Fuat Memelli: Kristi Kondakçi, dirigjenti që po nderon Shqipërinë

737
Këto ditë, në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, isha i ftuar në një koncert këtu në Boston, që do ta dirigjonte i riu shqiptaro-amerikan, 24 vjeçari, Kristi Kondakçi. Kisha dëgjuar të flitej për këtë të ri të talentuar, por nuk më ishte dhënë rasti të shoh nga afër dirigjimin e tij. Një sallë në North And, zonë shumë e njohur në Boston e bizneseve dhe e banimit nga italiano-amerikanë, ishte mbushur plot. Muzika e zgjedhur, ishte “Messiah” (si gjini është oratorio, gjini vokale-orkestrale) e kompozitorit të shquar,George Frederik Hendel. Qysh me hyrjen në sallë të dirigjentit Kristo Kondakçi, pjesëmarrësit e duartrokitën fort, që me sa duket i njihnin talentin e tij. Për një orë e gjysmë, ata ndoqën orkestrën dhe korin e dirigjuar nga i riu shqiptar. 

Në mbyllje të programit, ishte lënë pjesa “Hallelujah”. Ajo shënoi edhe momentin më kulmor të shfaqjes. Duartrokitje të shumta, vazhduan për minuta të tëra. Kristi përkulej para spektatorëve të ngritur në këmbë, për t’i falënderuar. Si “shpërblim” për vlerësimin e bërë, Kristi i kërkon orkestrës, për ta përsëritur edhe një herë këtë pjesë. Kthehet me fytyrë nga salla duke dirigjuar njëherësh , orkestrën dhe publikun. Kur duartrokitjet pushuan, pjesëmarrës të ndryshëm afrohen te Kristi, i shtrëngojnë dorën dhe e falënderojnë. -Ky program ishte kartolina më e bukur për ne në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, të cilën na i dhuruat ju, u shprehën ata. E falënderojnë edhe pjesëtarë të orkestrës e të korit. Afrohet edhe shqiptari Petrit Alibej, i cili e ka ndjekur ndër vite ecurinë e Kristit. Pasi e falënderon, bën edhe një foto me ‘të. – Ky djalë, na ka nderuar ne si shqiptarë, thotë Petriti. Fatkeqësisht atë më shumë e njohin amerikanët, se sa shqiptarët. Duhet ta bëjmë më të njohur këtë djalë mes shqiptarëve të Bostonit si dhe shqiptarëve të tjerë të Amerikës, thotë Petriti. Organizatorët e pasqyruan veprimtarinë brenda natës, te faqja: messiah by kristo kondaci.com (Ata që duan të shohin veprimtaritë e tij, i gjejnë te kjo faqe.) 

Por, cili është Kristi Kondakçi?
Kanë kaluar rreth 18 vjet, kur familja e tij bashkë me gjyshin, të ndjerin Beqir Omari, ish i përndjekur nga regjimi komunist, emigroi nga Shqipëria në Amerikë dhe u vendos në Boston. Për ta arsimuar sa më mirë, familja e dërgoi në shkolla private, ku u shqua si nxënës i shkëlqyer. Paralelisht vazhdoi edhe shkollë private për piano, nën drejtimin e mësueses së shquar ruse, Tatjana Dodoçki. Më pas vazhdon për katër vjet “New England Conservator”, në degën e kompozimit, të cilën e mbaron më rezultate të larta. Në vitin 2009, merr çmimin e parë në shkollë për kompozim. Krahas kompozimit, vazhdon studimet edhe për dirigjim, duke u shkolluar në dy fusha. Ai tani jo vetëm dirigjon, por edhe luan në piano. Aktualisht është asistent dirigjent në dy orkestra: “Landmarks Orchestra” si dhe në Filarmoninë e Bostonit. Është një pozicion jo i vogël ky, për një djalë 24 vjeçar, në qytetin e Bostonit, një nga qytetet më të njohura të Amerikës. Brenda një kohe të shkurtër, ka dhënë 18 shfaqje, të cilat janë vlerësuar nga specialistët e fushës si dhe spektatorët. Kohët e fundit, ka krijuar edhe orkestrën e tij me emrin “Eureka”, e cila përbëhet nga 49 instrumentistë të moshës 18-vjeçare. 

Janë të talentuar, ashtu siç është vetë Kristi. Me pasionin dhe këmbënguljen që ka ai, kjo orkestër nesër mund të bëhet me emër në Boston. Dëgjuam se shpesh Kristi komunikon me fjalë shqipe me trupën e orkestrës. Dhe kjo, nuk është rastësi. Është dashuria që ai ka për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe, e cila e nxit t’u mësojë atyre edhe ca fjalë shqipe.( Një i ri i kësaj trupe, ka mësuar 50 fjalë shqip nga Kristi.) Megjithëse ka ardhur fare i vogël në Amerikë dhe është shkolluar në anglisht, e flet shumë mirë gjuhën shqipe. Dashurinë për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe, ia kanë rrënjosur jo vetëm prindërit, por edhe gjyshi i tij, i ndjeri Beqir Omari, që ndërroi jetë këtu në Boston para tre vjetësh. “Magneti” i Shqipërisë e tërheq vazhdimisht, ndaj në shtator të vitit të kaluar , i ftuar nga drejtori i Teatrit të Operas dhe Baletit, Ilir Kërni, shkoi aty dhe drejtoi orkestrën e këtij institucioni. Pjesa që dirigjoi, ishte simfonia ” Titani” e kompozitorit Gustav Mahler.Kish marrë me vete partiturat dhe në një kohë rekord prej 5 ditësh, arriti të verë në skenë këtë pjesë të vështirë dhe të panjohur në Tiranë. Nuk ishte parë që në kohë kaq të shkurtër, të përgatitej për shfaqje një simfoni nga një dirigjent i ri (23 vjet vitin e kaluar ) me moshë shumë më të re se pjesëtarët e orkestrës dhe që nuk i njihte më parë. Me pasion dhe këmbëngulje, dy “armët” e tij të forta bën për vete trupën dhe shfaqja pati një sukses të merituar. Në fakt dha dy shfaqje njëra pas tjetrës. Një cilësi e veçantë e Kristit, është thjeshtësia e tij. 

Ai komunikon me trupën e orkestrës, me korin dhe spektatorët, si shok i tyre.-E gjithë grupi: orkestra, kori dhe dirigjenti,duhet të funksionojnë si një trup i vetëm. Ndryshe nuk ka sukses, thotë ai. Ky është shkurtimisht portreti i dirigjentit të ri shqiptaro-amerikan, Kristi Kondakçi, i cili po nderon Shqipërinë. Është i vetëdijshëm se ndodhet në hapat e para të karrierës së tij, ashtu siç është i vendosur për të hedhur hapa të tjerë edhe më të mëdhenj në të ardhmen. Në mëndje ka plot plane, por nuk do të nxitohet. Do të ecë i sigurt. As reklamë nuk kërkon.-Reklama më e mirë është puna, thotë ai. Sipas Kristit, një nga planet më të afërta është përgatitja e një koncerti me pjesë nga kompozitorë të shquar shqiptarë si Çesk Zadeja, Tish Daija, Preng Jakova, Feim Ibrahimi, etj. Do të jetë ky program edhe një mirënjohje për këta kompozitorë të shquar shqiptarë. Synimin e ka që, shfaqja të jetë gati në muajin maj të vitit që vjen dhe të jepet në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston. Në orkestër kërkon të ftojë muzikantë shqiptarë që jetojnë në Boston e qytetet rreth tij si dhe nga Shqipëria. Plane të tjera ka për shfaqje në Amerikë si dhe në vende të ndryshme të Botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Në mëndje ka shumë plane, në zemër plot tinguj. Jeton në një botë tjetër, në botën e tingujve, ashtu si gjithë muzikantët e shquar.
Sigal