Filmat shqiptarë si vlerë kombëtare dhe tufa e korbave vrastare

833
Nga Artur AJAZI

Prej disa ditësh në shtyp dhe rrjetet sociale, ka nisur debati shterpë, që lidhet me një “gur” të hedhur në lumin e injorancës, nga një njeri që vitet e fundit shkruan edhe libra. Ky njeri ka kohë që hiqet si “i persekutuar, i masakruar nga regjimi komunist”, dhe gjithë mllefet e jetës ka vendosur t’ia shkarkojë së fundi (pasi e nisi me Diana Çulin) edhe tek krijimtaria më brilante e 45 viteve të shkuara, tek filmat artistikë shqiptarë. Nuk e di se pse e morën seriozisht shumica e shqiptarëve, madje edhe e artistëve tanë të mrekullueshëm, regjisorëve tanë të talentuar dhe e skenaristëve tanë të magjishëm, propozimin e një njeriu që nuk ka fare peshë në fatin e atyre qindra filmave të papërsëritshëm. Nuk e di, se pse e morën seriozisht drejtues të institucioneve, që nisën të japin shpjegimet e tyre lidhur me “gurin” e hedhur në lumë nga një njeri që jeton me mllefe, shkruan me mllefe, mendon me mllefe, reagon me mllefe, kur përgjigjen më të mirë atij, ia kanë dhënë shumica e shqiptarëve, intelektualëve, që veçojnë dhe dallojnë mes tyre, vlerat dhe antivlerat e kombit, edhe në krijimtarinë kinematografike. Prej afro dy javësh kam ndjekur debatin butaforik, debatin bosh dhe pa sens logjik për çështjen e filmave shqiptarë të Kinostudios “Shqipëria e Re”, që sipas idesë së atij që hodhi “gurin në lumë” duhen ndaluar me ligj. Për mua është hera e parë që dëgjoj të bëhet një propozim i tillë, sa delirant, sa mediokër me qëllimin e dështuar natyrisht për të “zhbërë filmat shqiptarë”, por që nuk do të arrijë asgjë. Natyrshëm lind pyetja, si ka mundësi që në demokraci të ketë akoma gjallesa të tilla, që flasin dhe guxojnë të japin propozime kaq idioteske të një niveli të ulët ? Në demokraci, ka pluralizëm të ideve, dhe jo përjashtim të tyre, në të kundërtën kthehesh në pushtetin e sovjetëve. Vetëm 8 vjet pas çlirimit të Atdheut nga pushtuesit e huaj dhe tradhtarët vendas, në vitin 1953 u ndërtua Kinostudio “Shqipëria e Re”, me atelietë madje më të mëdha, se në çdo vend tjetër lindor e perëndimor, nga ku u prodhuan për dekada me radhë filma artistikë nga regjisorë, skenaristë, operatorë dhe bashkëpunëtorët e tyre, të gjithë mbaruar në shkollat më të mira të kohës në ish-BRSS dhe vendeve të tjera ish-socialiste. E nisën udhën e tyre me filmin e madh “Skënderbeu”, që ka fituar dhe çmime ndërkombëtare, dhe u vazhdua me qindra filma me karakter kombëtar, edukativ, që edhe sot shikohen me etje nga shqiptarët e të gjitha moshave. Kinematografinë shqiptare, e kanë vlerësuar dhe cilësuar edhe kritikët e huaj si “një kinematografi origjinale e krijuar në harmoni mes traditës së filmit dhe traditës së forcës popullore, duke pasur ndryshime progresive”. Filmat shqiptarë kanë origjinalitetin e tyre, identitetin e tyre dhe janë mbështetur gjithmonë në temat historike. Të gjithë filmat shqiptarë kanë skenarë që bazohen mbi dashurinë e pakufishme për atdheun, popullin, vlerat tona historike ku padyshim nuk mund të mohosh rolin e mrekullueshëm të dhjetëra aktorëve me përmasa botërore. Si mund të thuash (më keq akoma të guxosh të propozosh) që “filmat shqiptarë të mos shfaqen dhe të ndalohen me ligj”, kur atje kemi lojën e të madhit Sandër Prosi apo Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Tinka kurti, Naim Frashëri, Demir Hyskja, Reshat Arbana, Vangjush Furrxhiu, Drita Pelingu , Ndrek Luca, Robert Ndrenika, Violeta Manushi, Pandi Raidhi, Bep Shiroka, Luftar Paja, e Margarita Xhepa, apo edhe të plejadës së më vonshme duke nisur nga Shpëtim Shmili, Astrit Çerma, Ndriçim Xhepa, Kastriot Çaushi e dhjetëra e qindra aktorë që do të duheshin dhjetëra faqe librash ti përmendim këtu ? Si mund të kërkosh dëshpërimisht të ndalohen filmat shqiptarë, kur atje kanë firmat e tyre skenaristë dhe regjisorë të papërsëritshëm në talentin e tyre, operatorë të talentuar, që edhe sot e kësaj dite, japin leksione tek të rinjtë e fushës ? Filmat tanë (pavarësisht kohës kur u realizuan) kanë vlera edukative, artistike dhe humane, dhe ndryshojnë kryekëput nga modeli filmave që servirin sot, ku tema e vetme është “vrasja , droga, kurvëria, bixhozi, grabitja, dhuna, pedofilia”. Të flasësh gjatë mbi “gurin e hedhur në lumë”ndoshta nuk ja vlen, sepse i jep rëndësi dikujt që nuk ka fare rëndësi, por thjesht dua ta mbyll mendimin tim duke shpresuar se veç ndonjë budallai të rrëgjuar nga pesha e viteve, askush tjetër nuk do ta marrë seriozisht tufën e tërbuar. 
Sigal