Freskida Miloti: Lidhja ime me ekranin dhe farmaceutikën

1455
E bukur, e ëmbël,e dashur, intelegjente, dhe e zgjuar me një bukuri që zoti ja ka dhënë me një buzëqeshje të ngohet. Me sy bojë qielli që i rezatojnë vetëm mirësi, por mbi të gjitha është e talentuar. Freskida Miloti përherë të parë në një intervistë për gazetën “Telegraf” flet për rrugëtimin e saj të gjatë në gazetari , për emisionin ‘Diagnoza’ por sigurisht që nuk i shpëton dot pyetjeve për jetën e saj private. Freskida përgjigjet me shumë dëshirë dhe sinqeritet, ajo na tregon dhe lidhjen që ka me ekranin dhe farmaceutikën. Ajo e quan sukses emisionin ‘Diagnozë’ me mjekë, personazhe të famshëm dhe politikanë.

Si ka nisur rrugëtimi juaj si gazetare? 
Rrugëtimi im në fushën e gazetarisë ka nisur me shumë pasion dhe sakrificë gjithashtu, sepse unë isha afërsisht 17 vjeçe dhe normalisht ndiqja edhe shkollën. Përgjatë të gjitha viteve të shkollimit dhe kualifikimeve të mia, asnjëherë nuk jam larguar nga media. Kam nisur në Radio Shkodra. Në atë kohë nuk kishte radio private në qytetin tim dhe 2 ishin në kryeqytet. Shumë shpejt puna ime u zhvendos në Tiranë, në radio private dhe, më pas, 11 vite në Radio Tirana. Paralelisht botoja intervista, artikuj në revista dhe gazeta të ndryshme. E quaj veten me fat që shumë vite të jetës sime i kam kaluar në radio. Gjithçka ishte në simbiozë. 

Ju për shumë vite keni punuar në radio, ku ndryshon ajo nga televizioni?
Ndryshojnë në shumë dimensione, por po përmend një aspekt, atë të impaktit me publiken. Për një kohë të shkurtër televizioni të bën person publik dhe natyrisht që duhet të punosh shumë që të bëhesh figurë e dashur dhe e respektuar. Në radio njohin zërin, emrin, punën pasionante. Radioja ka fuqinë e fjalës, vërtetësinë e saj, bukurinë, kakarkteristikën dhe intonacionin e zërit, origjinalitetin, logjikën e padiskutueshme në përcjelljen radiofonike, zhdërvjelltësinë, shpeshherë lakonizmin, informacionin e përshtatshëm për transmetim valësh radiofonike etj. 

Ju mungon Radioja? 
Po, shuuumë, përderisa kam punuar afërsisht 15 vite… më është bërë si oksigjeni… domosdoshmëri!

Prej disa muajsh ju shikojmë në ekranin e Ora News me emision ‘Diagnozë’, një emision që ka të bëjë me diagnozën e secilit prej nesh apo…? 
Emisioni ‘Diagnozë’, ka karakter mjekësor dhe transmetohet çdo të shtunë në orën 17:00 në TV Ora News. Të gjithë mund të gjejnë veten aty. Shëndeti na përket të gjithëve dhe mund të informohen për problematika të ndryshme shëndetësore, duke i ndërgjegjësuar për të parandaluar dhe pse jo, për të treguar se shpëtohen jetë. Më mirë të parandalosh sesa të kurosh. Unë jam autore dhe moderatore e këtij emisioni që është bërë shumë i dashur për publikun. Ditën e transmetimit të këtij emisioni, mua më duket si ditëlindje, ditë feste, pasi marr shumë urime dhe kjo më motivon për të punuar dhe për të dhënë më të mirën,por njëkohësisht për të qenë edhe falënderuese ndaj tyre që më ndjekin. 

Çfarë përmban ‘Diagnoza’? 
Në minutazhin e rezervuar për kujdesin shëndetësor ka të ftuar specialistë mjekë patologë, mjekë stomatologë, farmacistë etj, të cilët i japin përgjigje shumë pyetjeve, diagnostikimet, arritjet më të fundit në fushën e mjekësisë, mesazhe sensibilizuese, këshilla praktike etj. Bëhen pjesë e këtij emisioni personazhe publike me intervista ndryshe dhe me surpriza. ‘Diagnozë’ është emisioni dedikuar shëndetit, që përcjell kulturë mjekësore dhe iu prezanton shikuesve një fundjavë të këndshme televizive. 

Gjatë emisioni ‘Diagnozë’ ka dhe një rubrikë ‘Impakt-shëndet’ çfarë risie sjell ajo?
Emisioni ‘Diagnozë’ transmetohet në fundjavë dhe mendova për ta bërë sa më të larmishëm, gjithëpërfshirës dhe tërheqës. Siç citova më lart, që shëndeti na përket të gjithëve dhe përveç informacionit mjekësor që transmetojmë, sjellim në vëmendje edhe personazhe publikë. Të gjithë personazhet publikë, që kanë një impakt te shikuesit, flasin për jetën e tyre artistike, politike etj dhe ndajnë me ne, disa prej tyre, edhe përvoja interesante mbi shëndetin. Përcjellin mesazhe ndërgjegjësuese për të patur kujdes me shëndetin tonë. Disa prej personave publikë që janë bërë pjesë e emisionit, i kanë realizuar edhe surpriza shumë të bukura bluzave të bardha, pra mjekëve, fëmijëve etj. Në këtë rubrikë janë bërë pjesë edhe pacientë duke ndarë me shikuesit historinë personale. Ky është një emision me shumë risi. Do keni përsëri mundësi të shikoni gjëra të bukura dhe me shumë vlerë. 

Cilët nga personazhet që keni intervistuar ju ka lënë më shumë mbresa?
Janë shumë, realisht shumë. I falenderoj nga zemra që janë bërë pjesë e këtij emisioni, pa hezitim dhe me shumë respekt, të gjithë mjekët, të cilët janë ndër më të mirët dhe përcjellin profesionalizmin e tyre. 

Freskida mes televizionit dhe profesionit të farmacistes a ka diçka që ju lidhin me njëra-tjetrën? 
I lidh pikërisht emisioni ‘Diagnozë’. Për të bërë një emision të tillë duhet patjetër të jesh njohëse e fushës. Duke qenë se i përkas edhe fushës së farmaceutikës dhe medias, pikën lidhëse e bëra në këtë emision. 

Freskida si e ndani kohën tuaj për punën dhe familjen? 
Familja është e para, e dyta, e treta…dhe pastaj vijnë të tjerat. hahaha. Pra ajo është gjithçka për mua dhe në fron, të mirat rrjedhin nga një familje e shëndoshë dhe në harmoni. Është pak e mundimshme për të ruajtur një balancë të mirë kohe, megjithatë gjithçka arrihet. 

Cila është ngjyra juaj e preferuar? 
Ngjyra blu. Jo rastësisht… Sipas disa studimeve kur njeriu shikon dhe shijon ngjyrën blu, kjo e bën trupin të prodhojë kompozime kimike, të cilat janë qetësuese. Por kjo nuk është e vërtetë për të gjitha nuancat e blusë. Disa nuanca (ose bluja e tepruar) mund të dërgojnë mesazhin e ftohtësisë. 

Çfarë nuk mungon asnjëherë në çantën e Freskidës? 
Hahaha. Si çdo çantë femre, që nuk lëmë gjë pa futur. Kryesoret gjithmonë i mbaj në çantë, por po veçoj diçka, është një kuti e vogël emergjence me disa ilaçe të ndihmës së shpejtë, si p.sh. kundër alergjive, dhimbjeve të kokës etj. Jo për vete sa për të tjerët, pasi shumë prej miqve më drejtohen mua si farmaciste në momente të caktuara. 

Ju shqetësojnë thashethemet?
Po, gjithmonë. I mbaj larg njerëzit që pëlqejnë thashethemet.

Atlete apo taka? 
Hahaha i përdor të dyja. Janë të pashmangshme për punën time dhe stilin e jetesës. 

Intervistoi, Era Çela
Sigal