Francezi nuk e harron atë që i ka ndodhur në Tiranë

519
Në hollin e hotelit “Renaissance” isha duke biseduar me sportelistin kur pranë më afrohet një burrë me flokë të rëna e flokë thinjoshe me një fytyrë që shkëlqente nga shëndeti dhe dy sy të mprehtë që lëviznin si zhivë termometri poshtë lentave të syzave të miopisë. Më afrohet pranë dhe më flet me një shqipe të çalë :

– Jeni shqipatar …?
– Po, i them unë 
– Çfarë profesioni keni?
– Jam gazetar …

Ai heshti dhe fjollat e cigares që po pinte e mbështollën me një vello misteri. Pastaj psherëtiu thellë. 
– Ah,Tirana, ah, sigurimi i shtetit, ç’na ka punuar, ah, i shkreti ambasador…!
Kërshëria e profesionit më shtyu që të shfrytëzoja këtë takim rastësor e t`i merrja intervistën e mëposhtme: 

Me çfarë detyre keni qenë në Tiranë?
– Kisha një detyrë lidhur me sigurimin e ambasadës.

– Cila ka qenë ngjarja që ju ka tronditur ju kaq shumë në Tiranë?
– Ka qenë 31 korriku i vitit 1968 dita e festës kombëtare e Francës. Ne sipas traditës organizuam në hotel “Dajti” një mbrëmje, ishte një festë jo fare intime me trupin diplomatik që shërbenin në Tiranë dhe funksionarë të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. Ambasadori francez në atë mbrëmje po e tepronte me pijen duke përzierë vins blancs me vinc mousseux. Desha të theksoj, se në tavolinën përballë qëndronin përfaqësues të ministrisë së jashtme dhe përballë tavolinës sonë ishin dy oficerë të shërbimeve sekrete të Shqipërisë. Gjatë festës në një moment ambasadori francez ngrihet nga tavolina me vështirësi gati i dehur dhe shkon drejt tualetit. Kaloj më shumë se 30 minuta që ai nuk po vinte dhe unë shkova që ta shikoja çfarë po ndodhte, pse po vonohej, por e gjej të shembur në tualet dhe të goditur në kokë .

Çfarë kishte ndodhur me ambasadorin?
Dikush e kishte goditur në kokë dhe i kishte marrë portofolin. Rreth orës 9 të mëngjesit të datës 1 gusht ambasadori erdhi në vete dhe kërkoi urgjent çelësat e kasafortës. Fatmirësisht çelësat ishin në xhep dhe ai u rehatua duke ia faturuar ngjarjen ndonjë vjedhësi ordiner. Hapi kasafortën dhe vuri re se lista konfidenciale e miqve frankofonë shqiptarë ishte e palëvizur. Por pa kaluar një orë dikush nga jashtë ambasadës e mori ambasadorin në telefon .

Kush e kërkonte?
Në gjuhën italiane ai i tha ambasadorit se dispononte një listë të koduar të miqve frankofonë shqiptarë . Ambasadorin e kapi paniku dhe u zbardh si ato statujat e Greqisë. Personi i panjohur në fjalë që foli italisht i kërkoi ambasadorit të takoheshin tek hotel “Dajti” në dhomën 112, në orën 21 e 30 minuta të mbrëmjes.

A shkuat në takim?
-Padyshim, së bashku me ambasadorin. Parkuam makinën tonë para ambasadës dhe pak minuta më pas përbri makinës sonë u parkua një Polska Fiat i policisë së fshehtë shqiptare. Sapo u futëm në hollin e hotel “Dajtit” vumë re që nuk kishte këmbë njeriu, madje as nga personeli. Ballë përballë na del një punonjës që u prezantua si i Ministrisë së Jashtme dhe së bashku shkuam tek dhoma 112. Ai na foli me një frëngjishte të pastër se i vinte keq për aktin që kishte kryer dhe se policia e kishte zbuluar këtë hajdut ordiner dhe na dorëzoi portofolin, i cili dukej që nuk ishte prekur. Por pasi qëndroi një hop, ai na tha se policia krahas portofolit, këtij hajdutit ordiner i kishte gjetur një listë të agjenturës franceze të deshifruar dhe të identifikuar pothuajse të gjithën…

Po më pas?
Oficeri i sigurimit na bëri një propozim konkret, që ambasadori të vihej në shërbim të sigurimit të shtetit, në të kundërt lista e ‘agjenturës’ shqiptare do t’i dorëzohej një kopje shtetit shqiptar dhe një kopje tjetër shtetit francez. 

E firmosi ambasadori?
Ambasadori kishte marrë një vendim që të firmoste çdo kërkesë të policisë sekrete shqiptare, se qëllimi i tij ishte të fitonte kohë…U kthyem në ambasadën tonë dhe përmes një daljeje të fshehtë nga një telefon civil i kërkoi ndihmë mikut të tij kryetarit të Akademisë së Shqipërisë të asaj kohe që t`i realizonte një takim me Enver Hoxhën.

E takuat Enver Hoxhën?
Enveri ishte në Pogradec me pushime. Gjatë gjithë rrugës për në Pogradec ambasadori kishte besim se do të gjente një zgjidhje tek Enver Hoxha, për vetë faktin se Enveri kishte një kulturë franceze dhe e fliste mirë gjuhën frënge. Në orën 18 na priste Enveri në rezidencën e tij në Pogradec. Ai shëtiste buzë liqenit kur shkuam ne. Bisedën e zhvilloi vetëm me ambasadorin. U ulën poshtë një mështekne. Enveri e çliroi nga emocionet, më pas ai e dëgjoi me vëmendje ambasadorin dhe dukej i çuditur nga rrëfenja e ambasadorit.

Çfarë i tha Enveri ambasadorit ?
Enveri nuk i premtoi, por u shpreh bindshëm se një pjesë e shokëve tanë të shërbimeve sekrete kanë studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe kanë marrë metodat e KGB-së, CIA-s apo të UDB-së Jugosllave. Nga ana tjetër, Enveri premtoi se do të marrte masa të zbulonte shkaktarët e këtij incidenti të rëndë…U ndamë miqësisht dhe gjithçka ngeli tek ajo bisedë me Enverin. Askush nuk na ngacmoi më, deri sa u transferuam nga Tirana.
Sigal