G-Bani: “Dijet e mia nga Harvard do t’i përdor në të mirë të Shqipërisë”

208

INTERVISTA/ Arban Përlala, ose G-Bani, flet për lexuesit e “Telegraf”!

 Në Shqipëri, dhe diasporë, ai njihet gjerësisht me emrin artistik G-Bani, por Arban Përlala po punon fort që, përveç famës së tij si artist, të njihet edhe si një person që e do dijen dhe çdo njohuri e investon në të mirë të vendit të tij. Arbani u bë një kohë e gjatë që nuk prezantohet në skenat shqiptare të muzikës, por gjatë gjithë kësaj kohë ai nuk ka ndenjur pasiv më kot. Ai ka marrë vendime dhe veprime të rëndësishme në progres të jetës së tij profesionale. Së fundmi Arbani ka vendosur që të studiojë në universitetin e njohur botërisht Harvard, për Drejtësi dhe Sigurim Kombëtar. Të gjitha këto ai i bën sigurisht edhe me synimin që një ditë t’i vijë në ndihmë mbare shqiptarisë. Mbrojtjen dhe përkrahjen e tij ndaj çështjes shqiptare ai e ka demonstruar shumë herë. Se cilat janë këto raste dhe planet e tij të afërta me muzikën dhe Harvardin i zbuloni në intervistën e mëposhtme.  

-Arban, emri yt artistik, G-Bani, është i njohur për publikun shqiptar. A mund të na tregoni se çfarë ka ndodhur dhe po ndodh në jetën tuaj artistike? 

Përshëndetje ju e nderuara Blerina, përshëndetje dhe lexuesve tuaj. Këto vitet e fundit që nuk kam qenë prezent në Shqipëri, kam studiuar në Suedi. Ndaj dhe nuk kam incizuar dhe nuk kam publikuar material të ri. Jam kritikuar shumë nga audienca për mos aktivizimin tim në skenat shqiptare, por e kam pasur nevojë të reflektoj dhe të rivlerësoj vlerat dhe virtytet-themelet mbi të cilat e kam bazuar artin tim gjatë viteve të shkuara. Tani jam gati të incizoj dhe të publikoj serish material të ri, duke u bazuar, ashtu sikurse në fillimet e mia, në vlerat socialdemokrate, për të cilat kam shumë nevojë unë dhe populli ynë i vuajtur.

-Përveçse i shkruani dhe  kompozoni vetë këngët tuaja, ne kemi mësuar se ju jeni bërë pjesë edhe i disa filmave, me muzikën apo rolet tuaja si aktor. Na flisni diçka më shumë për këtë fushë?

Kam mbi 14 vjet që shkruaj dhe orkestroj këngë. Por edhe aktrimi ka qenë vazhdimisht pjesë e veprimtarisë time artistike. Kam aktruar para publikut për herë të parë në Kishën e të Shëlbuemit në Rubik (1992), në një meshë Krishtlindjesh. Kam aktruar edhe në Athinë (1997) me trupin teatral të liceut të përgjithshëm, ne pjesën “Babai Lufta – O babas o polemos” ku Jakovos Kambanelis kritikon luftën. Kam marrë pjesë më pas në një serial televiz me titull “Dhjetë Minuta Predikim (Dheka Lepta Kirigma -2000)” në MEGA Channel – Greqi. Aty kam kënduar edhe në gjuhën shqipe. E kështu kam fituar respektin e mijëra bashkatdhetarëve tanë në shtetin fqinj. Jam paraqitur edhe në dokumentare televizive ku është prezantuar aktiviteti im artistik. Si për shembull, në serialin e dokumentareve të regjisorit Marco Gastine, me titull “Odise të vogla (Mikres Odusseies – 2006). Për këtë dokumentar televiziv kam shkruar edhe këngë, të cilat janë përdorur si kolonë zanore për çdo episod. Madje kënga e episodit të fundit, episodi i dhjetë me titull “Vetëm të Dielën (Mono tin Kiriaki), është përpunim i këngës “Never on Sunday” nga kompozitori i famshëm Manos Hajdidakis. Kjo këngë i ka dhënë çmimin Oskar për muzikën më të mirë filmit me të njëjtin titull (Never on Sunday – 1960), regjisuar nga Jules Dassin. Kam shkruajtur edhe një këngë të shkurtër me titull “I vvant to go avvay”, që është përdorur si kolonë zanore për filmin “Eduart” të regjisores Angeliki Antoniou. Ky film është nderuar me shumë çmime në Festivalin e Filmit në Selanik, por më i rëndësishëm është fakti që ka qenë kandidat në vitin 2008 për çmimin “Oskar” si Best Foreign Film (filmi i huaj më i mirë). Kam aktruar edhe në filmin “Out of touch – 2011” regjisuar nga Andi Deliana. Ky film është cilësuar si filmi i parë aksion në Shqipëri.

-Këtë vit ju do të nisni një program studimi në universitetin prestigjioz Harvard. Cila do të jetë fusha juaj e studimit dhe si arritët në këtë vendim përfundimtar?

Arrita në vendimin të studioj në këtë fushë pasi bëra disa ‘gafa’ nën nofkën artistike G-Bani. Duke qenë se nuk po jetoja në Shqipëri, kohet e fundit u largova shumë nga rrënjët e mia duke mos shkruar këngë për të gjithë popullin, por për një grup të vogël njerëzish. Populli kërkon mirëqenie, besoj se për këtë duhet të punojmë të gjithë, përfshi këtu edhe ne artistët. Në Harvard do ndjek të paktën dy kurse, me temë fillimisht Drejtësi dhe më pas Siguri Kombëtare. Por më shumë se të gjitha më intereson të studioj mbi Të Drejtat e Njeriut. Dua shumë që një ditë ta shikoj edhe Shqipërinë sikur shtetet e tjera të Bashkimit Europian dhe të Perëndimit në përgjithësi, ku respektohen në maksimum të drejtat e femrave, të të miturve dhe të minoriteteve. Kam vuajtur shumë personalisht nga politikat ekstreme, të cilat kanë si qëllim fitimin e vetëm një individi dhe jo të të gjithë njerëzve. Kam 7 vjet që jetoj në Suedi dhe këtu shikoj se sa mirë jetojnë njerëzit me prejardhje nga Shqipëria dhe nga Kosova, në këtë demokraci perëndimore.

-Miqtë dhe personat që ju njohin nga afër e dinë mirë që mes aktiviteteve tuaja të shumta ju gjithashtu, jeni aktivizuar dhe keni dhënë suportin tuaj, për çështjen shqiptare dhe Kosovën.  Na jepni disa detaje më shumë dhe arritjet që keni pasur në këtë fushë?

Besoj se atdhedashuria është shtylla kryesore për një komb të shëndetshëm. Shqipëria dhe Kosova e meritojnë të jenë pjesë e Bashkimit Europian dhe për këtë çështje nuk kam frikë ta deklaroj që do jem aktiv gjithë jetën time. Arritja më e madhe është që kam arritur në këtë konkluzion, sepse ndikimet për t’ju larguar demokracive socialdemokrate të Perëndimit, janë të shumta.

– I rikthehemi muzikës. Albumi juaj me titull “Punë të pastra” është albumi i parë në gjuhën shqipe që u publikua nga një kompani ndërkombëtare në iTunes dhe në Spotify. Si e arritët këtë rezultat dhe çfarë domethënie ka për ju?

Është shumë e rëndësishme për mua që gjuha shqipe të jetë prezente në industrinë e muzikës dhe të kinematografisë. U ndjeva shumë krenar në vitin 2008 kur e shikova albumin tim personal me titull “Punë të pastra” në raftet e dyqaneve greke ku shiten kompakt disqe dhe kaseta. Jam ndjerë po aq krenar kur e kam shikuar në Spotify dhe në iTunes. Në këtë rezultat arrita me shumë punë, mirësjellje dhe respekt ndaj gjuhës shqipe.

– A mund të na rendisni disa nga çmimet dhe vlerësimet më të rëndësishme që ju janë akorduar, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare?

Në vitin 2006 kam marrë një çmim nga Sektori për të Drejtat e Njeriut të partisë socialiste greke PASOK, të firmosur nga Jorgo Papandreu që më pas shërbeu si Kryeministër i Greqisë. Çmimi ishte për aktivitetin tim artistik nën kushte të vështira si emigrant i brezit të dytë në Greqi. Po në vitin 2006 jam vlerësuar për këngën time me titull “Të dua”, me çmimin e dytë të Festivalit Mikrofoni i Artë, çmimi Radio Plus 2 HIT. Jam krenar që ky çmim është dhënë nga publiku dhe është sponsorizuar atë vit nga Bashkia e Tiranës. Këto janë çmime, të cilat më kanë pëlqyer më shumë.

– Çfarë planesh të presin për të ardhmen. Cila do të jetë fusha në të cilën do të fokusohesh më tepër?

Sikur thashë dhe më parë, Të Drejtat e Njeriut janë fusha në të cilën do të fokusohem më tepër, si me veprimtarinë time artistike ashtu dhe me studimet dhe me veprimtarinë time politike. E di që janë shumë ata që duan të dëgjojnë këngë të reja, kështu që po u zbuloj edhe disa nga temat, të cilat do doja të prek në të ardhmen me tekstet e mia. Do më pëlqente të shkruaj disa këngë kundër fenomenit të gjakmarrjes, kundër dhunës ndaj femrës dhe kundër pabarazisë gjinore në shoqërinë shqiptare. Gjithashtu besoj se ka ardhur koha për një këngë pro Policisë së Shtetit, pa të cilën do kishim kaos total. Besoj se efektivët e Policisë Shqiptare kanë dhënë kontribut të madh në ruajtjen e sigurisë kombëtare të Shqipërisë. E meritojnë një këngë sepse në fund të fundit nuk janë lekët ato që të motivojnë të rrezikosh jetën në krye të detyrës, por një fjalë e mirë në shenjë mirënjohje, e cila është më e rëndësishme.

– Planet në Shqipëri? Kur do të riktheheni në skenën shqiptare?

Do rikthehem në skenën shqiptare me ndonjë performancë në ndonjë nga festivalet e muzikës moderne. Sigurisht, edhe me koncerte, sepse janë ato që ma japin mundësinë të ekzistoj si artist. E nderuar redaksi e “Telegraf”, ju faleminderit shumë për intervistën dhe ju uroj suksese!

-Faleminderit!