Fitim Çaushi: Kur mediokriteti sulmon pas vdekjes

614
Në rubrikën Dosier të gazetës “Telegraf”, 3 shkurt 2016, z. Mexhit Prençi ka marrë vendimin dhe mundohet ta denigroj, gjashtë muaj pas vdekjes, intelektualin dhe kritikun e mirënjohur të letërsisë shqipe, z. Razi Brahimi, për kritikën e tij ndaj dramës së Fatos Arapit “Partizani pa emër”. Z. Prençi, i cili ka punuar disa dekada në sektorin e botimeve të Teatrit, në Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, i konsideron vërejtjet e Razi Brahimit, “Kritika të zeza”! mirëpo, “kritiku” Prençi, edhe pse mundohet ta shumëzoi me zero kritikën e Razi Brahiit, ai, ndoshta ngaqë nuk është specialist i kësaj fushe, kundërshton vetveten kur citon pohimin e Fatos Arapit, në përgjigje të kritikës së Razi Brahimit: “Ngjarja që unë shtjelloja në dramë ishte e vërtetë, ajo ka ndodhur midis partizanëve. Po e vërteta ishte gjithashtu, që unë i ndërgjegjshëm, ndoshta nuk i kisha shpëtuar dot dashurisë për vëllain. Partizani pa emër, që ngihej nga varri, me sa dukej kishte shumë tipare të Vllasit”. Kësaj i thonë: I zoti e shet, tellalli se jep! Vllas Arapi, ish pjesëtar i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ishte vëllai i Fatos Arapit, por më pas, për arsyet që janë bërë të njohura, ai dezerton dhe bëhet megafon, propagandist dhe drejtues i strukturave antishqiptare në emigracion, të cilat, për të tërhequr vëmendjen e popullit, për krimet e tyre prej tyre si kolaboracionistë, e përdorën ish-partizanin Vllas Arapin si miratues të propagandës së tyre, për t’u bërë të besueshëm, meqenëse vetë Vllasi vinte nga radhët e Ushtrisë sonë Nacionalçlirimtare. Me këtë veprim të tij, pish-partizani Vllasi e radhiti veten, me ndërgjegje të plotë, me tradhtarët kriminelë. Dhe ja se çfarë shkruan Vllas Arapi në gazetën e Ballit Kombëtar “Flamuri”, datë 7 maj 1944: “U konstatua se masa më e madhe e popullit kishte prirje nga nacionalizmi edhe sepse Balli Kombëtar, duke u organizuar çdo ditë do t’i përfshinte të gjitha forcat dhe energjitë shqiptare. Partia terroriste, në Ballin Kombëtar shihte armikun më të madh jo vetëm si fuqi luftarake, por edhe si fuqi morale e intelektuale tepër të shëndoshë. ” Me sa duket, z. Prençi nuk e di që Balli Kombëtar nuk i përfshiu dot të gjitha forcat dhe energjitë shqiptare në formacionet e veta mercenare, ku forcat e tyre nuk e kaluan kurrë shifrën prej 10. 000 “bashibozukë”, sikundër i quan edhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i KQ të BK, koloneli Faik Quku, tek libri i tij. “Qëndresa Shqiptare gjatë L II B”. Dhe kjo e ka shpjegimin e vet, ngaqë BK mbeti bashkëpunëtor besnik i pushuesit, që në gjuhën ndërkombëtare quhet kolaboracionizëm. Me sa shihet, jo vetëm Vllas Arapi, por edhe “kritiku” ynë, z. Prençi, ka mbetur nën emocionet e kësaj aleance antikombëtare. Dhe dihet se sekretet e zemrës dalin nën emocione. Gjithashtu, bazuar në shkrimin e vet z. Mexhit, kuptojmë që ky zotëri nuk e ka lexuar as nxitimthi veprën poetike të poetit të shquar Fatos Arapi, i cili, në kronikën me të cilën ai nis poemën “Drejt qindra shekujsh shkojmë”, shkruan: “Ne ishim një skuadër partizane – Papritur i pari u ndal. Qëndruam të gjithë: një grua e vrarë rënë në mesin e udhës. Në gjirin e saj foshnja pinte ende qumësht…”. 
Çfarë kërkon të na thotë vëllai i Vllas Arapit me këto vargje? 
Thjesht për t’i bërë të qartë lexuesit se partizanët, që po shkonin në aksion, papritmas u ndeshën me krimin që kishin bërë gjermano-ballistët, tek të cilët shkoi vëllai i tij, Vllasi. Në këtë prezent historik, të shfrytëzuar me mjeshtëri nga poeti Fatos Arapi, ne marrim pjesë në atë bashkëjetesë tronditëse të jetës me vdekjen, të luftës me lirinë; para nesh shfaqen vegime, nga gjiri i nënës kalohet tek ylli i partizanit. Por, z. Prençi, duket ashiqare që nuk e njeh as krijimtarinë e z. Fatos Arapit, as faktin përse Lufta Nacionalçlirimtare përfundoi me fitoren historike. Për Mexhit Prençit nuk paska aspak rëndësi fakti që vëllai i Vllasit, poeti ynë kombëtar Fatos Arapi, pranon se ishte i ndërgjegjshëm për dashurinë për vëllain, prandaj në figurën e partizanit të ngritur nga varri, kishte futur shumë tipare të Vllasit dezertor dhe propagandandist i egër kundër Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare! Është e kuptueshme se një dramë e tillë, me nostalgji dhe dashuri të fshehura për renegatët kolaboracionistë, nuk mund të mos kritikohej, sepse fyente tërë partizanët dhe dëshmorët e Luftës Nacionalçlirimtare, fyente fëmijën në gjirin e nënave të vrara nga gjermano-ballistët, me të cilët u bashkua edhe vëllai i poetit, Vllas Arapi. Si e tillë, ajo dramë ngrihej kundër letërsisë dhe shkrimtarëve, prandaj Razi Brahimi shkruan: “Shoku Fatos Arapi nuk ka të drejtë kur bën një përgjithësim të tillë për letërsinë dhe për shkrimtarët tanë”. Dialogu i shkrimtarit me partizanin, dëshmon për polemikë me letërsinë dhe shkrimtarët që kanë krijuar vepra të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare:
Partizani – Ah, ju, shkrimtarët…Kërkoni të mbani mëzin e harbuar të jetës me frerët që i krijoni vetë. Por jeta çan përpara dhe frerët mbeten vetëm në gojën tuaj…Për të krijuar intrigën ju menjëherë krijoni spiunin dhe atje ku nuk është, armikun edhe atje ku s’është. (Nëntori, nr 12, 1962, f. 59). Domosdoja që të ngrihet i vdekuri nga varri për të dëshmuar të vërtetën mbi Luftën Nacionalçlirimtare, i jep dramës një përmbajtje të gabuar, hedh dyshime kundër vërtetësisë së letërsisë dhe shkrimtarëve shqiptarë që kanë mbështetur atë luftë mbarëpopullore. Kjo akuzon për “frerë”, me të cilët shkrimtarët, si “njerëz regresivë”, kërkojnë të mbajnë mëzin e harbuar të jetës. Nëse ky konkluzion, nuk është i qëllimshëm, është i keq, ndonëse vetë Fatos Arapi dëshmon se tek partizani që ngrihet nga varri, shikonte të vëllain, Vllasin. E vërteta nuk pajtohet me përfytyrimin tendencioz të Fatos Arapit për Luftën Nacionalçlirimtare, sepse për të krijuar intrigën nuk kish pse shkrimtarët tanë, pjesa më e madhe të ardhur nga lufta, të krijonin spiunë dhe armiq imagjinarë, ndërkohë që spiunët dhe armiqtë ishin sheshit; një prej të cilëve edhe Vllasi. Këto fjalë autori i thotë në një dramë me temë nga lufta, kur armiqtë i kishin përballë, për krimet e të cilëve, një personazh i dramës thotë: “dridhet edhe foshnja në bark të nënës”. Nga frika e kujt dridheshin dhe foshnjat në bark të nënës, nga djegiet dhe vrasjet që u bënin shqiptarëve gjermano-ballistët, apo nga frika e atyre që e mbronin popullin prej pushtuesit të huaj? Edhe kaq gjë nuk kupton ky “kritiku” ynë, Mexhit Prençi?! Razi Brahimi e ka theksuar qartë, se orientimi që dikton drama e Fatos Arapit, është i gabuar, është në kundërshtim me jetën dhe natyrën e letërsisë tonë, pasi shpreh pakënaqësinë e autorit për mënyrën si paraqitet Lufta Nacionalçlirimtare në letërsi. Duke dashur t’i kundërvihet veprave letrare e dramatike që përshkruajnë me “brohori”, heroizmin e partizanëve, ka rënë në absurd, sipas të cilit “edhe trimat edhe heronjtë janë frikacakë, meskinë e egoistë”. Kjo është teza që pasqyron drama e Fatos Arapit, situata konvencionale e të cilës, evidenton frikën dhe panikun, si pikësynim ideor e artistik i autorit:
Ndueja – (shkon te i plagosuri) –Ky vdiq. Nisu shpejt. Ky mbaroi…Ku ta tërheqësh, nuk e sheh që na morën krahët? (f. 37)
Valideja – (nënë dëshmori) – Ç’faj kam unë? Pak i kam ndihmuar partizanët? Pak i kam mbajtur? Sot? Jo! Sot dridhet foshnja në bark të nënës. (f. 41) 
Ky është “zbulimi” që i bën Fatos Arapi shpirtit të partizanit shqiptar. Vetëm ky nuk mund të quhet depërtim në botën e brendshme të heronjve. Mbi një platformë të tillë të fantazuar është ngritur gjithë aksioni i dramës, brenda të cilës tregohen edhe veprime të guximshme, por njeriu që i kryen këto, mendoi për një çast të vriste shokun, duke menduar me gjakftohtësi e cinizëm se si të fshihte gjurmët e krimit të shëmtuar. Kësaj kalbësire i ngre hymn z. Prençi, duke e konsideruar dramë moderne: “Nga një lexim i vëmendshëm i tekstit të dramës, nuk kemi të bëjmë me polemikë, në rrafshin e ideve, por me vizion modern, të strukturës së dramës”. Qysh në vitin 1962, Qamil Buxheli në diskutimin për “Kritikën letrare”, botuar tek “Nëntori” nr. 5, f. 146, ka shkruar: “Ka një rregull kalorësiak të pashkruar në kritikën letrare: kur kritikon një shkrimtar, nuk duhen kapur vetëm nga gjërat më të dobëta që ka krijuar ky shkrimtar, nuk duhet kapur vetëm nga veprat më të këqija, në radhë të parë nga gjerat më të goditura”. Këtë se ka parasysh Prençi, por Razi Brahimi ka qenë jo vetëm kalorsiak, por edhe intelektual i ndërgjegjshëm dhe misionar në ecurinë e letërsisë dhe arteve, njëkohësisht miqësor me krijimtarinë e Fatos Arapit. Dhe këtë e shohim edhe në kritikën e vëllimit poetik të Fatosit “Drejt qindra shekujsh shkojmë”, në vitin 1979, ku lexojmë: “Poeti ka trajtuar disa prej motiveve kryesore karakteristike për të gjithë poezinë tonë të sotme dhe përfshihet me dinjitet në atmosferën krijuese poetike të kohës. Poezia e Fatos Arapit pas shpërthimeve të vrullshme të rinisë, ka hyrë tanimë në fazën e pjekurisë së mendimit e të përsiatjeve mbi kohën e jetën tonë…poeti është interesuar të mishërojë në figura poetike disa të vërteta të mëdha, siç janë lidhjet e njerëzve me vendin, vazhdimësia e historisë dhe e idealeve, raportet e reja ndërmjet atdheut e njerëzimit, atdhedashuria socialiste dhe internacionalizmi proletar… dashuria dhe nderimi i përjetshëm i popullit për të rënët, vepra e të cilëve në dritën e agimeve të reja del më e madhërishme…
Sigal