Frano Kulli: Fishta Publicist

905
Që Fishta është jo vetëm poet, por shumë më tepër se kaq, një figurë poliedrike e kulturës kombëtare shqiptare, është pranuar tashmë si aksiomë ndër qarqet e studiuesve të tij dhe njerëzve të letrave shqipe, në përgjithësi. Opusi letrar që ai ka lënë, rrok të gjitha gjinitë e shkrimtarisë, si:lirikë,epikë,dramatikë,eseistikë dhe publicistikë. Publicistika e Fishtës është ajo pjesë e krijimtarisë së vet, disi e eklipsuar prej asaj që është çmuar e vlerësuar si vepra homerike shqiptare, prej poemës së tij epike, “Lahutës së malcis”.Megjithëkëtë, pa asnjë mëdyshje, publicistika, ashtu sikurse edhe satira , është një nga kulmet e krijimtarisë së tij, e njëherësh njëra prej majave ku ka arritur tradita e shtypit tonë demokratik. Ndonëse më pak i studiuar në këtë lëmë, për arsye të njohura e që lidhen me misionin historik, regresist të forcave jo kulturëdashëse për ta rrëzuar me çdo kusht e çmim personalitetin e madh, Gjergj Fishta.

 Ai është e do të mbetet në radhën e publicistëve më të mëdhenj kombëtare të bashkëkohësisë së vet, përkrah Fan Nolit, Faik Konicës , Luigj Gurakuqit e ca të tjerëve…Kontakti i tij aktiv e i paprerë ndonjëherë me shtypin e kohës, që fillon me 1899, me të përditshmen “Albania” të Faik Konicës e s’ndahet për më se dyzet vjet të gjalljes së tij, është argumenti i parë për të provuar pohimin e mësipërm. Artikujt e Gjergj Fishtës i gjejmë në rreth 16 tituj të përkohshmesh e fletoresh, e shumta e tyre ndër më prestigjiozet organe të shtypit shqiptar: ”Albania” “Elçija (ma vonë Lajm’tari) e zemrës së Krishtit”, “Zani i Shna Ndout”, ”La Nazione Albanese”, ”Leka”, ”Grueja shqyptare” , ”Shkëndija”, “Rivista d’Albania”, ”Posta e Shqypnisë”, themeluar prej tij, gjithashtu, etj. Boton në to krijimtari letrare e religjioze, por boton ndërkohë esé dhe artikuj të tjerë publicistikë. Mund të përmenden ndër to:”Grueja shqyptare në Shkoder”- përgjigje e një artikulli të botuar në revistën “Minerva” ose “Fjalimi i permort’shëm mbi kufomen e Avni Rrustemit” në “Politika” e Vlorës, maj 1924.

Ndërsa “Hylli i Dritës”, e themeluar prej tij në vitin 1913 dhe e drejtuar po prej tij, në 15 prej viteve që ajo doli është, padyshim revista më kualitative e kohës në Shqipëri dhe pasqyrë e standardit kulturor të vendit tonë në kulturën kontemporane (bashkëkohore) europiane. Artikulli prezantues i numrit të parë “Perlimi (program,detyra) i Përkoshmjes”, që përbën edhe fillesën e angazhimit përkushtues të Fishtës në këtë fushë, i cili do të vijojë me një ritëm fort të dendur e që do të zgjasë përreth tri dekada, deri në frymën e fundit, me 30 dhjetor të vitit 1940. Në faqet dhe në numrat e saj gjen të trajtuar gjalljen e jetës shqiptare, etnosin dhe zhvillimet kulturore, nëpërmjet gjinive të mirëfillta profesionale publicistike, që nga lajmi e deri tek përshkrimi, artikujt e gjatë analitikë, por edhe polemistë. Rubrikat,që e kanë ndjekur gjatë “Hyllin…”, “Lajme rrokull Shqipnisë” dhe “Lajme rrokull botës” kanë pasqyruar e ndjekur rregullisht jetën publike shqiptare dhe bashkëkohësinë europiane, me të njëjtin ritëm e mjeshtri si shumë prej revistave europiane të kohës. Është “Hylli i Dritës”, kjo krijesë e çmuar dhe për fat jetëgjatë e publicistikës shqiptare, megjithë tri ndërprerjet gati të dhunshme e peripecitë e panumërta të mbijetesës, përmes së cilës, themeluesi i saj, Gjergj Fishta shpalosi dy dhuntitë, ndër më të çmueshmet e ndërkohë, çuditërisht jo fort të përmendurat: talentin dhe erudicionin e tij prej analisti si dhe inteligjencën e talentin e jashtëzakonshëm, gjithashtu prej polemisti. 

Analisti:
Janë të mjaftë artikujt që mund të merren për të ilustruar pohimin e mësipërm. Mjafton të citojmë disa prej tyre: “Liria e zgjedhjeve e obstrukcioni i opozitës” (1923,nr.10 fq.433) “Asambleja Kushtetuese” (1923, nr. 11, fq 181), “Ipeshkvijtë e Shqipnisë e çashtja e zgjedhjeve” (1923, nr.12,fq.529) “Kleri katolik i Shqypnisë e bashkimi i kombit” (1924, nr. 9,10 fq. 377). Janë të gjithë kryeartikuj të “Hyllit…” Ata, vërtet nuk firmosen nga Fishta, praktikë e zakontë kjo e shtypit të kohës, por është shkencërisht e njohur dhe e pohuar që ato janë produkt i penës së tij, janë artikuj të shkruar prej dorës së tij, që në akord me moralin e rregullat e Urdhrit Françeskan, të cilit Fishta i përkiste, mbeten e publikohen si anonimat. Në to, jo vetëm preken, por trajtohen e interpretohen të mbarat e mbrapshtitë më themelore të politikës shqiptare të kohës…”Zgjedhja e parlamentarëve për ne asht nji çashtje kryekput gjallnore”, për të cilën pohon Fishta tek “Liria e zgjedhjeve dhe obstrukcioni i opozitës”- I madh e i vogël e kemi detyrë me u interesue e me u orvat, qi këto zgjedhje të dalin sa ma të dobishme për ekzistencën e përparimin e shtetit t’onë E diku më poshtë në këtë artikull filozofon: “M’shka pështetet ndryshimi ndërmjet një shteti civil e institucional e një tjetri barbar, autokrat e despotik ?-pyet, e në mënyrë retorike përgjigjet: Mbas mendimit tonë të gjithë ndryshimi përmblidhet m’kta qi shtetent e gjytetnueme e konstitucional ligjt i kanë të preme mbas nevoje reale të popullit, me relacion ndaj kohet, ndaj mendorjeve të vendit, ndërsa ndër shtete barbare e autokrate kto ligj përgjithsisht vendohen vetëm…mbas egoizmit t’sunduesve e rrallë e kurr mbas nevojve të popullit, që lanë e kjanë…nuk asht ligja që formon popullin por populli formon ligjen”. Siç kuptohet lehtazi koncepti filozofik e politik i Fishtës për shtetin është pa asnjë mëdyshje ai demokratik. Shpjegimi i tij, i dallimit të tipave të shtetit: demokratik, civil e konstitucional (kushtetues) nga shteti i tipit autokrat e despotik është tepër i argumentuar.

 Forca e logjikës është e pakundërshtueshme, siç është ndërkohë konsekuent edhe qëndrimi legal e këmbëngulës për shtetin demokratik, kundërshtues e denigrues kundër shtetit autokratik. Tek artikulli, aso kohe i bujshëm “Delikti i Mamurrasit” shkruan: Për me sundue një shtet, nuk asht mjaft dhelpnia, dredhia, intriga, batakçillëku, rrena, tradhtia: duhet nder, dije, urti, burrni, qe se çka du¬het. Po, por dija, urtia, nderi, burrnia, po u zëjshin (mësoheshin) në shkollë e, madje, me shumë mund e djersë, e jo ndër kafeshantana të Europës, e mejhane e paçexhihane të Tiranës, tue luejtë “ta¬vëll” e “bixhoz”, e tue pi “mastikë”. (Hylli i Dritës, 1924/2, f. 73-80) -Sparta ka krijuar Likurgun e jo Likurgu Sparten- shkruan Fishta-se mos të kishin kenë vetë spartanët bujarë…na Likurgut kurrë emnin s’do t’ja kishim ndie, mesa emni i disa kopistave e sekretarëve ngrehalucë të Tiranës, që në një shqype të keqe, rrinë sot tue përkthye do ligj, të cillët s’i përshtaten kurrkund popullit shqiptar, mbasi nji fshisë rrameçë t’i qesë jashta zyrëve .Prandaj e lyp , domosdo arsyeja, qi populli të jetë përfaqësue sa ma plotshim (në mënyrë sa më të plotë) e të jetë kryekëput i lirë në të zgjedhun t’atyne delegatënve t’vet, qi në nji Asamble a Parlament do të presë (këtu: krijojë) ligjin n’emen të tij; e kushdo ia mohon a ia ngushton popullit kët liri e kët përfaqësim, ai asht tyran (tiran), autokrat, diktatuer (diktator).(H.D.1923, nr. 10.fq 433). Analiza e sipërcituar është e vitit 1923 dhe siç lehtas dallohet , ajo është e qenësishme dhe e vlefshme shumë edhe sot pas 92 vitesh, në teatrin politik shqiptar. Dhe vetëm po të nisesh nga ky fakt, pra jetëgjatësia e analizës politike-publicistike ke pohuar argumentin më me peshë në favor të vlerave të pakontestueshme, të dallueshme e të një cilësie par excellence në këtë fushë të krijimtarisë së Gjergj Fishtës. 

Vërehet në krejt analizën publicistike fishtjane, krahas potencës cilësore superiore intelektuale, edhe kurajoja civile për t’i publikuar pikëpamjet e tij, ani pse në ta shumtën e rasteve e thuajse gati gjithnjë shkojnë përkundër “rrjedhës” , pra kundër mendimit zyrtar…Dhe kjo i ka kushtuar jo pak atij dhe veprës së tij edhe në bashkëkohësinë e vet, në gjithë veprimin e vet publik e kombëtar në vitet ’20,’30. Mjafton të kujtojmë mbylljen tri herë radhazi në mënyrë të dhunshme të krijesës së tij fondamentale kulturore-Hyllit të Dritës. Porse , të pretendosh diçka të thuash për Fishtën si publicist, pa përmendur e vënë në krye të radhës polemikën e tij, zëne se nuk ke thanë asgjë. Madje , në këtë “zeje” ai është i pakundshoq. Në qoftë se studiuesit e veprës së tij letrare, fishtologët e kanë vlerësuar si një kulm satirën e tij, mendoj se ai kulm ngrihet mbi këtë kualitet dhe arritje monumentale në këtë fushë të publicistikës. 

Njëri prej studiuesve të tij të zellshëm e vlerëson kështu:”Polemika e tij nuk bëhet për çeshtje vetjake, polemika e Fishtës ka si yll polar përmirsimin e vendit moralisht, çfarosjen e veseve, luftën kundra “atdhetarëve me barkun kodër”. (Lefter Dilo-në librin At “Gjergj Fishta 1871-1940”- botim përkujtimor, Shkodër 1941. Si kurdoherë,tribuna publike e polemistit Fishta do të mbetet prestigjiozja e françeskanëve “Hylli i Dritës”.Nëpër faqet e saj janë botuar më se 20 artikuj e kryeartikuj–ese polemistë.(?) Disa prej tyre si :”Çashtja e kryeqytetit e kleri katolik”, Kombësia e kleri katolik” “Gabove Hilë “, “Ismet Toto para gjykatores së Hyllit të Dritës”, “Mbi nji banalitet botue në të përkohëshmen “Zgjimi”, “Tash që u ba Shqipnia duhen perbâ (bërë) shqyptarët”…kanë mbizotëruar atmosferën intelektuale politike shqiptare të viteve 20-30. Kjo, sepse në thelbin e vet këto polemika kanë rrokur e trajtuar raporte delikate shqiptare, siç është raporti ndërmjet kombit e fesë, ose ai ndërmjet besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri. Me kompetencë,me erudicion e dije të madhe, me dashuri të pakufishme për dheun dhe popullin e vet. Gjithsesi këto janë rrugë e rrugica të historisë së kulturave së popujve, të destinuara vetëm për të kaluar nëpër to njerëz të mëdhenj. Dhe Fishta ynë e kishte fituar këtë privilegj me veprën e vet. 
Sigal