Florian Agalliu, moderatori që iu fal ngrohtësinë e shtëpisë figurave të artit shqiptar

998
Sigal

E besoni dot, deri në moshën 6 vjeç kam qenë thuajse, gagaç?!

 

Florian Agalliu, që në pamje të parë tregon që është personazh mjaft pozitiv e tërheqës. Në fakt Florin e mbajmë mend që me daljen dinjitoze me një rol jo episodik tek seriali: “Komuna e Parisit”, ku edhe ra në sy menjëherë. Më tej besojmë se me karrierën e tij njiheni të gjithë, pasi ndër vite punët e aktorit kanë qenë gjithnjë të shpalosura në ekran; si drejtues i suksesshëm i disa formateve. Filmi i tij i fundit ku ka marrë pjesë, ka qenë filmi “Dy gisht mjaltë” me Ermal Mamaqin dhe Elvana Gjatën, i cili u prit mjaft mirë nga spektatori, madje pati mjaft sukses. Në këtë intervistë, Flori na tregon disa sekrete nga fëmijëria. Gjithashtu Flori na tregon për marrëdhëniet që ka me kolegen e tij Stela Kotrin, për të cilën thotë se e ka pritur me shumë entuziazëm në emisionin në “Në shtëpinë tonë”.

-E prita me kënaqësi dhe u mundova ta bëj të ndihet mirë, ashtu siç më priti dhe mua dikur Anjeza Maja, kur kam ardhur në fillim – shprehet Flori. I pyetur, se me kë i ka marrëdhëniet më të mira, Flori thotë se, sigurisht, me të dyja, pasi, sipas tij, çdokush ka karakterin dhe të veçantën e vet. Flori flet dhe për pasionet e tij, ai thotë se ushtron sport për të qenë sa më në formë.

Florian, për ta filluar mund më thoni një sekret nga fëmijëria juaj?

Po, një sekret nga fëmijëria ime që s’e kam thënë kurrë – është, se deri në moshën 6 apo 7-vjeçare kam pasur një anomali në të folur, kam qenë gagaç. Mund ta imagjinoni?!

Kjo qenka vërtet interesante dhe do t’iu ketë kërkuar mund e punë intensive për ta mënjanuar?

Sigurisht, por me punë arrihet gjithçka.

Më thoni tani, çmendurinë më të madhe që keni bërë?

Unë nuk para bëj çmenduri, pasi jam një njeri normal.

E mbani veten për një shofer të mirë?

Jo, e mbaj veten për një çiklist të mirë.

Keni marrë ndonjëherë katër në shkollë

Po kam marrë dhe, me thënë të drejtën, nuk jam ndjerë mirë, pasi kam qenë nxënësi i mirë, por siç thoshin dyshat-nota është për nxënësin.

 Nëse ju do të ishit sot Pedagog, si do t’i vlerësonit studentët e sotëm?

Nuk i njoh, se nuk kam pasur të bëj me student, por më duket një brez në epokën e internetit që i ka gjërat gjysmë gati dhe do ishte krim, nëse nuk do mësonin.

Cili është momenti juaj më i vështirë?

Nuk kam pasur… e kam pasur jetën time shumë të qetë, kam qenë shumë mirë gjithmonë.

 Përdorni pije alkoolike?

Kam përdorur, por tani jo më. Jam në rehabilitim, prej 9 vitesh, bëj një jetë të shëndetshme.

Të kalojmë pak te profesioni juaj. Ju moderoni emisionin “Si në shtëpinë tonë”. A i bën Ju të ftuarit të ndihen vërtet si në shtëpinë e tyre, të ndihen rehat?

Unë përpiqem, por me thënë të drejtën nuk ma kanë thënë se si ndjehen d.m.th, përpiqem t’i bëj të ndihen komod, rehat shumicën e rasteve, besoj se ia dalim bashkë me Stelën. Ka personazhe që nuk zbërthehen dot, kanë emocionet e tyre dhe ne i mirëkuptojmë.

Cili është personazhi juaj që e keni pasur më për zemër në studio?

Aty vijnë shumë në fakt, nuk është se ne ftojmë shumë personazhe VIP-a, por kur kemi ftuar dikur, në disa tema interesante që i kemi bërë jashtë e që quheshin barbeky në natyrë, do veçoja këtu një emision me Islin dhe Orin, ishin të dy shuuuuumë gallatë!

Cili ka qenë personazhi më i vështirë në të intervistuar?

Në shumicën e rasteve të gjithë janë të vështirë, sidomos kur kemi të bëjmë me njerëz që nuk janë mësuar me ekranin dhe shumica e tyre flasin shkurt, madje herë pas here kanë emocione që nuk i lënë ata që të shprehen dhe mua ma bëjnë punën më të vështirë .

 Keni pasur partnere Anjezën dhe Stelën. Ju me kë ndiheshit më mirë?

Të dyja kanë të veçantat e tyre. Sigurisht, Anjeza ka qenë më e vjetër se unë në emision, kam qenë shumë komod me të në emision dhe mua më ka dhënë shumë dorë që kur kam shkuar në fillim, por dhe unë ashtu kam bërë me Stelën kur ka ardhur e re. E megjithatë them se nuk kanë asgjë të përbashkët me njëra- tjetrën, pasi të dyja janë shumë të veçanta dhe në gjykimin tim nuk mund të veçoj asnjërën prej tyre, secila ka veçantinë e vet në llojin e vet.

Ku e shikoni veten pas 10 vitesh?

Këtu në Shqipëri, aktor, me gjithë vështirësitë që kemi për sa kohë arti vazhdon të jetë kështu siç është në ditët e sotme, artisti do të vazhdojë të vuajë.

Cili është filmi juaj më i fundit ku keni marrë pjesë ?

Filmi im më i fundit është “Dy gisht mjaltë”, i cili fatmirësisht është dhe një ndër filmat më të suksesshëm.

Keni ndonjë film të ri së shpejti në projektet tuaja?

Nuk di çfarë të them, se nuk i di planet e kinemasë se si janë, por di të them se në Shqipëri jam në pritje të ofertave, nuk është se kam plan konkret për momentin.

Nëse nuk do të ishit duke moderuar emisionin “Si në shtëpinë tonë”, cilin nga emisionet do të donit të moderonit?

Nuk është se kam ndonjë ambicie të madhe që të them do të bëja këtë emision apo atë emision. Unë jam prezantues, që përpiqem t’i përshtatem çdo lloj formati sipas rrethanave, duke qenë se kam një background prej aktori, kështu që nuk është se kam ndonjë emision për të cilin do thosha se do e bëja këtë apo atë.

Çfarë e acaron më shumë Florianin?

Mua më acarojnë njerëzit injorantë që nuk dinë të lidhin dy fjalë dhe që hiqen si dikush tjetër, që nuk janë në të vërtetë.

Pyetja e njohur tashmë në intervistat e mia: Mal apo det?

Të dyja, por meqenëse jam rritur në det po zgjedh malin…

Ushtroni sport?

Me raste, që do të thotë përditë… (Qesh)

Cili është sporti juaj i parapëlqyer?

Krosfiti është sporti im i parapëlqyer.

Të pëlqen më shumë të jeni në ekran si aktor apo moderator?

Mua më pëlqejnë të dyja dhe të dyja i bëj me shumë pasion, por më shumë komod do të ndihesha në skenën e teatrit, duke qenë se kam studiuar për atë punë, kam investuar shumë për të qenë një aktor teatri, por edhe televizioni më pëlqen e, për momentin, ndihem mirë .

 

Intervistoi: Era Çela