Fitim Çaushi/ Ministria e Kulturës mashtron Kryeministrinë

584
Në përgjigje të shkresës së Drejtoreshës të Drejtorisë së Marrëdhënie me Qytetarët pranë Kryeministrisë, Znj. Ana Rafti, drejtuar Ministrisë së Kulturës, Drejtoresha e Përgjithshme e Planifikimit Strategjik për Trashëgiminë dhe Diversitetin Kulturor, pranë Ministrisë së Kulturës, Znj. Zhuljeta Harasani, shkruan: “Në përgjigje të shkresës tuaj nr. 3050/1 sqarojmë se emërtimi (iso-polifoni) është propozuar nga një grup pune me specialistë të fushës nga disa institucione të specializuara, ngritur nga Ministria e Kulturës në vitin 2002., i cili përgatiti dosjen e iso-polifonisë për nominim në UNESKO…. U sqarua se Ministria e Kulturës dhe institucionet e saj të vartësisë, nuk kanë si qëllim të punës së tyre problemet shkencore të folklorit, por menaxhimin e vlerave të trashëgimisë kulturore jomateriale.” Kemi një manovrim të sforcuar, sepse emërtimin “iso-polifoni”, e ka propozuar, jo grupi i punës, por Vaso Tole qysh në botimin e vitit 1999:”Folklori Muzikor –Polifonia shqiptare” vëllimi i I”, në të cilin tentohet edhe tjetërsimi i saj. Ne fjalorin “Enciklopedia e iso-polifonisë popullore shqiptare”, z. Tole ka rreshtuar të gjithë emrat e jurisë së UNESKO-s po nuk ka përmendur asnjë emër te grupit shqiptar që e ka aprovuar këtë emërtesë. Ai pranon se dosja e përgatitur nga pala shqiptare përmban veç të tjerash “studimin e plotë shkencor, për iso-polifoninë nga Vasil S Tole…Autorizime dhe dokumente që provojnë të drejtën e autorit për materialet e mësipërme.”( f.129). Pra dosja për UNESKO-n ka për autor, Vaso Tolen. Me deklaratën e saj Drejtoreshë Harasani i mohon Vasos autorësinë e “iso-polifonisë”, aq shumë propaganduar prej tij si një “zbulim” gjenial! Përderisa Ministria, sikundër pohon znj. Harasani, nuk ka për qëllim të punës së saj problemet shkencore të folklorit, përse të ketë pranuar propozime antishkencore qoftë edhe nga ndonjë servil i z. Tole, për të mbështetur viruse antikombëtare në dëm të kulturës popullore? Aq më tepër si mundet që Ministria e Kulturës të lëshojë Udhëzime në mbrojtje të “iso-polifonisë”, pa vendimin e një forumi shkencor të institucioneve shqiptare?!
Në Fjalorin e Enciklopedik të z. Tole, f. 260, lexojmë Udhëzimin e Ministrisë së Kulturës, nr. 1 datë 09.12. 2005 “Për ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e iso-polifonisë shqiptare“, duke propozuar këto masa:
1. Pranë Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Turizmit, Kulturës , Rinisë dhe Sporteve do të ngrihet bordi këshillimor për promovimin e kësaj pasurie shpirtërore të popullit shqiptar.-(çka kuptohet pranë drejtor Vasos, për të karocuar teoritë e tij dështake). 
2. Pranë pushtetit vendor, në nivel qarku, bashkie dhe komune të krijohen struktura që do të angazhohen për të ripërmasuar iso-polifoninë…
3. Qarku dhe bashkia e qytetit Vlorë, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, të organizojnë çdo vit në datën 25-28 nëntor, Festivalin folklorik kombëtar të iso-polifonisë.
Këto janë urdhra të Ministrisë së Kulturës, që diktoheshin nga Drejtori i saj z. Tole dhe jo nga ndonjë forum shkencor! Prandaj i takon kësaj Ministrie që të sqarojë rrethanat e kësaj katrahure dhe të anulojë emërtesa dhe udhëzime antikombëtare. Drejtoresha dëshmon se grupin e punës për tjetërsimin e Polifonisë shqiptare e ka ngritur Ministria e Kulturës në vitin 2002, por nuk përmend emrat e këtij grupazhi. Ku janë proces-verbalet e diskutimeve të tyre për këtë tjetërsim? Vallë të gjithë ata “specialistë” të zgjedhur nga ish drejtori Tole, kanë qenë dakord për këtë tjetërsim antikombëtar, duke injoruar plotësisht profesorët dhe specialistët e mëparshëm: Çesk Zadeja, Ramadan Sokoli, Beniam Kruta, Hysen Filja, Limos Dizdari, Piro Misa, Spiro Shituni etj?
Vaso Tole në Fjalorin e tij Enciklopedik, pranon se dosja e përgatitur për në UNESKO përmbante edhe: -Bibliografinë e punimeve të autorëve të huaj për iso-polifoninë. -Bibliografinë e punimeve të autorëve shqiptarë për iso-polifoninë. Nëse drejtoreshë Harasani, ose e gjithë Ministria, na sjell një autor të vetëm, të huaj ose shqiptarë, që ta ketë konsideruar kulturën popullore të Shqipërisë së Jugut si “iso-polifoni”, qoftë edhe të ketë përdorur termin “iso-polifoni”, manovrimet e saj do t’i konsiderojmë të mirëqena. Por, kjo është e pamundur, sepse kjo mostër është pjellë vetëm e Vaso Toles. Fakti që Ministria e Kulturës, përmes Drejtoreshës së saj, nuk e pohon hapur legjitimitetin e “iso-polifonisë”, por i bën një mbrojtje të maskuar, tregon se:
– Shoqata e Polifonisë Shqiptare ka të drejtë në pretendimin e saj dhe se Ministria e Kulturës ende mbetet e infektuar me virusin antikombëtar të “iso-polifonisë”, të futur në atë Ministri nga Vaso Tole. Në këtë aspekt pëprgjigjia e Znj. Harasani, është mashtrim ordiner, që e fyen Kryeministrinë, e cila kërkon pranë Ministrisë së Kulturës informacion të saktë dhe jo manovrime të pasinqerta. Nëse Ministria e Kulturës ka patur si detyrë shtetërore vetëm menaxhimin e vlerave kulturore jo materiale, përse “e pranoi” tjetërsimin prej “grupit ilegal” ndërkohë që misioni i saj i përjashtonte ndërhyrjet shkencore?! Ministria e dinte se kultura shpirtërore e Shqipërisë së Jugut e kishte emërtesën e saj të formuluar prej shkencës shqiptare qysh para vitit 2002 – Polifoni popullore! Detyra e saj ishte pikërisht mbrojtja e kësaj vlere kombëtare nga “grupazhet”rastësore. Në përgjigjen e saj, Drejtoreshë Harasani rekomandon:”I propozojmë shoqatës “Polifonia Shqiptare” t’i drejtohet Akademisë së Shkencave dhe Institutit të Antropologjisë kulturore dhe Studimeve të Artit pranë Qendrës Studimore Albanologjike si të vetmet institucione shkencore në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale të cilat mbulojnë anën shkencore të emërtimit të kësaj gjinie të trashëgimisë kulturore jomateriale. Ministria e Kulturës nuk dikton emërtime gjinish. ” Na vjen keq për këtë ekspozim të cekët të problemit nga ana e Drejtoreshës, sepse problemi nuk është thjeshtë emërtesë, ka të bëjë me gjenezën e këtij virusi antikombëtar, i cili paraqitet nga Vaso Tole si prejardhje prej sirenave dhe korit antik grek! Në këtë rast nuk ka faj Drejtoresha, ajo nuk e njeh kulturën kombëtare shqiptare, prandaj nuk ka pse të bëjë rekomandime që shmangin përgjegjësinë e Ministrisë së Kulturës, sepse ka qenë pikërisht ajo Ministri, që ka diktuar emërtime gjinish, ka tjetërsuar polifoninë shqiptare me firmën e saj dhe jo me vendime të institucioneve shkencore. Nuk ka patur asnjë institucion shkencor në Shqipëri, të ketë bërë diskutime për “iso-polifoninë”, dhe ca më pak të ketë vendosur për të. Nëse elementë të veçantë të këtyre institucioneve e kanë përkrahur teorinë dështake të Vaso Toles, pa marrë miratim e institucionit të tyre, kjo jo për objektivitet, por për përlyerje në korrupsione të fshehta, prandaj ata heshtin dhe fshihen pa pasur kurajën të dalin në shtyp për të mbrojtur aktin e tyre antikombëtar, sepse e dinë përgjegjësinë e veprimit të tyre të turpshëm, për mohimin e bashkëpunëtorëve të tyre të vjetër në atë institut, ku kanë dhënë tërë punën dhe jetën e tyre. Përderisa Ministria e Kulturës detyrohet t’i drejtojë dy përgjigje Kryeministrisë për Polifoninë shqiptare, do të thotë se problemi është serioz, jo pretendim i njerëzve”amatorë”, sepse në këtë debat kanë marrë pjesë Prof. dr. dhe specialist të ndryshëm, prandaj, sikundër bëri në 2002, edhe tani Ministria duhet të mblidhte një grup pune nga institucione të ndryshme shkencore, për ta diskutuar edhe një herë veprën e zezë të 2002-it. Por nuk lejon Vaso Tole, i cili ende e drejton Ministrinë de fakto.
Aq më tepër që vetë Drejtoresha bie në një kontradiktë që e autodemaskon lojën e saj jo principiale: ”Për sa i përket përdorimit të termit “iso-polifoni”, në Statutin e Festivalit Folkorik Kombëtar të Gjirokastrës 2015, ju bëjmë me dije se ky Statut është miratuar më datën 01.08.2014 dhe ka qenë detyrim për të gjitha institucionet pjesëmarrëse për t’ju përmbajtur termave të përdoruara në të.” Si mundet që përkundër këtij vendimi madhor, pesë ditë më vonë, Drejtoreshë Harasaninë me shkresën nr. 3027/1 të datës 6 gusht 2014, drejtuar Zjn Ana Rafti ka dokumentuar vendimin e Ministrisë se “në aktivitetet përkatëse do të përdoret termi polifoni shqiptare.” Brenda pesë ditëve dy vendime të kundërta! Nëse do t’i besonin znj. Harasani, na krijohet bindja se vendimi i Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Shqiptare, duhet të jetë shfuqizuar dhe në fuqi ka mbetur vendimi i dytë për Polifoni Shqiptare! Por s’mund t’i besojmë, sepse znj. Harasani, në përgjigjen e dytë drejtuar Znj. Ana Rafti në Kryeministri, luan me shqetësimin e një shoqate patriotike që kërkon mbrojtjen e vlerave të popullit shqiptar?! Nuk është kompetencë e Komitetit Kombëtar të marr vendime për tjetërsimin e kulturës kombëtare, është kompetencë e forumeve shkencore, Komiteti Kombëtar vetëm menaxhon veprimtaritë kulturore e artistike. Përse përfaqësuesja e Ministrisë së Kulturës mashtron Kryeministrinë?
Sigal