Franc Koruni: Muzika më ka bërë të harroj që nuk shikoj

1540
Sigal

INTERVISTA/ Flet Franc Koruni, kitarist klasik, kantautor: Muzika nuk ka nevojë për sy, pasi ajo është shpirtërore

U lind në Tiranë në vitin 1992. Në vitet 2005 – 2010 studioi nën drejtimin e pedagogut Gert Margariti në liceun artistik “Jordan Misja”, ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera. Aktualisht është duke ndjekur studimet e masterit për kitare klasike në Universitetin e Arteve Tiranë nën udhëheqjen e pedagogut Admir Doçi.

Ka ndjekur masterklase me kitaristë të njohur botërorë si: Anders Miolin, Odair Assad, Michael Buchrainer, Dieter Kreidler, Carlo Domeniconi, Jorge Luis Zamora,  Goran Krivokapic, Istvan Romer dhe Danijel Cerovic.
Që prej vitit 2009 Franci ka interpretuar në shumë aktivitete muzikore në Shqipëri, Itali, Kosovë, Mal i Zi, Kroaci, Lihtenshtain dhe Zvicër.
Ai ka qenë i ftuar për një në turne koncertesh në Itali dhe në Shqipëri bashkë me kitaristin italian Francesco Silvestro, organizuar nga qendra kulturore C.I.C.A.L. “Citta di Brindisi”. Festivale ndërkombëtare si: DAM INTERNATIONAL FESTIVAL, “Garat e Muzikantëve të Rinj ArsKosova”, “FESTIVALI NEI SUONI DEI LUOGHI”, “FESTIVALI CARNIARMONIE”, etj. e kane ftuar si solist për koncerte recitale. Në vitin 2009 Franci u vlerësua me çmimin e Nderit nga Akademia Imperiale Rome, me motivacionin “Per la sua creativita artistica-musicale”.  Në vitin 2011 ai fiton çmimin e tretë (çmimi i vetëm i akorduar për instrumentistët) në festivalin “RINIARTS FEST APOLLONI”. Në të njëjtin vit shpallet fitues i Çmimit të Parë, Absolut në “Garat ndërkombëtare të Muzikanteve të Rinj ArsKosova”.
Në vitin 2013 Franci fiton çmimin e tretë në konkursin ndërkombëtar të kitarës në Groznjan, Kroaci.

Kur përkon koha kur ju filluat të preknit kitarën?

Ka qenë mosha 12-13 vjeç, kur mora për herë të parë në dorë një kitarë. Faktikisht, ka qenë një dëshirë e babait tim që unë të dija një instrument dhe unë paçka se isha i apasionuar shumë me pikturën më pëlqeu ideja dhe thashë menjëherë po. Ishte kitara pasi dhe babai im ka pas luajtur në një kitarë të cilën ia kam thyer unë kur isha 2 vjeç. Mësimet e para i kam marrë në Pallatin e Pionierëve, para se të hyja në lice.

Cila ka qenë pjesa e parë që ke luajtur?

Një pyetje shumë e bukur. Nuk jam i sigurt në e mbaj mend pjesën e parë, por më kujtohet që ditën e parë kur erdhi kitara në shtëpi, të cilën e kam ruajtur deri më sot, mësova akordet e një serenate korçare dhe më vjen për të qeshur sot se i kam luajtur ato dy akorde për më shumë se tre javë, pa u mërzitur.

Kush ju përkrahu në këtë ndërmarrje?

Sigurisht, përveç prindërve ka qenë profesori im i atëhershëm Gert Margariti. Një profesor shumë akademik, por në të njëjtën kohë dhe liberal. Për mua ishte vetëm fillimi dhe merreni me mend sa mund të frymëzohesha nga loja e një profesionisti. Ato katër vite në lice kanë qenë shumë bazike për mua, për t’u përgatitur për shkollën e lartë.

Si e përcillni konkurrimin?

Sigurisht që, Akademia kishte një program të vetin të cilin duhet ta respektoje para se të konkurroje, por më shumë se nxitje do të thoja që dëshira për të vazhduar ishte e pashmangshme. Tashmë kitara ishte bërë pjesë e pandashme e jetës sime. Faktikisht unë po kërkoja për të konkurruar në ndonjë shkollë jashtë vendit, por ardhja e profesorit Admir Doci nga Zvicra në Shqipëri i ndryshoi krejtësisht planet e mia.

Kush ishte në Juri?

Në juri ishin të gjithë pedagogët e kitarës dhe unë duke qenë se nuk i njihja personalisht emocionet ishin të forta, por kur pashë dhe se në renditjen e të pranuarve isha radhitur i pari kjo ma rriti shumë përgjegjësinë për të dhënë më të mirën e mundshme gjatë atyre viteve.

Gjatë studimeve a morët pjesë në koncerte?

Sigurisht. Që në vit të parë m’u krijuan mundësitë të merrja pjesë nëpër shumë aktivitete, mbase dhe më herët, që në periudhën e liceut.  Në një pjesë të mirë të koncerteve kam qenë i ftuar nga qendra kulturore C.I.C.A.L Citta di Brindisi. Isha ende pa eksperiencë në atë kohë dhe sot që i kaloj ndër mend, kanë qenë aktivitete shumë të rëndësishme. Në vit të parë në Akademi konkurrova ne konkursin ndërkombëtar Ars Kosova ku me vlerësuan me çmimin e parë Grand Prix, aty ku qe dhe trampolina ime e parë drejt një rrugë të suksesshme dhe me shumë përgjegjësi. Më pas pata fatin të interpretoj në mënyrë të vazhdueshme në koncerte brenda dhe jashtë vendit.

Cilat ishin ëndrrat e vegjëlisë, apo talenti i jetës fëminore?

Të tregohem i sinqertë talenti im evident në vizatim në fëmijëri më bënte të ëndërroja drejt arteve figurative, por duke qenë se kam pasur vështirësi me shikimin ai drejtim ishte pa perspektivë për mua. Unë babin e kam skulptor dhe e kisha një shembull pranë për ta ndjekur. Por fati është i larmishëm dhe po ta mendosh nuk do isha bërë kurrë muzikant nëse nuk do kisha probleme me shikimin.

Çfarë të ka bërë përshtypje gjatë vizitave në ekspozita?

E kam të pamundur të përgjigjem literalisht, por mund t’ju them se kur kam qenë në një aktivitet në Romë, bashkë me Leon babain tim, gjeta kohën për të parë shumë muze dhe galeri arti dhe më besoni frymëzimi ishte shumë i madh, por jo që të pikturoja, por qe të bëja muzikë. Me pak fjalë arti nuk ka rëndësi sesi shfaqet, e rëndësishme është ta ndjesh.

Në kushte reale mos vallë do të ndiqje më shumë pikturën?

Unë jam njeri që nuk them kurrë, kurrë. Para së gjithash më pëlqen të jem artist, krijues, muzikant e pastaj kitarist. Sigurisht kitara është dashuria më e madhe e jetës sime, por siç ju thashë dhe në fillim mund të isha bërë një piktor shumë i mirë. Njeriu është kompleks. Disa re në një ditë feste, apo një dorë e shtrënguar nga dikush në mënyrë të pazakontë mund ta ndryshojë tërësisht jetën tënde. E rëndësishme  është që njeriu të ndjekë pasionin e tij.

E ndjen shumë mungesën e shikimit?

Sot që flasim, të them të drejtën nuk ia ndjej dhe aq nevojën syve, ndryshe nga fëmijëria. Fundja fundit, vetë muzika nuk shikohet dhe çfarëdolloj vështirësish të vogla jetësore i kaloj me shumë sportivitet, aq sa jo të gjithë janë në dijeni të problemit tim.

Si do t’i përcaktoje femrat?

Mm… Ndoshta. Nuk më pëlqen t’i kategorizoj femrat si shqiptare apo të huaja. Me këtë s’dua të them që janë të gjitha njëlloj, por që të gjitha femrat janë një frymëzim shumë i madh për artistët meshkuj. Unë personalisht mbase jam pak më romantik se ç’duhet, por romanca i përshtatet më së miri muzikës dhe në këto periudha intensive studimi jam më se i përmbushur në këtë aspekt.

Jeni ndjerë keq në skenë?

Absolutisht po. Këto janë momentet më deçisive për të kuptuar shumë gjëra nga aspekti profesional. Për mendimin tim vetëm nga mënyra se si një artist menaxhon disfatat do i varet i gjithë suksesi.

Ju keni miqësi të madhe me Alida Hiskun, si jeni njohur me të?

Ah, ka qenë një takim jo i rastësishëm para 8 vitesh, kur unë sa dhe kisha filluar mësimet e para. Bashkëshorti i Alidës është një okulist me emër në Gjermani dhe kur zoti Tomas mori vesh për problemin tim të pazakontë me sytë, shprehu dëshirën të më bënte një vizitë serioze. Gjatë kësaj kohe lindi një miqësi shumë e veçantë me Alidën dhe me Tomin, por sidomos me Alidën. Një artiste rebele në shpirt, e cila u kthye në një frymëzim për një 12-vjeçar që sapo kishte filluar të prekte artin. Në atë kohë ajo më premtoi një koncert së bashku dhe mendojeni vetë, unë as që kisha hipur ndonjëherë në ndonjë skenë. Por ne kemi qenë gjithmonë në kontakt dhe gjërat rrodhën shumë më mirë se ç’mendohej. Dhe sot, mbas kaq vitesh një gjë e tillë është plotësisht e mundur. Unë do isha i nderuar dhe i lumtur për këtë gjë.

Ju luani në kitarë, bëni tekste, por keni filluar dhe të këndoni. Një mrekulli kjo?

Kam rreth dy vite në fakt që shkruaj tekste dhe melodi. Nuk mund të them se jam një kantautor, por më është kthyer në një pasion tanimë. Kjo gjë e re tek mua i pëlqeu shumë dhe Alida Hiskut, e cila u tregua entuziaste dhe më mbështeti shumë.

Në fakt kam kohë që nuk kam më kohë të lirë, apo ndoshta një artist ka gjithmonë kohë të lirë. Nuk e di si të përgjigjem. Nuk i gjykoj ata që i konsumojnë, por personalisht nuk kam treguar interes përveçse ndonjë gotë aty tek tuk me miqtë. Por për të bërë pak shaka, nuk besoj se ka drogë më të fortë se muzika.