“Fatkeqësisht, kritika letrare është pak e zhvilluar”

229

INTERVISTA/ Flet Kryetari i Shoqatës së Krijuesve për Fëmijë, Sazan Goliku

Sazan Goliku (emri letrar i Pandeli Koçit) ka lindur në Vlorë më 1942. Ka kryer Fakultetin Histori – Filologji në Tiranë dhe ka punuar mësues, punonjës kulture, gazetar, si dhe redaktor letrar në SHB “Naim Frashëri” e gjetkë. Që nga viti 1970 është marrë aktivisht me botimin e letërsisë shqiptare të botuar në Kosovë dhe ka qenë ligjërues i këtij krahu të letërsisë shqiptare në UT. Nga viti 1981 – 2002 ka punuar në sektorin e shtypit të Kuvendit të Republikës. Ka shkruar poezi, prozë e letërsi për fëmijë dhe tekste këngësh. Është marrë me kritikë letrare, recensione dhe ese. Është fitues i disa çmimeve kombëtarë dhe vendorë.

 Disa libra të autorit:

 Pasqyra e thyer (1972), Lule drite (1977), Grusht (1981), Intimitet, (1987), Aventurat e lirisë (1995), Epidemi kozmike (1996), Ëndërr dashurie (1996), Komitet e Malit të Bardhë (1999, 2011), Petalet e rëna (2001),

Trekëndëshi i qiellit të zi (2006), Turbull (2007), Mos harro se je Njeri (2010), Shpirtdehje (2011), Unë jam unë (2012).

 Cila është poezia apo tregimi juaj i parë, ku e keni botuar dhe si jeni  ndier?

Vargjet e para i kam shkruar në dërrasën e zezë, në klasën e katërt kur isha dhjetë vjeç. Ishte diçka për të qeshur. Nuk e mbaj mend kur kam botuar në gazetën “Pionieri” në ishte vjershë, tregim, skicë apo thjesht artikull për shkollën. Dorëshkrimet e asaj kohe i mbaja në një komodinë, por kur u largova nga Vlora nuk e di si humbën… Duke rënë pas leximeve të librave artistikë, i lashë pas dore mësimet, sidomos lëndët si matematika, kimia… Po në lëndët shoqërore shkoja shumë mirë.

Cili është mendimi juaj për kritikën në regjimin komunist, a ishte një kritikë profesionale dhe ndaj jush si ka reaguar kjo kritikë?

Duhet të jemi të qartë: Gjatë diktaturës letërsia e artet detyrimisht kishin në bazë estetikën marksiste-leniniste dhe parimet e realizmit socialist, që dihet ç’ishin. Edhe kritika letrare në gjykimin, komentimin e interpretimin e krijimtarisë letrare kishte parasysh këtë rregullore dhe brenda kërkesave të saj kishte “profesionalizëm”, që gjithsesi mbisundohej nga tendenca e fryma e  ideologjisë e politikës së partisë shtet. Por edhe brenda këtij rrethi u dalluan e u vlerësuan kritika të vlefshme dhe të mprehta sidomos në fushën e historisë së letërsisë. Për mua janë shkruar vetëm recensione të rëndomta. Unë kam qenë përherë në margjinat e letërsisë.

Në regjimin komunist a keni pasur rastin të takonit udhëheqësit e kohës dhe çfarë kujtimesh ruani me ta?

Në Kuvend kam pasur raporte pune vetëm me Sihat Tozaj, sekretar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Ishte njeri korrekt, i ndershëm dhe brenda bindjeve të tij – realist, sa herë-herë më trembte me gjykimet e tij për politikën e partisë. Edhe kolegu im Guro Zeneli ishte një publicist me shpirt altruist, që pa kurrfarë interesi vetjak përpiqej të ndihmonte, me aq sa mundte, njerëzit që kërkonin drejtësi. Ai e kishte pësuar dhe vetë nga diktatura.

Cili është libri juaj që është vlerësuar më shumë para rënies së diktaturës?

Libri “Pasqyra e thyer” me rrëfenja e tregime (1972) me recension të Kadaresë, si dhe libri me vjersha për fëmijë “Valë mbi valë” që mori Çmimin e Dytë në konkursin kombëtar. Të them të vërtetën, vetëm pas 1990-s u shpalosën mundësitë e mia krijuese.

Këto ditë ka dalë nga shtypi libri juaj me poezi “Unë jam unë”. A nuk ju duket se ka ekuivokë ky titull?

Ndoshta. Por unë kam dashur të shpreh thelbin e idesë së librit: Shprehjen e identitetit tim si shqiptar dhe vetëdijen se vetëm me luftë e përpjekje heroike për të ruajtur gjuhën e qenien tonë kemi mundur të jemi të lirë dhe të kemi shtetin tonë edhe pse tashpërtash të cunguar. Pra, “unë” domethënë “shqiptari”  Ky libër është tërësisht me poezi atdhetare. Realizova një premtim që i kam bërë vetes shumë kohë më parë.

Në prozën për të rritur shkruani kryesisht rrëfenja, d.m.th. flash stories. Pse?

Besoj se aty dhe te poezia e kam gjetur veten. Dihet, rëndësi nuk ka zhanri, po cilësia, origjinaliteti e inteligjenca e krijimit artistik. Një autor është i kënaqur nëse një lexues, kushdo qoftë ky, pasi mbaron së lexuari një tekst gëzohet ose dëshpërohet, ose padashur ngre vetullat gati i befasuar. Ky është tregues se efekti estetik e ka prekur emocionalisht.

Cili është mendimi juaj  për Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve në regjimin komunist dhe lidhja juaj me të?

Në gjithë botën ka organizata, shoqata e klube shkrimtarësh e artistësh organizuar mbi baza krejtësisht vullnetare. Lidhja e Shkrimtarëve e Artistëve te ne nuk ishte gjë tjetër veçse një organizatë brenda sistemit. Lidhja botonte të vetmet organe letrare te ne: gazetën Drita e revistën Nëntori, ku edhe unë kam botuar shkrimet e mia. Nga Lidhja kam marrë edhe leje krijuese.

Sot Lidhja e Shkrimtarëve është inekzistente, jeni dakord me këtë mosekzistencë?

Pas rënies së diktaturës ajo nuk mund të ekzistonte më si e tillë. Në kushtet e reja ajo nuk diti të rinovohej ose personalitetet më të zëshme të letërsisë e arteve nuk e deshën këtë, prandaj ajo ra në duar të askujt dhe faktikisht nuk vepron, çka do të thotë se nuk ekziston. Nevoja për një ose disa shoqata e klube letrare serioze, që të pranojnë ngjirin e tyre autorë të talentuar dhe sipas prirjeve e drejtimeve të ndryshme, janë të nevojshme për të krijuar klimë të shëndoshë letrare, për të qenë në krah të autorëve ndaj padrejtësive të mundshme, për të publikuar me realizëm vlerat artistike etj..

Kur e keni takuar për herë të parë Ismail Kadarenë e Dritëro Agollin, rrethanat?

Në fillim të viteve ‘60 një brez poetësh si Ismail Kadareja, Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Dhori Qiriazi, Vehbi Skënderi, Jorgo Bllaci etj., kapërcyen me guxim e me sukses retorizmin, një sëmundje letrare që te disa autorë vijoi deri në fund të viteve ‘80. Ne të rinjtë e asaj kohe këtë dukuri e shihnim si një dritë të re brenda gardhit me gjemba të realizmit socialist. Me Kadarenë, që e kam vlerësuar e pëlqyer që me librat e tij të hershëm si revolucionar të vërtetë në letërsinë tonë, më ka njohur, kur isha student, poeti Musa Vyshka duke ecur në trotuarin e mesit në fillim të Rrugës së Kavajës. Për mua ky takim ishte një kënaqësi e veçantë pavarësisht qëndrimit të tij të ftohtë, qëndrim, që unë e ka vërejtur më vonë, ai kishte mbajtur edhe me drejtues të diktaturës. Bisedat me Kadarenë më kishin krijuar bindjen se ai nuk ishte vetëm nga shkrimtarët tanë më të talentuar, po dhe njeriu më i zgjuar që kisha njohur. Agollin e kam takuar disa herë rastësisht. Ai u emërua Kryetar i Lidhjes në vitin 1973 dhe…

Kush ka qenë njeriu i parë që ju ka dhënë forcë për këtë rrugë dhe si e kujtoni sot?

I kujtoj me nderim të thellë mësuesit e mi të letërsisë në Gjimnazin e Vlorës si: Harilla Koculin për komentet pasiononte, Milo Dunin për shpjegimin e qetë e thellësinë e interpretimit të letërsisë antike, Vangjel Picin për komentet e gjera për poezinë e rilindësve e sidomos të Naimit. (Për ironi të fatit më vonë Milon e Vangjelin i burgosën për agjitacion e propagandë). Nëse kisha një shkëndijë pasioni për letërsinë, ata ma kthyen në zjarr që e ushqej deri më sot.

Ju jeni kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj. Mund të na flisni pak për letërsinë për fëmijë. Në çfarë situate ndodhet ajo sot?

Letërsia shqipe më e mirë për fëmijë, pavarësisht kushteve e rrethanave në këtë periudhë tranzicioni, është zhvilluar në sasi e cilësi, duke iu përgjigjur denjësisht kërkesave përherë në rritje të lexuesve të vegjël. Krijimet më me vlerë qëndrojnë denjësisht krahas atyre europiane e më gjerë. Komponentët e domosdoshëm për këtë letërsi si loja, humori, aventura të shtjelluara me fantazi janë të qenësishme në librat tanë, prandaj janë vepra të dashura për lexuesit e vegjël. Natyrisht nga këto krijime përjashtohet ajo pseudo-krijimtari që mbush raftet e librarive e bibliotekave po që meriton vetëm kritikën e heshtjes. Shpërfillja institucionale ndaj kësaj letërsie nuk i ka penguar shkrimtarët të kërkojnë e të shkruajnë veprat e tyre me përgjegjësi profesionale e shpirt krijues. Edhe vlerësimi nga botuesit lë shumë për të dëshiruar, po të kemi parasysh se pa miellin e bujkut, pra të shkrimtarit, nuk ka çfarë të gatuaj furrtari, pra botuesi dhe të tregtojë shitësi, pra librari, i cili mban 30-50 për qind të çmimit të librit, kur autori mund të marrë 10 për qind. Ekonomia e vërtetë e tregut nuk e pranon këtë praktikë absurde.

Po kritika e letërsisë për fëmijë a ekziston?

Po është fakt që ekziston. Por fatkeqësisht është më pak e zhvilluar se kritika për letërsinë për të rriturit. Po në ditët tona duhet të vlerësojmë studimet e kritikat e Astrit Bishqemit, Xhahid Bushatit, Xhevat Sulës, Vangjush Saros, Klara Kodrës, Bardhosh Gaçes, Bardhyl Xhamës, Riza Brahollit etj., të cilët, edhe në mungesë të përkrahjes institucionale, po japin ndihmesë të vlefshme në këtë fushë.

Dhe një pyetje të fundit. Ju shohim shpesh nëpër Tiranë me biçikletë ose duke ecur me hapa të shpejtuar. Nuk u pengojnë shtatëdhjetë vitet të keni një stil të tillë jetese?

Unë rrekem me çdo mënyrë ta sfidoj atë që me eufemizëm quhet mosha e tretë dhe besoj se ia kam arritur deri më sot. Një kuptim dialektik të lëvizjes e jep bukur edhe fjala e urtë e popullit: Vdekje të ketë, po pleqëri të mos ketë.