Ferit Shqefni/ Pse duhet ndryshuar nocioni ‘’kryeplak’’

522
Në të gjithë fshatrat dhe lagjet e qyteteve tona, janë në veprim edhe kryepleqtë. Jo vetëm sipas traditës, por edhe sipas emërtesës zyrtare, me fjalën ‘’kryeplak’’ njerëzit nënkuptojnë një njeri të madh në moshë e në mendim, në përvojë jetësore e në arsyetim. Mirëpo, këshillat e bashkive dhe komunave tona, në afro 80% të rasteve, kanë emëruar si ‘’kryepleq’’ djem të rinj, madje edhe vajza të reja të moshës 20-25 vjeçare. Vetëm 20 % janë njerëz të moshuar që kryejnë detyrën e kryepleqve. Pra, ata që duhet të bëhen të tillë janë shumë pak. Nuk shprehim ndonjë mosbesim tek të rinjtë, por në këtë detyrë, logjika thotë që të jenë njerëz të moshuar e të pjekur, njohës e rregullatorë të problemeve të komunitetit. Faktet që emërtesën ‘’kryeplak’’, e bëjnë të papërshtatshme, janë të shumtë. Kështu, ndërsa shkonim në një fshat të Burrelit, dëgjuam ahengun e një dasme, na thanë se martohej ‘’kryeplaku’’!!!. Ndërsa, në një fshat të Skraparit, na thanë se ‘’kryeplaku’’ kishte shkuar ushtar me pagesë dhe se kishte mbushur 20 vjeç!!!. Në një lagje të Tiranës, banorët na thanë se ‘’kryeplaku’’ ishte 19 vjeç dhe se i ka gjetur belaja me të, pasi gjithë ditën zhurmon duke bërë spektakël me motorr rrugëve të lagjes. Ka edhe raste të tjera. Në Tiranë, për shembull, pas një mbledhjeje mësuam se ‘’kryepleqtë’’ e disa lagjeve kishin prenotuar një mbrëmje në disko!!!. Në një lagje të Shkodrës detyrën e ‘’kryeplakut’’ e bënte një vajzë 22- vjeçare. Sipas funksionit, (por jo logjikës) ajo quhet ‘’kryeplaka’’ e lagjes!!! Kjo praktikë e praktikuar deri më tani nuk na duket aspak normale,duhet ndryshuar. Tani pas përfundimit të konstituimit të këshillave bashkiake dhe të emërimit të Administratorëve të rinjë, Qeveria duhet të rishikojë ligjin për pushtetin vendor, lidhur me emërtesën e kryepleqve. Emërimi i njerëzve t’i përshtatet emërtesës, ose kjo e fundit duhet ndryshuar. Për kryetarët e fshatrave apo të Lagjeve, të njohur ndryshe si kryepleq, lidhur me zgjedhjen apo emërimin e tyre, ka patur dhe vazhdon të ketë mendime dhe opinione të ndryshme. Disa thonë se kryepleqtë duhet të zgjidhen nga banorët e fshatrave apo të lagjeve, duke vijuar kështu edhe në traditën e herëshme. Disa të tjerë thonë se këta duhet të emërohen nga kryetarët e Bashkive. Lidhur me emërimin apo zgjedhjen e kayepleqve , pas vitit ’90 ka ndodhur dhe një absurditet, është ecur me dy standarde: Kryepleqtë e Lagjeve nëpër qytete janë emëruar nga kryetarët e bashkive, ndërsa nëpër fshatra, ata janë zgjedhur nga komuniteti. Që një 20- vjeçar të mos quhet më ‘’kryeplaku’’ i fshatit , do të ishte më normale të quhej kryetari i fshatit. Që një 20-vjeçare të mos quhet më ‘’kryeplaka’’ e Lagjes, do të ishte më normale të quhej kryetarja e Lagjes. Kjo padyshim kërkon ndryshim në emërtesë apo në nocion: Të vazhdohet me emërtimin “Kayeplak” duke vazhduar në traditën e vjetër, që në krye të komunitetit në bazë, të zgjidhen apo të emërohen njerëz të mëdhej në moshë, që t’i përshtatet dhe nocionit, ose kjo e fundit duhet ndryshuar, që në krye të komunitetit, si në fshatra ashtu dhe në Lagjet e qyteteve të zgjidhen apo të emërohen njerëz të moshave dhe kategorive të ndryshme.Tani që njerëzit kanë në drejtimin e tyre kayebashkiakët e zgjedhur dhe administratorët e emëruar, sigurisht që ka ardhur koha dhe momenti i zgjedhjes apo emërimit të “Kryepleqve”. Kjo nuk duhet vonuar…
Sigal