Biseda  me Hasan Miha ish nxënësin  e shkrimtarit,  Petro Marko: Mesazhet e mësuesit  të  gjuhës dhe letërsisë shqipe, në Teknikumin e Tiranës aktuale  edhe  pas 60 vjetëve

Ju zoti Hasan keni qenë nxënës i shkrimtarit tonë të shquar Petro Marko. Si e mbani mend shkrimtarin në atë kohë ? 

Kur je në moshën e rinisë, shumë gjëra të nguliten në kujtesë,  sikur i mban të stampuara në tru. Pikërisht tani pas 60 vitesh, kujtoj me nostalgji ish profesorin tim Petro Markon, i cili në një ditë të bukur të muajt shtator të vitit 1958 u prezantua në klasën tonë të ish teknikumit të ndërtimit, Tiranë, si profesor i lëndës së gjuhës shqipe. Ai sapo u fut në klasë, vendosi mbi tavolinë regjistrin që mbante në dorë dhe me intuitën që e karakterizonte, na hodhi një vështrim, a thua se po na fotografonte dhe i qetë filloi të na prezantohej:

“Unë jam Petro Marko, profesori që së bashku do të zhvillojmë lëndën e gjuhës shqipe. Dëshiroj që ta kalojmë mirë, pasi nuk kemi përse t’ja kalojmë keq. Më e rëndësishme është se unë do jem për juve edhe mësuesi kujdestar, pra për juve nuk do të jem thjesht si profesor i lëndës por edhe si një prind i juaji”. Që në prezantimin e parë ne kuptuam se kishim të bënim me një profesor jo si gjithë të tjerët, me të cilin do të kishim rezultatet më të larta në teknikum dhe me të vertetë fundi i vitit këtë e tregoi më së miri.

Po më pas ?

Ne vinim nga zona të largëta të Shqipërisë. Unë vija nga Katër Grykët e Dibrës. Me kalimin e ditëve ne mësuam se kishim të bënim jo vetëm me një profesor, por edhe me një shkrimtar të talentuar e luftëtar legjendar, që kishte marrë pjesë në luftën e Spanjës dhe në luftrat e zhvilluara brenda dhe jashtë vendit kundër nazizmit gjerman dhe fashizmit italian, si në Spanjë, Francë, Itali.  Pra ai ishte edhe një internacionalist i shquar. Krahas armës Petro Marko nuk lëshoi edhe penën e tij të fortë, duke evidentuar guximin  dhe trimërinë  e luftëtarve internacionalistë, që kishin ardhur nga shumë vende të botës, si nga Italia, Polonia, Austria, Iraku etj.

A ju ka rrëfyer vetë ai për luftën e Spanjës ?

 Për tu njohur më mirë me jetën dhe aktivitetin e tij, ne i kërkuam një ditë, që të na njihte me jetën e tij prej tre vitesh që kishte kaluar në Spanjë.

Mirë, na tha ai, me gjithë dëshirë, por mos të më kuptoni se dua të flas për meritat e mia, ju lutem  më mirëkuptoni.

Nuk e harrojmë atë ditë, kur profesori ynë me një gjuhë shumë të thjeshtë dhe të bukur  na tregoi disa episode  nga historia e asaj lufte të ashpër.

“Së bashku me një grup prej 113 vetësh në vitin 1937 u nisëm nga Franca për në Albacete të Spanjës, ku ishte qendra e Brigadave Internacionale. Unë u bashkova me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” në Spanjë, dhe  shkova për në Kuintanar de la Republica. Në Grenoble  jam ngarkuar me agjitacionin në rininë universitare të Grenobles dhe me agjitimin e luftës.

Ju duhet të kuptoni, se të gjithë ata djem e vajza që muarën pjesë në luftën e Spanjës, shkuan për të derdhur gjakun e tyre për një çështje shumë madhore,  për t’ju përgjigjur thirjes internacionaliste për të ndihmuar Spanjën republikane. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë luftë ishin djem dhe vajza të forta, antifashistë dhe internacionalistë të vendosur. Unë nuk mund të flas për gjithçka ndodhi ato vite në Spanjë. Shumë prej ngjarjeve i kam shkruar dhe shumë të tjera do t’i shkruaj në të ardhmen.  Por ju duhet të dini se bota në tërësi duhet të udhëhiqet nga disa parime bazë siç janë: humanizmi, demokracia, liria, vëllazërimi.

Po detaje të luftës, të ndonjë beteje ?

Zhvillimi i aktiviteteve tona, tregonte profesori, ka qënë në vartësi të situatave që diktonte armiku. Unë ruaj shumë kujtime që zor të fshihen nga kujtesa ime.

Që të kuptoni se sa gjak është derdhur në këtë luftë, po ju tregoj vetëm humbjen që pësuam në një betejë të përgjakshme, ku humbën jetën plot katërqind ushtarë internacionalistë. Kjo betejë do të mbetet e pashlyer në mendjen dhe ndërgjegjen time, sepse në këtë rast komanda më caktoi mua që bashkë me një shok tjetër të mblidhnim dokumentet e të vrarëve, që kishin mbetur në atë fushë beteje. Pra çdo kufomë do të prekej nga duart tona, për të nxjerr sa më të saktë, jo vetëm numrin e viktimave, por edhe të dhënat e tyre.

Për mua ky ka qënë çasti më tronditës që më ka takuar të kryej gjatë tre viteve të luftës në Spanjë. Më dukej se po mblidhja ëndërrat e bashkëluftëtarve të mij.

Tronditëse ishin rastet kur përballesha me fytyra të njohura, që vetëm para disa orësh kishim biseduar me njëri tjetrin, për rëndësinë e zhvillimit të kësaj beteje dhe ja tani ata janë të vdekur.

Mendoja për seicilin: është djalë beqar apo i martuar, ka pasur apo nuk ka pasur fëmijë, çfarë ëndërrash ka pasur për jetën e të tjera  mendime që më godisnin trurin e  që për mua nuk do të harrohen kurrë. Ishin kohë kur planeti ndodhej në furtunë,  tregonte profesor Petro.

Kur u kthye  nga Spanja ?

Kthimi ynë nga Spanja u bë në tetor të vitit 1939, pas 1000 ditëve në luftë, pasi me një urdhër të Kominternit çdo luftëtar  ilegalisht apo legal duhej të kthehej në vendin e tij. Një ndër ta isha edhe unë, tregonte ai. Kthimi im për në Atdhe u bë i shoqëruar me polic, pra i lidhur me pranga si internacionalist. Rrugës për në Dhërmi, në vendlindjen time, para syve më parakalonte gjithë jeta ime e kaluar në vështirësi të panumërta.

Po gjatë pushtimit fashist ?

Ai na ka treguar se në Vlorë hartonte  trakte, shqip e italisht, kundra fashizmit. E burgosin në Vlorë në maj 1940. Pas marsit 1942 e nisin për Itali, Palermo e Ustikë. Pas çlirimit të jugut të Italisë nga anglo-amerikanët, çan burgun me të burgosurit e tjerë dhe kalon në zonat e çliruara italiane. Më 1944 arrestohet nga gjermanët nga të cilët arrin të shpëtojë dhe po atë vit kthehet në Shqipëri.

Ju e njohët për herë të parë profesorin në vitin 1958. Po për jetën e tij pas çlirimit nga vitit 1944 deri sa filloi punë si mësues teknikumi a ju tregonte ?

Gjithçka mësuam nga goja e profesorit ishte fare pak sepse ai nuk fliste.  Për të mësuam nëpërmjet shkrimeve të tij, që i botoi në faqet e gazetave gjatë viteve të para të fillimit të proçeseve demokratike, sepse ai kurrë nuk na tregoi se regjimi i kohës  ja kishte ndaluar të drejtën e botimit, se e kishte caktuar mësues të thjeshtë në shkollë teknike.

Në shkrimet e tij ai shpjegon se nuk isha i vetmi disident. Koha vërtetoi se një pjesë e komunistëve të vërtetë që luftuan për idealet e komunizmit, shumë shpejt kuptuan se rruga që po ndigjej aktualisht në vendin tonë pas çlirimit nuk kishte asgjë të përbashkët me idealet për të cilat luftuam.

Edhe i shtruar në krevat nga sëmundja e rëndë që po e mundonte  Petro Marko porosiste: “Kujdes mos u besoni disa kriptokomunistëve që duan të udhëheqin demokracinë në vendin tonë”.

Tani pas 27 viteve demokraci e kuptojmë se sa të drejtë kishte shkrimtari ynë i shquar. Sa aktuale tingëllojnë fjalët e tij edhe tani pas 60 vjetëve thënë nxënësve të Teknikumit të Tiranës për lirinë, demokracinë dhe humanizmin.

Bisedoi:  Sakip  CAMI