Fatos Kongoli:Ja pse nuk e urova Kadarenë për 77 vjetorin e lindjes

185

Flet Fatos Kongoli: Parisi është i shtrenjtë për mua dhe Kadarenë. Personalisht më kanë botuar tetë libra në frëngjisht

Fatos Kongoli, mund të quhet ndryshe edhe si shkrimtari i madh që nuk u bë dot, një matematikan i madh. Ose, për të qenë krejtësisht i saktë duhet të themi se tek ai kishte kohë që ishin në një garë mbijetese shkrimtari me matematicienin, ku ky i fundit e kuptoi se duhet t’i hapte rrugë krijuesit. Dhe kështu shkrimtari Fatos Kongoli shkëlqeu në letërsi për 23 vjet me radhë, duke u bërë kështu një nga figurat më të dashura për lexuesit shqiptar dhe të huaj. Për Fatos Kongolin, gjithashtu, është e vështirë, që të përcaktohet një identitet i qartë krijues, sepse ai ka marrë nga shumë vende të botës, karakteristika dhe veçori të ndryshme, duke e bërë një qytetar të botës, ose një krijues të ndërkombëtarizuar. Këtë nuk e themi vetëm për faktin, se Kongoli është përkthyer në tetë gjuhë të botës, por edhe për shkakun, se ai aktualisht, jeton midis Shqipërisë dhe Amerikës, duke mos harruar këtu, se një pjesë e zemrës së tij,  ka brenda emrin e Parisit dhe se një pjesë e rinisë së tij, ka kaluar në rrugët dhe bibliotekat e Pekinit.

 Zoti Kongoli, sot(dje) ishte ditëlindja e Kadaresë, a i dërguat ndonjë mesazh kolegut tuaj, për 77- vjetorin?

Unë, me Ismail Kadarenë kam pasur gjithmonë marrëdhënie shumë korrekte dhe miqësore. Personalisht, e vlerësoj atë, jo vetëm si shkrimtar të madh, por edhe si njeri. Sepse të dyve na ka lidhur, jo vetëm letërsia, por edhe Parisi, të cilin e vlerësojmë shumë për kulturën dhe mirësinë që reflekton. Por të them të drejtën, këtë radhë nuk kam mundur t’i bëjë një mesazh urimi, për ditëlindjen e tij. Me këtë rast, më lejoni që ta bëj këtë urim, publikisht, nëpërmjet gazetës suaj.  Pra, i uroj këtij gjeniu të letrave shqipe, 77- vjetorin e ditëlindjes së tij, duke shtuar “edhe 100 të tjera”.

Ju keni pasur prej kohësh miqësi me Kadarenë, por vitet e fundit, nuk ju kemi parë shpesh, bashkë. Mos ka ndodhur ndonjë ftohje midis jush?

Jo! Nuk ka ndodhur asnjë ftohje dhe ne jemi po aq miq, sa edhe më parë. Por itinerarët e punëve tona të përditshme na kanë çuar në destinacione të ndryshme. Sepse unë shkoj disa muaj në vit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Ismail Kadareja, u përgjigjet detyrimeve të ndryshme, në Francë, apo në të gjithë botën. Tani, çdo lexues europian, apo botëror, padyshim që e ka lexuar, ose e ka dëgjuar emrin e tij. Sepse prodhimtaria e Kadaresë ka qenë cilësore dhe kolosale. Veprat e tij janë përkthyer, në shumicën e vendeve të botës dhe kjo përbën një krenari për kombin tonë.

 Kur keni qenë për herë të fundit në SHBA?

 Kam qenë disa muaj gjatë vitit të kaluar. Madje në Shqipëri jam kthyer në muajin nëntor.

 Zoti Kongoli, juve gjithashtu, jeni shkrimtari i dytë, pas Kadaresë që jeni përkthyer në shumë gjuhë. Çfarë ndjesie ju vjen, nga fakti, se ju aktualisht, po lexoheni në 8 gjuhë të botës?

Kjo gjë padyshim përbën një emocion dhe kënaqësi të veçantë për çdo shkrimtar. Është e  vërtetë ajo që thoni ju, në lidhje me numrin e gjuhëve të përkthyera. Deri para dy viteve, unë isha përkthyer vetëm në gjashtë gjuhë të botës, ndërsa gjuha e shtatë, ishte spanjishtja. Në këtë gjuhë m’u përkthye libri “Lëkura e qenit”, i cili u prit shumë mirë. Ndërsa, gjuha e tetë, ishte gjuha ndërkombëtare që quhet esperanto. Fatkeqësisht, unë vetë, nuk e kuptoj, pra nuk flas dhe as nuk shkruaj në këtë gjuhë. Por më kanë thënë se libri është pritur shumë mirë.

 Sa prej librave tuaja janë përkthyer në frëngjisht?

Janë përkthyer 8 libra të mi. I pari ka qenë “I humburi” dhe i fundit ishte “Bolero në vilën e pleqve”. Kritika franceze ka shkruar për ta, me një vlerësim profesional.

“Lëkura e qenit”, është një libër që flet për hallet shqiptare, pra, për një dashuri në radhën e qumështit. Çfarë mendoni se i ka tërhequr kaq shumë, lexuesit e huaj, përderisa, ky libër është përkthyer në një numër rekord, gjuhësh të huaja?

 Kjo që thoni, ju është padyshim, një emocion i veçantë, për çdo shkrimtar. Sepse letërsia që shkruajmë neve, në radhë të parë, ka si destinacion final, lexuesin. Dhe nëse ne, marrim lajmin e sigurt, që libri ka mbërritur tek lexuesi, atëherë çdo lajm i tillë, na krijon qetësi shpirtërore, por edhe nxitje për punën tonë të përditshme. Ndërsa, gjuhët e botës janë në radhë të parë, pengesa për komunikimin e shkrimtarit me lexuesit. Por, këto pengesa kapërcehen vetëm nga cilësia e librave. Dhe unë jam i lumtur që disa nga veprat e mia, i kanë kapërcyer këto barriera.

 Çfarë ndjetë, pas debatit që krijoi libri juaj “Iluzione në sirtar”?

Ndjeva ato emocione pozitive dhe ato shqetësime, që ndjen çdo shkrimtar, për librin e tij, që hap diskutime tek lexuesit.

Cili është libri i fundit që keni botuar?

Libri im i fundit, që kam botuar është “Sidorela”. Dhe më vjen mirë që ky libër u shpërnda me shpejtësi në duart e lexuesve. Për këtë gjë, dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen time, të gjithë lexuesve që më kanë zgjedhur për të më lexuar.

 Cili është libri i fundit që keni në duar për të botuar?

Këtë nuk mund t’ua them, para kohe. Pra, nuk mund të nxjerr një sekret të profesionit tim, pa përfunduar shkrimin e këtij libri. Por kur të vijë koha, natyrisht, që preokupimet e punës sonë, do t’i ndajmë me lexuesit dhe mediat. Gazeta juaj “Telegraf”, do të jetë, ndofta e para, ku do të jap intervistën time, për këtë libër.

  Jeta e Fatos Kongolit

Kongoli është lindur më 12 janar të vitit, 1944, në Elbasan. Në vitin 1967 është diplomuar në Tiranë për Matematikë, pasi disa vite studimi i kaloi në Kinë. Gjatë jetës, së tij, ai ka punuar si gazetar letrar dhe redaktor, në shtëpinë botuese, “Naim Frashëri”. Fatos Kongoli është përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe ai ka fituar mjaft çmime kombëtare e ndërkombëtare. Nga bashkia e qytetit të Elbasanit, Kongoli ka marrë titullin “Qytetar Nderi”, ndërsa nga ish-Presidenti francez, Sarkozi, ai ka marrë titullin më të lartë, në Francë: “Kalorës i  Legjionit të Nderit”.

 Disa nga librat e Kongolit

Ne të tre (1985),

Karuseli (1990),

I humburi (1992),

Kufoma (1994),

Dragoi i fildishtë (1999)

Ëndrra e Damokleut (2001),

Lëkura e qenit (2003),

Te porta e Shën Pjetrit (2005)

Jeta në një kuti shkrepësesh, (2007)

Bolero në vilën e pleqve, (2008)

Iluzione në sirtar,  (2010)

Si-do-re-la, (2011)