Festivali i kthyer në traditë të çdo stine

625
Sigal

“Festivali i Poezise se Pabotueme” në Shkodër, cilësohet nga personalitete të artit:
“Koncentrat i shpirtit dhe i mendjes”.

U zhvillua në Shkodër edicioni i 8-të i “
Festivalit të poezisë së pabotueme”, i kthyer në traditë të çdo stine, duke
mbledhur vargjet dhe emocionet e poetëve të rinj. EKO Mendje, me drejtues
Mirsad Basha organizuan këtë festival në një prej oborreve shkodranë, në
Shtëpinë Muze “Pashko Vasa”. Poezia niste që në hyrje të këtij
oborri, përkthyer në tablo të bukura varur në muret e vjetra, në lulëzimet e
qëndrueshme e ndër gjethet e rëna vjeshtore dhe punime tekstile të shkollës
Prenkë Jakova.  Melodia shoqëruese e violinës të Anton Kaftallit dhe
kitarës nga Artion Qamili, mirëpritën dhe harmonizuan bukurinë e fjalës në
interpretim dhe nota. Ky aktivitet u pasqyrua nga shumë media dhe një ndër
partnerët kryesor mediatik ishte edhe Gazeta Telegraf. Atmosfera poetike u
përcoll në prani të personaliteteve të skenës dhe ekranit si, “Artisti i
Merituar” dhe “Mjeshtri i Madh i Skenës” Mirush Kabashi, i cili u shpreh, se:
“poezia e pabotueme është poezia e shpirtit. Shkodra befason…Shkodra i ka
dhënë vokacion poezisë. Unë kam lindur në Shkodër dhe pse jam larguar i vogël
nga ky qytet, unë ndihem sot këtu si në shtëpinë time”.  I cilësuar si një
nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri, Mirush Kabashi u ndal
në poezinë e mësuar nga nëna e tij, me titull “I burgosuri dhe flutura”, duke
krijuar një spektakël dhe ngarkesë të bukur emocionale për të gjithë të
pranishmit. E ftuar në këtë festival ishte edhe poetja Rita Petro, e cila u
shpreh se të shkruarit poezi ka të bëjë me thellësinë më të madhe që është brenda,
me thellësinë e nënvetëdijes, e cila do të dali në formën e imazheve dhe në
formën e vargjeve. Ajo e cilësoi festivalin arome Shkodre dhe njëkohësisht
shumë evropian… Poetja Mimoza Ahmeti, një tjetër e ftuar në këtë edicion
përveç vlerësimeve që dha interpretoi edhe poezinë e saj “Pjalmi i luleve”.
Shkrimtari dhe dramaturgu i mirënjohur Fadil Kraja u shpreh se në këtë festival
gjeti poezinë klasike dhe moderne. Një tjetër emër i njohur i poezisë shqipe
Primo Shllaku e cilësoi këtë festival me superlativa, duke thënë se një
shkodran ka befasuar një tjetër shkodran, si në rastin e Johann Christoph
Friedrich Schiller me Johan Volfgang Gëte. Përveç 16 poezive konkurruese, u
interpretuan vargjet e Migjenit, Camaj, Koliqit, Fishtës, por dhe D’Annunzzio, nga
aktorja Merita Smaja, Besmir Haliti e gjithashtu Festim Avdyli dhe prezantimi i
këtij festivali erdhi bukur nga Sajmira Halili. Të pranishëm ishin edhe poetë
bashkëkohore si Pjaver Kroni i cili ishte edhe pjesë e jurisë. Ai tha se arti e
poezia, bashkë, kthehen në forcë të arsyes, në pushtet të lirisë e në besim.
Kritiku letrar Zija Vukaj, theksoi për disa poezi që ishin si, alarm të qenies
njerëzore, ngjyra dhe grimca jete, elegancë në aktin e krijimit poetik,
kompleksitet, nokturn, arketipe të përjetshme të bukurisë etj….Pjesë e jurisë
së medias ishin gazetaret: Eriona Rusi, Freskida Miloti dhe Kozeta Bruci. Juria
e melodia poetike ishin muzikantët: Anton Kaftalli, Artion Qamili, Bardh Hysa
dhe Ilir Zoga. Juria e kritikës: Primo Shllaku, Zija Vuka, Pjaver Kroni, Rita
Petro, Mimoza Ahmeti.Juria e interpretimit: Artisti i merituar Mirush Kabashi,
aktorja e mirënjohur Merita Smaja, aktori Besmir Halit dhe Festim Avdyli. Të
gjithë poetët pjesëmarrës u motivuan që të ecnin në rrugën drejtë artit të
shpirtit dhe fitues të këtij festivali ishin:

Vendi i parë – Valter Kodra

Vendi i dytë – Arjola Zadrima


Vendi i tretë – Fatjon Lami


Çmimi i Intrepretimit – Elvis Ndoja


Çmimi, Melodia Poetike – Ela Masllov


Çmimi i Medias – Fatjon Lami


Çmimi, EKO Mendje – Mark Lucgjonaj