Gazeta Telegraf/Frank Shkreli, “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

559
Sigal

 

 

Presidenti Nishani vlerëson personalitete me kontribute të spikatura të
Bashkësisë Shqiptaro-Amerikane

 

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani vlerësoi dhe çmoi në një
ceremoni mbresëlënëse dekorimi në prani të shumë bashkatdhetarëve, kontributin
mjaft të rëndësishëm të disa personaliteteve shqiptaro-amerikane me veprimtari
të shquar atdhetare e shoqërore. Kryetari i Shtetit shqiptar, i mikpritur
ngrohtësisht së bashku me Zonjën e Parë Odeta Nishani në një atmosferë festive
në Manhatan, shprehu kënaqësinë dhe emocionin e madh të shkaktuar nga takimi me
bashkatdhetarët, duke vlerësuar në të njëjtën kohë atdhedashurinë dhe vullnetin
e tyre për të ruajtur ndër breza identitetin dhe frymën kombëtare në shtetin më
të fuqishëm e më demokratik në botë, në zemër të SHBAs.

Mirënjohje SHBA për ndihmën ndaj kombit shqiptar

Me këtë rast, Presidenti Nishani nënvizoi mirënjohjen për mbështetjen e
vazhdueshme të partnerit strategjik dhe aleatit të pazëvendësueshëm të dhënë
ndaj demokracisë dhe institucioneve shqiptare, të SHBA dhe të qeverive të saj
në kohët më vendimtare të historisë së kombit shqiptar, ndaj shqiptarëve kudo
ku janë: në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Luginën e Preshevës, Çamëri.
“Kjo traditë do ta vazhdojë në ditët, muajt, vitet, dekadat dhe shekujt në
vijim miqësinë mes Shqipërisë dhe Shteteteve të Bashkuara të Amerikës” –
theksoi Presidenti. Presidenti Nishani çmoi rolin thelbësor e të pamohueshëm të
Diasporës shqiptare për evidentimin dhe ruajtjen e vlerave të vërteta njerëzore
e traditave të mrekullueshme të shqiptarëve. “Ky vlerësim është për ju që jeni
sonte në këtë sallë, për qindra mijëra shqiptarët kudo në Shtetet e Bashkuara,
për familjet tuaja, të cilat ju mësuan jo vetëm respektin për të parët tuaj,
por ju lanë trashëgim edhe respektin dhe krenarinë e të qenit shqiptarë”. –
vuri në pah Presidenti Nishani.

Sten Dragoti, “Nderi i Kombit”

Në veçanti, Kreu i Shtetit vuri në pah kontributin e jashtëzakonshëm dhe
atdhetar, nëpërmjet ceremonisë zyrtare të dekorimeve, ku, u vlerësuan me
Dekoratën “Nderi i Kombit” zotin Stan Dragoti me motivacionin: “Në vlerësim të
krijimtarisë së tij të pasur kinematografike, rolit e kontributit të çmuar
dhënë për dekada me radhë ndaj forcimit të lidhjeve të gjithanshme
amerikano-shqiptare, si dhe përfaqësimit dinjitoz si artist i rrallë, duke
lartësuar emrin e kombit shqiptar kudo në botë”; me Titullin “Mjeshtër i Madh”
zotin Gëzim Nika: “Në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e tij të shquar
artistike dhe kontributin e rëndësishëm shumëvjeçar në lartësimin dhe përçimin
e vlerave të rralla e të vyera të muzikës popullore shqiptare” si dhe me
Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” zotin Musli Mulosmanaj: “Në
vlerësim të qëndresës fisnike e të paepur ndaj përndjekjes së diktaturës, si dhe
me mirënjohje për veprimtarinë e tij të shquar atdhetare, kontributin e
qenësishëm dhënë për mbrojtjen e përparimin e çështjes shqiptare”; zotin Vehbi
Bajrami: “Në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për veprimtarinë e tij të
spikatur atdhetare si dhe për kontributin e rëndësishëm mediatik në mbajtjen
gjallë, përhapjen dhe lartësimin e vlerave më të çmuara të kombit tonë në
bashkësinë shqiptaro-amerikane”; zotin Sami Repishti me motivacionin: “Me
mirënjohje për vuajtjet e sakrificat e parrëfyeshme, përpjekjet mbinjerëzore
dhe qëndresën stoike ndaj diktaturës komuniste. Në nderim të veprimtarisë së
palodhur atdhetare për çështjes kombëtare, si dhe në respekt të rolit e
kontributit të çmuar dhënë për dekada me radhë si veprimtar i shquar i të
drejtave të njeriut; farkëtues i lidhjeve të gjithanshme shqiptaro-amerikane,
duke u shndërruar në një simbol të rrallë e të vyer të shqiptarizmit”; zotin
Frank Shkreli me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së shquar atdhetare
dhe kontributit të vyer shumëvjeçar si gazetar, publicist e redaktor i
Seksionit Shqip dhe drejtues i palodhur i Divizionit Euro-Aziatik të “Zërit të
Amerikës”, duke përhapur, mbrojtur me paanshmëri dhe lartësuar vlerat e parimet
e shenjta të lirisë dhe demokracisë”. Presidenti Nishani dekoroi gjithashtu
zonjën Lisa Milicaj me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me
motivacionin: “Në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e saj të shquar
sipërmarrëse dhe politike, si dhe në vlerësim të arritjes së saj historike,
duke qenë gruaja e parë shqiptaro-amerikane e zgjedhur në Shtetin e Nju-Jorkut;
kontribuese e devotshme publike në mbrojtje, përhapje dhe lartësim të vlerave e
parimeve të shenjta të lirisë dhe demokracisë” dhe zotin Lui Fundo me Titullin
“Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”: “Në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e
tij të shquar atdhetare dhe sipërmarrëse, si dhe në vlerësim të kontributit të
vyer dhënë në forcimin e lidhjeve historike shqiptaro-amerikane, si dhe për
zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike e tregtare mes Shteteve të
Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë”.