Sigal

Për të dytin vit radhazi botohen në Francë krijesat fabuleske të fabulistit tonë të mirënjohur e të përkushtuar këtij zhanri letrar, Ferit Lamaj, përmes përkthimit mjeshtëror të Prof. Edmond Tupja. Shtëpia Botuese “Papiers Coupes” na paraqet një botim tepër luksoz, special, ku teksti i autorit dhe ilustrimet shoqëruese janë të punuara me teknikën e shtypit me lazer, ndërkohë që krejt libri hapet në formë fizarmonike. Është një sukses i merituar i fabulistit tonë, të mbi 7000 fabulave dhe 120 librave të publikuar përgjatë mbi 4 dekadave krijimtarie të begatë. Fabula të qëndisura për të gjitha moshat e që trajtojnë një sërë problematikash shoqërore, në gjuhën tonë të ëmbël shqipe, po edhe në anglisht, frëngjisht, spanjisht, italisht, greqisht e rumanisht. Me plot të drejtë botuesi francez në çelje të librit jep vlerësimin e tij me këtë sentencë: “Ferit Lamaj ose Arti konciz i surprizave dhe i paradokseve”. Vlerësime të tilla për këtë autor janë bërë nga shumë figura të njohura shqiptare e të huaja. Të risjellim në vëmendjen e lexuesit disa prej tyre: “Fabulat e F. Lamajt përcjellin mesazhet e vërteta filozofike, shquhen për lakonizmin e mençurinë sarkastike. I recitoj shpesh ato në mjedise publike. Nuk ke si të mos respektosh talentin e fuqishëm të këtij fabulisti, fatbardhësisht shqiptar.” Kadri Roshi

Duke lexuar fabulat e Feritit ndjen një kënaqësi estetike, vë buzën në gaz nga rrëkezat e humorit, ironisë dhe sarkazmës për shumë gjëra, që na bëjnë të qeshim në këtë botë të trazuar e të mbushur me halle.” Dritëro Agolli

“Ezopi” ynë, Ferit Lamaj, mjeshtër i thurjes së vargut fabulesk, është kaq i rrallë në krejt rruzullin, sa nuk do të gjesh një të dytë edhe po të kërkosh me fenerin e Diogjenit,” Astrit Bishqemi

Më pëlqen stili letrar, mençuria dhe batuta fabulore e Ferit Lamajt. Pak vargje, pak fjalë, por një filozofi e tërë mendimi. Fabula me vlerë të jashtëzakonshme.” Trish Kaspar, shkrimtare amerikane

           

Le t’i urojmë Feritit mbarësi të reja në përcjellje të fabulës shqipe në të gjithë globin!

 

                                                 Izet Çulli, fabulist