Festohet 83-vjetori i themelimit të Mbretërisë së Arabisë Saudite

1104
Sigal

Festa kombëtare e Arabisë Saudite merr një kuptim të veçantë, për vetë faktin se vendi më i fuqishëm i Gjirit. Vitet e fundit ky shtet ka iniciuar një numër projektesh në Shqipëri, krahas marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve, të cilat karakterizohen nga vëllazëria dhe mirëkuptimi reciprok. Dihet që Arabia Saudite është një faktor i rëndësishëm ndërkombëtar për paqen e stabilitetin, si dhe me influencë në botën arabe e  islamike.

Çfarë simbolizon Dita Kombëtare të Mbretërisë së Arabisë Saudite

Arabia Saudite përkujton çdo vit me 23 shtator, shpalljen e themelimit të shtetit në vitin 1932 në territoret që njihet dhe sot. Në këtë vit, mbreti i dinastisë Al Saud shpalli unifikimin e vendit në një shtet të vetëm pas përpjekjeve që zgjatën 32 vjet, duke bashkuar krahinat e vendit nën një flamur për herë të parë në histori. Ky shtet u themelua mbi principe islame, larg ngjyrave etnike e sektare. Kjo datë shënon jo vetëm bashkimin e territoreve arabe në mbretërinë e Saudëve, por edhe kthesën e fortë që mori vendi në rrugën e zhvillimit në të gjitha fushat, veçanërisht në infrastrukturë, shëndetësi e arsim, duke krijuar modele që më vonë u ndoqën edhe nga vende të tjera arabe e islame. Arabia Saudite vazhdon të njohë zhvillim të dukshëm nën drejtimin e mbretit aktual, Abdullah bin Abdul Aziz, i cili nën shembullin e paraardhësve të tij Al Saudë po e kthen vendin në një faktor të rëndësishëm në arenën politike të Lindjes së Mesme, madje dhe atë ndërkombëtare duke punuar në dobi të kombit arab e Islamit. Në rrafshin e brendshëm, statistikat ndërkombëtare e renditin Arabinë Saudite ndër vendet e para në rajon, përsa i përket zhvillimit ekonomik, arsimor, industrial e shëndetësor. Ndërsa nëpërmjet zbatimit të reformave dhe masave për shpërndarjen e të ardhurave e sistemit të mbrojtjes së shtresave në nevojë, mbreti i vendit  gëzon simpatinë e sauditëve thjeshtë.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite

Në kuadër të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, Shqipëria dhe Arabia Saudite synojnë forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat. Lidhjet mes dy vendeve kanë gjetur mbështetjen e plotë të drejtuesve më të lartë shqiptarë, si dhe përkujdesjen e veçantë të mbretit te Arabisë Saudite, Abdullah bin Abdul Aziz, në drejtim të çeljes së portave të reja të bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes reciprok, në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar.

Shkëmbimi i vizitave dhe zhvillimi i takimeve të krerëve më të lartë të të dy vendeve, krahas nënshkrimit të marrëveshjeve te shumta dypalëshe, janë tregues i qartë i hapjes së gjithanshme mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite, vende të cilat aderojnë në Organizatën e Konferencës Islamike. Në takimet e zhvilluara, pala shqiptare ka shprehur gjithnjë mirënjohjen e Shqipërisë ndaj këtij vendi dhe mbretit Abdullah bin Abdul Aziz për përkrahjen e vazhdueshme ndaj shqiptarëve në rajon, si dhe inicimin e ndihmave dhe investimeve në fusha të ndryshme zhvillimi.

Mbretëria e Arabisë Saudite dhe përhapja e Mesazhit Islam

Arabia Saudite karakterizohet nga vendosmëria e pandërprerë për të mbrojtur besimin islam dhe autenticitetin e këtij besimi, duke qenë edhe vendi ku ka zbritur Libri i Shenjtë – Kurani dhe ku ndodhet drejtimi nga falen të gjithë myslimanët e botës, Shtëpia e Ndershme – Qabeja. Që nga data e themelimit, ky shtet ka marrë në mbrojtje vijimësinë e thirrjes islame përmes ngritjes së xhamive e qendrave islame në vende të ndryshme të botës, përkrahjes së të drejtave të myslimanëve, ofrimit të bursave të studimeve teologjike dhe hapjen e dyerve të instituteve të saj e universiteteve për myslimanët nga të gjitha kontinentet, pa harruar këtu fondet monetare të vëna në shërbim të fesë së Zotit. Nga përpjekjet e shtetit saudit në fushën e përhapjes së fesë është edhe botimi i Kuranit, si dhe kuptimit të vargjeve të tij në gjuhë të ndryshme të botës dhe shpërndarja e tij në vendet, ku ka myslimanë. Vetëm Kompleksi Mbreti Fehd i Botimeve nxjerr çdo vit mbi 10 milionë kopje të Kuranit, si dhe përkthimet e kuptimit të tij në 44 gjuhë të ndryshme, botime të cilat ndahen çdo vit në vende të ndryshme të botës. Arabia Saudite konsiderohet një nga tribunat më të fuqishme të thirrjes islame në botë.

_____________________________________________________________________________________

CEREMONI FESTIVE NË “SHERATON”

Ambasada e Arabisë Saudite në Tiranë do të organizojë sot, më datën 24.09.2012, një pritje të veçantë në hotel “Sheraton” me rastin e 83-vjetorit të themelimit të mbretërisë. Festa kombëtare shënon unifikimin e territoreve arabe, në vitin 1932, nën drejtimin e mbretit të atëhershëm Abdul Aziz bin Abdu Rrahman Al Saud. Për nder të kësaj feste ambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë, z.Abdullah Abdulaziz Al-Abdulkarim ka organizuar një ceremoni të bukur, ku pritet të marrin pjesë drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, kryetarë të partive politike, drejtues të lartë të institucioneve fetare, personalitete të kulturës, fesë e ekonomisë, si dhe drejtues të përfaqësive diplomatike të huaja të akredituara në vendin tonë

 ____________________________________________________________________________________

MBRETËRIA E ARABISË SAUDITE DHE NJOHJA E KOSOVËS

Njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Mbretërisë së Arabisë Saudite, në vitin 2009, konsiderohet një hap i rëndësishëm në drejtim të njohjes së shtetit kosovar nga vendet e tjera anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike. Kjo njohje, ka ndikuar fuqishëm në fillimin e bashkëpunimit diplomatik mes Kosovës e vendeve të Lindjes së Mesme. Arabia Saudite, prej shumë vitesh ka krijuar një fond të posaçëm për të ndihmuar popullin e Kosovës, përmes një komisioni mbretëror, i cili ka asistuar refugjatët kosovarë si dhe arsimimin e shëndetësinë në Kosovë edhe gjatë pushtimit të këtij vendi e deri në ditët e sotme. Krahas ndihmave monetare e pajisjeve, investimeve në fusha të ndryshme, Arabia Saudite, ka ndihmuar edhe në fushën e përgatitjes dhe trajnimit të kuadrit kosovar.