Galeria ZETA prezantoi “IN-BETWEEN”/ Donika Çina dhe Katharina Stadler

621
IN-BETWEEN

Donika Çina / Katharina Stadler
Kur mendojmë për korridoret e pallateve, kur mendojmë për trotuaret, për sheshet, rrugët dhe qoshet; pikërisht aty, një hap larg derës së shtëpisë sonë fillon hapësira publike apo është ekzaktësisht ky vendi ku ne përballemi me të papërkufizueshmen? Ku flasim për hapësirën publike, hapësirën e kujt kemi ndërmend ekzaktësisht? E kujt është hapësira publike? Si e përcaktojmë atë, por për më tepër si veprojnë dhe kundërveprojmë në një hapësirë për të cilën thuhet se na përket neve, një publiku shpesh herë ambig dhe të shpërhapur? Në këtë hapësirë të përbashkët, në hapësirën publike- si i përcaktojmë kufijtë midis personales, kolektives dhe publikes? Çfarë forme marrin ekzaktësisht këto ndarje? Dhe si mundet forma të kanonizojë përmbajtjen? Sjellja jonë në hapësirën publike në shumicën rasteve është e fituar. Ne ndjekim rregullat e shoqërisë dhe përcaktojmë lirinë tonë nëpërmjet tyre, për rrjedhojë ndjekim normat lokale të sjelljes, shpesh herë edhe ligjin. Çfarë ndodh kur njëri prej nesh, apo më shumë se njëri del jashtë zonës gri të normës dhe kthehet në qendrën e vëmendjes? Vëmendja, e cila ndez një rivlerësim përmes kontestimit të hapësirës nga brenda dhe jashtë. A nuk mund të jetë pikërisht kjo ndarje,- artificiale e parë nga afër,-“brenda” dhe “jashtë”, e cila lejon një TË NDËRMJETME? Çfarë përkufizon kuptimin për individin dhe kolektivin në hapësirën publike? E NDËRMJETMJA, pra del jashtë zonës gri. Në një stol parku, ndërsa kalon vijat e bardha, duke shkuar në punë ose vetëm një moment papara se të rikthehemi në një hapësirë që lehtësisht pretendojmë se është e jona. Për IN-BETWEEN, Donika Çina dhe Katharina Stadler bashkohen përsëri pas bashkëpunimit të parë Autoria Cycle tek Eliava Market në Tbilisi, Gjeorgji në 2014. Dy artistet kanë për qëllim të investigojnë pyetjet e përmendura më sipër nëpërmjet një seri punësh të ndërlidhura midis tyre tek të cilat përmbajtja dhe forma shkrihen njëlloj si kufiri midis praktikës artistike individuale dhe asaj kolektive. 


Sigal