Frank Shkreli/ Arshi Pipa: Mendime të hedhura me rastin e 95-vjetorit të lindjes

59
Dua të përshëndes “Vatrën” për organizimin e këtij tubimi sonte për të shënuar kujtimin e Profesor Arshi Pipës me rastin e 95-vjetorit të lindjes. Është me vend, në fakt është detyrim, që ky përvjetor të shënohet ashtuqë të mos hidhet në harresë ky burrë i madh i Shkodrës i cili me aktivitetin dhe veprat e tij që ka lënë pas, ka nderuar veten dhe kombin. Marrim pra pjesë në kujtimin e një shqiptari të madh, për ta kujtuar sonte jo vetëm me miq të vjetër të Arshi Pipës, por edhe me dashamirës të rinj, të cilët ndoshta nuk kanë patur rastin ta njihnin sa ishte gjallë. E kujtojmë në shënjë nderimi dhe respekti për veprën dhe kontributin e tij në fushë të ndryshme por edhe si patriot dhe të një veprimtarie të shumanshme krijimtarie si në letërsi, në filozofi, në poezi, kritikë letrare dhe në fushën e studimeve politike, përfshirë shkrimet dhe veprat e tij mbi stalinizmin shqiptar dhe mbi Kosovën. 
Si shqiptarë dhe si mërgimtarë, i kemi borxh Profesor Arshi Pipës dhe familjes së tij të vuajtur dhe të sakrifikuar. Në të vërtetë, kemi një detyrim moral që ta kujtojmë jo vetëm atë dhe vuajtjet e tij personale, por dhe sakrificat sublime të familjes Pipa në përgjithësi nën regjimin komunist të Enver Hoxhës, siç ishte vrasja e vëllait të tij dhe mbrojtësit të të pafajshëmve të elitës së kulturës shqiptare – përfshirë klerikët më të njohur katolikë të Shkodrës – avokatit të shquar shkodran, Muzafer Pipës. 
Familja Pipa është njëra prej familjeve shkodrane dhe shqiptare, e cila deri në arratisjen ose në zhdukjen fizike të anëtarëve të saj, me vendosmëri luftoi për të drejtën dhe për lirinë e çdo individi, për demokracinë e Shqipërisë dhe kundër vendosjes së diktaturës komuniste në atë vend. 
Shembjen e komunizmit ai e kishte ëndërr dhe shpresë. Si patriot dhe si intelektual, Arshi Pipa nuk pushoi asnjëherë së luftuari drejt këtij qëllimi dhe në mbështetje të drejtave të njeriut, të fjalës së lirë dhe për lirinë dhe demokracinë e Shqipërisë dhe të Kosovës në përgjithësi – gjithmonë në një papajtueshmëri të plotë ndaj regjimit dhe diktaturës komuniste, të cilën e urrente me pasion. Visar Zhiti, një tjetër shkrimtar e poet që ka vuajtur tmerrin e burgjeve të regjimit komunist, pas takimit për herë të parë me Profesor Pipën në Ëashington, ka shkruar se shihej që Arshi Pipa, “ishte njeri i prerë, i pakompromis, ‘madhërisht i pamëshirshëm’ me diktaturën”.
Argumentet e Arshiut kundër diktaturës e kishin bazën në një përgatitje të gjithanshme arsimore, kulturore, politike dhe filozofike perëndimore. Arshi Pipa, përveç përvojësakademike në universitetet më të njohura amerikane ku ka dhënë mësim për dekada – dituria dhe angazhimet e tij në mbështetje të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor, e kanë gjithashtu bazën edhe në vuajtjet e tij personale dhe të anëtarëve të viktimizuar të familjes së tij. Mishërimi i përvojës akademike, zgjuarsia e tij prej natyre dhe vuajtjet e veta dhe të familjes, e bënin Arshi Pipën një bashkëbisedues tepër interesant – ndonëse nganjëherë i pa kompromis – që njëherazi angazhonte me respekt si kolegun ashtu dhe kundërshtarin, duke paraqitur argumentet e veta me një gjallëri përbindëse të idealeve dhe qëndrimeve të tij. Ishte i fortë në argumentat e tij, i palëkundur në bindjet dhe parimet e veta. Kishte pak fjalë, por bindëse!
Disa mund të thonë se Arshi Pipa ishte një personalitet kompleks dhe kritikët e tij do e karakterizonin ndoshta edhe si i pa kompromis në qëndrimet e tij. Dhe disa do të thoshin se ai ishte i vështirë në marrëdhëniet me të tjerët. 
Por kritikët e mirëfilltë si dhe adhuruesit e tij e dinë se vepra dhe kontributi i Profesor Arshi Pipës peshon shumë më rëndë nga ato që kritikët e tij mund t’i karakterizojnë si të meta ose mungesa të tij. Mund të mos jesh dakort me Arshi Pipën për ndonjë qendrim ose pikëpamje të tij, por kjo nuk mund të përdoret për të mohuar veprat dhe kontributin e tij në lëmenj të shumta të gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe të mendimit politiko-filozofik, të botuara jo vetëm në shqip por edhe në një numër gjuhësh më të rëndësishme të botës, siç janë anglishtja, frëngjishtja, italishtja dhe gjermanishtja. Bota është më e pasur dhe më e ditur mbi kulturën shqiptare dhe me më shumë njohuri mbi kombin shqiptar dhe historinë e tij, pikërisht falë punës dhe veprimtarisë së Arshi Pipës. 
Prandaj, në këtë përvjetor të lindjes së tij, ta përkujtojmë Profesor Arshi Pipën ashtu siç e mbajmë mend kur ishte gjallë:
Një person me trup të vogël fizik, por një figurë e madhe e kombit në fushën e letërsisë, gjuhësisë, filozofisë, publicistikës dhe të mendimit politik; 
E mbajmë mend si një atdhetar i përkushtuar ndaj fatit të kombit të vet dhe çlirimit nga komunizmi; 
Si një person me një energji të palodhshme anti-komuniste kurdo dhe kudo e donte nevoja, me bindje të palëkundura në liri dhe demokraci për shqiptarët. 
Përveç sallave universitare të Amerikës ku ai përhapte gjuhën, kulturën dhe letërsinë shqipe studentëve amerikanë, ndodhte që Arshi Pipën ta gjenit edhe duke demonstruar në rrugë, përfshirë para Kombeve të Bashkuara, në mbështetje të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri. Sypatemebur dhe besnik ndaj idealeve të veta, si në burgjet e Enver Hoxhës ashtu në mërgim, Arshi Pipa nuk kishte frikë prej asakujt. Përkundrazi regjimi komunist e kishte frikë atë. I tillë ishte atdhetari, shkrimtari dhe poeti Arshi Pipa, një zë ndryshe doemosdo, por një zë i artikuluar shqiptar, një mbrojtës i së drejtës dhe i lirisë së njeriut. Për këtë arsye, gjatë gjithë jetës së vet, megjithëse jetonte në Amerikën e largët, ai ishte njëkohësisht, edhe një person i frikshëm për diktaturën enveriste! 
Me një rast në vitin 2005, ish-Presidenti Bamir Topi ka folur për sakrificat e familjes Pipa dhe duke përmendur specifikisht vëllezërit Arshi e Muzafer Pipa – njëri shkrimtar dhe tjetri jurist – ka thënë se “Liria fillon e shuhet atëherë kur vritet shkrimtari si zëri me i artikuluar i shoqërisë, kur vritet avokati mbrojtësi i së drejtës, atëherë kur frika mbytë kundërshtimin, atëherë kur zëri ndryshe, shihet si kërcënim. Shkrimtari është personazhi më i frikshëm për diktaturat dhe diktatorët”, ka thënë ish-presidenti shqiptar. Diktatura vrau drejtësinë duke vrarë mbrojtësin e drejtësisë, të vëllain Muzaferin, por nuk vrau dot zërin e artikuluar të shkrimtarit dhe zërin ndryshe të Arshi Pipës, i cili jehoi në Perëndim.
Thuhet shpesh se pena është një armë më e madhe ose më e fortë se pushka. Arshi Pipa, penën e përdori me qëllim bujar, për të lartësuar mirësitë dhe bukuritë e njeriut dhe të natyrës dhe në mbrojtje të lirisë dhe të demokracisë së vërtetë. Arshi Pipa, i cili i sjellë nder emrit shkrimtar dhe poet, por edhe Shqipërisë dhe kombit shqiptar – në shkrimet dhe veprat e tij shohim se ai, edhe në vuajtjet më të rënda të njeriut përpiqet të kapë thelbin e vlerave dhe të virtyteve më humane dhe më të bukura, si dhe luftën dhe kacafytjen midis së mirës dhe të keqës, duke dëshmuar njëherazi edhe fisnikërinë e vërtyteve më të larta të kombit shqiptar. 
Gjatë viteve në burgjet komuniste, Arshi Pipa ishte njohur dhe kishte lidhje e miqësi të ngushta me përfaqësues të lartë të klerit katolik, bashkëvuajtës me të në birucat komuniste, përfshirë edhe Ipeshkvin dhe shkrimtarin Vinçenc Prenushin, për të cilin Pipa ka shkruar se madje edhe në rrethanat më çnjerëzore nën të cilat jetonte në burg, Prenushi pasqyronte disa prej këtyre vlerave dhe virtyteve njerëzore të shqiptarit: “Ishte i butë në shpirt, e i paqë, thellë i devotçëm, i kushtuem kryekëput misoonit të vet kishtar, në kuadrin e të cilit dinte me pajtue – me një urtësi të bindshme – dashuninë e vet për Atdheun dhe shijen për letërsinë”. Në esenë klasike “Kujtime mbi Vinçenc Prendushin”, Arshi Pipa vë në dukje vuajtjet dhe mundimet, por edhe vlerat kombëtare, njerëzore dhe letrare të Vinçenc Prenushit, duke cilësuar se “dinjiteti kishtar i Vinçenc Prenushit, i kombinuem me vlerën e tij letrare dhe i kqyrun nën prizmën e patriotizmës shqiptare i jep fëtyrës së tij nji randësi madhore në radhët e përfaqësuesve të Kombit”. 
Pipa ka shkruar se si udhëheqës i lartë i Kishës Katolike dhe si njëri nga përfaqësuesit e dalluar të letërsisë kombëtare ishte e qartë se, “Imzot Prenushi nuk do ta kishte të gjatë me komunizmin, i cili ashtë në të njajtën kohë si kundër fesë ashtu dhe kundër kombësisë”. 
Ashtu edhe ndodhi! I bugosur, i rrahur e i torturuar, “lidhur kambësh e duarsh”, i “varun e i munduem” në burgun e Durrësit, shkruan Profesor Arshi Pipa për mikun dhe bashkëvuajtësin e tij, Ipeshkvin Vinçenc Prenushin dhe u drejtohet lexuesve: “Përfytyroni tash këtë njeri, nji burrë gjashtdhjetë e pesëvjeçar, nji prelat të naltë të Kishës, nji nga fort të rrallët shkrimtarë të Rilindjes ende të mbetun gjallë, përfytyronje të varun asisoj në nji nevojtore të Degës së Sigurimit”. 
Është ky përfytyrim i vuajtjeve të mikut të tij, të cilin Profesor Arshi Pipa kishte gjithë jetën para vetes kur kritikonte komunizmin, por është edhe një përfytyrim që ai do të dëshironte që të ri-krijohet sonte dhe të mbetet gjithmonë në ndërgjegjen tonë kur flasim për atë regjim. Prandaj nuk është për t’u habitur se ishte ky përfytyrim, kjo skenë e shumë të tjera si kjo, që e bënte Arshi Pipën të papajtueshëm, ose siç ka shkruar Visar Zhiti, “madhërisht të pamëshirshëm” me regjimin komunist të Enver Hoxhës, të cilin ai e luftoi me të gjitha energjitë e veta. Ai përfytyronte mikun e tij të rrahur e të munduar, të varur në një nevojtore të Degës së Sigurimit – Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, të cilit i referohet si, “simboli i të së kaluemes së Shqipnisë me të cilën ne mburremi, këtij njeriu i cili rrëmbehet me dhunë nga shtëpia e përvunjtë e nji katundi, ku kalonte ditët e mbrame të jetës së vet, bashkë me Zotin dhe me librat dhe ndryhet në burgje dhe torturohet”.
Por, Arshi Pipa, shkrimtari dhe poeti i burgosur, i torturuar dhe i vuajtur në burgjet komuniste, fatbardhësisht e pësoi pak më mirë se Vincenz Prenushi dhe shumë bashkëvuajtës të tjerë që i lanë eshtrat e tyre në burgjet dhe në kampet e përqendrimit, varret e të cilëve nuk dihen as sot. Arshi Pipa mundi t’u shpëtojë persekutimeve dhe vuajtjeve të mëtejshme me arratisjen dhe eventualisht me vendosjen e tij Shtetet e Bashkuara. Për fat të mirë të tij gjithashtu dhe ndryshe nga shumë bashkëvuajtës të tij, të cilët ishin arratisur nga Shqipëria pas ardhjes së komunizmit në pushtet të cilët vdiqën të shikonin Shqipërinë post-komuniste, ai mundi të shihte më në fund shembjen e një regjimi nga i cili kishte vuajtur vet dhe i cili kishte viktimizuar dhe persekutuar familjen e tij. Por gëzimi për shembjen e komunizmit në Shqipëri dhe në mbarë Europën Lindore, fatkeqësisht u kthye shpejt në një zhgënjim të bindjeve të brendshme që Arshi Pipa kishte për vlerat e kombit të vet. Ai kishte vendosur të kthehej në Shqipërinë e pas diktaturës komuniste me qëllim që të mos kthehej më në Amerikë, por gjeti një vend aq të ndryshuar nga diktatura komuniste, një vend i cili i dukej si i huaj në krahasim me Shqipërinë dhe vlerat që kishte njohur ai. Ai shpresonte për një Shqipëri ndryshe pas shembjes së komunizmit. Por, megjithëse u largua për të dytën herë fizikisht nga Shqipëria, kësaj radhe nga Shqipëria post-komuniste, Profesor Arshi Pipa në të vërtetë kishte vendosur për së gjalli që të mos ndahej kurrë nga Shqipëria duke i dhuruar bibliotekën e tij të pasur, përfshirë të gjitha veprat e tij e që ishte e vetmja pasuri që kishte – Bibliotekës së Shkodrës. 
Prania e tij në qarqet perëndimore u kujtonte si shqiptarëve ashtu edhe të huajve se Shqipëria ka nxjerrur nga gjiri i saj akademikë dhe njerëz të kulturës si Arshi Pipa, të cilët ishin përfaqësues të denjë të kombit të vet – dhe të aftë për të konkuruar me më të mirët dhe më të zotët e botës perëndimore.
Profesor Arshi Pipa ishte pranuar me krah hapur në Shtetet e Bashkuara për të dhënë mësim në një numër universitetesh anë e mbanë vendit. Arshi Pipa besonte në liri dhe demokraci të vërtetë dhe ishte një zë i denjë në mbështetje të të drejtave të individit. Si i tillë, as veprat e Arshi Pipa as qëndrimet e tij ideologjike dhe politike, që në të vërtetë shpesh ishin edhe kritike ndaj politikës së brendshme dhe të jashtme të Amerikës, vendit të tij të adaptuar, nuk kërcënoi as paqen as sigurinë, as rendin shoqëror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përkundrazi, Amerika e pranoi atë ashtu siç ishte, si një vuajtës i komunizmit, si një mbështetës të lirisë dhe demokracisë – faji i vetëm i të cilit ishte se e donte Shqipërinë të lirë nga komunizmi ndërkombëtar. Si rrjedhim, lind pyetja nëse Shqipëria post-komuniste e ka pranuar ose jo Arshi Pipën dhe të tjerë shkrimtarë e poetë shqiptarë në perëndim si ai, të arratisur nga komunizmi – dhe se si përgjigja ndaj kësaj pyetjeje pasqyron mbi lirinë dhe demokracinë e vërtetë sot në Shqipëri? 
Unë jam dakort me deklaratën e shkrimtarit dhe poetit të madh Martin Camaj – 90-vjetori i lindjes i të cilit shënohet gjithashtu këtë muaj – dhe mik i ngushtë i Arshi Pipës se, “Shqipëria do të jetë me të vërtetë e lirë, vetëm atëherë, kur shqiptarët do të kenë mundësi të lexojnë, të studiojnë dhe të vlerësojnë veprat e shkrimtarëve të tillë të mëdhej si Arshi Pipa”. Unë do të shtoja se Shqipëria nuk do të jetë vërtetë e lirë për derisa nuk ekziston një pajtim i vërtetë me bijtë e saj siç është Arshi Pipa – një pranim dhe pajtim me ta në fushën politike, mediatike, në kulturë e letërsi si edhe në qarqet akademike shqiptare. 
Në përfundim dhe në përputhje me atë që ka thënë Martin Camaj, unë besoj se pa pranimin e shkrimtarëve si Arshi Pipa dhe pa zhdukjen e paragjykimeve politike, letrare dhe ideologjike ndaj shkrimtarëve të kombit si Arshi Pipa dhe pa krijimin e një atmosfere për të kapërcyer dallimet politike dhe ideologjike të periudhës komuniste midis shqiptarëve, përndryshe Shqipëria dhe kombi shqiptar do të mbeten si, “Një anije e palëvizshme, e ngarkuar me zemrën e rënduar të poetit që simbolizon shpresat e tij të rreme”. (Arshi Pipa në librin e tij “Montale and Dante”)
(Ish- Drejtori i VOA-s për Euro-Azinë)