Fitim Çaushi/ Bardhosh Gaçe, eksploratori i këngës polifonike të Vlorës

835
Sigal

Bardhosh Gaçe është studiuesi më i afirmuar i këngës popullore të Labërisë, është modeli i kombinimit të studiuesit dhe interpretuesit të trashëgimisë shpirtërore të banorëve të kësaj treve

Pa asnjë hezitim na duhet të themi se prof. dr. Bardhosh Gaçe është studiuesi më i afirmuar i këngës popullore të Labërisë, është modeli i kombinimit të studiuesit dhe interpretuesit të trashëgimisë shpirtërore të banorëve të kësaj treve. Me botimin “Kënga popullore e Lumit të Vlorës”, prof. Gaçe  ezauron plotësisht mbledhjen dhe evidentimin e pasurisë shpirtërore, të kësaj krahine  të mbuluar me perla poetike, si lulet që mbulojnë një pranverë të mbarë.

Përpjekjet për gjurmimin dhe përmbledhjen e materialeve folklorike në Lumin e Vlorës i kemi qysh në  gjysmën e parë të shek të XIX. Shumë autorë vendas dhe të huaj në kronika e përshkrime, na japin  të dhëna edhe mbi krijimtarinë gojore të popullit, si këngë, legjenda e fjalë të urta, një krijimtari e ndërgjegjshme poetike, që e angazhon artin popullor në forcimin e vetëdijes kombëtare, realizimin e synimeve të Rilindjes për çlirimin kombëtar e shoqëror.  Në studimin e tij, me një rigorozitet të spikatur shkencor, prof. Gaçe i referohet personaliteteve të kulturës shqiptare si, Sami Frashëri, i cili ka patur kontakte me subjekte folklorike nga krahina e Lumit të Vlorës, me Eqrem Çabej, Thimi Mitko, veçanërisht i referohet relacioneve të  Spiro Dines me rapsodin e njohur nga Mesapliku Demir Ago Vlonjakun, rapsodët Muhrrem Bufi nga Tërbaçi e Sino Xheli nga Kuçi. Po kështu banorë të këtyre fshatrave kanë patur komunikime me mbledhësin e shquar të folklorit shqiptar, Shtefën Gjeçovin, për të cilin autori sjell një dëshmi të drejtpërdrejtë nga mësuesi atdhetar Muço Delo, çka dëshmon për një unitet shpirtëror jug-veri. Përmes botimit, informohemi se ekspeditat e para folklorike në këtë krahinë i ka organizuar Kolë Kasmi, studimi i të cilit “Zakonet e popullit në Labëri”, përbën një dëshmi për interesimin e studiuesve shqiptarë ndaj pasurisë së madhe shpirtërore të kësaj krahine. Njëherësh, autori na përcjell edhe vlerësimin e studiuesve evropianë për  folklorin e kësaj treve. Një punë të mirëfilltë për mbledhjen e kësaj pasurie shpirtërore kanë bërë mësuesit e parë në vitet e Qeverisë së Ismail Qemalit: Xhemil Duka, Murat Tërbaçi, Naqe Konomi, Gaqe Kapore, Ibrahim Kushta, Jani Minga, Hasan Brahimi etj., për të vazhduar me studiuesit e pasçlirimit etnografinë Rrok Zojzi, studiuesin e historisë së letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare prof. Dhimitër Shuteriqin dhe të përkushtuarin Fatos Mero Rrapaj. Si rezultat i këtyre kërkimeve folklorike në fshatrat e Lumit të Vlorës, botuar në botime të veçanta apo depozituar në Arkivin e Institutit të Kulturës Popullore në Tiranë, gjendet një material shumë i pasur nga folklori muzikor, letrar e koreografik.  Informacioni që sjell prof. Gaçe nga ekspeditat e tij shumëvjeçare, është më i plotë, më gjithëpërfshirës, e pothuaj shterues. Ai ka shëtitur tërë fshatrat e Lumit të Vlorës, është ulur gju më gju me çobanët staneve, me artistët popullorë odave, nën tendën e rrepeve në sheshin e fshatit, duke sjellë të dhëna për gjenezën e kësaj popullsie dhe mënyrën e jetesës së tyre qysh në shekujt e mesjetës, periudhë në të cilën popullsia e krahinës organizohej nga e drejta zakonore. Ishte kjo mënyrë jetese që përballoi ngjarje të rëndësishme historike përmes të cilave, lindi dhe u ushqye poezia popullore e banorëve vendas. Prof. Gaçe shtyhet në shekuj dhe rrok gjurmë të një tradite shumë të pasur me figura pagane dhe shumëllojshmërinë e pasqyrimit të jetës së përditshme, duke e  studiuar poezinë popullore si produkt e si funksion të jetës shqiptare të kohës. Bardhosh Gaçe është studiuesi që e ndjen shpirtin e Labërisë si askush tjetër, studiuesi që ka qëmtuar nektarin e krijimtarisë poetike të banorëve vendas, studiuesi që përmes këngës ka ndjerë si ka gjalluar jeta e këtyre maleve me tallazet, brengat, gëzimet, hidhërimet e qëndresën e saj madhore. Ai është i pari studiues që na jep një botim të veçantë në llojin e vet, ku renditen pa asnjë firo tërë rapsodët e këngëtarët popullorë të krahinës, me tërë inventarin e tyre, qysh nga shekulli XIX. Pa këtë punë hulumtuese shumëvjeçare poetët popullorë dhe këngëtarët popullorë, do të ishin harruar sikundër janë harruar në krahina të tjera, çka rrezikonte ta paraqesë popullsinë e këtyre krahinave si të varfër shpirtërisht e artistikisht. Prof. Gaçe, me studimin e tij shumëvjeçar, evidenton tek bartësit e poezisë popullore të trevës, elementë homeridë, të cilët në mjedise kolektive deklamonin përmendësh mijëra vargje. Mbështetur në këtë përvojë shekullore kënga e Lumit të Vlorës fitoi dinamikë, ritëm, muzikalitet, përjetësoi momente të rëndësishme të historisë e të jetës, tablo të gjera të luftërave e betejave, duke mishëruar  krenarinë  dhe karakterin kombëtar. Krijimtaria poetike e tyre pasqyron ndërgjegjen kombëtare të fshatarësisë së krahinës, pasurinë dhe brendinë patriotike e shoqërore. Në studimin e tij prof. Gaçe,  ka patur parasysh sentencën e prof Çabejit: “Kohët e moçme dhe heronjtë e moçëm vdesin, në kujtesën e popullit, dalin heronj të rinj. Këngë të moçme zhduken, të rejat krijohen, shpesh herë këto përzihen e shkrihen njëra me tjetrën.”.  Për ta dëshmuar këtë konstatim të profesorit, autori ka grumbulluar shumë motërzime këngësh për të njëjtën ngjarje, çka dëshmon jo vetëm për anonimatin, por edhe pasurimin apo transformimin e këngëve sipas frymëzimit poetik të rapsodëve në vite. Kjo është një kontribut me rëndësi për folkloristikën shqiptare, sepse jepet evolucioni, transformimi dhe pasurimi i lëndës poetike brenda procesit krijues dhe frymëzimit të poetëve popullor. Edhe sot ekziston thënia “I hap mirë këngët filani…”! Një vend të veçantë në studim zënë, edhe dukuritë e reja që vijnë nga rinovimi i fondit tradicional. Autori përpiqet suksesshëm të provojë përmes këtij studimi shkencor raportet midis traditës dhe risive, shikimi i lëndës folklorike në mënyrë të thelluar i ka dhënë mundësinë të trajtojë futjet e reja në krijimtarinë folklorike pa e prishur strukturën bazë të poezisë popullore.

Baladat duke pasur subjekte e personazhe legjendare thuren artistikisht, duke shfrytëzuar tërë arsenalin e epikës legjendare. Baladën e murimit autori e identifikon me Urën e Vaut të Shushicës-Lubonjë, Urën e Shelgut – Peshkëpi, Urën e Drashovicës etj: Atje tek ura në lumë/ hoh hoj, hoj e zeza unë/ ustallarët bëjnë punë/ bëjnë mur e ndërtojnë/ bien gurët e s’qëndrojnë. Ekzistenca e këtyre baladave të lashta, më së paku flet për autoktoninë e këtyre banorëve, për traditën e lashtë në lëmin e krijimtarisë poetike, për zhvillimin ekonomiko-shoqëror dhe kulturor të tyre, të cilët ditën ta pranojnë, ta përshtatin dhe ta përcjellin këtë krijimtari po aq artistikisht sa edhe popujt e tjerë. Autori në studimin e tij përdor një metodologji shkencore, veçanërisht  metodën e krahasimit, përmes së cilës konstaton se balada e Kostandinit interpretohet në Lumin e Vlorës identike me atë të Lunxhërisë, për mesazhin e saj artistik.

Autori thekson se, poezia popullore ka karakter konservues, evidenton figura artistike nga e kaluara legjendare dhe i përdor në krijimtarinë e re, sidomos tek këngët e vajtimit dhe elegjitë, kjo si rrjedhojë e karakterit kolektiv të këngës popullore dhe anonimatit. Ai na ndihmon të përfytyrojmë qartë atë spektakël artistik që ka qenë magmë vullkanike për krijimtarinë poetike të këtyre banorëve si “e qara me ligje”, e cila është një ceremonial shumë i hershëm me një pasuri poetike të jashtëzakonshme. Për ta ilustruar këtë proces krijimtarie autori sjell brilante poetike të panjohura më parë: ardhç e tu qasa pranë/ me duar gërmova varrë/ më poqi dora në ballë/ në plumbin që kishe marrë.

Prof. Gaçe ka takuar shumicën e këtyre poeteve që ligjëronin artistikisht si: Pestrovë Gjokuta, Shahe Luçi, Dize Bajrami, Zonjë Jonuzaj, Shaniko Hoxha, Mirserdhe Rexhepi etj. Ai sjell një material të bollshëm për “këngët me palcë”, sikundër janë këngët e epikës heroike dhe historike, e prej andej analizon me shembuj të paekspozuara deri tani pasurinë e lirikës familjare, ninullat, këngët  e dasmës dhe ato të dashurisë si dhe lirikën shoqërore me këngët e punës, të mërgimit, të nizamëve, dhe aspekte të jetës sociale. Shumë e pasur në këtë trevë është edhe lirika e dashurisë: nepërkë grykëlarike/ m’i verbove sytë moj mike.

Një kontribut të veçantë prof. Gaçe ka dhënë me analizën e këngëve “hidh e prit”, të cilat shprehin filozofinë e mendimit popullor”, e që burrat apo edhe gratë, e prezantojnë me vargje të  rimuara në gosti e dasma për t’i dhënë një ngarkesë më emocionale e poetike fjalës. Ndodhte që për disa kohë rapsodi “i mundur”, nga bejtexhiu më i fuqishëm, më me gjetje shpotitëse, ironizuese, nuk dilte më në kuvend e sofrat e fshatit, përmbajtja e tyre ishte përqeshje për çështje shoqërore e familjare. Aq e pasur është kjo krijimtari sa që krijohet mendimi se zhanri i ciklit humoristik, i ka hedhur themelet te kjo krahinë. Autori regjistron edhe disa nga këta poetë humoristë si: Selim Hasani, Mato Hasani, Tartar Zeka, Qazim Ademi, Xhebro Gjika, Hyso Salati, Ali Dino, Avdul Ymeri, Rrapo Metua, Mustafa Luçi e Abas Goxhi.

Bardhosh Gaçe regjistron një thesar të madh artistik, i cili u përcoll gojë më gojë përmes përfaqësuesve të elitës artistike të Lumit të Vlorës. Ai sjell të dhëna për këngëtarin kronikan -Demir Ago Mystehaku- Matogjin i Vlorës, e deri tek poezia e Memo Metos, Jashar Luçit, Perlat Hasanit etj..

Një vlerësim sipas origjinalitetit të tyre i bën këngës së Smokthinës, treshes së Dukatit, valles së Vranishtit, logatjes së Kallaraitit dhe të Bolenës, të cilat konsiderohen nga autori si variante melodike më të hershme të këngës polifonike të Shqipërisë së Jugut. Disa nga këto varianteve melodike do të  mbetën këngë me emër si: kënga “Demirçe” dhe “Qazimademçe” e Smikthinës, kënga “Bratçe”, ”Selimçe”, kënga “pleqërishte” e Tërbaçit, kënga “vallëzore” e Mavrovës etj. Madje prof. Gaçe ka klasifikuar edhe elementët polifonikë të këngës në këtë trevë: marrja “Lutokapllançe”, hedhja “Bajram Isaçe”, ja mban  “Dervish Hasançe”.

Autori e paraqet krijimtarinë e kësaj treve me një fizionomi të veçantë, me vlera dalluese nga trevat e tjera, në aspektin e përvojës së pasur në mençurinë, filozofinë dhe shpirtin artistik, por edhe me elemente të përbashkëta. Qarkullimi folklorik, nuk e mjegulloi gjenezën e shumë këngëve popullore prej banorëve të trevës, sepse krijimtaria e tyre ishte shumë e spikatur dhe e afirmuar në trevat e Shqipërisë së Jugut.

Prof. Gaçe ka mbledhur dhe ka interpretuar shkencërisht perla poetike dhe dëshmi origjinale që provojnë vazhdimësinë e kësaj kulture si traditë artistike qysh nga shekujt e kaluar, njëherazi ai bën përgjithësimeme shumë vlerë për pasurinë shpirtërore të këtyre banorëve autoktonë, si pasardhës të etnisë ilirike. Me studimin “Kënga e Lumit të Vlorës”, ai i la etnokulturës shqiptare një pasuri të rrallë dhe një model se si mund të evidentohen dhe të arkivohen poetët popullorë të çdo treve shqiptare.