aktrimin, mbasi unë nuk i shqitesha kur ai luante ndonjë rol të ri. Ndoshta dhe Soki (kështu thërret të vëllanë) duhet të ishte më luftarak!

Mos vallë është dhe arsyeja tjetër që ju i ngjani shumë?

Nuk mendoj,  Babai nuk bënte dallime, madje të gjithëve na shtynte të mësonim. Nëse  ndonjë nga pjesëtarët e tjerë të familjes do të kishte talent, ai kurrë nuk do ta ndalonte, përkundrazi do ta nxiste dhe do ta përkrahte.  Ngjashmëria ka anët e saj komplekse. Madje, fotot e mija dhe të babait kur janë të së njëjtës moshë ngjajnë shumë. Më shumë është një lidhje gjenetike, natyrisht të mësuarit me skenën  që në fëmijëri e nxitën dëshirën time, ëndrrat e mia  për t’u marrë me këtë profesion.

-Kam vënë re se sa herë që flitet për një rol të ri Luftari nuk kënaqet. Pse?

Është në natyrën e tij mos dhënia e lëvdatave të menjëhershme. Është njeri me zemër të madhe, por shumë cingun në lëvdata. Është nga ata kritizerët e rrallë që notën e jep me shumë vështirësi. Madje, do të thoja me mua është më shumë se kudo i shtrënguar në notë. Vazhdimisht bëjmë debat, bëjmë, diskutime, ku ai për role të ndryshme, më bën vërejtje pse jo dhe ngre zërin. Disa herë dua ta kundërshtoj, por kur përdor argumente tërhiqem.  Tashmë kjo mënyrë komunikimi me të për rolet më është bërë sa nervoze, por po aq shumë e domosdoshme. Kur vonon të më flasë për rolet e reja, mezi pres telefonin e tij. Kur ai merr shfryj, dhe them me të qeshur “hajde dëgjoje tani”, pasi e di kritikat i ka të parat. Ai mbetet pedagogu im i përjetshëm. Korrekt, serioz, konkret, por edhe dashamirës. Por edhe unë tashmë nuk jam në atë fazë që pres vetëm lëvdata, jam koshient që kritikat më vlejnë më shumë?

Në disa intervista që i kam marrë Luftarit më ka thënë që kur ju keni konkurruar nuk është afruar fare tek Universiteti i Arteve?

S’të ka gënjyer. Është plotësisht e vërtetë. Kur unë i thashë se do të konkurroj më tha, rrugën e ke të hapur. Ajo është derë e madhe kur futesh, por që bëhet deriçkë kur del, ndaj shko me mend në kokë.  As e mori mundimin të afrohej, apo të bisedonte me kurrkënd nga juria. Unë hyra me forcat e mia dhe besoj se çdo gjë e kam arritur me forcat e mia. Madje, në fund fare u kam thënë të Jurisë se e kam baba Luftarin.  Konkurrimi në Akademi ka qenë një luftë e madhe brenda vetes.

Megjithatë, nëna juaj, Qamilja në raste të veçanta ka shprehur dobësi për ju. Mbase ju s’e kini parë, por unë që kam pasur shumë takime me të, vazhdimisht më pyeste si ka qenë Gazi këtë apo atë radhë?

Nuk e di që të ketë shfaqur dobësi vetëm ndaj meje. Nëna ne na ka trajtuar të gjithëve njëlloj, madje mund të them se me mua është treguar e ashpër në drejtim të artit. Ndoshta jo sa babai, por dhe ajo nuk më ka rrahur krahët vazhdimisht. Madje, kam parë që është një kritike shumë korrekte. Jep edhe detaje në gjykim. E veçanta është se unë me të kam qenë më afër më shumë se vëllai dhe motra pasi jam djali i vogël dhe kështu do rrija më shumë me ta. Kur kemi qenë në Greqi unë isha më i lidhur. Një vlerësim ose kritikë e sinqertë besoj se, vlerësimi i saj ka rëndësi të madhe. Ne në përgjithësi në familje i diskutojmë shumë sikletet dhe arritjet e njëri- tjetrit.

Si vendose të hyje në “Portokalli”?

Qe një ndër vendimet më të rëndësishme.

Pse ishte vendim i rëndësishëm?

Së pari “Portokalli” është një spektakël i përjavshëm që kërkon shumë angazhim, impenjim, kërkesë, lodhje. Së dyti, i druhesha një konsumimi. Së treti kërkesa është e lartë po ashtu dhe tempi. Së katërti është spektakli më i ndjekur shqiptar i humorit i të gjitha viteve postkomuniste, ku mund të gjykohesh shumë lehtë. N.q.s nuk shfaq vlera, të mbyllen shumë dyer. Ja kjo është ajo që duhet të ndjesh para se të futesh në “Portokalli”. Të gjithë më ndihmuan, sidomos nëna. Ne jemi shumë të lidhur me njëri- tjetrin.

Flitet se tek aktorët ka shumë xhelozi, a ndodh kjo tek “Portokalli”?

– Kudo ka ambicie. S’ka profesion të mos ketë ambicie, por këto janë ambicie, pune, nxitëse, stimuluese, jo ambicie meskine, keqdashëse. Aq më mirë që ka ambicie profesionale. Unë kam parë tek të gjithë dashamirësi dhe kurrë nuk kemi luftuar me hipokrizi njëri -tjetrin.  Për mua “Portokalli” mbetet një familje e madhe, ku secili ka vendin e vet. Puna tek ne mbetet punë, jashtë saj kemi shumë miqësi.

Të ka ndihmuar jetesa për një kohë në Greqi për aktrim?

Po. Më ka ndihmuar. Greqia është një vend artdashës. Sidomos Athina, kryeqytet që ka shumë teatro dhe kinema ku unë kam shkuar në mënyrë të rregullt. Madje, aty kam hedhur hapat e parë të shkollës së aktrimit. Me atë vend kam kujtime shumë të bukura pasi arti respektohej dhe në këtë drejtim ata kishin shumë respekt për aktorët shqiptarë. Mbaj mend kur është luajtur filmi “Mirupafshim”, ku ishin aktorët Kadri Roshi dhe Margarita Xhepa, të cilët fituan admirimin e spektatorit dhe të kritikës greke.

Ju folët që ndiqnit rregullisht filmat e rinj në Athinë. Po vetë keni dëshirë të luani në film?
-Kam shumë dëshirë… Filmi për mua është një ëndërr e vegjëlisë. E them me shumë  bindje se kinemaja është art që më mbërthen. Është art elitar, nuk të konsumon menjëherë, është më fitimprurës, por ajo që i duhet aktorit është se bën me personazh më të diskutueshëm.

Roli i Luftarit në jetën tuaj?

Ai pa diskutim ka rolin dhe vendin e tij. Me eksperiencën, me lidhjet, me korrektësinë, popullaritetin më ka hapur shumë porta, kur unë përpiqem të justifikoj portat që më hapen nga ky emër i mirë. Nuk dua ta njollos këtë emër, këtë dritare të bukur familjare që rrezaton dritë dhe kulturë. Ndaj mendoj se unë  nuk kam privilegjin, por një përgjegjësi të dyfishtë në familje.  Ai më ka hapur rrugët, unë i kam falur punën, korrektësinë, përgjegjshmërinë, ndershmërinë në punë.

Sa ka ndikuar të qenit artist në jetën tuaj?
-Në ç’kuptim?

Ju thatë se e zotëroni veten të mos bëni gabime. Është veti e aktrimit apo jo?
-Të qenit aktor është brenda meje. Siç është dhe të qenit i disiplinueshëm. Besoj se më shumë se pjesë e profesionit, është pjesë e edukimit tim.

Roli juaj më i spikatur, ai i doktorit. Si e morët këtë iniciativë?

Unë e kam mik shtëpie dr. Adem Harxhin. Është një ndër miqtë më të mirë të babait tim. Ai është një burrë fisnik dhe tepër inteligjent. Ai solli një frymë të re në Shqipëri duke thyer tabu në drejtim të seksit. Për dy vjet unë pashë shumë emisione të tij në You Tube, fola dhe me pjesëtarë të familjes së tij për të qenë shumë afër tij si personazh. Mund të them se kam parë aq shumë emisione të tij sa askujt nuk mund t’i besohet. Në fund vendosa dhe dhashë miratimin për ta përcjellë në skenë. Ishte e vështirë, por mendoj se ja kam arritur qëllimit.