Festivali i Filmit/ Remo Girone vjen në Shqipëri

612
Sigal

Një prej evenimenteve më të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare, Festivali i Filmit Shqiptar, ka nisur mbrëmjen e datës 3 nëntor edicionin e tij të 13. Eventi, i cili realizohet një herë në pesë vjet, vlerëson prodhimet më të mira të kineastëve shqiptarë. Këtë radhë do të shfaqen 106 filma, ndër të cilët filma artistikë, me metrazh të shkurtër e të gjatë, filma vizatimorë si dhe prodhime të studentëve të regjizurës. Drejtori i festivalit, Artan Minarolli, është shprehur se ndryshe nga herët e tjera ky festival do të përfshijë edhe punët e kineastëve shqiptarë kudo që ndodhen, por sidomos atyre të Kosovës e Maqedonisë. “Kinemaja jonë e re dhe e brishtë, por e mbështetur nga tradita e gjatë, po bën përpjekje për tu përfshirë në tablonë e madhe botërore”, theksoi në fjalën e tij Minarolli. Ndërsa aktori i madh Robert Ndrenika, President Nderi i jurisë, ka përfituar nga rasti për të bërë një apel që filmit t’i jepet më shumë vëmendje: “Të gjithë e duan filmin dhe ka ardhur koha t’i kthejmë sytë më tepër nga ai.” Një premierë speciale e versionit të rinovuar të filmit “Nëntori i dytë”, me regji të Viktor Gjikës, ka hapur siparin e festivalit. Disa prej figurave më të njohura të kinematografisë shqiptare të pranishëm në sallën e kinemasë “Millenium” në kryeqytet, kanë ndjekur filmin e rijetësuar dhe të përmirësuar me një cilësi tepër të lartë teknike. Drejtoresha e Arkivit të Filmit, Elvira Diamanti, është shprehur se kjo është vetëm pelikula e parë në të cilën punohet. Së shpejti edhe filmi “Skënderbeu” do t’i nënshtrohet një restaurimi të plotë. Ripunimi i filmit është kryer në bashkëpunim me specialisten amerikane të arkivimit dhe restaurimit Regina Longo, e cila prej disa kohësh po jep një kontribut të veçantë për Arkivin e Filmit. Festivali do të vazhdojë deri në datën 9 Nëntor, kur do të ndahen edhe çmimet për realizimet më të mira. Në datën 7 Nëntor pritet të vijë në Tiranë edhe i ftuari special i këtij edicioni, aktori i njohur italian Remo Girone.