Fation Plaku: Ja si e “pushtuam” Everestin

1006
Sigal

Flet alpinisti që u ngjiti në majën e malit më të lartë në Botë. Emocionet kur bënë foto me flamurin shqiptar

Para disa ditësh në galerinë “FAP”, pranë Akademisë së Arteve, u hap ekspozita fotografike e alpinistit Fation Plaku, me foto nga ekspedita për ngjitjen e majës më të lartë në botë, malit Everest (8848 metra), i ndodhur në rajonin e Himalajave lindore, midis Kinës dhe Nepalit. Ngjitja historike, u realizua më 25 maj 2012, dhe ajo përkoi me 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Grupi i alpinistëve i përket Shoqatës “Dajti Alpino-Turistik”: Gerti Pishtari, Gjergj Bojaxhi, Xhimi Begeja, Fation Plaku, Erlin Rudho dhe Mateo Begeja. Fationi është një prej alpinistëve, të cilët në një rast të paprecedent, për herë të parë si pjesë e një grupi ngjitën me sukses majën më të lartë të botës, atë të Everestit, ku ngritën për herë të parë në histori edhe flamurin shqiptar. Z.Fation Plaku me anë të kësaj ekspozite, ku mori pjesë dhe Ambasadori Amerikan Alexander Arvizu, përcolli tek publiku atë udhëtim sa të lodhshëm aq edhe të paharruar e madhështor. Ekspozita kishte më shumë se 100 foto duke pasqyruar të gjithë ngjitjen deri në majën e botës. Përveç fotove, Plaku kishte përgatitur dhe një dokumentar ku u panë disa sekuenca kryesore në majën e malit. Gjithashtu pjesë e ekspozitës ishte dhe ekspozimi i të gjitha veshjeve dhe pajisjeve speciale të përdorura gjatë ekspeditës, të cilat përdoren vetëm në lartësitë mbi 7000 metra

Zoti Plaku, kur e morët vendimin për t’u ngjitur në majën e malit më të lartë në Botë, Everestit?

Rreth 18 muaj më parë, fill pas kthimit nga mali Elbrus i masivit të Kaukazit, ku dhe ndodhet pika më e lartë e kontinentit tonë, Europës. Unë isha një nga ata anëtarë të Shoqatës “Dajti Alpino-Turistik” që, filluan të përgatiten, për të synuar ngjitjen e pikës më të lartë të planetit tonë, majës Everest.

Çfarë stërvitje bëtë për tu ngjitur në këtë majë?

Fillimisht e konsideruam këtë ngitje si një synim. Them kështu, synim, ngase askush nuk e dinte, sikundër edhe sot askush nuk e di nga të tjerët, se cila është ajo “sasi” stërvitje dhe ajo “cilësi” përgatitjeje, që të mundëson ngjitjen e majës Everest, një nga majat e vështirësisë së shkallës së lartë. Por, tek e fundit trajneri ynë krijoi një plan të detajuar stërvitor, si dhe një linjë stërvitore kolektive të pleksur me stërvitjen individuale të secilit, që ne na çoi në një sukses ekipor të cilin askush nuk e mendonte kur u nisëm, më 2 Prill 2012, drejt majës më madhështore të rruzullit.

Cila ishte strategjia që ndoqët?

Ju afruam majës shumë ngadalë, deri sa u vendosëm në Kampin Bazë në 5000 lartësi. Gradualiteti i fitimit të lartësisë është një nga parimet bazë të arritjes së suksesit për të qëndruar në majën e Everestit.

A ju dha komplikacione kjo lloj ngjitje?

Ne jetuam pesë javë në rrëzë të majës, duke e parë atë për çdo ditë, kur në qiell nuk kishte re apo mjegull. Ne u sëmurëm dhe u shëruam, jo një herë nga komplikacionet në organizëm të cilat krijohen nga mungesa e oksigjenit deri sa e “detyruam” organizmin tonë të punonte me pak oksigjen.

Kur e “pushtuat” Everestin?

Më 20 maj të vitit që lamë pas, trupi ynë kishte arritur maksimumin e mundshëm të aftësive punuese në kushtet e ajrit të holluar të Himalajave, si dhe e kishim ngarkuar veten psikologjikisht, për të pasur zemër dhe vendosmëri që të sulmojmë majën. U nisëm dhe ia dolëm me sukses: më 25 maj 2012, maja Everest ishte nën këmbët tona!

Si u ndjetë pas këtij suksesi?

U kthyem nga maja, duke përjetuar ndjenjën se kishim realizuar aventurën më fantastike të kësaj bote! U kthyem krenarë që thyem rekordin botëror të ngjitjes në lartësi, rekord i cili qëndron gjithnjë atje, atje ku kanë shkuar para nesh shumë alpinistë dhe ku për çdo vit do të shkojnë të tjerë aventurierë që ta synojnë.

Cili është qëllimi i ekspozitës me pamje nga Everesti?

Ditët e qëndrimit në lartësitë e Himalajave, ku dominon kunji i rruzullit tonë u shoqëruan me shumë sakrifica fizike, emocionale, gastronomike, shëndetësore, etj. Ato u shoqëruan me përpjekje që shkonin në skajet fizike dhe emocionale të secilit. Për të treguar pjesën time në këto përpjekje, të cilat besoj se çdo individ e ka të vështirë t’i përsëdyti, kam ndërtuar këtë ekspozitë që tu përcjell jo vetëm anën time të historisë Everest, por njëherësh tu përcjell atë ego për arritje, atë shtysë për eksplorim që e ka mbartur nga brezi në brez raca njerëzore dhe që e shtyn edhe sot shoqërinë e kësaj toke ta tregojë në çdo fushë të jetës, elementë këto që e kanë bërë jetesën dhe mirëqenien të ecin përpara.