Fitim Çaushi/ Respektojmë krijimtarinë popullore dhe jo “Iso-polifoninë”!

618
Gjirokastra përgatitet për festimin e 10 vjetorit të “iso-polifonisë”, kulturë popullore që u përket të dy popujve, grek dhe shqiptarë, madje sipas Vasil Toles, shqiptarët e kanë marrë këngën polifonike nga këngët e sirenave greke dhe kori antik grek! Për këtë “zbulim”, Këshilli Bashkiak do ta nderojë akademikun Tole me titullin “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”. Organizatorët e këtyre festimeve madhështore, ndoshta për neglizhencë, nuk janë vënë në dijeni të teorisë “origjinale” të Toles, e cila e ka themelin në veprat e Homerit të lavdishëm. Në dy studimet e tij: ”Përse qajnë kuajt e Akilit” dhe “Odiseja dhe Sirenat”, Tole e zhvendos studimin e polifonisë popullore shqiptare, nga trualli i Labërisë, Toskërisë dhe Çamërisë, në vendin e sirenave, këngët e të cilave i konsideron si “prejardhjen dhe shtratin e vërtetë të dukurisë së jashtëzakonshme muzikore të iso-polifonisë”. Duke e vendosur djepin e polifonisë popullore shqiptare tek këngët e sirenave greke, Tole ka pranuar se polifonia popullore e Shqipërisë së Jugut e ka prejardhjen nga populli helen! Polifonia popullore shqiptare është studiuar dhe pranuar në mënyrë unanime nga të gjithë studiuesit dhe muzikantët shqiptarë. Qysh në Kongresin e Parë të Albanologjisë, viti 1959, Prof. Ramadan Sokoli, për të mënjanuar poliseminë e terminologjisë popullore (pasi ajo nuk përmban elementin përcaktues të një shumëzërëshi), këngën popullore të Shqipërisë së Jugut, e ka pagëzuar polifoni popullore: si më përcaktuese e një shumëzërëshi vokal e instrumental”. Në vitin 1989, është organizuar një simpozium shkencor ballkanik në Tiranë për Polifoninë popullore, përkundër përfundimeve të studiuesve tanë dhe të huaj, dyzet vjet më vonë, në vitin 1999, bëhen përpjekje për të argumentuar rolin parësor të “isos”, duke shpallur një emërtesë të re: “iso-polifoni”, e cila propozohet për nominim në UNESKO, pa u argumentuar shkencërisht dhe pa u diskutuar në një forum shkencor. Futja në UNESKO e këtij tjetërsimi, fetishizohet nga disa laro të Toles, (por asnjë muzikantë), të cilët përpiqen të mbrojnë një matrapaz, duke mohuar studiuesit e ndershëm dhe të përkushtuar që i kushtuan jetën kulturës kombëtare shqiptare si: Çesk Zadeja, Ramadan Sokoli, Beniamin Kruta, Piro Misso, Spiro Shituni, Hysen Filja, etj. 
Gjeneza dhe përkatësia etnike e Polifonisë popullore shqiptare
Tjetërsimi “Iso-polifoni”, cenon identitetin kombëtar, aq më tepër kur kemi të bëjmë me çështje të karakterit strategjik, sepse Kultura Popullore Shqiptare është tregues i karakterit etnik dhe autoktonisë të popullit tonë, që vendos kufijtë kulturorë e shpirtërorë të një etnie që ndryshon etnikisht nga etnitë e tjera. Tole propagandon se në të “qarën me botë”, ne gjejmë gjenezën e lindjes së iso-polifonisë popullore”. Në këtë fazë të ceremonialit mortor ka vetëm disa formula klishe të shoqëruara me ulërima, për të mbajtur të ngritur atmosferën tragjike në çastin; kur vjen gjëma në fshat, kur vjen meiti në shtëpi dhe kur e nxjerrin meitin nga shtëpia, për ta çuar në banesën e fundit. Këtë e dëshmon edhe albanologu gjerman Hahn, 150 vjet më parë në Labovën e Zhapës, Gjirokastër: “Gratë lëshojnë një klithmë rrëqethëse, që krahasohet me ulërimën e ujqve…sa dëgjojnë ulërimat shkojnë me vrap në shtëpinë e të ndierit, tue bërtit e tue rrahë kraharorin me grushte, presin flokët, gërricin faqet dhe i bëjnë me gjak, godasin gjoksin e çirren aq fort sa e humbasin zërin, rrëzohen për dhe…”
Për këtë formë vajtimi ka shkruar edhe Pjetër Budi më 1621, “Në viset veriore të trevës etnike shqiptare bëhet vaji e gjama dhe njerëzit shëmtohen, duke gërvishtur e duke grushtuar veten mbi të vdekurin”.
Riti mortor shqiptar dhe Homeri
Riti mortor shqiptar është një rit shumë i lashtë, të paktën, siç e ka theksuar edhe Hahni, po aq sa edhe riti asirian 4000-vjeçar e në mos më i hershëm. Por, asnjë prej studiuesve të vendeve të tjera dhe shqiptarë, në britmat ulëritëse të momentit, nuk ka gjetur tingull masiv në formën e clusterit “iso-polifonik”. Gjeneza e polifonisë mund të kërkohet tek e “qara me ligje”, sikundër cilësohet në Labëri. Ndryshimin e konstaton edhe Hahni: “Vajtimi ndryshon, tani bëhet me vjersha të cilat i këndon një grua, ndërsa i përcjell kori i grave të tjera…vajtuesja impresionohet aq fort sa që krijon edhe vetë vjersha vajtimi…”.Për të imponuar këtë sajesë, Tole shtrembëron Homerin: “Zëri i Sirenave nuk ishte i veçantë thjeshtë për shkak të bukurisë së tij në vetvete, ai ishte i veçantë për shkak të teksturës vajtimore, iso-polifonike, të cilën ende sot e gjejmë tek iso-polifonia labe.” Homeri dëshmon se këngët e sirenave ishin të gëzueshme për të joshur Uliksin, dhe jo vajtimore, sikundër këngët e një riti mortor tek shqiptarët! Për t’u imponuar dhunshëm, Tole e konsideron të parapërgatitur nga Homeri, takimin e Uliksit me sirenat ”këtë ballafaqim me polifoninë muzikore, të panjohur prej tij deri në atë çast…Asgjë më shumë se muzika, iso-polifonike e Sirenave vajtore do t’i mësonte Uliksit këtë përmasë të tretë të shndërrimit: vajtimin shumëzërësh iso-polifonik”. Homeri nuk mund të parapërgatiste një skenë enkas për Uliksin, për ta njohur me “muzikën iso-polifonike të sirenave, 400 vjet pas vdekjes së tij! Ku e di Homeri dhe Tole se sirenat 400 vjet pas kthimit të Uliksit për Itakë, kanë kënduar “iso-polifoni” dhe jo polifoni? Duke pohuar se Uliksi, nuk e njihte vajtimin “e të qarit me ligje”, Tole kërkon të imponojë tezën se, as popullsia iliro-epiriote, një pjesë të së cilës Uliksi e kishte në mbretërinë e tij, nuk e ka njohur vajtimin shumëzërësh “iso-polifonik”, këtë e paska mësuar nga popullsia helene! Ky është një qëndrim antikombëtar, sepse polifonia shqiptare nuk e ka prejardhjen dhe shtratin e vërtetë tek këngët e sirenave, dhe as tek kori antik grek. Kënga polifonike vërtet mund të ketë dalë nga ceremoniali i vajtimit, por jo qysh në kohën e Homerit. Tole me dhelpëri guxon: ”Në lidhje me këtë veçori tingullore të sirenave, na vjen mirë të pohojmë se ka një përqasje me mendimet më të përhapura mbi veçoritë e zërave këngëtorë të iso-polifonisë së shqiptarëve“. Polifonia popullore shqiptare nuk ka ngjashmëri me veçoritë tingullore të sirenave, ajo është produkt i popullit shqiptar. Në mungesë të dëshmive të shkruara, ai tenton të japë një shpjegim etimologjik:“Nga vëzhgimi etimologjik i emrave të Sirenave: Ligea – mbartëse e të qarit me dënesë, (me ligje, siç e themi ne e që lidhet aq ngushtë me vajtimin, Thelxipea është magjiplotë, Aglaopea e veçantë dhe Peisonoe e bindur, të ngjashme me strukturën e vendosjes së zërave në iso-polifioninë popullore shqiptare: zërit të parë marrësit si magjiplotë, II, kthyesit si të veçantë dhe zërit të III isos, zëri i bindur.”
Kjo është dëshmia e Toles, ai “zbulon” gjenezën dhe frakturat katërzërëshe të strukturës së këngës “iso-polifonike” tek emrat e sirenave greke, ndërkohë që historikisht kënga popullore greke, nuk e ka përdorur asnjëherë katër zërëshin! Tole guximshmërisht i kundërvihet edhe prof. R. Sokolit: “Meqenëse në muzikologji mbizotëron mendimi se grekët dhe romakët e lashtë nuk këndonin këngë polifonike, është shtruar çështja nëse polifonia e siujdhesës ballkanike është me prejardhje të lashtë, apo kemi të bëjmë me diçka të ardhur nga vende të largëta! Polifonia popullore shqiptare, e cila shtjellohet në shkallë të gjymta pentatonike, nuk ka ndonjë lidhje morfologjike me literaturën bizantine, e cila shtjellohet në shkallë modale heptatonike. Vetë emërtimi krejt shqip i përbërësve të polifonisë sonë popullore, ashtu si edhe tiparet e saj origjinale, dëshmojnë se ajo është trashëgimi e një tradite të lashtë që ka lindur këtu në vend nga puna e sa e sa brezave shqiptarësh”.
Prof. Ramadan Sokoli
Nisur nga kjo analizë prof. Sokoli konkludon: “Polifonia jonë popullore në djepin e saj dhe në shtresimet e saj më të hershme mund të duket si më e zhvilluar, se në rrezatimet anësore. Nga kjo pikëpamje mund të mendohet se qendra e rrezatimeve të polifonisë sonë popullore është Labëria, aty ku kemi frakturat katërzërëshe, të cilat vijnë duke u pakësuar sa më shumë largohemi së andejmi”. Edhe në studimet e prof. Krutës i njëjti konkluzion: ”Karakterin autokton të polifonisë shqiptare dhe lidhjet e saj me kulturën muzikore të lashtësisë ilire, e provojnë, veç të tjerash dhe gjurmët e saj të ruajtura në trojet e vjetra ilire të Epirit”. Është serioz konstatimi i prof. Sokol Shupos se “Termi iso Shqipëri tek Z. Tole,vjen e përdoret i filtruar përmes kulturës dhe gjuhës greke…Duke cituar Aristotetin “Grekët nuk kishin vokale përveç atyre oktavave paralele që këndohen nga nevoja e bashkëpunimit të zërave të sipërm e të poshtëm të korit”. Forma muzikore dyzërëshe ka ekzistuar edhe në Greqi edhe në Veri të Shqipërisë deri në Bosnjë, por studiuesi jugosllav, Cvjetko-Rihtman, në vitin 1952 ka shkruar: “prania e polifonisë dyzërëshe në këto zona mund të shpjegohet si një trashëgim i huazuar nga fiset e lashta ilire ose e kanë ruajtur ilirët e sllavizuar në këto treva” . Por Tole këmbëngul: “Iso-polifonia jonë popullore duhet konsideruar ashtu siç është: një fenomen elitar i të menduarit muzikor shqiptar e më gjerë”. Sipas Toles, e ashtuquajtura “iso-polifoni” nuk paska origjinalitet shqiptar, ndërkohë që prof. Kruta ka shkruar: “Struktura të tilla polifonike imitative nuk dëgjohen askund nëpër treva të tjera të Ballkanit dhe të Europës.”. Në këtë përfundim arriti edhe studiuesi bullgar Kaufman: “Ka shumë të ngjarë që rrënjët e këngëve diafonike ose polifonike, ta kenë origjinën e tyre nga një kohë shumë e lashtë, kur kultura e hershme Thrako-Ilire mbizotëronte në mbarë siujdhesën ballkanike”.
Sigal