Fjalimi i Aleksandër Xhuvanit mbi varrin e Gjergj Fishtës

757
Sigal

Sot, 131 vjet nga ditëlindja e Prof.Xhuvanit

Për të krijuar idenë e oratorisë së Aleksandër Xhuvanit, mjafton të kujtojmë fjalimin e tij, mbi varrin e Atë Gjergj Fishtës. Kjo vlen gjithashtu, për të treguar qartë vlerësimin e tij të thellë për kontributin e klerit katolik e personalisht të Këngëtarit të Lahutës. Për këtë arsye, nuk e kemi prekur origjinalin, në mënyrë që të njihemi edhe me trajtesat gjuhësore të asaj kohe: “Si vetimë u përhap an’ e kand të Shqipnisë lajmi i hidhët i vdekjes së poetit t’onë Kombëtar, At Gjergj Fishtës dhe e mahnitun mbeti sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të “Lahutës së Malcisë” që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë. E me të drejtë i kan thënë Fishtës “Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e Spartanëve për luftë, njashtu dhe epopeja e “Lahutës”, odet dhe elegjitë e “Mrizit të Zanave” e të poezive të tjera kanë mbledhë në zemër të djelmnisë sonë dashuninë e pamasë për truellin e të parëve dhe për gjuhën amtare. Këto dy ideale: Atdhedashunia dhe rujetja e gjuhës si dritë e synit, lavrimi dhe përdorimi e saj kanë qenë polet rreth së cilave shtrihej vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veçse ne arsimtarëve që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi mësue nxënësve poezitë e tij, që e çmon ma mirë veprën zamadhe të tij, e cila sot si një far i madh dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë, si një Ungjill shkëndimadh morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj”. Kjo ishte një pjesë nga fjalimi i Xhvanit mbi varrin e poetit tonë, Gjergj Fishta.

Gjergj Fishta

Atdheut

  

N’ty mendoj kur agon drita,

Kur bylbyli mallshëm kndon,

N’ty mendoj kur soset dita,

Terri botën kur e mblon.

 

Veç se ty të shoh un n’ëndërr,

Veç se ty, çuet, t’kam n’mendim;

Ndër t’vështira ti m’je qandërr,

Për ty i lehtë m’vjen çdo ndëshkim.

 

Tjera brigje, fusha e zalle

Unë kam pa, larg tue ba shtek,

E përgjova tjera valle,

N’tjera lule syu m’u rrek;

 

Por nji fushë ma e blerët nuk shtrohet,

Por nji mal më bukur s’rri,

Ma i kulluet nji lum s’dikohet,

Moj Shqypni, porsi i ke ti.