Flogerta Krypi: Gjermania është shtëpia ime, Shqipëria frymëzimi im

72
Jemi në prag të panairit të librit dhe sigurisht të gjithë lexuesdashësit janë në pritje të titujve të rinj, si dhe mundësisë për të pasuruar bibliotekat e tyre me ngjyra të reja letrare. Së fundmi dhe letërsia shqiptare po shfaq emra të rinj autorësh, të cilët mundohen të sjellin në tregun shqiptar një format ndryshe të të shkruarit. Në këndin e intervistës sot kemi një shkrimtare, sa të re në moshë aq dhe në botën letrare. Ndonëse është në moshën 22-vjeçare ajo ka në treg një vëllim poetik dhe tre romane. E megjithatë jeta e saj profesionale është e larmishme dhe shume larg letërsisë. Shkrimtarja pranë meje quhet Flogerta Krypi. Le të mësojmë më shumë për të.
Flogerta, na thuaj diçka rreth vetes për lexuesit tanë, si një shkrimtare e re në treg dhe jo e njohur për të gjithë.
Unë kam lindur në Tiranë më 14 korrik 1993. Shkollën fillore dhe të mesme e kam kryer në Tiranë. Që në moshë të vogël jam dalluar si një ndër nxënëset më të mira, jo vetëm nga rezultatet mësimore, por dhe për numrin e madh të konkurseve të fituara në matematikë. Jeta ime ndryshoi pasi aplikova në një universitet në Gjermani dhe fitova bursë të plotë studimesh për marketing në Heidelberg. Më pas u zhvendosa në “Berlin School of economy and low” ku dhe mbylla studimet. Situata të ndryshme lidhur me jetën time personale dhe profesionale më detyruan që të kthehem në Shqipëri për një periudhë të caktuar kohe. Pasi u ktheva në Shqipëri, si një njeri i dhënë shumë pas shkollës, vendosa të ndjek studimet për financë. Aktualisht jam në semestrin e fundit në Akademinë Profesionale të Biznesit. Kur flet për veten dhe studimet e tua, nënkuptojmë një njeri të lidhur ngushtë me numrat dhe profesionin e saj.
Çfarë të lidh ty me letërsinë dhe që kur ke filluar të shkruash?
Unë jam një fëmijë, që në moshë shumë të vogël i kalonte mbrëmjet duke lexuar novela e romane e shpesh zgjohej me librin tek koka e shtratit. Kam nisur të shkruaj në moshën 11-të vjeçare dhe shkrimet e mia të para kanë qenë poezi të shkurtra. Deri në moshën 20 vjeçare, kur dhe botova vëllimin tim të parë poetik “Të prisja”, kam shkruar vetëm poezi. Një ditë mora një shtysë shumë të madhe për shkak të një sfide për të shkruar një roman dhe arrita të provoj veten dhe në zhanrin e prozës. Jam një njeri shumë fort i lidhur me pasionet e mia dhe aq sa dua numrin, që për mua ka qenë dashuria ime e parë, aq e dua dhe shkrimin. Nëse do të mungonte një nga këto nuk do të isha një Gertë e plotë.
Si e ka ndryshuar shkrimi botën tënde dhe botimi i këtyre romaneve? Çfarë ndjesie kanë ngjallur tek ti, duke qenë se kur flet për numrat, më lë përshtypjen që nuk i zëvendëson dot me asgjë?
Numrat janë të pazëvendësueshëm në jetën e askujt, jo vetëm timen. Për mua kanë një domethënie edhe me të veçantë, por kjo nuk do të thotë që shkrimi në jetën time është në plan të dytë. Ai ecën përkrah profesionit tim. Shkrimi erdhi si rezultat i një fëmijërie ndryshe nga të tjerët e mbi të gjitha një jete me shumë dhimbje. Zgjidhja e ushtrimeve të matematikës dhe shkrimi i poezive apo letrave më largonin dhimbjen nga vetja. Ndihesha më e qetë. Raporti im me shkrimin bëhej dhe më i fortë gjatë shkrimit të ditarit. Erdhi një moment që u shndërrua në një poçes jetik për mua gjatë ditës.
Ke shkruar për dhjetë vjet poezi dhe një ditë more vendimin të shkruash një roman. Pas tij erdhën brenda një viti dhe dy të tjerë. Pse ky ndryshim kaq i madh? Ku e more subjektin e romaneve?
Përmenda që shkrimi i romanit erdhi si rezultat i një sfide të madhe që mu paraqit nga një miku im. Nuk kisha shkruar ndonjëherë prozë aq të gjatë, por kur fillova të shkruaj romanin kuptova lidhjen time të ngushtë me të. Për mua romanet janë letra të gjata të shkruara pa ndërprerje dhe në një format të tillë i shkrova në fakt. Gjëja e parë që erdhi tek unë, para se të nisja të shkruaja romanin, ishte titulli, fakti që personazhet e mia do të ishin pa emër dhe struktura e librit. Shkrova fundin dhe më pas nisa të shkruaj librin e plotë. Kuptova që kjo ishte forma ime e të shkruarit më qartë dhe me më shumë ndjenjë. Të tre romanet, përkatësisht “Gjurmët e hijes pa emër”, “Premtim në puthjen e fundit” dhe “Premtime të gdhendura në qiell” kanë ndjekur të njëjtën linjë shkrimi. A ka ndonjë lidhje logjike mes romaneve të tua dhe sa nota biografike mbajnë ato brenda? Romani “Premtime të gdhendura në qiell” është vazhdimi i romanit të parë “Gjurmët e hijes pa emër”. Ai u promovua më 26 tetor të këtij viti si rezultat i shumë pikëpyetjeve që mbetën pa zgjidhur në jetën enigmatike “të vajzës rrethuar me hije”, ndërsa romani “Premtim në puthjen e fundit” është një roman komplet ndryshe si në strukturë, ashtu dhe në subjektin që trajton. Në thelb tek të tre romaneve është dashuria, si një ndjenjë që të motivon të kapërcesh çdo sfide. Sigurisht që kanë shumë elementë biografikë në të tre romanet, pasi jam një njeri që i është dashur të kaloj shumë sfida për të arritur triumfet e veta. Këto libra janë për mua ndër arritjet më të mëdha kam pasur. Nuk kam bërë krenare vetëm familjen dhe rrethin tim shoqëror, por njerëzve të cilët ua kam kushtuar këto libra.
Si je ndjerë, kur ke marrë kritikat e para nga lexuesi? A ke pasur kritika negative dhe si i ke pritur ato?
Shumë e lumtur dhe e qetë. Në përgjithësi për poezitë kam marrë kritika që në vogëli, por për romanet duke qenë se vetëm dy vitet e fundit kam nisur të shkruaj prozë gjerësisht ishte një eksperiencë unike. Kritika negative ka qenë “mjaft bëre libra që na bëjnë të qajnë”. Librat janë shumë të dhimbshëm dhe lexuesi shpesh është detyruar të mbyllë librin për ta rinisur më vonë leximin sepse ka një ngarkesë shumë të madhe emocionale. Unë nuk i kam lexuar librat e mi pasi i kam shkruar. Di vetëm që shpesh kur i hap në ndonjë faqe dhe unë humben në lot.
Ndërsa ndodhesh në Tiranë, je duke u marrë me disa gjëra njëkohësisht apo jo?
Që prej një viti, unë jam drejtoresha ekzekutive e organizatës “Unë zgjedh të ndryshoj botën”, një organizatë që është e fokusuar tek të rinjtë dhe ka zhvilluar projekte nga më të suksesshmet në rang kombëtar. Kemi disa grupe pune brenda në organizatë e cila e ka bazën në Berlin. Ndër projektet më të suksesshme mund të përmend “Ambasadorët e rinj të paqes” ku ka qenë i pranishëm dhe ambasadori gjerman zoti Helmut Hoffmann, “Cancer is just a battle, not the war” një fushatë sensibilizimi për kancerin me rreth 1500 fotografi, klubi letrar “Pena e Re”, që organizohet çdo muaj, “Panairi i shkrimtarëve të rinj”, “Ekspozita e tifozëve gjermanë në Shqipëri” dhe shumë të tjerë që priten të aplikohen. Padyshim kjo organizatë mua dhe shumë të rinjve na ka ndryshuar jetën.
Jeta jote është prej vitesh tashmë, mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Ku e mendon veten në të ardhmen?
Jeta ime padyshim do të vazhdojë të jetë e tillë. Ku e shoh veten pas 20 vitesh? Mund të them që do të kem arritur synimet e mia. Do të jem një shkrimtare kudo e njohur në botë, jo vetëm si bestseller, mbi të gjitha si një njeri, që nëpërmjet shkrimeve të saj e bën botën një vend më të mirë. Më në fund do të kem arritur të kem patentën e dy formulave të matematikës që kam zbuluar që në klasën e shtatë. Një politikane e zonja në Gjermani me një familje shumë të lumtur me tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Do të jem një tjetër femër e hekurt që e ndryshon botën për mirë. Të paktën kjo është mënyra ime ideale e të perceptuarit jetën time. Lidhja ime me Gjermaninë nuk do të shkëputet kurrë, sepse unë do të jetoj atje. Të shkëputësh Gjermaninë nga unë është si të shkëpusësh zemrën nga unë. Gjermania është shtëpia ime.
Kur thua që Gjermania është shtëpia jote, po Shqipëria çfarë është?
Shtëpia ime e parë, vendi ku unë u rrita. Toka që më mësoi të jem kjo që jam. Vendi që hodhi elementët e brumit tim, por ishte Gjermania ajo që i gdhendi dhe më shndërroi në këtë që jam sot. Përmende që shkrimi lindi si rezultat i disa momenteve të dhimbshme në jetën tënde.
Cili është moment më i vështirë që ke kaluar deri më tani?
Kanë qenë shumë të tilla, nëse dikush do të dinte me detaje jetën time, nuk do e besonte se si një njeri që mund të kalojë kaq shumë vështirësi, ia ka dalë mbanë. Dita më e vështirë e jetës time ishte 19 korriku i 2009 kur humba heroin tim. Ai vdiq duke më lënë pas mua dhe shumë ëndrra të thyera përgjysmë.
Ndonjë këshillë për të rinjtë si ti, që kanë ëndrra, por jo guximin e mjaftueshëm për t’i ndjekur ato?
Nuk ka gjëra të paarritshme. Ka njerëz që nuk duan mjaftueshëm, kanë vullnet të paushtruar dhe vetëbesim të pakët. Askush nuk do të luftojë për ëndrrat tona, ndaj duhet të përvishemi mirë dhe të ecim përpara. Ne mund të ndryshojmë botën, duke bërë realitet ëndrrat tona.