Fitim Çaushi/ Ekipi i Ministrisë së Kulturës “ka ftohtë”

585
Sigal

Pas disa fazave përgatitore për Festivalin Folklorik Kombëtar 2015,( Qarku i Gjirokastër i ka filluar festivalet me Komunën e “Cepos”, 24 dhjetor 2014, transmetuar edhe nga media vizive) Këshilli i Qarkut, më datën 15 shkurt 2015, organizoi Festivalin Folklorik të Qarkut, në të cilin morën pjesë 290 artistë popullorë nga Tepelena, Kalivaçi, Përmeti, Këlcyra, Zagoria, Seloja, Zhulati, Kardhiqi, Gjirokastra, Libohova, Lunxhëria, Derviciani, Picari, Antigonea etj.

Me gjithë kushtet e vështira atmosferike, artistët popullorë sakrifikuan dhe organizuan disa prova të specializuara para festivalit, për ta transmetuar me dinjitet dhe vlera estetike trashëgiminë shpirtërore të popullit. Por, përkundër sakrificës së tyre, që mblidheshin natën në lokale të ftohta të fshatrave, pa shpërblim, krejtësisht mbi baza vullnetare për pasion dhe detyrim patriotik, për ta transmetuar këtë pasuri kulturore në breza, ekipi i dërguar nga Ministria e Kulturës pretendonte se kishte ftohët dhe nuk kishte durimin të ndiqte koncertin në Kinoteatrin “Zihni Sako”, Gjirokastër, pesë minuta me vonesë.

Drejtoresha e Qendrës së Veprimtarive Folklorike, zonja Meri, për të dytën herë, në festivalin e rrethit të Gjirokastrës, më 25 janar, dhe në Festivalin e Qarkut, hyn në skenë dhe kërkon e irrituar të fillonte patjetër koncerti se kishte kaluar pesë minua nga ora e caktuar: “Jemi nisur në të ftohtë qysh në orën 07:00 të mëngjesit nga Tirana dhe kemi ftohtë, prandaj nuk mund të presim më”.

Nuk m’ u duk ndonjë sakrificë që të përligjte tërë atë ngarkesë emocionale, prandaj i themi se  grupi që do të fillojë koncertin i pari, është nisur qysh në orën 06:00  nga fshati dhe ka kaluar lumin e Zhulatit i zhveshur deri në mes, pasi shirat e rrëmbyeshme i kanë rrafshuar urat provizore, fakt që e ka transmetuar edhe media vizive. Tani u veshën me kostumet e shokëve, sepse na mungojnë veshjet popullore dhe jemi gati të fillojmë ”.

Vetëtimthi më shkoi në mend kryeministri dhe gjithë ata punonjës shteti e intelektualë, që ndodhen pranë njerëzve që kanë pësuar dëmtime nga vërshimet e natyrës, dhe mendova: Po ata që gjenden pranë popullit, nuk kanë ftohtë?!

Krahasuar me këtë realitet, qëndrimi i drejtoreshës Meri dhe z. Genci Bejleri, m’ u duk i çakorduar, “ S’ më duhet mua, tha e revoltuar drejtoresha – ka orar, na keni lajmëruar në orën 10:30, duhet të filloni, se jemi të ftohur”!

Në vend që kjo delegate nga Ministria e Kulturës dhe shoqëruesit e saj, t’i falënderonin artistët popullorë që vinin nga Zagoria me dëborë, nga Zhulati përmes një lumi të rrëmbyeshëm dhe pa ura, nga Seloja e ftohtë në grykat e thella të maleve, ata kërkonin korrektesën e orarit, megjithëse ishin punonjës shteti me rrogë, me dieta dhe me hotel komod me kalorifer!

Meraku i zonjës Meri, nuk ishte suksesi i festivalit, as puna e madhe për riaktivizimin dhe gjallërimin e grupeve polifonike e folklorike që po bënte grupi organizator i Qarkut të Gjirokastrës, sepse më datën 25 janar në festivalin e rrethit Gjirokastër, zonja Meri dhe zoti Bejleri, megjithëse kishin ardhur nga Tirana për të ndjekur festivalin, dolën nga mesi i koncertit, ku prezantoheshin vlerat folklorike të rrethit dhe shkuan në lokal, festivalin e ndoqi deri në fund vetëm inspektori i Ministrisë z. Arjan Avrazi, e njëjta gjë u përsërit prej tyre edhe në festivalin e qarkut më datën 15 shkurt.

Nuk u fyen artistët popullorë nga ky veprim i të deleguarve të Ministrisë së Kulturës, nuk u fye as arti popullor nga ky injorim, nuk u fyen as organizatorët e festivalit nga ky neglizhim, sepse ua njohin mirë mungesën e përgjegjësisë qytetare dhe nivelin e tyre kulturor, dhe kultura bazohet mbi veprimet dhe jo mbi llafet e bukura.

Mjeshtri i madh Rexhep Çeliku, ka lenë mjedisin e ngrohtë familjar dhe për disa ditë ka punuar me grupin e valles labe të Zhulatit, sepse të gjithë janë të rinj të moshës 18-26 vjeç, pa dalë asnjëherë në skenë. Ai punonte me ta nga ora 19:30, kur artistët popullorë ktheheshin nga stanet, e deri në orën 22:00, pa asnjë shpërblim, absolutisht pa asnjë shpërblim, vetëm për obligimin se Rexhep Çeliku është nga Gjirokastra. Si nuk kishte ftohët ky mjeshtër i madh dhe kishin ftohët këta përfaqësues ministrie, pa kurrfarë krijimtarie intelektuale?!

Një ditë para festivalit, më datën 14 shkurt, Rexhep Çeliku bëri prova me valltarët e Zhulatit paradite, me valltaret e Dervicianit në mesditë në Dervician dhe me valltarët e Kalivaçit në mbrëmje në Krahs. Si nuk u lodh ky artist me një ngarkesë të tillë pune gjithë ditore dhe na u lodhën  vëzhguesit e ministrisë, ata që na vizitojnë me dieta dhe në kushte komode, ndërkohë që artistët popullorë vijnë në festivale me shpenzimet e tyre dhe pa kurrfarë pagese për ditën e punës?!

Në kohën e viteve para tranzicionit, në Gjirokastër ftoheshin për të ndihmuar në rritjen e cilësisë së valleve popullore, koreografët Petrit Vorpsi, Ramazan Bogdani etj., megjithëse rrethi i Gjirokastrës kishte dy koreograf në organikë, ne sot nuk kemi asnjë dhe na është gjendur mjeshtri në ditë të vështira, sikundër i themi ne, me një thjeshtësi dhe përkushtim madhor ndaj artit popullor. Le të marrin shembull ekipet e ministrisë nga ky artist i Popullit.

Po në orën 07:00, nga Tirana është nisur ditën e festivalit edhe Mjeshtri i Madh Ermir Dizdari, ish drejtori artistik dhe organizatori i disa Festivale Folklorike Kombëtare, se ishte i ftuar prej nesh si kryetar i jurisë. Por, ai as nuk tha se kishte ftohët e as na nxiti që të fillojmë shpejt, pasi ai i di mirë hallet e artistëve popullorë dhe organizatorëve të festivaleve nëpër rrethe, sepse është marrë direkt me ta për disa dekada, si i brendshëm, e jo si urdhërues. Për kë e mbajnë veten të deleguarit e Ministrisë së Kulturës, që vijnë gjithë tërsëllëm, mos vallë kujtojnë se ato që na thonë ata janë të panjohura për ne që kemi punuar 40 vjet me festivalet folklorike në rrethe?!

 Festivalin, ministria nuk e organizon si qëllim në vetvete, por si një lëvizje masive artistike, për të ndikuar në vazhdimësinë e traditës folklorike, në mbjelljen e farës folklorike për të korrur nesër, për ta mbajtur gjallë trashëgiminë shpirtërore të popullit, me gjithë kushtet e vështira dhe…”sakrificën” e madhe të ekipit ministror.

Edhe më e pafalshmja, z. Meri dhe ekipi i ministrisë, kërkonin me doemos të përcaktohej prej nesh, pesë minuta pas festivalit, pa u bërë ende analiza e tij, programi i Qarkut prej gjysmë ore, që do të shkojë në kala, me pretekstin se “nuk mund të lejojmë vonesa për këtë gjë!”, ndërkohë që grupi organizator kishte caktuar analizën e festivalit dhe përcaktimin e këtij programi më datën 17 shkurt, pasi ta kishte ndjekur edhe një herë festivalin në monitor.

I propozuam që këtë program do ta paraqitnim edhe një herë para Këshillit të Qarkut dhe shumë specialistëve të artit dhe kulturës, më datën 20 mars. Presioni ishte i madh dhe na imponuan datën 15 mars. As artistët popullor, as grupi organizator nuk është vlerësuar materialisht, ka punuar vullnetarisht, por veçanërisht këngëtarët dhe valltarët kanë lënë shpesh herë punën me të cilën jetojnë. Duhet t’i lemë disa ditë t’i vënë punët e tyre në vijë, që të kemi mundësi të organizojmë disa prova artistike për t’u bindur përfundimisht për nivelin e programit përfundimtar.

Disa herë zonja Meri na kujtoi statusin e festivalit, pa e ditur se ai status është përpiluar dhe formuluar prej nesh në vitin 2005, kur punonim si përgjegjës të sektorit të letërsisë në Qendrën e Veprimtarive Folklorike me urdhër të drejtorit të saj, zotit Ermir Dizdari, i cili ja kaloi Ministrisë së Kulturës për aprovim. Ky status atëherë kishte të përcaktuar termin polifoni shqiptare, çka e konfirmoi edhe një herë Drejtoresha e Drejtorisë së Trashëgimisë Shpirtërore, zonja Zhuljeta Harasani në vendimin e datës 6 gusht 2014 me nr 3027/1, se “në veprimtaritë përkatëse do të përdoret termi polifoni shqiptare:”

Çuditërisht, në Statusin e Festivalit Folklorik Kombëtar, Gjirokastër, 2015, që na dërgon Ministria e Kulturës, zonja Mirela Kumbaro, në kapitullin e pestë “Çmimet dhe shpërblimet e Festivalit”,  shkruhet: “Çmimet për grupe zhanresh:

-Grupit më të mirë të iso-polifonisë labe

-Grupit më të mirë të iso-polifonisë toske

Cilin duhet të besojmë zonja ministre, vendimin e drejtoreshës Harasani për polifoni shqiptare, apo Statusin e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës për iso-polifoni?! Përse vazhdon të lëvrijë ky virus antikombëtar i iso-polifonisë? Përse kjo anarki në Ministrinë e Kulturës për Kulturën Popullore, ku njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit?! A nuk duhet parë me kujdes niveli dhe formimi kulturor i punonjësve të kësaj Ministrie që krijojnë këtë rutinë plot kundërshti?

Përse nuk do të ketë çmime për grupet polifonike?! Mos vallë kjo pjesë e kulturës popullore është përjashtuar nga festivali?

Ne i kemi respektuar dhe do t’i respektojmë ekipet e Ministrisë, por ata duhet të jetojnë me hallet e artistëve amatorë në fshatra, dhe jo të japin urdhër sikur i kanë rrogëtarë. Duhet të njohin kushtet konkrete dhe të mësojnë si të sillen dhe si të bashkëpunojnë me grupet organizatore të festivaleve, sepse tani sa kanë filluar nga kjo punë, Qarku i Gjirokastrës ishte tregimi i dytë që ata kanë parë, kanë akoma edhe 11 Qarqe të tjera….

Drejtuesi artistik i Festivalit Folklorik të Qarkut  Gjirokastër