Festivali Folklorik “Shpirti i Ballkanit”, për herë të parë në Korçë

984
Sigal

Regjisorja Blerta Belliu, solli një festival të kuruar me kujdes dhe passion

Vepror Hasani

 

Për herë të parë Festivali Folklorik “Shpirti i Ballkanit”  mbërriti edhe në qytetin e Korçës. Ora 19.00 e së premtes shënoi ngritjen e siparit në Teatrin “Andon Zako Çajupi” të qytetit. Interesimi i publikut korçar ishte i jashtëzakonshëm. Pjesëmarrësit ishin të të gjitha moshave. Gjithkush ishte kurioz të dinte çfarë vlerash folklorike do të shpaloseshin prej ansambleve folklorike të ardhura nga Turqia, Greqia, Bullgaria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Ballkanasit njihen për shpirtin e tyre të ndezur, për larminë e valleve, të këngëve, melodive, riteve etj. Gjithë Ballkani është një vatër e madhe e shpirtit njerëzor ku gëlojnë tradita e vlera që vijnë që nga lashtësia. Kërshëria nxitet edhe për shkak të miteve, legjendave, gojëdhënave, baladave etj që ekzistojnë në këto troje. Kjo e bën shpirtin krijues të artistëve të jetë garues me synimin për të qenë i pari, gjë që bën të mundur prezantimin e vlerave më të mira që kanë popujt e këtyre vendeve. Festivaleve e tilla nuk të lënë të zhgënjyer. Interpretimet e veçanta dhe të papriturat janë gjithnjë pjesë e festivaleve folklorike. Jo rrallëherë befasojnë me performancën e tyre. Të gjitha këto e bënë Korçën të drejtonte sytë nga Festivali Folklorik “Shpirti i Ballkanit” për të parë kush do të ishte rrëmbyesi i shkëlqimit të këtij Festivali. Një arsye më shumë për të qenë i pranishëm në këtë spektakël të madh, ishte edhe regjisorja e Festivalit, Blerta Belliu, e cila njihet për finesën, gjetjet artistike dhe kujdesin në çdo detaj. I mirënjohur për vlerat e tij folklorike, pa asnjë dyshim, mbetet edhe vendi ynë.

Nata e parë, prezantimi i ansambleve

E premtja, nata e parë e Festivalit Folklorik “Shpirti i Ballkanit”, ishte prezantim i çdo trupe, për t’u treguar artdashësve perlat që kishin sjellë nga krijimtaria e popujve të tyre. Prezantimi kalonte nga njëri ansambël te tjetri, ku gjithsecili shpaloste më të mirën e vet. Kjo i dha shfaqjes bukuri, ritëm, larmi dhe ngjyra. Regjisorja e Festivalit Blerta Belliu, tha: “Ne e kemi shtrirë Festivalin në pjesën e Ballkanit pasi Ballkani ka temperament, ngjyra, valle dhe tradita të jashtëzakonshme. Shpresojmë që nga viti në vit të marrë përmasa dhe më të mëdha. Ky Festival ka karakter garues. Juria është e specializuar, në të bëjnë pjesë Afërdita Onuzi, etnografe dhe studiuese e folklorit; Lupsio Manevski, kërcimtar dhe solist i Ansamblit Shtetëror të Maqedonisë së Veriut; Janis Kostandinos, profesor pranë Akademisë së Folklorit në Athinë dhe profesori ynë, muzikologu Josif Minga. Natën e dytë do të takohemi tek sheshi i Pazarit. Shfaqja do të nisë  rreth orës 19.30. Ju garantoj se edhe nata e dytë do të ketë shumë surpriza”. Mes shfaqjeve mbresëlënëse spikati dhe ajo e Ansamblit të Turqisë. Koreografi i grupit është Gürkan Güzelharcan. Nata e parë pati të ftuar dhe shumë surpriza.

Festivali do të jetë i përvitshëm

Nata e dytë e Festivalit do të jetë nata e fundit. Shfaqja do të jepet në Pazarin e vjetër të Korçës, i cili ofron ambiente klasike të shumë viteve më parë. Zanafilla e Pazarit të Korçës nis që nga viti 1496; që nga atëherë kanë kaluar 500 vjet; është vend ideal për prezantimin e shfaqjeve të tilla që flasin për hershmërinë dhe traditat e popujve. Kjo është dhe arsyeja që sheshi i pazarit u përzgjodh si amfiteatër nga regjisorja Blerta Belliu. “Natën e dytë, tha Belliu, te sheshi i Pazarit  do të njihemi me performanca të tjera, jo të njëjta me ato të  natës së parë, përmes të cilave do të bëhet promovimi i vlerave artistike  të mbarë rajonit tonë.  Më pas do të kemi dhe ndarjen e çmimeve. Shpresojmë që  nga viti në vit Festivali të marrë përmasa edhe më të mëdha”.

Krijimet folklorike mbartin vlera të shumta pasi ato nuk i takojnë një periudhe apo brezi të caktuar, por trashëgimisë nga njëra periudhë te tjetra nga njëri brez te tjetri, duke konsoliduar në vazhdimësi vlerat e tyre. Ato mbartin talentin, mendjen dhe shpirtin e popujve tanë. Sipas gjasave, “Shpirti i Ballkanit” ka për të qenë një nga festivalet më të pëlqyera.