Fuat Memeli/ Edhe dhimbjet nganjëherë i duam, se janë pjesë e jetës

787
Ka disa vjet që Riko Hanelli, shkruan poezi, por shumicën e tyre i ka mbajtur në “sëndyq”.Kohët e fundit ka botuar një pjesë të tyre në faqen e tij në Facebook. Poezitë të tërheqin për origjinalitetin , për këndvështrimin e tyre, për thjeshtësinë, për mesazhet që përcjellin, për metaforat e zgjedhura, etj. Duke lexuar një pjesë të mirë të krijimeve të tij, u binda se poezitë e tij kanë ”brumë” dhe autori i tyre, duhet bërë i njohur.
Rikua ka lindur në fshatin Arzë të Devollit.Ka mbaruar vetëm shkollën e mesme, pasi e penguan “njollat” në biografi. Por, poezia vlonte brenda shpirtit të tij dhe një ditë ato dolën nga “kapaku” i zemrës. Prej 20 vjetësh, ai jeton në Selanik të Greqisë, ku edhe janë shkruar shumica e poezive të tij.Ja ç’thotë në një nga këto poezi, shkruar në emigracion:
Trupi mbetur kurbetit/ Mendja kullot në atdhe/Vështirë ku t’i shtrij këmbët/Një këtu e një atje…
Pyetje: Kam lexuar mjaft poezi të tua dhe tek ato ve re dy motive kryesore: vendlindjen e dashurinë. Pse kaq shumë i lidhur pas tyre?Le ta fillojmë me vendlindjen.

Përgjigje: Temat që kam lëvruar unë, janë ato që i kam prekur, që i kam jetuar. Unë shkruaj për ato tema që kanë lënë brazda në jetën time. Mundohem t’i mbush ato brazda, por ato vijnë e thellohen më shumë. Nuk mund t’i shmangem atyre kujtimeve dhe ulem e shkruaj. Asnjëherë nuk mund ta harroj të kaluarën. Nuk jam as shkrimtar, as poet. Shkruaj për ato që ndiej. Po ndalem tani te tema e vendlindjes, të cilën siç thoni ju e kam trajtuar disa herë. Në vendlindje, ne u rritëm, aty hodhëm rrënjë. Të mohosh vendlindjen nga ke ardhur, do të thotë të thahesh si ai kërcuri. Po harrove vendlindjen, ti vetë i pret rrënjët asaj. Kur kthen kokën mbrapa, shikon të kaluarën, shikon vendin ku je rrëzuar, ku ke qarë, pasi jeta i ka të gjitha. Edhe dhimbjet nganjëherë i duam, pasi janë pjesë e jetës sonë. Aty kemi qarë kur na ka vdekur njeri, kur jemi ndarë, kur na kanë bërë një padrejtësi. Kemi qarë edhe kur na kanë lindur fëmijët, pasi njeriu qan edhe nga gëzimet. Të harrosh vendlindjen, do të thotë të mohosh veten. Mua më vjen keq kur dikush këtu në Greqi , mohon fshatin, i vjen turp ta përmendë. Përkundrazi, unë gjithë miqve u them që jam nga Arza, i them që jam djali i Mynyrit dhe i Delinës. Do ishte qesharake të veproja ndryshe. Do ishte njëlloj sikur të vija një maskë.
Pyetje: Besoj se “magneti “ i vendlindjes të tërheq dhe, megjithëse je larg, shkon aty herë pas here.

Përgjigje: Vërtet e kam larg Arzën por shkoj disa herë aty gjatë vitit. Unë shkoj aty për t’u çlodhur, paçka se rruga është e keqe dhe gjithë baltë, paçka se nuk janë ata njerëz që kam lënë. Disa prej tyre janë bërë edhe njerëz të smirës, ndërsa unë nuk ndryshoj. Dua të jem ai që kam qenë. Disa prej tyre kanë marrë 5 lek dhe i duket sikur kanë zënë Perëndinë me dorë. Kur largohem nga Arza dhe mbyll portën e shtëpisë, më duket sikur kam lënë dikë jetim. Kur shkoj aty, edhe një qen sikur të gjej pranë shtëpisë, më duket sikur ajo jeton, sikur buzëqesh.

Pyetje: Me që jemi te vendlindja, mund të na thuash ndonjë poezi që i ke kushtuar asaj?

Përgjigje: Poezitë për vendlindjen, janë të shumta. Po përmend njërën prej tyre, e cila titullohet:”Arzës” :Sa here që jam pranë teje/ Vij me qejf dhe ik pa mend/ Unë vij të shuaj mallin/ Ti më mbush me mallin tënd. Në një poezi tjetër kushtuar vendlindjes, ndër të tjera , them se nuk shkoj aty për të ngrënë, por sepse…” Diku më ka mbetur një fjalë pa thënë/ Dikujt i kam borxh një “ natën e mire”…

Pyetje: Në poezitë e tua,i këndohet shpesh baltës. Kaq e dashur është ajo për ty?

Përgjigje:Po, toka , balta, janë shumë të dashura për mua. Mbi këtë baltë, kemi shkelur,kemi rënë, jemi ngritur dhe do s’do, ajo është brenda jetës sonë. Ajo baltë na ka ushqyer. Këtë baltë , unë e kam të dashur,e kam timen, megjithëse e ka emrin” baltë”.Por, baltë, nuk do të thotë urrejtje, nuk do të thotë injorim. Do ishte qesharake që dikush të fliste keq për baltën. Unë baltën e dua. Edhe kur isha fëmijë,lodrat e para ishin prej balte. Kjo baltë, nuk na ka rritur vetëm ne por ka rritur nënën e babanë, gjyshërit e gjyshet, ka rritur breza të tërë. Ajo do rritë edhe mijëra breza të tjerë, kështu që ju lutem, mos flisni keq për baltën.

Pyetje: Le të ndalemi pak tek tema e dashurisë,të cilës ti i je referuar jo pak herë në poezitë e tua.
Përgjigje: Unë nuk kam qenë ndonjë Don Zhuan, megjithëse të dashurosh me gjithë shpirt, nuk është ndonjë gjë e keqe. Një njeri që nuk ka dashuruar, është sikur të mos ketë jetuar. Dashuria i plotëson ndjenjat e njeriut. Një njeri i dashuruar, është më i ndjeshëm. Ai mund të grindet më pak e mund të falë më shumë. Në qoftë se një njeri është i nxehur dhe i del përpara e dashura,ai zbutet, sikur i ke hedhur ujë të ftohtë. Është ndjenja e bukur e dashurisë, që e ka këtë fuqi magjike. Diku kam lexuar se nuk mund të flasë për dashurinë, ai që nuk e ka provuar, pasi fjalët e tij do të jenë artificiale. Unë dashurisë i kam marrë esencën. Mund të kem qenë edhe vetë viktima. Të dy viktimat, bëjnë dhimbje, kanë sjellë shqetësim edhe tek të tjerët. Këto ngjarje, duhet t’ia përcillen njerëzve në mënyre artistike. Duhet ta prekësh tjetrin. Ky është arti. Gjërat e bukura, mbeten.

Pyetje: Me që jemi tek poezitë me temë dashurie, na i ilustro me ndonjë prej tyre.

Përgjigje:Me gjithë qejf. Po të recitoj një nga ato. Titullohet :”Përballë pasqyrës”.
Një plagë e mbetur prej kohësh në zemër/Një thinjë e një rrudhë më kanë pushtuar/Më flasin nga larg me zë dhe me emër/Nga dora jote më janë dhuruar.

Pyetje: Ndonjë temë tjetër që të ka tërhequr në poezitë e tua.

Përgjigje: Një ditë shkrojta një poezi për një fëmijë, i cili po qante pasi po i ndaheshin prindërit. E pashë nga ballkoni këtë skenë dhe s’mund të rija indiferent. Kjo ngjarje mund t’i ndodhte një njeriut apo mikut tim. Loti i asaj fëmije, më plagosi jo vetëm mua, por edhe të tjerë , pasi është lot i viktimës së pafajshme. Unë shkruaj për ato që ndiej. Jam aty brenda, jam nëpër shkronja, nëpër vargje dhe notoj në atë varkë.
Pyetje: Çfarë të dhimbset më shumë ty? Kush ta thyen më shumë zemrën?
Përgjigje: Tre lot mund ta thyejnë zemrën time: loti i fëmijës së braktisur, loti i femrës së tradhtuar dhe loti i plakut të flakur në rrugë.

Pyetje: A ka ndërmend Rikua të kthehet të jetojë në vendlindje?

Përgjigje:Kur ika nga Arza, lashë dashurinë aty, lashë brengat, dhimbjet e shpresat. Duke ikur, njeriut i mbetet koka mbrapa, me dëshirën që të kthehet prapë aty. Kur ika nga Arza, shpesh më shkonte mëndja për t’u kthyer atje. Dhe përsëri më shkon. Tani kurrizi më është bërë sikur më ka zëna samari, sikur ma kanë hequr stelën dhe kashtën. Kjo jetë kaq vite jashtë, ka lënë gjurmë tek mua. Më dhembin këto plagë ditën dhe i lutem natës të m’i shërojë. E, megjithatë të nesërmen kam të njëjtën dhimbje. Shpesh pyes veten: po të kthehem prapë në Arzë, mos humbas edhe 20 vjet të tjera? Ndoshta duhen edhe 20 vjet që të përshtatem aty. Në Greqi kam një jetë të dytë por jeta bazë është në Arzë. Sado jetë të mirë të bëj unë këtu, sado lek apo makina luksoze të kem, këto për mua mbeten sekondare. Në fund të jetës do mbeten ato dy metra vend. Dhe unë them: m’i mbani ato dy metra vend aty në Arzë. `
Maki Cenolli
MË PRIT ATDHE
Do të kaloj male e fusha 
do të kaloj oqeane e dete,
do të shkoj unë fluturim
m’u atje te Atdheu im!
Me krahët e bletës punëtore
të marrë mjaltë hoje më hoje
nga Prishtina deri në Vlorë
në Preshevë e në Tetovë!
Do të fluturojë mbi kaltërsi
shpirtit tim t’i japë freski, 
nga Molla e kuqe në Çamëri
gjithandej ku i thonë Shqipëri!
Do të fluturojë sikur shqiponja 
gjithandej trojeve tona,
qe t’i shuaj dhimbje e mallë
qe në shpirtë më vlojnë si zjarrë.
Sa të vijë e bardha ditë 
do t’i preki kaltërsitë,
do t’i shkeli të gjithë kufijtë 
më prit Atdhe, ti më prit!
DIALOG ME ZJARRIN
Kur i vura veshin zemrës time, një natë,
Përshpëriste fjalët tua, poet!
Me shpirtin tek fliste:
Jemi lodhur si ti, si unë,
Vetëm poeti i thotë çfarë vuajmë
Dhe fillon edhe vetë të vuajë më shumë.
Edhe po të mbrohet,
Kot e ka të mos sëmuret,
Nga sëmundja jonë e lashtë.
E di, nuk lexonte zemra atë natë,
Libra përmendsh poetësh dinte,
Një herë më tha si në besë:
Unë e them dashurinë vetëm me poetin,
Kur ai nuk fle gjumë,
Natën kur të dy lutim qiellin,
Të derdh yjet në zjarrin tonë.
Sa lehtë e kam, 
Kur flas prej gjirit tënd,
Më tha edhe ai një hërë në besë,
Dhe vargjet si fije bari i krihte:
Eja të vdesim bashkë!
Ja flokëverdha po vjen, 
E nga shiu e lagur qull,
Vetëtimën për ne po sjell.
ATJE DHE KËTU
Atje te lagjja e vjetër 
e kalova fëmijërinë,
këtu në mërgim 
e treta rininë.
Atje e kam shpirtin
këtu e kam trupin, 
atje e kam mëndjen 
këtu e bëj gjumin.
Atje shkoj me vrap
për të marrë frymëzimin,
këtu vargjeve të mija
u bëj vetëm shkrimin.
Atje edhe dimri
të ngrohë si pranvera,
këtu edhe verës
luleve s’u bie era.
Atje vendlindja ime
e ka emrin Prishtinë,
këtu kjo tokë e ëndrrave
për mua është mërgimë.
Atje edhe kripa
është e ëmbël si mjalta,
këtu edhe dita
të duket si nata.
Atje dua të shkoj fluturim
ku së pari kam qarë e qeshë,
këtu në dheun e huaj
nuk dua që të vdesë.
Atje rrahë zemra ime
në Prishtinë te kroni,
këtu jam shqiptare
kot amerikane më thoni!
Sigal