Fitim Çaushi: Polifonia nuk e ka gjenezën nga ulërimat, britmat, por nga poetika shpirtërore e këtij populli

723
Sigal

 Shkrimtari Fitim Çaushi: Tjetërsimi i emrit të polifonisë shqiptare  është turp kombëtar

Në studimin “pse qajnë kuajt e Akilit”, botuar në vitin 2011, kur  përmend vajtimin e Akilit për Patroklin, Tole konkludon: “dukuria e vajtimit masiv nuk është gjë tjetër veçse forma arkaike e “të qarit me botë-ulërimë”

Ky konstatim është krejtësisht i gabuar, subjektiv, antishkencor, sepse gjeneza e Polifonisë popullore shqiptare nuk rrjedh nga “e qara me botë”

– Polifonia nuk e ka gjenezën nga ulërimat, britmat, por nga poetika shpirtërore e këtij populli

– Studjuesi Hahn: Nuk kemi të qara me tekste por ulërima të ngjajshme me ato të ujqve dhe pantomima

– Edhe Lukiani, i antikitetit romak kundër Toles

                        Gjeneza e polifonisë shqiptare

Prof. Tole pohon një fakt të njohur, se  Polifonia shqiptare e ka gjenezën e saj nga ceremoniali i vajtimit, por faza që përcakton ai është e gabuar: “…në këtë rrjeshtim të vajit futet edhe “e qara me botë”, në të cilën ne gjejmë gjenezën e lindjes së iso-polifonisë popullore”[1] Në studimin “pse qajnë kuajt e Akilit”, botuar në vitin 2011, kur  përmend vajtimin e Akilit për Patroklin, konkludon: “dukuria e vajtimit masiv nuk është gjë tjetër veçse forma arkaike e “të qarit me botë-ulërimë”[2].

Gabimi i madh i Toles

E “qara me botë”, është dukuri që përcakton fillimin e ceremonialit të vajtimit, arkaik, por jo vajtim masiv dhe ca më pak gjeneza e “iso-polifonisë”. Ky konstatim është krejtësisht i gabuar, subjektiv, antishkencor, sepse gjeneza e Polifonisë popullore shqiptare nuk rrjedh nga “e qara me botë”. Në mënyrë krejt amatoreske prof. Tole vazhdon: ”na bën përshtypje fakti se “e qara me botë” ruan në strukturën e saj, si bërthamën, modusin iso-polifonik të ndërtimit (pra strukturën e shumëzërëshit), këtë ngashërim masiv të pjesëtarëve në të “qarën me botë”[3]. Këtë citat e përsërit saktësisht edhe në studimin “Pse qajnë kuajt e Akilit”: “e qara me botë” ruan në strukturimin e saj, bërthamën, modusin iso-polifonik të ndërtimit, d.m.th. strukturën e shumë zërave të lidhur ngushtësisht me ison, këtë ngashërim masiv të pjesëtarëve në “të qarën me botë”.[4], praktikë e përsëritur në disa botime, çka dëshmon për varfëri argumentesh. Nuk ka kurkund strukturë të shumzërëshit te “e qara me botë”, e ca më pak  modusin “iso-polifonik”! Për të dhënë ndiesinë e masës që prodhon ison, profesori   vazhdon të ngatërrohet edhe më keq: “na duhet të pohojmë se “vajtimi me botë” është një vajtim masiv, një vajtim i përmotshëm. Si i tillë është evident fakti që ky tip vajtimi prodhon një tingull masiv, në formën e clusterit iso-polifonik”.[5]

“E qara me botë”, kjo që na ka ardhur deri sot,  nuk është vajtim masiv, kolektiv

Edhe këtu prof. Tole është i gabuar, sepse “e qara me botë”, kjo që na ka ardhur deri sot,  nuk është vajtim masiv, kolektiv, si në bashkësinë primitive apo fiset indiane në pyjet tropikale, as e “lidhur ngushtësisht me ison”, apo me strukturën e shumëzërëshit. “E qara me botë”, me llahtarë, me tmerr, ndodh vetëm pasi vjen gjëma,  në fshat. Gratë e fshatit, apo miqtë e largët, vajza ose motra e martuar në X fshat, fillojnë britmat “me botë”, me llahtarë, me ulërima, në hyrje të fshatit apo në hyrje të shtëpisë, sikundër e meriton një humbje fizike që s’do të kthehet më, pavarësisht moshës apo vlerave shoqërore. Ajo që kemi mundur të konstatojmë në 50 vjet vëzhgim, është se gjëma nuk vjen kolegjialisht, as farefisi apo gratë e fshatit, që zënë ulërimat, kur  marrin vesh lajmin kobzi, nuk vijnë kolegjialisht, vijnë secila për hesap të vet, pra vijnë individualisht. Në këtë fazë të ceremonialit mortor nuk ka tekst, ka vetëm britma dhe ulërima me tmerr,  me llahtarë ka vetëm disa formula klishe të shoqëruara me pasthirma çjerrëse për të mbajtur të ngritur atmosferën tragjike në çastin, kur vjen gjëma në fshat, kur vjen meiti në shtëpi dhe kur e nxjerin metin nga shtëpia, për ta shpurë në banesën e fundit, si: ”shtë gjeti Xhevooo”, “leshkora birooo” “korba djalooo”, “korba vëlla xhani”, “binadala Mirooo”, “leshprera vajzooo”,  “kuterina motërooo”, etj. Pra nuk ka as fjali, as monologë as dialogë, ka vetëm disa formula ngushëlluese që pranon momenti. Kështu veprohet edhe kur vdekja ndodh në shtëpi, për të lajmëruar mjedisin përreth, për gjëmën që ka ndodhur. Shoqërimi i grave që vijnë me britma të llahtarshme,  me pasthirrma, nga pjesëtarët e tjerë që janë ndodhur në shtëpi, është spontan dhe shumë kalimtar, nuk ka një traditë të rregullt dhe të përcaktuar. Afërsisht 150 vjet më parë studiuesi G. V. Hani, konstaton në Labovën e Zhapës, Gjirokastër,  të njëjtat elemente të këtij  riti gjatë  ceremonialit mortor:  “Zija më e madhe është  kur burri vdes në moshën më të bukur. Gratë që janë mbledhur rreth tij lëshojnë një klithmë  rrëqethëse, që mund të krahasohet  me ulërimën e ujqve, por është e përzier  edhe me tone të larta  të mprehta. Gratë e fshatit  që kanë miqësi me këtë derë, sa dëgjojnë  ulërimat  shkojnë me vrap në shtëpinë e të ndierit, tue bërtitë e tue rrahë kraharorin  me grushte dhe e  shtojnë këtë kor të tmerrshëm motrat, kunatat, vajzat  dhe e  shoqja e të ndierit,  të cilat presin flokët, kthejnë manton nga prapa (lëkurçen i thoshin lebërit), që ana e leshit të jetë nga jashtë, gëricin faqet  dhe i bëjnë me gjak, godasin gjoksin, copëtojnë flokët e këputura, e çirren aq fort sa e humbasin zërin, rrëzohen për dhe… Shumë grave që kanë nerva të dobëta u bie të fikët  …”[6]

– Studjuesi Hahn: Nuk kemi të qara me tekste por ulërima të ngjajshme me ato të ujqve dhe pantomima

Sikundër na dëshmon Hahn, nuk kemi të qara me tekste, por ulërima të ngjajshme me ato të ujqve dhe pantomima, karakteristikë e “të qarit me botë”.  Kaq shumë të jetë çoroditur profesori ynë sa e bazon “zbulimin” e tij ”iso-polifioninë” në këto britma llahtaruese të momentit? Për të imponuar doemos mendimin pseudoshkencor mbi “iso-polifioninë”,  prof. Tole e stërhollon edhe më tej  ngatërresën e tij: ”Ky produkt, ende sot, shfaqet në formën e një ngashërimi muzikor shumëzërësh (gjysëm i folur dhe gjysëm i kënduar) i cili është padyshim, në formën e tij më elementare ajo që sot ne e quajmë thjesht iso. Ky cluster–ton, në formën e tij më arkaike nuk  është gjë tjetër veçse magma iso-polifonike…”[7]

Nisur nga ky trajtim i përciptë, dikush mund të shtrojë dyshimin:” nuk e zbuluan dot këtë qerata “cluster- ton”, etnomuzikologët dhe muzikantët tanë para prof. Toles, por i ra “fati” këtij shkencëtari befasues, ta zbulojë këtë “enigmë” të fshehur?! Mund të ketë ndodhur edhe kështu, zbulimet nuk bëhen përditë dhe nga kushdo, por në këtë fazë të ceremonialit të vajtimit, “e qara me botë”, për të cilën pretendon prof. Tole, nuk ka asnjë argument!

E qara me ligje apo…

Në fillim të viteve ’50 të shekullit të kaluar, kam dëgjuar gjyshe që i thoshin njëra tjetrës: ”qaj e botë, e qaj e ulëri, dhe nuk pushoi që nuk pushoi ai fëmijë”. Në Memaliaj, në vitin 1956, një grua ulërinte me llahtarë, një gjitone i thoshte gjyshes: ”kjo e qarë me botë, nuk ndjell për mirë”. Pas një ore në shtëpinë e gruas erdhi policia dhe arrestoi burrin, se kishte rrahur gruan. Të dyja janë klasifikuar nga gjyshet, si “e qarë me botë”, me ulërimë, me llahtarë, me britma, pa pretenduar se janë huazuar prej ritit mortor, veç na lind pyetja: a ka, tek ulërimat e fëmijës apo gruas viktimë, “iso-polifoni”?!  Myrte Pula nga Zhulati, që ka hequr vallen labe në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, në vitin  1988, më ka pohuar se “sa herë ka pasur vdekje në Zhulat, gratë e Fushëbardhës e fillonin ulërimën te Qafa e Bardhë, ku fillonte fshati”.  Rituali  i varrimit dhe tradita e ligjërimit mortor është shumë e vjetër te të gjithë popujt, Gorki ka shkruar: “…një njeri i veçuar nga kolektivi vritet nga vetëtima ose shkëmbi, kjo shkakton te grupi hidhërim për një pjesë të energjisë së tij fizike … ngjall dëshirën për t’i kundërvënë forcës së vdekjes gjithë forcën jetësore të kolektivit”[8].  

Me vdekjen e një e një pjesëtari të fisit, atij i ikën një  pjesë e energjisë fizike, kjo dobëson forcën e mbrojtjes përpara fiseve të tjera primitive ose forcave të natyrës, të cilat në kushtet e primitivitetit të shoqërisë njerëzore, kanë qenë shumë të egra karshi njerëzve primitivë. Për të mundur dhimbjen dhe pikëllimin, që vinte nga frikësimi para kësaj të panjohure në epokën e fëmijërisë së njerëzimit, popujt kanë organizuar për të vdekurin ceremoni dhe nderime të ndryshme. Fillimisht, ata kanë reaguar ndaj kësaj dukurie tragjike me britma, gjëma, pasthirrma, si dukuri instiktive, jo si krijimtari e ndërgjegjshme artistike. Kjo lloj tradite nuk mund të konsiderohet aspak gjeneza e “iso-polifonisë”.  Nëse “iso-polifonia” ka gjenezë nga “e qara me botë”, e qara me ulërimë, sikundër na sygjeron formula pseudoshkencore e prof. Toles, do të kishim “iso-polifoni” edhe tek popujt e tjerë të Ballkanit, e ndoshta edhe tek indianët e pyjeve tropikale, sikundër i kemi parë dhe dëgjuar nëpër dokumentarë me zanore të zgjatura në formën e ulërimave nga e gjithë turma! Madje do të kishim “iso-polifoni” edhe tek ulërimat e ujqërve…!

Lukiani, i antikitetit romak,  na dëshmon: ”… fillon kuja dhe të qarat e grave, vajtimet, të rrahurit e kraharorit, shkulja e flokëve dhe çjerrja e faqeve”[9] procedurë, që në ceremonialet e vajtimit në Labëri, në shek e XX, ndodhte vetëm në periudhën e ardhjes së gjëmës, pra gjatë “të qarit me botë”, me llahtarë, me britma, me tmerr.  Ky është  një fakt kokëfortë, që dëshmon se “e qara me botë”, sikundër ka ekzistuar edhe në kohën e romakëve, nuk na jep si rezultante “iso-polifoninë”. Po ashtu duhet të kishte “iso-polifoni” edhe tek helenët, sepse Eskili ka lënë këtë dëshmi: “

                                                Me grushte gjoksit duke i rënë

                                    Shikoni faqet si i kam

                                    Me gjurma gjaku e çjerrje thonjsh

                                    Nga vaji zëmra si s’na plas!

…Godas me grushte fytyrën fort,

Shkul flokët, faqet grij me thonj [10]

Kjo humbje fizike dhe kjo formë të qari, “me botë”, me britma, me llahtarë,  me të çjera faqesh dhe shkulje flokësh, ka ekzistuar në tërë popujt e Ballkanit, madje edhe në popujt asirianë, sikundër na dëshmon “Epi i Gilgameshit”, por në asnjërin prej tyre nuk kemi polifoni, sepse polifonia është krijimtari artistike e ndërgjegjshme, jo ulërima dhe klithma instiktive.

Nëse “iso-polifonia” e profesorit tonë të nderuar fillon me ulërima, kjo është puna e tij, por ne nuk mund të pranojmë se kënga popullore shumëzërëshe e Shqipërisë së jugut, e cila ka lënë perla artistike, e ka gjenezën nga ulërimat, britmat, por nga poetika shpirtërore e këtij populli, që buronte si një magmë vullkanike në shpërthim. Në shpjegimin e Gorkit ne lexojmë: “Në përshpirtjen për të afërmin që ka vdekur fisi bashkon me të, gjithë shkathtësinë, forcën e mendjes së tij dhe cilësitë që i bën, si pjesën e veçantë, ashtu edhe gjithë grupin, më të qëndrueshëm dhe më të fuqishëm. Mbi fisin ngrihet lart heroi, hambari i energjisë së gjithë grupit, pasqyrimi i forcës shpirtërore të fisit…në këtë moment duhet të jetë krijuar një ambient i veçantë psikik, ka lindur vullneti për krijimtari…”.[11]

Sikundër vërehet, i vdekuri historikisht është konsideruar   hambar i energjisë  të fisit, komunitetit dhe njëkohësisht pasqyrim i forcës  shpirtërore të tij. Vetëm gjatë zhvillimit të ceremialit të ritit, që për ne do të thotë “e qarë me ligje”, krijohet një ambient i veçantë psikik, lind vullneti për krijimtari”, dhe jo në fazën e” të qarit me botë”. Prof. Tole tenton t’i gjejë “zbulimit” të tij  një justifikim mistik: “Nuk ka asnjë dyshim se iso-polifonia e sotme,  si prodhim shumëtingullor i “të qarës me botë”, ka lindur në një hallkë shumë të rëndësishme kohore, e cila përfaqëson momentin që qëndron mes vdekjes trupore mbi tokë dhe përcjelljes në botën e pasosur, në dhe…me sa duket i gjithë ceremoniali i vajtimit shërben si një lëndë shpirtërore lidhëse mes dy botëve…”[12] Ky është  një shpjegim vulgar, prof. Tole bën përpjekje të sforcuara për legjitimitetin e emërtesës “iso-polifoni”, duke iu drejtuar misticizmit dhe nuk jep qoftë edhe një argument shkencor që të provojë se kënga “iso-polifonike” e ka gjenezën nga “e qara me botë”, nuk referon asnjë autor shqiptar, apo të huaj, për këtë “iso-polifoni”, jep vetëm definicione në erë! Nuk dimë se në ç’teritore jashtë Shqipërisë, ruhet, apo ka humbur kjo dukuri universale, “e qara me botë”, por dimë që për rrethana të veçanta,  populli i Labërisë e ka ruajtur atë si prolog të një spektakli të vërtetë artistik, cilësisht të pastër dhe të përcaktuar qartë.

                                “E qara me ligje”-  gjeneza e Polifonisë shqiptare

Po të mendojmë se, në kushte të pushtimeve të huaja (2000 vjet), asnjëherë nuk ka pasur intervale pushimi në trojet shqiptare, përkundrazi janë përplasur  okupatorët me njëri tjetrin: Sllavët me Bizantin, Bizanti me kralët, kralët me anzhuinët, Bizanti me normanët, austriakët me italianët, nazistët me fashistët etj., nga këto përleshje periodikisht ka patur viktima prej popullsisë vendase. Rrjedhimisht nuk mund të kishte  as intervale pushimi në  ritet mortore, sepse ceremoniali i vajtimit tek shqiptarët ka qenë vazhdimisht i ngrehur, jo vetëm nga të vrarët kundër pushtuesve, për të mos u nënshtruar para tyre, por edhe nga vdekjet natyrore që pllakosnin komunitetin.

Në këtë kontekst, përjetimet tona për ato spektakle tradicionale, mbeten dëshmi e një shkalle organizimi të lartë shoqëror. Ky ceremonial mortor ka qenë impozant, mbështetur mbi një traditë protokollare që impononte riti, veçanërisht kur është organizuar për vdekje personash me vlera shoqërore për komunitetin.

Në parashtrimet e tij, pa dashur prof. Tole ngatërohet, duke vendosur shenjën e barazimit midis “të qarët me botë” dhe “të qarës me ligje”, ndonse ato nuk janë identike përsa i përket zhvillimeve muzikore. Për të zbutur pikën e dobët të argumentit të tij, ai e përforcon me fazën e dytë: “Tek “e qara në grup, dhe në formacionet e saj të përveçme si “e qara me botë”, apo “e qara me ligje”, gjejmë të sendërtuara edhe format e organizimit strukturor, të cilat më pas u implementuan dhe u bënë të përveçme  në strukturën e tragjedive të Eskilit”[13]