Fredi Gusho: Në vitin 2007 për Pavijonin Etnografik u hodhën 110 milionë lekë, të cilat shkuan dëm

94

Personazh/ Flet muzeologu Fredi Gusho: Muzeut Kombëtar i mungon Pavijoni i Etnografisë

 Ka një vit që ka dalë në pension, por ka punuar në Muzeun Historik Kombëtar qysh në vitin 1979. Pra plot 33 vjet në një institucion të rëndësishëm të historisë dhe të kulturës shqiptare. Sipas shumë kolegëve të tij, ai mbetet muzeologu më i spikatur, pasi në fillimet e punës ka qenë në Ministrinë e Kulturës si inspektor i të gjithë muzeumeve të vendit. Njëkohësisht, z. Gusho ka marrë pjesë në ngritjen e 10 muzeve në rang kombëtar si dhe ka punuar si specialist në ngritjen e muzeut të Enver Hoxhës për tre vjet, qysh në ditën e hedhjes së themeleve. Atij i dhëmb çdo gërvishtje e muzeut dhe interesohet për çdo zhvillim brenda mureve të tij dhe pse ka një vit që ka dalë në pension. Sipas tij, problemi më pikant i Muzeut sot është ngritja e pavijonit Etnografik, i lënë në mes pas një investimi të PNUD, me një shumë prej 400 mijë dollarë.

 Kur ka filluar ndërtimi i Pavijonit të Etnografisë në Muzeun Kombëtar?

 Në Muzeun Historik Kombëtar u bë një investim në vitin 2007-2008, rreth 110 milionë lekë të vjetra, me të cilat u bë një ndërtim, për pavijonin e kulturës, apo më mirë të themi Pavijoni Etnografik. Pra, qëllimi ishte që të shtohej dhe një pavijon i ri, ai i Etnokulturës, ose Etnografik, me një sipërfaqe rreth 1500 metër katror, që ishte një shqetësim i gjithë shkencës, akademisë dhe kulturës, por kryesisht i Qendrës të Studimeve Albanologjike dhe Ministrisë së Kulturës. Por ky investim nuk doli i suksesshëm.

Përse, ishte projekti gabim?

Nuk doli i suksesshëm, sepse, Drejtoria e Muzeumeve nuk bashkëpunoi me specialistët e kësaj fushe, pra të Etnografisë (Etnokulturës). Si rezultat këto 110 milionë lekë shkuan dëm. Me një vendim të ministrit Xhaferri që ishte ministër i Kulturës, u shemb i gjithë ndërtimi brenda objektit, pasi procesi i ndërtimit për këtë pavijon si dhe objektet e tjera brenda këtij ndërtimi, nuk ishin ndërtuar sipas kërkesave dhe t’i përshtateshin këtij Pavijoni Etnografik (Etnokulturor). Pra Muzeu kishte si objektiv ndërtimin e një pavijoni të tillë dhe ishte shumë mirë, por ky objekt donte një mbështetje të specialistëve. Pra ky ndërtim nuk ishte ndërtuar sipas kërkesave të specialistëve të Etnografisë. Ajo ishte përshtatur më shumë për një ekspozitë industriale se sa një Pavijoni Etnografik. Ndaj dhe ky investim shkoj dëm dhe u prish pas 3 muajsh. Ndaj ministria e pa të arsyeshme që ta prishte.

 Po pse ta prishte do ndërtohej diçka tjetër?

Po. PNUD mori përsipër ndërtimin e një pavijoni të tillë, por me kusht që të hiqej çdo gjë e këtij pavijoni, që nuk përshtatej me kërkesat dhe specifikimet e specialistëve të saj. Ministër ishte ende Ferdinand Xhaferri. PNUD bëri një marrëveshje me Ministrinë e Kulturës, në vitin 2010, ku PNUD me një vlerë 400 mijë dollarësh, do të merrte përsipër ndërtimin e një Pavijoni Etnografik, sipas standardeve të saj. Vetëm në këtë rast u bë një ndryshim salle, ku u mor për këtë pavijon kati i dytë dhe i tretë. Sipërfaqja ishte e njëjtë, pra 1500 metër katror.

 Kaq i domosdoshëm është ky pavijon në këtë Muze?

Sigurisht. Kjo vinte nga kërkesat e shumta. Mund ët them se pjesa dërrmuese e turistëve që vizitonin Muzeun, këtë lloj pavijoni kërkonin midis kërkesave dhe të pavijoneve të tjerë?

 P.sh çfarë pavijonesh të tjerë kanë kërkuar turistët e huaj?

Së pari pavijonin e arkeologjisë, Pavijonin e regjimit komunist dhe Etnokulturën. Pra këto ishin tre pavijonet kryesorë që ata kërkonin të vizitonin. Konkretisht, ne kishim vetëm arkeologjinë dhe dy pavijonet e tjerë nuk i kishim. Por dua të them se kemi dhe pavijone të tjerë. Që mbase nuk kanë kërkesa të shumta. P.sh kemi pavijonin e luftës 1939-‘44, në vitin 2011 u bë pavijoni i të përndjekurve politikë që përfaqëson terrorin komunist në vitet 1944-1990. Ndërsa periudha e regjimit komunist, është ende i parealizuar.

 Pse nuk është ndërtuar as ky pavijon?

Për mendimin tim për ndërtimin e tij është shumë i vështirë. Kjo pasi ende janë gjakrat e nxehta dhe nuk do të jetë një pavijon të flas realitetin, për vetë kundërshtitë e shumta që kanë partitë politike për spektrin që përfaqësojnë. N.q.s do të bëhej nuk do të ishte real, nuk do të ishte i vërtetë dhe do të ishte dizinformues kryesisht për të huajt. Nuk është koha për një pavijon për periudhën e regjimit komunist. Unë e sugjeroj si specialist i mirëfilltë që është ende herët për këtë periudhë për problemet që rrokëm pak më lart. Këtë duhet ta bëjnë specialistët e Studimeve Albanologjike. Aty ka studiues për çdo periudhë historike.

Aktualisht në pavijonet e arkeologjisë të Luftës Nacional Çlirimtar dhe të gjenocidit komunist, çfarë periudhash historike përfshihen brenda këtyre kohëve?

 Sot janë ose gjenden në pavijone, periudha e gjenocidit dhe terrorit komunist, arkeologjia, Mesjeta, Rilindja, Pavarësia dhe ikonat. Pra mungojnë Etnografia dhe periudha e ndërtimit socialist të vendit.

 Pse PNUD nuk e çoi në fund këtë nismë, apo ndërtim të Pavijonit Etnografik?

Pra, pas vendimit të Ministrisë, PNUD ju dha në dispozicion 1500 metër katror nga hapësirat e Muzeut, për ndërtimin e Pavijonit të Etnografisë. Ne do të ishim vetëm të pranishëm fizikisht. Do hapnim dyert, do shikonim kush hynte dhe gjithë administrimin e 400 mijë dollarëve do ta administronte PNUD-i. Shteti shqiptar nuk do të vinte asnjë lekë për këtë pavijon. Ndërtimi i tij, pas humbjes së të parit filloi në vitin 2010. Pjesa ndërtimore e këtij projekti mbaroi në 6- mujorin e parë të vitit 2013. Pra mbaroi ndërtimi, tavanet, kondicionerët, pajisjet  elektrike dhe së fundi mbaruan edhe vitrinat. Në kohën që ne ishim të gatshëm të bënim veshjet e sallave me objekte fshati, qyteti, apo dhe veshje të ndryshme popullore, PNUD tha unë s’kam më lekë. Pra për kaq më dolën lekët. Pra lekët dolën vetëm për pjesën ndërtimore dhe jo atë të veshjes, mbushjes, sistemimit të objekteve dhe sendeve? PNUD i thotë Ministrisë tashti vazhdojeni ju. Ministria u tërhoq, tha nuk kemi lekë. Nuk kemi parashikuar fond, pasi menduam se do ta mbaronit ju. Ne dinim se do merrnim pjesë vetëm në prerjen e shiritit.

 Me se do të mbushej kjo pjesë ilustruese, apo vizive?

Për këtë duheshin disa aksesorë, disa rregullime të fasadës, pastaj mbushja me veshje dhe sende apo objekte nga fshati apo qyteti. Pra duheshin dritare të vogla fshati shtesë, duhej hekur, dru, sende fshati, që t’i përshtateshin ndërtimeve në fshat. Pra duheshin ndarë në ambiente të ndryshme, që dallojë nga krahina në krahinë, nga fshati në fshat. Shumë projekte të tilla, i ka bërë në shumë muze, Prof. Afërdita Onuzi, e cila është specialistja më e mirë në këtë fushë. Njëkohësisht këtu do të kishte dhe 1100 sende dhe veshje të tjera që janë magazinuar dhe që janë marrë nga Institucionet e ndryshme.

Nga i morët këto veshje, sende dhe objekte që do vishnit këtë pavijon?

Në vitin 2007 (në mos gaboj) ne morëm nga Qendra e Studimeve  Albanologjike dhe nga Instituti i Kulturës Popullore, ne morëm këto 1100 objekte të ndryshme. Të gjitha këto u morën nga fondi i tyre. Njëkohësisht ne kemi pasur objekte dhe nga fondi ynë. Pra do të  harmonizoheshin këto objekte për veshjen e Pavijonit dhe n.q.s nuk do ishin të mjaftueshme, Qendra e Studimeve Albanologjike, do na krijonte mundësi dhe për objekte të tjera. Është e domosdoshme që ky pavijon të mbarojë në interes të kulturës shqiptare. Sa herë vinin turistë më pyesnin keni Pavijon të periudhës së ndërtimit të komunizmit? -Jo. Keni Pavijon të Etnokulturës, Etnografisë? -Jo. Ata ngrinin supet.

 Kur ishte parashikuar të mbaronte ky pavijon?

Në 15 prill të këtij viti. Nuk e di nëse është prerë shiriti, por se besoj, pasi shkoj çdo ditë aty. Ndoshta fondet s’kanë qenë të bollshme për këtë pavijon, por është një boshllëk i madh për kulturën tonë, por dhe një dëshpërim për vizitorët. Ndoshta pritej sërishmi PNUD, pasi ministria ka buxhet të vakët.

 Po prishja e Muzeut të diktatorit Hoxha, a duhej të ndodhte?

Dëgjo, unë kam punuar aty 3 vjet dhe aty është bërë një punë e specializuar, e kualifikuar, shumë korrekte. Këtu flasim për muze dhe jo për individë. Por për këtë le të flasim një herë tjetër. Politika është gjë tjetër, ndërtimet, muzeumet janë tjetër gjë. Për atë muze punuan, muzeologët më të mirë,  arkitektët më të mirë, piktorët më të mirë, skulptorët më të mirë.

Pra në muzeun Historik Kombëtar nuk është punuar me specialistë?

Që nga viti 1978 deri në vitin 1991 është punuar me specialistë të mirëfilltë. Edhe specialistët e PNUD-it nuk ishin të mirëfilltë, nuk kishin marrë specialistë nga tanët që kishin bërë me qindra muze, ndaj ndoshta se kishin bërë projektin e saktë.