“Festivali i Shkodrës, i paprekshëm dhe unik si vetë fëmijët”

3883
Sigal

INTERVISTA/ Flet dirigjenti, drejtuesi artistik i dhjetëra festivaleve të ndryshme, Ermir Dizdari

Mbrëmjen e 4 korrikut në qytetin e Shkodrës nisi Festivali i 50-të Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë. Në garë për vendin e parë ishin 24 këngë të reja. Për herë të parë në historinë 50- vjeçare të këtij festivali, ai u zhvillua në teatrin “Migjeni”, por në mjediset e hapura të rrugës pedonale të qendrës së qytetit. Në skenë interpretuan fëmijë nga Divjaka, Prishtina, Mali Zi, Shkodra, Fieri, Kukësi, Berati, Tirana, Durrësi, Fushë Kruja etj. Festivali i 50-te Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë u organizua nga Bashkia e Shkodrës, Qendra e Kulturës së fëmijëve, Shoqata Shpirti Artistik i Shkodrës, RTV Shqiptar, me mbështetjen e MTKRS, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Drejtorisë rajonale Arsimore të Shkodrës, nën kujdesin e zonjës Jozefina Topalli, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë. E veçanta e këtij festivali ishte se ai ka ruajtur në mënyrë besnike ecurinë në vite sikundër Festivali në RTSH. Për të patur një ide më të qartë për ecurinë e këtij Festivali ne zhvilluam një bisedë me dirigjentin dhe drejtuesin artistik të shumë festivaleve brenda dhe jashtë atdheut, z. Ermir Dizdari.

Ç’mund të na thoni për Festivalin e 50-të Mbarëkombëtar të Fëmijëve që u zhvillua nga datat 4-6 korrik 2012 në Shkodër?

Në radhë të parë dua të falënderoj të gjithë organizatorët. Për mua ishte një Festival shumë i mirë në vazhdën e një tradite po aq të bukur. Ajo që dua të veçoj është dhe ajo që ky Festival ka ecur në rrugën e tij qysh nga Festival i parë duke ruajtur me fanatizëm radhën e ecurisë, pa ndërprerje apo pa harresa vjetore duke dhënë një  shembull të shkëlqyer që historia nuk duhet të ngatërrohet me politikën. Sot sheh shpesh që festivale të ndryshme në qytete të ndryshme, deformojnë numrin rendor duke i klasifikuar Festival i pestë apo i gjashtë duke pasur parasysh se para tyre ka pas shumë festivale të tjerë. Duhet ti japim fund mendësive të tilla të papranueshme që historia fillon tek unë, apo të lihet në harresë historiku i shkuar i festivaleve, paçka se kujt regjimi i përket. Ata festivale që kanë një histori nuk duhet të rifillojnë nga e para duke mohuar një traditë. Festival i 50 Mbarëkombëtar i Fëmijëve në Shkodër mbushi plot gjysmë shekulli, a nuk është kjo një histori e bukur që tregon për traditë që dhe bota e vlerëson?

Çfarë ju kujton në retrospektivë ky Festival?

Duke ndjekur festivalin e 50-të të fëmijëve të Shkodrës nuk ka se si të mos shkojë mendja në vitet 60-të, ku përveç festivalit të fëmijëve, lindi dhe Festivali i Këngës në Radiotelevizion. Në vitin 1963, ishte Festivali i parë i fëmijëve në Shkodër. Iniciativat e muzikantëve të atëhershme vunë në qendër të vëmendjes një shpërndarje të festivaleve dhe muzikës për fëmijë.

Cili ishte roli kryesor i këtyre festivaleve?

Festivali i Fëmijëve ishte edhe një aktivitet shumë masiv. Përveç fëmijëve të një qyteti aty vinte i gjithë rrethi dhe fëmijët e të gjitha shkollave. Është dhënë një kontribut i madh në modelin e formimit të këngës për fëmijë, duke filluar që nga teksti letrar dhe nga struktura e melodive që mori pak a shumë modelin e krijimit të këngëve për fëmijë. Më vjen mirë që në ato vite mbas festivalit të parë dhe të dytë apo i  treti u diskutua që ky festival të kalonte qytet më qytet. Pra të gjithë qytete kryesore krijuan Festivalet e tyre model dhe ruajtën ecurinë në vite duke mos prishur renditjen.

Po mbas viteve ’90?

Dua të atribuoj një meritë shumë të madhe pas vitit 1990 dhe  më tej komunitetit muzikor të  artistëve të Shkodrës, pasi me pasion dhe punë bënë një lobing të fuqishëm dhe lanë që Shkodra të ishte vendi i Festivalit  Mbarëkombëtar të Fëmijëve. Mbaj mend në fillimet e veta të Festivalit se, mbas 3-4 festivaleve të para, organizimin dhe ekskluzivitetin e Festivalit të fëmijëve të Shkodrës e mori Ministria e Arsimit, Ministria e  Kulturës, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Komiteti Qendror i Bashkimit të Rinisë. Ishin këto institucione që organizonin Festivalin paçka se realizohej në Shkodër. Në fillim theksohej se Ministria e Kulturës, Komiteti Qendror i Rinisë, lidhja shkrimtarëve shpall konkursin e këngës për fëmijë dhe pionier. Pra ekskluzivitetin e morën këto institucione. Por më vonë këtij festivali iu rrit edhe rëndësia. Në fund të viteve -80  për 3-4 vjet unë kam qenë specialist në ministri dhe vija re rëndësinë që  i jepte Ministria aktiviteteve të tilla. Kështu ishte edhe për aktivitetet e tjera. Po të kishte aktivitet kombëtar i merrte ministria për sipër. Pra ajo kthehej në një shtëpi kulture dhe merrte të gjithë menaxhimin pavarësisht se aktiviteti bëhej në atë apo në këtë qytet. Në këtë mënyrë mund të sjell si paralel festivalin e Gjirokastrës që e kishte krejtësisht si organizim Ministria e Kulturës. Edhe tani ka mbetur që çdo gjë e bën ministria po bashkia merret vetëm me dekorin dhe zbukurimin.

Si mblidheshin këngët për këto festivale?

Në fund të viteve ‘80 festivalet patën një organizim të tillë, ku në Shkodër shkonin këngëtarët dhe çmimet e parë të çdo festivali që bëhej nëpër rrethe. Ishte një ekip i ngritur, (ku unë kam qenë afër 2-3 vjet), një komision që përbëhej nga një kompozitor, regjisor letrar, poet që ishin të gjithë të natyrës së fëmijëve, dhe aty merreshin këngët më të mira të këtyre festivaleve (nga rrethet). Këngëtari dhe kënga më e mirë shkonin në Festivalin Kombëtar në Shkodër. Fëmijët shoqëroheshin ose me prindër ose nga shtëpia e pionierit nga vinte fëmija. Në festivalet e para në Shkodër drejtues ka qenë Tonin Daia (vëllai i Tish Daisë) ai ka qenë dirigjenti i orkestrës së fëmijëve dhe instruktor. Kishte edhe orkestër simfonike të cilën e drejtonte Prenk Jakova. Pastaj doli edhe një brez tjetër dhe në fund të viteve -80-të ka qenë Jetmir Barbullushi që ishte dirigjent dhe shumë organizatorë të tjerë nga të cilët drejtoheshin festivalet e fundit.

Unë them se është me të vërtetë një meritë e komunitetit të Shkodranëve që nga viti 90-të që e kanë mbajtur gjallë këtë Festival me kaq vlera.

Ku ndryshuan gjërat pas viteve 90 në këtë festival?

Në këtë festival nuk ndryshoi asgjë, përkundrazi mori një formë më të plotë pasi tashmë quhet nga Festivali Kombëtar në Festival Ndërkombëtar. Në shumë qytete të tjera shumë gjëra ndryshuan por shkodranët ruajtën numrin rendor. Në festivalet pas viteve ‘90 erdhën edhe fëmijë nga Mali i Zi, Kosova etj, por ata numrin rendor nuk e prishën. Psh, një rreth në vitin 1985  kishte festivalin e 17 të këngës për fëmijë dhe sot mund të ishte i 40, kur nga drejtuesit e sotëm thuhet i 10 apo i 12. Duke filluar çdo gjë nga e para duket sikur nuk kemi pasur asgjë, asnjë traditë, asnjë histori, asnjë të kaluar. Kjo tregon edhe një shkallë qytetari në qytet kryesore. Ja historiku: Në vitin 1962 ka qenë takimi i parë i bandave. Në vitin 1966 ka qene takimi i dytë. Në 69 ka qenë i treti në Elbasan. Pastaj pati një varg takimesh kombëtare të bandave. Sot është i katërti apo i pesti që bëhet në Sarandë. Kjo prish të gjithë qytetarinë. Si këto veprimtari ka plot të tjera që nisin nga e para. Në vitin 1962 është Festivali i radios dhe në vitin 1963 është festivali i Shkodrës. Ka qenë një iniciativë e shtëpisë së pionierit të shkodranëve, ku më pas u bënë disa konsulta që të lëvizte dhe që të kalonte nga një qytet në qytetin tjetër. Po të krahasojmë festivalin e Sanremos që  zhvillohet në një qytet të vogël dhe nuk lëviz, apo festivali i Kanës, ata këtu e kanë bukurinë që ruajtën vendlindjen e një aktiviteti.

 Festivali Kombëtar i Fëmijëve, ja pse ngeli në Shkodër

Në vitin 1964 kemi dy Festivale të Fëmijëve një në Tiranë dhe një në Elbasan. Në vitin 1966 erdhi Festivali i fëmijëve në Durrës dhe më pas edhe në Korçë. Nuk është rastësi që në qytetet kryesore të Shqipërisë siç është Tirana Shkodra, Korça, Elbasani, Gjirokastra, në këto vite të lindin veprimtari gjithmonë në fushën e këngës për fëmijë. Në këto qytete lindën edhe veprimtari të tjera për të rritur që si rezultat sollën dhe krijimin e shkollës së mesme të muzikës dhe krijimin e orkestrës simfonike. Në këto vite përveç krijimit të veprave instrumentale të gjinive të mëdha, por edhe atyre skenike në vitet ‘70 nga shpërndarja administrative që kishte Shqipëria (27 rrethe),  në të gjitha këto 27 rrethe filluan të organizohen Festivalet e fëmijëve. Nuk ishin vetëm 27 rrethet, por edhe në qendra të mëdha siç mund të ishte Kavaja, Shijaku, Kuçova dhe qytetet të tjera të vogla lindën Festivale të tilla.

 “Të ruajmë traditën, të ruajmë historinë”!…

Meritë për ngritjen dhe funksionimin aq bukur të Festivalit të Fëmijëve në Shkodër ka edhe omuniteti i artistëve shkodranë i atyre viteve siç ishte Çesk Zadeja, Avni Mula, Ibrahim Tukiçi, Tish Daia e shumë të tjerë. Ky ishte një ekip i talentuar dhe unë shoh festivalin si kontribut të këtij ekipi.  Shikoj festivalin me numër rendor të 50-të në Shkodër. Për mua  kjo është një shembull dhe duhet ta marrin të gjitha ata që bëjnë veprimtari, qoftë në Berat, Durrës, Gjirokastër, Vlorë apo vend tjetër. Të ruajmë traditën, të ruajmë historinë, të ruajmë numrin rendor, të mos e nisim çdo gjë nga e para pasi dëmtojmë veten. Bota e qytetëruar ecën përpara me art, kulturë.