Frederik Ndoci: Para Papës këndova  shtatë këngë, e para “Një ditë shprese”

898
Sigal

PERSONAZH/ Flet këngëtari i mirënjohur Frederik Ndoci

Frederik Ndoci ishte këngëtari, i cili këndoi plot shtatë këngë para Papës së Vatikanit. Tre prej këtyre këngëve ishin solo apo duet dhe të tjerat këngë kori. Në këtë ditë feste të madhe, ku Papa bëri vizitën e tij të parë zyrtare në Europë, kori i këngëve liturgjike kishte plot 200 këngëtarë, ku Frederiku ishte ai që hapi meshën me këngën “Një ditë shprese”.  Kori ishte vendosur në të djathtë të altarit të papës dhe u vendos aty qysh në orën 07:30 minuta të mëngjesit duke qëndruar deri në orën 14:00. Mesazhet e miqve të mijë nga të katër anët e botësh-shprehet Frederiku- i kaluan 1200, ku ata shprehnin konsideratat e mëdha për popullin tonë, për besimtarët tanë. Në këtë vizitë populli ynë tregoi kulturë, emancipim, harmoni e pashoqe fetare mes katër besimeve.

  Këngët liturgjike që këndove me korin kishtar në vizitën e Papës, nga kush u organizua?

 Unë në meshën që do të drejtonte Papa i Romës në vizitën e 21 shtatorit në Tiranë isha i ftuar, nga Kisha Katolike e Shkodrës për të kënduar 7 këngë. Pra isha ftuar nga Famullitari i Diogjezës sonë i Katedrales së Shkodrës. Famullitari quhet  Don Gjovalin Sotaj.

 Me kë këngë fillove liturgjinë me korin kishtar?

Unë e fillova me këngën “Një ditë shprese”. Këtë këngë e pata kompozuar 5muaj më parë me tekst të Agim Doçit. Kjo këngë për martirët e fesë është kënduar në Festivalin e 52 të Këngës në RTSH. Kur kishte disa kohë që kishte dalë kënga u hap lajmi se në Shqipëri do të vijë Papa. Që këtu mendova ta këndoj këtë këngë për vetë arsyen se i kushtohej martirëve. Këtë këngë Don Gjovalini e kishte dëgjuar dhe ishte ai që më kërkoi që unë të isha pjesë e korit të bashkuar, duke kënduar edhe këngë solo.

 I kujt ishte ky kor i bashkuar?

Ky kor i bashkuar ishte i  pesë  Diogjezave të Katolikëve shqiptarë, i Shkodrës, i Malësisë së Madhe, i Lezhës, Rrëshenit dhe Tiranës.

 Sa vetë kishte kori i liturgjisë?

Kori kishte rreth 200 veta, një kor i kompletuar dhe me zëra të përzgjedhur.

 Ju ishit vendosur djathtas altarit?

Po, aty ishte përcaktuar me protokoll vendqëndrimi ynë, të ishte edhe afër altarit, por edhe në largësinë e duhur për të shmangur zhurmat e tepërta.

 Për realizimin e kësaj meshe me këngët tuaja a zhvilluat prova?

Sigurisht. Ne bëmë prova të vazhdueshme për dy muaj. Provat zgjasnin deri në tre orë. Provat  i kemi bërë edhe në Shkodër, por edhe në Katedralen këtu në Tiranë. Provat i bënim njëherë në dy ditë.

 Gjithë kjo punë është bërë në mënyrë vullnetare?

Sigurisht, ishte një punë vullnetare, punë shpirtërore, punë e bërë me shumë dëshirë në emër të dashurisë së pakufishme për Krishtin.  Madje dhe shumë pjesëtarë të korit vinin në Tiranë me autobusë.

 Kush e drejtonte korin me këngët liturgjike në këtë ditë të shenjtë?

Këtë e drejtonte z. Lukë Mllugja dhe  Gjon Shllaku. Z. Lukë është me origjinë nga Mirdita, por banon në Shkodër. Ka mbaruar studimet në Konservatorin e Veronas për kanto dhe është dhe një pianist shumë i mirë. Ai drejton korin e Katedrales së Shkodrës dhe është një profesionist i aftë. Z. Lulë drejtoi gjithë korin e përbashkët me 200 vetë.

 Të gjitha këngët liturgjike ishin shqiptare?

Po, të gjitha dhe me këtë sens ishin punuar. Pra liturgjia bëhet në gjuhën shqipe. Kjo as nuk diskutohet.

 Një këngë që kemi ne “Ti je në krahët e shqiponjës”, ajo këndohet në çdo liturgji në Shkodër. Në çdo meshë, çdo të diel këndohet në Katedrale. Apo kur ka ndonjë festë. Kjo simbolizon shpirtin e shenjtë, pasi ne jemi vendi i shqiponjave. Madje, nga Vatikani është kërkuar a keni ndonjë këngë liturgjie për shqiponjat dhe ne e kishim gati.

 Kush është kënga e veçantë e krishterimit?

 Ave Maria. Kjo këngë në simbol të Ave Maria që është nëna e Krishtit. Pra kjo këngë është kënga e gjithë krishtërimit. Një këngë  e bukur si himn e Shubertit. Këtë këngë unë e këndova me bashkëshorten time me Alisa Baraku. Kjo këngë u këndua nga ne sapo Papa Françesku doli nga Presidenca dhe u drejtua për në altar. Kënga e dytë ishte për martirët e fesë.

 Po kënga “Një ditë shprese” si u cilësua?

Një këngë e bukur që nuk ju dha vendi i duhur gjatë Festivalit të 52 në RTSH, pasi donin që në Festivalin Europian të shkonte një këngë që plotësonte dëshirat e “x” apo “y”-nit.

 Cila këngë ishte e huazuar?

Ishte kënga “O zot i madh” një këngë amerikane, e bukur plot drithërimë. Sa orë ndenjët si kor pranë altarit që Papa do të bënte meshën për shqiptarët?

Ne qëndruam qysh prej orës 7 e 30 deri në orën 14-00. Pra rreth 7 orë, ku në këto 7 orë ne kënduam rreth 3 orë. Një prej këngëtareve që ishte pjesë e stafit të ngushtë ishte dhe sopranoja Marjana Leka.  Ajo ishte pjesë e këngëve liturgjike.

 Gjithë këngët liturgjike u mbuluan nga kori juaj, nuk kishte pjesë të korit të Vatikanit?

Absolutisht jo. Të gjitha këngët liturgjike u  mbuluan nga ne për orë të tëra.

 Si është sistemi i meshës?

Është fol dhe përgjigju. Pra, Papa fliste dhe kori përgjigjej, apo pjesëtarët, pjesëmarrësit e meshës. Pra edhe flet edhe këndon. Në dy mënyra komunikimi, me të folur të thjeshtë dhe të kënduar. Kemi pasur disa fenomene shumë interesante gjatë meshës një prej tyre është kur prifti thotë, shkëmbeni një shenjë paqeje me këdo që keni rreth e rrotull, pra edhe para edhe mbrapa edhe majtas apo djathtas. Në këto raste je i detyruar ti japësh dorën kujtdo qoftë dhe kundërshtar. Në këso rastesh nuk mund ta shmangësh mosdhënien e dorës. Një fenomen tjetër, ishte që hoxha atë ditë në shenjë respekti nuk këndoi gjatë gjithë ditës në xhaminë e Tiranës. Kjo ishte një ditë solidariteti. Këtë e theksoi edhe Papa, këtë solidaritet, këtë harmoni mes besimeve të ndryshme fetare.

 E keni vizituar ndonjëherë Vatikanin?

E kam vizituar në vitin 1993, pasi kam qenë i thirrur nga Papa Vojtila, me grupin që riparuam dhe hapëm kishën e parë në Shkodër në vitin 1990. Hapëm kishën e varrezave katolike.

 A more mesazhe për këtë ditë, me këngët e tua tepër sinjifikative?

Nuk mund ta besosh, por di të them se në celular, në FB, në e-mail më kanë ardhur mbi 1200 mesazhe. Këto më erdhën dhe nga miqtë e mi këngëtarë në Itali dhe Amerikë. Në mesazhet e tyre thuhej se gjithë bota sytë i ka tek Shqipëria. Rreth 2 miliardë njerëz ndjekin live vizitën e papës. Nuk e dinim se kush ishte Shqipëria në të vërtetë sot e mësuam ishin mesazhet e tyre.

 Nga bisedat që ke bërë me stafin e afërt të papës në këtë vizitë, çfarë ka shprehur Papa për këtë vizitë?

Papa ka ngelur i mahnitur, i befasuar, i mrekulluar. Ai ishte shprehur se Shqipëria është një vend me popull shumë të ri, me harmoni të pabesuar fetare. Martesat mes besimeve të ndryshme fetare është një ndër shenjat e dallueshme nga çdo komb tjetër në Europë. Ardhja e tij ishte një mesazh i madh për Shqipërinë dhe politikën europiane. Kjo vizitë do të thotë që vendi i Shqipërisë është patjetër në Europë pasi në këto 60 vjet për Lindjen ne kemi qenë perëndim, ndërsa për perëndimin kemi qenë lindje.

 Cilat janë avantazhet e kësaj vizite sipas jush?

Kjo vizitë tregon se ky shekull është shekulli i kombit shqiptar. Kjo ka filluar me lumturimin e Nënë Terezës, me formimin e shtetit të Kosovës, me liberalizmin e vizave, me hyrjen në NATO dhe me marrjen e statusit të vendit kandidat. Edhe vete qau atë ditë, pra ra shi i imët në formë lotësh. Është tepër domethënëse që Papa vizitën e parë në Europë e bëri në Shqipëri.

 Këngët e kënduara në meshën e Papës

-Mesha (koncerti) u hap me këngën “Një ditë shprese”, kënduar në Festivalin e 52 të RTSH. Muzika Frederik Ndoci, teksti Agim Doçi.

-Kënga e dytë ishte “Ave Maria” e Shubert, të cilën e këndova së bashku me bashkëshorten time Alisa Baraku. Këtë këngë e kënduam  kur Papa doli nga Presidenca.

– Kënga e tertë ishte kënga “Martirët e fesë”, këngë të cilën e këndova kur Papa rrotullohej rreth sheshit “Nënë Tereza”. Edhe kjo këngë është nën kompozimin tim dhe me tekst të Agim Doçit.

-Pastaj ishin katër këngë të ndryshme liturgjike të cilat u kënduan me korin dhe me sopranon e talentuar  Marjana Leka. Disa këngë u përsëritën. Kori me 200 vetë ishte nën drejtimin e z. Lukë Mllugja dhe Gjon Shllaku.

Albert Z. ZHOLI