Frano Kulli/ Gjosho Vasia – Humoristi i të qeshurës së mundimshme

63

“In memorium” një vit pas ndarjes nga jeta

Kujtime të Vaçe Zelës, Skënder Sallakut, Bep Shiroka, Paulin Preka

Gjosho Vasia  i mbylli sytë përgjithmonë dhe u largua nga kjo botë, një vit më parë në Trieste të Italisë. Gjoshoja është varrosur në Trieste, atje do të prehet në paqe në  pushimin e pasosur. Në dhé të huaj, jo në “fushë t’ Rrmajit”, larg Shkodrës së zemrës, që megjithatë, pak në jetë e gëzoi. Iku duke i marrë të gjitha më vete, të mirat e të mundimshmet, siç i merr në një ditë të fundit me vete secili  njeri i kësaj bote. Ashtu siç i ka pasur ato në këtë jetë, kë më të pakët e kë më të shumtë. Gjoshoja për fatin e vet të trishtë, pati me shumicë këto të dytat…Vështirë të gjenden shumë të tjerë si Gjosho Vasia, i cili kishte provuar për një kohë të gjatë, ferrin e dëbim internimit, duke filluar nga mosha e sendërtimit të ëndrrave, në rininë e hershme, por provën e mundimshme të torturës dhe vuajtjes e kishte përcjellë gjithherë me gaz, me buzëqeshje. Nëpër sfondin e së cilës, si nëpër eter kumbonin tingujt e kitarës së dashur. Bash kjo nuk është e zakonshmja, e rëndomta a patetikja. Kjo ishte krejt e veçanta në artin e Gjoshos, dhuntia, talenti i tij i papërsëritshëm te dikush tjetër. Gjoshoja ishte gjendur në Trieste, në vitin ‘91, atëherë kur shqiptarët, si zogjtë shtegtarë në tufa, po niseshin në drejtim të vendeve të ngrohta me diell, po iknin drejt tokës së premtuar. Po iknin të rraskapitur nga klima e acartë e vendit të tyre, Shqipëria ua kishte mpirë prej kohësh gjymtyrët e lirisë. Ai e kishte ëndërruar si pakkush atë tokën e premtuar dhe kjo ëndërr nuk i është ndarë për dyzet vjet. Sinjalet e lidhjes me të i kishte të genit të vet, ato ishin instaluar me arratisjen e të vëllait, në vitin e largët ’49. Edhe ai kish ikur, jo me “nijetin” e ikjes, por si rrjedhojë e  goditjes dhe e shtytjes së trandshme që po u jepej atij dhe të tijve nga regjimi mizor që po vinte. Këtu fillon kalvari i djaloshit nga Shkodra e i familjarëve  të tij. Pak muaj mësues  në Mirditë, prej aty me pranga në duar në kampin e shfarosjes në Tepelenë, në Çorovodë, Berat, Elbasan, Kamzë…baltë,vuajtje, plagë, vàj, terr, ankth, kalvar mundimesh “me ja kallxue natës së vorrit”. Prej aty në Myzeqe…Nëpër të gjithë rrathët e ferrit… Histori më vete jeta e tij. Gjoshoja nuk pá ditë të mirë, si me thënë, nga e keqja e biografisë. Derisa, një ditë …“këmben” gjithë mundin e jetës, gjithë pasurinë e jetës, pronën e shtëpinë, traditën e lavdinë treqindvjeçare të Vasijeve me… dy bileta avioni! Ikën. Në fakt me ikjen e tij, vetëm ndërron skenë sepse dramën e merr me vete! Edhe atje mbetet po ai, Gjoshoja i kitarës, i këngës dhe i humorit, i punës së lodhshme artistike e fizike. Veçse i shtohet edhe një, malli për atë vend që e deshi kaq shumë por që e mundoi kaq fort…”  shkruan dr. Pjetër Pepa . (P. Pepa :”Gjosho Vasia-meteor i humorit shqiptar” , Enti botues Gj. Fishta, Tiranë, 2001). Gjoshoja, nuk u kthye më fizikisht, por jehona e gjithçkaje të mirë e të mrekullueshme, që ai kishte, i ka rrënjët këtu. Mirësia e tij buis e bleron gjithnjë e nuk vyshket kurrë. Malli dhe nderimi për të rrjedh pa ja nda, qysh prej ditës kur iku prej këtu e derisa mbylli sytë…atje.

Isa Alibali, në librin e tij “Në Shkodër të gjithë këndojnë”, si dedikim i  përcjell nga Shkodra në Trieste edhe këtë urim:“Mikut tim Gjosho Vasija! Që e kujtoj shpesh me dashuri, nderim e konsideratë te veçantë. Kur e patëm pranë nuk ja ditëm sa duhet vlerën e madhe që pat e tashti që ai është larg e ndiejmë në shpirt mungesën e tij. Le të jetë ky libër përçues i lidhjeve me të afërta shpirtërore dhe njëheri falënderim për gjithçka bëri për shokët, miqtë dhe të gjithë qytetarët shkodranë me talentin e tij të madh. Isa Alibali –Shkodër, 15 janar 1998!”

Paulin Preka:Me Gjoshon kam mjaft kujtime, se me të jam i hershëm në miqësi e art. Ishte shumë i aftë në monolog e parodi, kuplet e imitim. Ishte një kitarist e muzikant brilant. Si djalë edhe më i shkëlqyer, ishte njeri i përkryer, gjithmonë në qejf. Edhe kur ishte në kulmin e halleve të tija, fytyra e tij nuk shprehte kurrë dramë…(”Xh.Bushati:”Drita e kujtimeve-studime mbi artin skenik, Shkodër 1998)

Bep Shiroka: E kam njohur Gjoshon që fëmijë! Kemi jetuar në oborrin e tyre. Prindërit kishin shumë miqësi mes tyre. Si komik ka kujt i ngjet! Të dy prindërit i kishte gazmorë e kur bashkoheshin të gjithë bashkë, dëgjonte e gjithë mëhalla gazin që bëhej.
“Gjeolog” i artit shqiptar që zbuloi thesare të mëdha e të pashtershme, e quajtën ata që e njohën dhe vlerësuan punën e tij të palodhshme. (”Xh.Bushati: “Drita e kujtimeve- studime mbi artin skenik, Shkodër 1998).

Zyliha Miloti: Gjoshoja ishte vërtetë i Shkodrës, por i përket gjithë Shqipërisë
Gjosho Vasija ka qenë një Pipo Baudo shqiptar. Megjithëse regjimi ja frenoi sa mundi talentin e shkëlqimin ai prapë u shfaq si një kupletist e parodist i jashtëzakonshëm. (P.Pepa-“Gjosho Vasija-meteor i humorit shqiptar)

Skender Sallaku: Gjosho Vasija është pa diskutim parodisti i parë shqiptar, që me aftësinë e talentin e rrallë arriti aq lart sa pak kush arrin. Mbi të gjitha dinte të komunikonte në mënyrë të shkëlqyer me spektatorin e sidomos me fëmijët. … E ngacmoja, duke folur për politikë, bëja sikur isha nxehur e flisja me zë të lartë. Ai menjëherë shkonte e ngrinte zërin e televizorit  e më thoshte: “Skënder, ti don me më çue në burg para kohe. Lene mor Zot atë muhabet e mos ha… “molla” se mue edhe pa këto më fryn era mbas shpinet…”. E them me siguri se ishte i vetmi, që në atë periudhë të vështirë që kemi kaluar, (e që ti e di mirë se je marrë me politikë kohët e fundit) pra në ato rrethana jashtëzakonisht penguese e frenuese, posaçërisht për të, nuk iu nda asnjëherë skenës. Me aftësitë dhe talentin e tij arriti të fitojë aq respekt sa të ja kishte zili çdo artist tjetër. (P.Pepa:”Gjosho Vasija-meteor i humorit shqiptar)

Vaçe Zela :Njohja dhe kujtimet e mija me Gjoshon i përkasin një të shkuare tashmë mjaft të largët. Janë ndoshta kujtimet më të bukura sepse flasin për hapat e para të jetës sonë artistike. Isha shumë e re dhe duke ju referuar situatës së atyre viteve, dija pak për të, aq më pak mund të pyesnim. Unë fillimisht e dija si te internuar në Lushnjë, por shumë më vonë mësova që ai paskësh qenë në një repart pune të ushtrisë…Ajo që mu ngulit që në fillim dhe mbeti në kujtesën time gjithë jetën për Gjosho Vasinë ishte aftësia e veçantë e tij për të krijuar atë lidhje si të pathënë, s’dihej se si vinte, mes spektatorit dhe atij artisti të lindur. Sa dilte ai në skenë ovacione të jashtëzakonshme shpërthenin menjëherë pa marrë vesh se kur e si e krijoi atë lidhje aq të bukur e fisnike me spektatorin lushnjar. Ishte aktor me një forcë të madhe dhe e shprehte bukur e me fisnikëri se gjithçka bënte, e bënte për të gëzuar spektatorin. Gjoshoja filloi të shkëlqejë me atë, të vështirën, të bukurën, parodinë. Unë isha e re dhe nuk di si qëndronte puna për Shqipërinë, veç di të them se Lushnja e shijonte për herë të parë atë përmes një artisti të madh siç ishte Gjosho Vasija. Përmes melodisë dhe humorit të bukur ai i përcillte gjithë herë spektatorit mesazhe qytetërimi e morali, asnjëherë politike. Paroditë e tija moralizonin qytetërimin, pastërtinë, ironizonin zhurmën, fshikullonin veset. Qysh në atë kohë e në ato kushte ai aspironte dhe përcillte mesazhet e një qytetërimi përmes të cilëve bënte për vete gjithë popullin e Lushnjës. Dallohej aftësia e tij e madhe për të ngritur të tjerët përmes dialogjeve e lojës së përbashkët. Të krijonte përshtypjen e njeriut të sakrificës, sepse në këto raste ai vetë sikur rrinte në “hije” dhe duartrokitjet i merrte partneri i tij që ndihmohej aq bukur e aq me shpirt e pasion nga vetë Gjoshoja. Mbi të gjitha  ishte si një njeri i mrekullueshëm, një njeri i rrallë për të cilët kemi nevojë…(P.Pepa:”Gjosho Vasija-meteor i humorit shqiptar)…Kur do të përgatitnim librin e tij me satira “Epopeja  e llomit kombëtar”,bashkë me një foton e tij më ka përcjellë edhe dy gisht letër: (Faksimilja dhe fotoja e Gjoshos)

 Iku…por ai la këtu të qeshurën, gazin , humorin e rrallë, la me shumicë atë për të cilën njerëzit kanë më shumë nevojë se për gjithçka tjetër, gjëra të cilat janë mjaft më jetëgjata se vetë jeta e njeriut …Sa i dashur është ai njeri që të dhuron të qeshurën !