Galeria e Artit “Zeta” mirëpret artistët e rinj norvegjezë

Në këtë veprimtari do të paraqesin punimet e tyre një grup autorësh si Marthe Bygdnes, Thyra Dedenroth Dragseth, Karin Kristine Gaulin, Anne T. Haugen, Torbjørn Havn, Anniela Øye Hegnar, Tim Høibjerg, Åsne Kummeneje Mellem, Bjørnar Sira, Julie Anett Spangebu, Marthe Thu, Anna Vindedal, Stine Raastad, Amanda Malmbekk, Ingvild Tjessem, Kristine Glimsdal, Marius Eriksen dhe Mathilde Servan 

Galeria “Zeta” çel sot, 17 prill 2015, ora 19.00, ekspozitën e krijuesve të rinj norvegjezë, ekspozitë kjo që do të qëndrojë e hapur deri në 3 maj 2015. Veprimtaria është fryt i bashkëpunimit të këtij institucioni në bashkëpunim më shkollën e artit dhe fotografisë në Olso si dhe me Ambasadën e Norvegjisë në Kosovë. Në këtë veprimtari do të paraqesin punimet e tyre një grup autorësh si Marthe Bygdnes, Thyra Dedenroth Dragseth, Karin Kristine Gaulin, Anne T. Haugen, Torbjørn Havn, Anniela Øye Hegnar, Tim Høibjerg, Åsne Kummeneje Mellem, Bjørnar Sira, Julie Anett Spangebu, Marthe Thu, Anna Vindedal, Stine Raastad, Amanda Malmbekk, Ingvild Tjessem, Kristine Glimsdal, Marius Eriksen dhe Mathilde Servan. Gjatë periudhës dy javore që ekspozita do të qëndrojë e hapur është planifikuar që të zhvillohet (22 prill 2015, ora 17.00) edhe një bashkëbisedim i artistëve të rinj me profesorin, shkrimtarin dhe dramaturgun Stefan Çapaliku “Rreth censurës në art”. Galeria “Zeta” e ka nisur veprimtarinë e saj në vitin 2007 me statusin një organizatë jo-fitimprurëse që fokusohet në artet pamore, të cilat promovojnë praktika bashkëpunimi dhe profesionale me artistë dhe kuratorë, kërkues dhe kritikë, studiues dhe profesionistë të artit, në mënyrë që të kontribuojnë në krijimin e një skene aktive të artit bashkëkohor në Shqipëri. Galeria kultivon dhe promovon artin bashkëkohor, të cilën e konsideron si një karakteristikë e pandarë e shoqërive të emancipuara, nëpërmjet çeljes së ekspozitave, prezantimeve, projekteve të bashkëpunimeve në nivel vendor, rajonal, ndërkombëtar si dhe veprimtari të tjera kulturore. Galeria “Zeta” ka një hapësirë moderne prej 150 m2 në zemër të ish Bllokut, në një prej zonave më tërheqëse të kryeqytetit. Galeria “Zeta” i hapi dyert për publikun me ekspozitën personale të artistit Edi Hila “Vizatimet e pazbuluara”. Galeria i ofron publikut shqiptar, vlerat artistike shqiptare dhe ndërkombëtare si dhe mbron e promovon projekte dhe artistë që japin ndihmesën e tyre për të realizuar këtë synim. Qysh atëhere e deri më sot Galeria “Zeta” koleksionon një numër të ndjeshëm ekspozitash të artistëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë si dhe ka qenë partnere e ngjarjeve të rëndësishme të artit bashkëkohor në Shqipëri.