Folklori dhe folkloristët e Tërbaçit

1305
Bexhet RRAPO Kryetar i Shoq. A .K. Tërbaçi
Këtu është skalitur heroika e këtij vendi me luftërat, dijetarët e gjithë figurat e shquara.
Si gjithë treva e Labërisë dhe Tërbaçi në të gjitha kohërat ka pasur krijues, rapsodë e këngëtarë që kanë pasqyruar çdo ngjarje të jetës. Natyra ku kanë jetuar, në truall me male të ashpra, siç i ka bërë trima e punëtorë i ka bërë dhe të zgjuar për të përjetësuar jetën e tyre. Ndikimi i këtyre kushteve ku kanë jetuar tërbaçiotët duket dhe në vallet e këngët me përmbajtje emocionale shpesh epike, me lëvizje të gjalla e të vrullshme të cilat karakterizoheshin nga shpërthime të brendshme, të forta e të ndjeshme, karakteristikë kjo sidomos te vallja e burrave. Origjinaliteti i polifonisë labe e asaj tërbaçiote është një dëshmi e hershmërisë së ekzistencës së saj historike por dhe kultivimit popullor në perfeksion.. Këtë na i përforcon më shumë edhe profesor Eqerem Çabej që thotë se, kënga labe është një këngë që i ka fillesat nga barinjtë. Të mësuarit e kësaj kënge bëhej duke u transmetuar brez pas brezi. Kështu më të moshuarit, ata që këndonin dhe me mirë, në ambiente familjare u mësonin më të rinjve si ta këndonin. Në disa vëllezëri apo fise kjo është praktikuar dhe më shumë, si Hodaj, Hoxhaj, Xhakaj, Skëndaj, Gjondedaj, Kiçaj e Abazaj. Këtë e tregon fakti se nga gjiri këtyre kanë dalë dhe më shumë këngëtar. Këto këngë e rapsodi përbëjnë gurrën popullore të Tërbaçit. Këtu është skalitur heroika e këtij vendi me luftërat, dijetarët e gjithë figurat e shquara. Folklori nëpërmjet këtyre këngëve ka mundësuar dhe vërtetimin e historikut të shumë ngjarjeve. Një rol të tillë kanë pasur këngët e periudhave më të hershme por dhe ato të mëvonshme. Kështu mund të përmendim krijimtarinë për Lulo Abaz Memetin, Miro Tërbaçen, Dulo Kokën, Bilbilejtë e të mëvonshmit Halim Xhelon, Hysni Kapon e dëshmorët e Luftës Nac-Çlirimtare. Po ashtu për ngjarje të rëndësishme, përpjekje me pushtues etj, ja si i këndon populli një ngjarjeje edhe të largët si ajo e vitit 1820. 

Gjëmon koburja në gropë
Se ç`u mblodhë tërbaçiot
Dulo Kokë e Dino Drëri
sokëllin sa tundej vëndi. 

Po cilët kanë qenë disa nga rapsodët e krijuesit më të spikatur e të identifikuar në vite. Arshi Xhelili me 14 këngë, Xhebro Gjika me 10, Sinan Mullau me 5, Kujtim Mici me 25, Amdi Hodo me 5, Muk Haxhiu, Hyso Salati etj. Mbas viteve 1945 me vendosjen e pushtetit popullor, siç do zhvilloheshin arsimi e shumë degë të tjera, do të zhvillohej dhe kultura e folklori. Kjo do të reflektohej dhe në Tërbaç. Kontribut të madh në këtë fushë do të japin mësuesit që e kishin dhe pasion të tyre, Kujtim Skëndaj, Rexhep Abazi, Mejdi Skëndaj, Vendim Lushaj e Hadixhe Hodaj. Sipas kujtimeve të Mujo Gjondedës, një nga pjesëtaret e parë të grupeve folklorike, fillesat e përgatitjes për grupet do të jenë nga fundi i vitit 1960. Shtysë për këtë ishte mospjesëmarrja e Tërbaçit me grup kënge në festën e Drashovicës 15.9.1960, kur nga fshatra të tjerë kishte. Të mbështetur në dëshirën, vullnetin, por edhe trashëgiminë e të parëve si këngëtarë e valltarë të mirë që nuk ishin të pakët si: Çaush Hyseni, Lilo Tahiri, Çelo Matani, Dervish Berdo, Qazim Skëndo, Rystem Boro, Sherif Lusho, Sejdi Gjika, Prënjo Xhaka etj, filloi puna. Në sajë të angazhimit të organizatorëve do të plotësohet grupi me 12 valltarët e parë, ku pesëshja kryesore ishte: Mujo Gjondeda, Rexhep Abazi, Mejdi Skëndaj, Kujtim Skëndaj, Izet Skendaj, si dhe Ago Beqiri, Qazim e Abaz Abazi, Rrapush Memeti, Asllan Nika, Qazim Çelo e Xhevit Gjini. Mbas plotësimit të uniformave të përgatitura falas nga rrobaqepësja Shero Lushaj, grupi quhej i gatshëm. Filluan dhëniet e koncerteve në Tërbaç por edhe në krahinë e në zona të tjera të Vlorës. Koncerti i parë i përmasave të mëdha do të jepej në festën e Drashovicës më 15.9.1965, atje ku lindi dhe nisma për formimin e grupit. Por nuk do mjaftohej vetëm me grupin e valleve të burrave, do të vazhdohej me grupe të tjera. Kështu rreth viteve 1968-1969 do të krijohet grupi i këngës për burrat dhe ai i valles për gratë me pjesëmarrëse në vallen e grave mësuesja Hadixhe Hodaj, Fari Skëndaj, Lumturi Lushaj etj. Në vitet 1970-1971 do të plotësohet dhe me këngëtare gra grupi burrave që u quajt ndryshe grupi miks. Në këtë grup marrëse do të jenë gratë si Dashuri Hodaj, Natasha Rrapoj e Afërdita Demo, kurse kthyes Rexhep Abazi, dhe hedhës Mejdi Skëndaj. Disa nga këngët që janë kënduar janë : “Ç`i gjetë zakonet që pamë“, “Dëshmorët e fshatit tonë“, “Le t’ia thotë labi në jugë“, “Ju bijë të Terbaçit plak“ etj, autor të këtyre këngëve ishin Xhebro Gjika, Kujtim Mici e Amdi Hodo. Mbas sukseseve me këto grupe në vitet 1971 -1972 do të krijohet grupi vetëm me gra. Në grupin e parë kanë qenë: Dashuri Memeti, Natasha Rrapo, Lumturi Abazi, Fatbardha Kapo, Velide Shiroke, Fatbardha Lushaj, Mjaftore Sinaj, Afërdita Demo e Xhixho Hodo. Më vone u vazhdua me Bukuroshe Abazaj, Shpresa Kapo, Nazo Dautaj, Ferzilete Barjami etj. Ky grup ka kënduar shumë këngë duke marrë pjesë në festival në rang rrethi e në bazë krahine . Nga një festival i organizuar si krahinë në Brataj do të fitonte çmimin e parë me këngën “Le tja thotë labi në jugë “më 1971 me marrëse Natasha Rrapoj. Mbas tetë vjet pune me përkushtim, përgatitje, krijimtari e dhënie koncertesh do të vijë dhe rezultati më i madh. Në vitin 1973 Tërbaçi do të marrë pjesë ne festivalin kombëtar të Gjirokastrës me dy grupe. Një do ishte vallja e burrave e traditës dhe nje këngë burrash po e traditës. Vallja e burrave do ishte “O more diell e mojë hënë” me udhëheqës e marrës Mujo Gjondeda. Kurse grupi këngës përfaqësohej me këngën “Lindi luaneja luan” marrës Sinan Hoxha. Në të dyja këto grupe kthyes dhe hedhes do të ishin Rexhep Abazi e Mejdi Sëndaj. Gjatë konkurrimit si vallja dhe kënga u lauruan me çmim të parë. Vlerësimi i të dy këtyre grupeve qe një arritje e madhe për këta burra e djem të Tërbaçit që ngritën në nivele të larta këngën labe tërbaçiote, duke e njohur kombëtarisht. Mbas këtij suksesi në festivalin e 1973 , grupi Tërbacit do ftohet në shumë aktivitete e koncerte shtetërore jubilare. Një nga këta ka qenë pjesëmarrja në koncertin shtetëror në kuadër të 30-vjetorit të qeverisë së pare demokratike, tetor 1974, ne Berat. Kënga e vallja e Tërbaçit u pëlqye shumë nga pjesëmarrësit, pati vlerësim nga këngëtarë e artistë të shquar si Vaçe Zela e cila u ngjit posaçërisht ne skene për të përshëndetur këtë sukses e në mënyrë të veçantë kërcimin akrobatik e të zhdërvjellët të valltarit Izet Skëndaj si përmbyllës i valles. Disa nga pjesëtarët si valltar po dhe të grupit këngës kanë qenë: Mujo Gjondeda, Kujtim Skëndaj, Rexhep Abazi, Sinan Hoxha, Shyqyri Miftari, Mejdi Skëndaj, Sulejmën Barjami, Vendim Lushaj, Rrapush Memeti, Pajtim Skëndaj, Lavdosh Hoxhaj, Rexhep Kica etj. Gurra popullore tërbaçiote nuk do ndalonte , ajo do ketë vazhdimësi , në sajë të vullnetit që kishin djemtë e vajzat e talentuar me zëra melodioz. Por Terbaçi ka pasur fatin që të ketë në gjirin e tij një krijues të këngës labe si Kujtim Mici. Në sajë të kontributit të këtij folkloristi, Tërbaçi do të jetë pjesëmarrës e fitues në disa festivale e aktivitete kombëtare. Viti 1978 do të jete viti i një perle tjetër terbaçiote të këngës labe, atë me tekst “Tërbeçët Haraçe s`dhanë” dedikuar legjendares Miro Tërbaçja e kënduar nga Sinan Hoxha, kthyes Nebi Xhaka dhe hedhes Bilbil Xhaka. Kjo këngë do merrte çmimin e parë në festival. Teksti i saj e ka burimin në një ngjarje të vërtetë historike të vitit 1760 krijuar nga rapsodi popull dhe e përpunuar dhe përshtatur nga poeti Kujtim MICI. Kjo këngë tërhoqi vëmendjen dhe të institucioneve ndërkombëtare kulturore pjesëmarrës në festival. Ata kërkuan bërjen e një filmi për motivet e saj . Nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, kjo u realizua nga punonjësi i tyre Benjamin Kruta në Tërbaç për grupin e tij dhe duke shtuar edhe trion labe te dukatit. Ky film nga një institucion Suedez u paraqit në festivalin ndërkombëtar të Dizhonit të Francës ku fitoi çmimin e lartë ‘Gjerdanin e artë’. Në vitin 1980 ky gjerdan do të dorëzohej në Tërbaç me ceremoni nga Ministria e Kulturës dhe një përfaqësues suedez. Pra disku me këngën e këtyre këngëtarëve fluturoi, kaloi male e dete për konkurrim në kryeqytetin e kulturës evropiane Francë, duke rrëmbyer çmimin ndërkombëtar. Këta po që janë shqiponja të Tërbaçit e të gjithë Labërisë. Për këtë sukses janë vlerësuar dhe këngëtarët kryesor. Sinan Hoxha do të vlerësohej me Urdhrin Naim Frashëri, kl. II nga Kuvendi Popullor, kurse Syrja Hodo e Nebi Xhaka do të cilësoheshin si zërat më të mirë marrës e kthyes në gjithë Labërinë. Viti 1978 do të jetë viti me më shumë prurje , kështu grupi do dali me këngën “Bujkesh më shkele meranë“ një këngë kjo me vlera të mëdha për nga teksti por edhe në formën e të kënduarit, ajo nuk këndohet nga kushdo. Marrës i kësaj kënge Syrja Hodo e Ferzilete Barjami , kthyes Nebi Xhaka e hedhes Sinan Hoxha. Po në vitin 1978 në Gjirokastër do të marrë pjesë një grup nga Gjimnazi “Laze Nuro”, Brataj. Këngëtaret kryesore ishin bija të Tërbaçit të përgatitura në fidanishten e Kujtim Micit qysh nga viti 1976, por dhe kënga ishte e krijuar po nga Kujtim Mici, e cila titullohej “Ç’u bë shami kuqe”. Këngëtaret ishin marrëse Nazo Dautaj që kishte një zë kumbues e brilant, kthyes po me një zë të arrirë ishte Shpresa Kapo dhe hedhëse Shaze Hoxhaj. Në këtë vit do të krijohet dhe grupi valles me pionier të cilët do të ftohen për një koncert jubilar në Vlorë ku do dali foto me ta, biri i lavdishëm i Tërbaçi Hysni Kapo, më 8 qershor Viti 1979 do jete një vit tronditës për Tërbaçin dhe gjithë Shqipërinë. Kënga solli shumë emocione te shikuesit si për përmbajtjen por dhe për përsosmërinë e të kënduarit. Rrugëtimi i grupeve folklorike tërbaçiote do vazhdojë. 
Sigal