Florida Meshi: Idhujt e mi, Merita Halili & Celine Dion…

626
Sigal

Personazh/ Flet këngëtarja Florida Meshi: Këngët e preferuara, ato të Fatime Sokolit

 “Ti ban mirë me më thon mu”, klipi që më bëri me famë

 Kënga tashmë është pjesa më e bukur e jetës së saj. Pa ‘të nuk mund të rri asnjë çast. E bukur, energjike , seksi dhe me shumë adrenalinë. Kjo është Florida, këngëtarja shqiptare e cila po korr sukses në fushën e muzikës te vendit tonë. Florida Meshi është një nga këngëtaret më simpatike & madhështore të skenave tona, e cila përherë di të vijë ndryshe dhe të befasojë publikun . Ajo është një ndër femrat më të bukura për tu marrë shembull në stil, edukatë dhe ne veshje. Pjesëmarrëse në disa evente dhe kompeticione muzikore ku ka shkëlqyer me performancat e saj, gjithashtu ka realizuar edhe disa videoklipe muzikore. Së fundmi ka lançuar klipin e saj më të ri, “Ti ban mirë me më thon mu”.

 -Florida, cila ka qenë rrjedhja e jetës suaj dhe pse vendosët të ktheheshit ne Shqipëri ?

Unë pasi mbarova shkollën 8-vjeçare këtu në Shqipëri vendosa të largohem në Angli. Kjo dëshirë në fakt ishte si një shkreptimë në qiellin tim, pasi më kishin folur vëllezërit dhe motrat, të cilët jetonin atje që më nxiti të shkoja drejt kësaj ëndrre në atë kohë. Dhe në fakt unë vendosa pa asnjë mëdyshje që të ikja se atë kohë në Shqipëri sapo po trazoheshin problemet e ‘96-‘97-s kështu që menduan familjarët të më largonin atje për një jetë më të qetë. Për mua ishte shumë e vështirë atje. Më dukej vetja si e humbur dhe shumë herë pendohesha pse kisha emigruar në Angli, të cilën e kisha ëndërruar dikur. Isha dhe shumë e vogël vetëm 14 vjeç dhe përshtatja ishte pothuajse e pamundur, pastaj kuptohet dhe diferencimi që bëhej atje ta shtonte mërzinë dhe mallin për Shqipërinë sidomos për prindërit.

-Format e tua trupore janë perfektë, cili është sekreti yt ?

 Sekreti kryesor për të pasur dhe ruajtur format e bukura fizike krahas faktorit gjenetik është padyshim frekuentimi i palestrës, ushtrimeve të ndryshme për linjat dhe sigurisht një dietë e rregullt ushqimore e pasur me shumë perime dhe fruta.

  -Më pas?

Pastaj u regjistrova në shkollë, në kolegj më saktë, ai ishte tre vjeçar dhe në fakt unë e nisa për gjuhë si fillim, por arrita të barazohesha me të tjerët shumë më shpejt se e kisha menduar. Aty rinisi e u zgjua ëndrra ime për të vazhduar të merrem me muzikë. U angazhova me grupin artistik të shkollës dhe këndoja këngët e tyre kuptohet. Aty më vlerësuan ç’është e vërteta dhe më pas nisa të frekuentoj dhe organizimet e ndryshme artistike kur më merrnin ata. Sidomos në festat dhe lokalet, ku kishte shqiptarë dhe kosovarë nisa të shkoj gjithnjë e më shpesh.

 -Në Angli ju lindi dëshira për të kënduar apo ishte e vjetër, por e fshehur nëpër vite dhe pamundësi kjo?

 Në fakt unë kur kam qenë në shkollë në Shqipëri kam marrë pjesë në aktivitete e shkollës, në festivalet e fëmijëve të shkollave të ndryshme të Tiranës, ku kam marrë dhe çmime, po ashtu kam shkuar dhe në Gjirokastër, Berat, Korçë etj., me grupin artistik të shkollës. Kjo ka qenë një pikënisje drejt muzikës që në fillore mund të them, por asnjëherë nuk munda ta kurorëzoj ashtu siç duhej bërë për shumë arsye. Dhe në Angli u mora dhe me kurse muzike më kompozitorë të shumtë kryesisht kosovarë që të mund të vazhdoja. Por ka qenë shumë e vështirë se atje dhe e huaj dhe pa mbështetje ishte katastrofë sinqerisht dhe kjo më lëndonte pasi mendoja se kurrë nuk do e prekja qiellin e ëndrrës time.

  -Na kujtoni diçka nga jeta juaj pas kolegjit?

Pasi mbarova kolegjin vazhdova shkollën e lartë të cilën e mbarova me sukses për të cilën nuk dua të flas pasi është shumë larg muzikës. Unë doja të vazhdoja për muzikë, por nuk ia dola dot. Kjo ka mbetur një peng shumë i madh në jetën time. Shkollimi më ndihmoi të punoj, por asnjë çast nuk u shkëputa nga muzika, sidomos fundjavës isha e pranishme në çdo festë apo aktivitet që bëhej atje. Dhe në fakt kam patur mbështetje të madhe nga shoqëria pasi kam shumë shoqëri atje, sidomos kosovare.

-Çfarë gjetët kur u kthyet?

Aaaa, në fakt gjeta shumë ndryshime. Një shoqëri krejt të civilizuar shqiptare që të them të drejtën më pëlqeu ky emancipim që kishin arritur. Më pas nëpër çdo rrugë të Tiranës gjeta momentet e fëmijërisë time, shumë kujtime. Ishin prindërit ato që më pritën dhe mbështetën pasi këtu nuk kisha më askënd nga shoqëria, vetëm njerëzit e fisit dhe ato jo të gjithë pasi dhe ata kishin emigruar gjithandej si unë. Gjeta dhe një ëndërr të thyer që dikur kisha dashur të bëhesha balerinë dhe nuk ia arrita dot. Këtu rigjeta veten time dhe nisa të angazhohem në jetën e përditshme që të mund të përshtatesha.

-Ç`mund të na thoni rreth klipit tuaj të parë, si ndjeheni tani?

 Unë u ktheva për të nisur rrugën e muzikës dhe sapo erdha kontaktova me muzikantin Bujar Kurti dhe shkrimtaren Helena Halilaj, e cila më bëri dhe tekstin e këngës me titull “me lot malli laj vetminë”. Më pas Bujari më bëri një muzikë shumë të mirë si dhe teksti dhe direkt bëra videoklipin, i cili u transmetua shumë shpejt në televizion. Klipi është bërë në Dajt. Kisha shumë emocione, isha shumë e lumtur dhe prisja me padurim të shfaqej sa më shpejt në ekran. Tani ndjehem shumë mirë dhe dua të punoj shumë më shumë se deri ç’kam bërë. Pa punë dhe pa shkollë për mua jeta është e kotë.

-Cilën rrymë muzikore do vazhdoni të këndoni?

 Muzikë popullore, e kam patur qejf që në fëmijëri. E di çfarë unë ende dëgjoj shpesh këngët e Fatime Sokolit pasi e kam dashur shumë. më pëlqejnë dhe baladat kuptohet që të kenë në përbërje një shtrirje të lehtë popullore, më saktë alternim mes tyre. Kam një idhull si Merita Halili apo Celine Dion që më frymëzojnë dhe qetësojnë në maksimum sa herë i dëgjoj.

-Pjata juaj e preferuar, cila është?

 Supa me perime & prodhimet e detit

 -Ndërkaq, le të kalojmë tek Martesat Gay, jeni Pro apo kundër ?

Totalisht pro. Është viti 2012 ! Tashmë në jetë, në demokraci nuk ka pse të ketë tabu. Jeta shfaqet me të gjitha ngjyrat e ylberit.

 -Planet tuaja muzikore sa e ndjeni tregun e këngës?

Tani sapo kam përgatitur dhe tre këngë të reja, jam në bashkëpunim dhe me Indrit Furtunën dhe një tekst po me Helenën, e cila më ka ndihmuar shumë kur erdha nga Anglia. Ajo ishte ndër të paktët miq që më është gjendur pranë duke më orientuar mbi jetën dhe muzikën. Dua të bëj me patjetër albumin tim, me këngë dhe tekste kryesisht të rinj pasi aty qëndron dhe ambicia ime drejt suksesit. Kam shumë plane dhe projekte. Dhe në fakt kur isha në Angli fill pas publikimit të klipit të parë pata oferta që të rrija atje pasi unë më përpara kam kënduar shumë në Angli dhe në Zvicër disa herë. Gjithashtu, një grup kosovarësh të rinj po bëjnë një film, ku dhe mua mu ofrua një rol të cilin e mirëprita. Dua të këndoj dhe në Shqipëri patjetër jo vetëm jashtë. E ndjej shumë tregun e këngës kuptohet pasi ka shumë këngëtare dhe është e vështirë të depërtosh shpejt drejt suksesit. Por shpresoj, si gjithmonë.