Femra shqiptare, shumë mirë familjen të shenjtë, por s’duhet të jetë pronë e martesës

598
Sigal

INTERVISTA/ Flet shkrimtarja dhe poetja Silvana Berki

Jeta e saj është si në romane. Larguar në vitin 1990 për Rumani, pastaj në Finlandë, plot 23 vjet larg atdheut, ajo sërishmi me punë dhe me studime ka ditur të pozicionohet në jetë. Ndoshta e pabesueshme, por ajo tashmë punon në administratën shtetërore të Finlandës, duke e folur gjuhën si vendasit. Qetësinë e gjen mes krijimtarisë letrare, duke mos e hequr kurrë vëmendjen nga atdheu.

Si e keni filluar rrugën e krijimtarisë?
Pothuaj në mënyrë spontane, meqenëse gjithmonë e kam menduar veten shumë kreatore nga shpirti dhe atë e kam pasqyruar gjithë jetës sime herë me pikturë, herë me shkrime, kryesisht poezi apo prozë, që e vogël kur isha pioniere, dhe më vonë në emigracion, ku hapëm revistën tonë letrare “Epoka e Re”. Para dy-tre viteve hodha rastësisht një shkrim në facebook/prozë dhe tërhoqi vëmendjen nga publiku i facebook:ut për tematikën e saj. Më vonë hodha edhe disa poezi dhe publiku më mbështeti jashtëzakonisht prej nga merrja kurajë që t’i sillja çdo ditë diçka të re. Kështu duke komunikuar fillova të krijoj dhe pasqyroj aty derisa arrita te libri im i parë.
Cila është poezia e parë juaja dhe ku e keni botuar?
Nuk është botuar poezia ime e parë, sepse unë isha e vogël atëherë, por ka qenë për vdekjen e Hysni Kapos, e cila u recitua në të gjithë shkollën. Më vonë shkruaja, por që me ikjen time nga Shqipëria nuk i kam gjetur shumë prej tyre. Kam me vete në Finlandë vetëm një ditar timin të shkollës së mesme dhe aty ka poezi për maturantët.

Keni lëvruar poezinë? Po prozën keni tentuar ta lëvroni ?
Proza siç e përmenda diku më lart ka qenë e para. Kur filloj shkruaj tregime, futem tërësisht në një botë tjetër dhe humbas për orë të tëra. Mbas vëllimit të¨dytë poetik “Prelud” do të publikoj librin tim të parë në prozë.
Motua me të cilën udhëhiqeni në jetë.
Janë dy. 1) Lumturia ime më e madhe është kur shikoj sytë e fëmijëve të mi të qeshin duke e ditur që unë jam ajo që i bëj të ndien të lumtur. 2) Karakteri nuk rritet në qetësi dhe me një jetë të lehtë. Vetëm nëpërmjet eksperiencës dhe një prove vuajtjesh mundet shpirti të forcohet, vizioni të qartësohet, ambiciet të inspirohen dhe të arrihet suksesi.
Me çfarë merreni aktualisht?
Jam në marrëdhënie pune, por kohën e lirë e kam tejet të angazhuar për momentin si: shkrimet letrare në gjuhën shqipe, ushtrimi fizik për të mirëmbajtur trupin, si edhe disa studime akademike lidhur me profesionin tim për çështjet sociale.   

 Si ju duk Shqipëria?
Ka shumë ndryshime. Një rritje ekonomike materiale në dukje. Një liberalizëm e modelit amerikan, ku konsumohet në mënyrë marginale. Por, mendoj kjo ishte e nevojshme në hapat e parë të ndryshimeve të saj për rritjen e kapitalit sepse Shqipëria para 20 vitesh ishte vërtet një shtet pa shtet, pa buxhet. Tani mendoj duhen futur rryma të reja për rritjen e mirëqenies dhe unë jam për një sistem më social, për fuqizimin e shtetit dhe jo të individit, sepse modeli amerikan na çon drejt një kapitalizmi të egër, ku thellohen diferencat e klasave shoqërore në një dozë të madhe. Ne jemi një popull që e duam frymën e lirë, por e duam edhe shoqërinë e barabartë.
Sipas jush problemet e femrës shqiptare sot?
Nuk e di a mund të jap një mendim të saktë rreth kësaj teme, sepse unë nuk i di çfarë drejtimi ka marrë pozita e gruas në Shqipëri sot, por nga pak intelektualë që takova dhe që biseduam si me zj. Natasha Lako, gruaja në Shqipëri është e pambrojtur. Flas për ato gra, të cilave ju mohohet e drejta e tyre. Po marr rastin – a duhet ndëshkuar një grua pse arrin në vendimin të ndahet nga bashkëshorti i vet. Duhet me sinqeritet të pranojmë një gjë: femra shqiptare është e vetmja femër në botë sot që do të bënte gjithçka për ruajtjen e familjes. Por, nëse arrin në atë pikë që ajo e shkatërron familjen mendoj nuk e bën për ndonjë egoizëm, por sepse është një martesë e palumtur. Në fund të fundit edhe pse gruaja shqiptare i dedikon jetën familjes ajo nuk është pronë e martesës së saj. A mbështeten raste të tilla? Nga informatat mësova se Jo. Madje arrijnë edhe i vrasin. Pra, një problem shumë i madh dhe shqetësues janë familjet me një prind, nënat me fëmijë sepse ato nuk gjejnë mbështetje jo vetëm nga shoqëria, por as nga shteti kapitalist formuar me aq shpejtësi në Shqipëri qoftë për momentin e krizës së ndarjes, por edhe më vonë në rritjen e fëmijëve të tyre si “single mothers”.
Mendimi juaj për bashkëjetesën?
Më vjen mirë që më bëhet një pyetje, e cila rrjedh nga kultura e vendeve perëndimore. Me siguri e keni fjalën për martesat e hapura, pra jo të ligjshme. Pse jo edhe në Shqipëri? Kjo është praktikuar herët në vendet e zhvilluara dhe si rezultat i dëshirës së dy partnerëve. Ka shumë deficite, por edhe shumë favore. Shpesh partnerët humbasin ekuilibrin e tyre të dashurisë vetëm nga një copë letër, pra kur kurorëzohen. Efektet mund të jenë përplasja e dy kulturave familjare, të cilën e sjellin gjatë jetës së përditshme, modeli i prindërve të tyre, i cili e ndjek pas çdo individ gati edhe në dashuri e martesë. Ndonjëherë bashkëjetesa dhe mendimi i pasigurt për njëri-tjetrin e ruan një dashuri, sepse delikatesa për njëri tjetrin vazhdon gjatë.
Çfarë vlerësoni ke një njeri dhe çfarë kritikoni ?
Dihet që të gjitha vetitë negative, të cilat kanë efekt negative në shoqëri dhe dëmtojnë shoqërinë nuk janë për t’u admiruar, por për t’u kritikuar. Konkretisht; hipokrizinë, mos-korrektësinë, mos-sinqeritetin dhe korrupsionin. Admiroj njerëzit e sinqertë dhe që janë vetvetja e jo fals. Ata njerëz që akoma vlerësojnë njeriun dhe Jo paren, që vlerësojnë me mëndje të vet dhe jo nga influenca të jashtme, njerëz që ndihmojnë dhe jo gjykojnë menjëherë kur haset një problem.
Kur ndiheni më mirë, kur ju thonë jeni simpatike apo inteligjente ?
N
jeriu ka nevojë për admirim dhe përderisa të dyja japin një kënaqësi shpirtërore mendoj të dyja janë të rëndësishme dhe të dy vlerësimet më bëjnë të ndihem mirë.

Cilat janë planet tuaja në sirtar në marrëdhënie me idetë profesionale?
Kur janë plane të sirtarëve, ato ngelen në sirtar pra nuk komentohen para kohe. Por po them vetëm pak fjalë se kanë të bëjnë me ndryshimet sociale në Shqipëri. Shpresoj t’ia arrij qëllimit. Por edhe në se jo, do të më kënaqte fakti që fundja u përpoqa.

 Si u arratisëm me viza false në Rumani

Nuk kam ikur si të tjerët me vetëdije për ç`ka po ndodhte. Unë isha me një foshnjë disa muajshe në atë kohë dhe ish-burri për të mos më bërë merak nuk më tregoi se do të iknim për të mos u kthyer, siç nuk më tregoi se kishte probleme me policinë e Fierit në atë kohë. Dikush nga shokët e vet e kishte spiunuar në rajonin policor për një demonstrim, të cilën po mundoheshin ta organizonin menjëherë mbas vrasjes së Çausheskut në Rumani, aty në Fier kundër politikës. Kështu që ai paraqitej çdo ditë mbas punës në ora 18:00 në polici. Ambasadat ishin mbyllur në atë kohë për shkak të trazirave dhe ai siguroi viza rumune false, gjë që rrezikonte nëse e kapnin të futej në burg apo me pasoja të tjera edhe më fatale. Kështu, në atë rrezik kaluam kufirin në vitin 1990. Babai më ka përcjellë i fundit në aeroport dhe tek e takoja nuk më la ta puthja, vetëm ma mori fytyrën mes duarve të tij dhe m’i puthi sytë, pastaj, siç duket për të mos e parë që po qante, u largua menjëherë. Në Rumani patëm shumë vështirësi, sidomos kur kuptova arsyen që nuk do të ktheheshim më. Ish-burri nuk më la t’i shkruaja familjes për katër muaj, sepse kishte frikë mos e kapnin ata të ambasadës në Bukuresht, sepse Rumania nuk ishte shtet demokrat në atë kohë, kështu që dhimbja për prindërit e mi ishte e madhe. Njerëzit dhe të afërmit i braktisën dhe ju thanë se ne na kanë vrarë dhe kur e mendoj çfarë dhimbje mund të ketë pasur babai im, më dhemb në shpirt. Nuk e takova më babain tim, sepse ai vdiq nga infarkti, ashtu i malluar mbas katër vitesh. Në atë kohë gjendesha në Finlandë.