Fatbardh Rustemi/ Izet Shehu dhe liria e poetit

931
Sigal

Natyra lirike e poetit, ngërthehet në një dramacitet: sa vuajtës, po aq dhe grishës                    

Promovimi i librit “Flatërim” i Izet Shehut u bë në hollin e muzeut të qytetit të Lushnjës. Paksa provokative kjo, disi pretencioze, pasi muzetë njihen, si vendi i ekspozimit të figurave historike: me prijës e luftëtarë, me gërmime arkeologjike dhe relike, ku, promovimi i një libri, krijon përshtypjen e një myshku në trupin e një statuje antike. Sa herë ndodhem në një ambient të tillë, më kujtohet thënia e Çarl Çaplinit: ”Njeriu ideal e ka vendin në muze.” Duke qenë një trupëzim idesh, sikurse heroi pozitiv i realizmit socialist, njeriu ideal s’është gjë tjetër, veçse një shembull i predikuar, që, s’do ta imitojë kush. Tek kjo lloj sajese e ekzagjeruar moraliste mund të katandiset, çdo i dashur i yni, që, na mungon. Për t’i shpëtuar këtij lloj balsamimi idolatrik, Naimi shkroi vargjet e tij të famshme:

                                                              Mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall’ e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë.

          Këto vargje më silleshin në kujtesë gjatë gjithë kohës së promovimit të librit, si një prani e luftës së përjetshme midis: së gjallës dhe së vdekurës. Midis asaj që ikën përgjithmonë dhe asaj që mbetet mes nesh e pacenuar. Midis ngushëllimit dhe nderimit të vërtetë.

         Izet Shehu ishte njeriu, që, e njihja, por, që, nuk kisha ndenjur kurrë me të. Për shkak të origjinës, më dukej një pretencioz i pamotivuar dhe, si shumica e brezit të tij, i dhënë pas letërsisë ruse, sidomos ndaj Eseninit, shfaqnin një romantizëm disi arkaik. Dinin diçka më shumë nga të tjerët, por, jo se dinin aq shumë, sa të rrezatonin konteporanin. Duke lexuar librin e tij, jo vetëm që shtova njohjen, por, provova edhe njëherë tjetër, se, sa të gabuar jemi në njohjen e të tjerëve, nëse mjaftohemi me atë që duket, pa shkuar tek ajo që fshihet. I detyruar të ruhet për shkak të biografisë dhe, i trembur, të merrej me letërsi, prej së cilës të gjithë kishin telashe, si miku i tij Faslli Haliti, ai e ruajti gjatë pasionin për të, sikurse ata që ruajtën reliket fetare, duke pritur ditën e bekuar. Kështu pas viteve ‘90-të Izet Shehu botoi disa libra në prozë dhe poezi. Sigurisht vonë dhe, njëherësh i vonuar, por, kurrsesi i pa realizuar në ëndrrën e tij.

          Ky është libri i vetëm i Izet Shehut, që, diskutohej pa praninë e tij

 Në raste të tilla, rrezikon, që, promovimi të kthehet në një homazh për autorin dhe, fjala e mirë: duke i ngjarë një ngushëllimi, pa dashur, mund të shndërrohet në një rëndesë, në mos në një injorim therës. Pa thënë dhe këtë tjetrën: vdis pa të dua. Kjo mund të ndodhte: o për faj të autorit të munguar, o të gjithkujt, që, flet në një promovim libri pa e lexuar atë. Gjë që ndodh shpesh, ku me një nderim fals, librat pompohen, duke i kthyer autorët në apostuj të rremë, pothuajse mjeran. Duke ndjerë përgjegjësinë e një shpirtërori kundrejt një shpirtërori tjetër, siç duhet të ndodhë midis dy krijuesve, për më tepër që autori i librit, s’kish gjë tjetër në përfaqësimin e vetes, veç shpirtit, i lejova vetes të reagoja, me të vërtetën e fjalëve, sikurse i ndjejmë të gjithë, larg leverdisë dhe përshtypjeve shtirake. Shkrimet në prag të vdekjes, ngjajnë disi më fjalët e fundit të atij, që, pret ekzekutimin. Kjo mundësi e fundit për t’u shprehur, duhet të zgjojë energji, prej nga priten ngjizje të tilla, që, lënë gjurmë. Duhet të jetë një mobilizim i të gjithë qenies, për të marrë sa më pak me vete dhe, duke i lënë, sa më shumë tek të tjerët. Për mua, këto poezi janë të mjaftueshme, për të njohur një Izet, ndryshe nga ai, që, mbaja në kujtesë. Duke shpresuar, të jetë pikërisht ai, që, duhet të kenë njohur shokët, miqtë, të afërmit, veçse më me dritë, më prekës dhe, më me fuqi ndikuese. Karbunara e njohur për ashpërsinë e banorëve të saj, si vendi, që, i ka dhënë më shumë dëshmorë rrethit të Lushnjës, bëhet dhe më e plotë, me lirizmin e Izet Shehut, më këtë shkarkim të vonë, të një shpirti, që, akumulonte ndër vite vargje të pathëna kurrë. Por, dhe gjyshi Ibrahim Sheh Karbunara, i afishuar në një stendë të muzeut, duhet të ndjehet në një altar me nipin e tij poet.

                          “S’ka më keq se sa të ndjehesh i nënvlerësuar,

                                     Nga kalbësi, që kalben pa e kuptuar as vetë.”

          Sigurisht këto vargje i lind protesta ndaj një realiteti katundaresk, shpërfillës, cinik, që, të zë halli më së shumti në provincë, por, që, të zë turpshëm dhe në kryeqytet. Pasi, Shqipëria, e mbushur me gogoleshë e karabushë, të cilët, për shkak të pushtetit apo parasë, të gjithë inatin e parehatisë së tyre, që, s’kanë autoritetin e mjaftueshëm për t’u imponuar, zbrazen me mllef: mbi të aftët, të kulturuarit, të ndershmit e të talentuarit, duke pozuar të rëndësishmin, të fortin, të pushtetshmin, evropianin, pavarësisht se bëhen gazi i botës.

Ndjesia

          Nuk them se e kam ndjekur të gjithë krijimtarinë e Izet Shehut, por, tek poezitë e këtij libri, ndjeva poetin në këmbë të autorit të munguar, duke lanë pas kortezhit, dyshimin e dëshiruar: “Mos pandehni se kam vdekur.” U ndjeva kështu i detyruar, të reagoja ndaj ndjeshmërive të vjershave, sa poetike dhe kryengritëse, sa të brengosura dhe soditëse, sa të mprehta, po aq dhe rrëshqitëse. Tek e fundit më shtyn, të mendoja më gjer për të, pa e mëshiruar, nisur dhe prej këshillës së tij: “Edhe sikur të ngrijë magjia e penës dhe e penelit…Mos e humb drejtpeshimin, o udhëtar, pas një rrëmeti shkëlqimtar, ku dielli mburret me madhështinë e vet, duke mos u ligështuar as prej orgjive barbare të peshkaqenëve. Paçka se unë u rrita ndanë pyllit, ku ndërseheshin stuhitë dhe, Penelopa, mëkatonte me takt, me cjapin apo fqinjin e papjekur? Ku një kthetër e zezë mbërthen e zbërthen makutërinë e vet. Dhe pas këtij trazimi: Fluturat mos i qorto pse i vërtit era, pasi mëkati i lashtë i viseve kodrinore, shfaqet si një dilemë: Zjarrfikës qe apo piroman i zjarrit të epsheve? Ku gruaja më kot pret burrin e harruar në luftë, i cili me pushkën e ndryshkur vë në shënjestër një buf dhe, gruaja e lodhur prej pritjes jargos në livadh kërmillin e vet. Një si ajo, përkëdhel mermerin e burrit të vdekur, drithëron e ngjiret mbi qivur dhe, fill në të ikur, në lëkundjen e vitheve diçka e rrëqeth. Dhe guri lumturohet se e kanë harruar, kur të tjerët i kanë shkulur me rrënjë. Me penë në dorë, apo me një kokë gjithë shkëlqim, kjo s’ka rëndësi, pasi në sajesën e tij, poeti, i mbështjellë rri. Ndaj për të marrë mos më merrni, nëpër rrugë kur më gjeni! Ndërkohë rrëshqanori me shpirtin skëterrë, shterpëzon gjithçka dhe, në vend të japë llogari për katrahurën, guxon e kërkon medalje?!”

          I gjithë ky kolazh vargjesh, është i mjaftueshëm për të shprehur natyrën lirike të poetit, ngërthyer në një dramacitet: sa vuajtës, po aq dhe grishës. Edhe pse rebelizmi i kohës sonë, ngjan me një zbrazje arme në ajër, gjithsesi, nuk shkon pa u vënë re, nëse del prej shpirtit të shqetësuar të poetit:

                  Na u duk se e prekëm demokracinë,

                         Se e pamë vetëtimën e saj të beftë.

                         Vumë dhimbjet e të parëve mbi shpinë,

                         Vumë thirrjet e tyre në të errtë.

                         Mashtruesit, ulluqeve si minjtë,

                         Thurnin shpërgënjtë e pabesive.

                         Dhe u rishfaqën përsëri

                         Mbi vezët e gjarpërinjve.

           Është rasti këtu të përmendim dhe qenien e poetit, si deputet i partisë demokratike, në kohën e saj të shpresës. Por, me të ardhur koha e përfitimeve prej pushtetit, Izeti u fshi nga listat, vetëm se liria e poetit ishte me e shenjtë nga ajo, që, predikohet rëndomtë prej politikës klienteliste. Që, Noli, u fshi shpejt prej pushtetit, më shumë se sa gabimet e tij, janë fajet e një shoqërie, që, pranon të sundohet dhe jo të udhëhiqet, ku, në vend të mendjeve të hapura, u hap rrugë shpirtngushtëve, pasi rrugicat, pritat dhe kulisat kanë sfiduar përherë sheshin e burrave.

               Kur shoh det,

                     Më duket se kam shumë për të ecur,

                     Kur shoh një gur që hesht,

                     Them: Kam kohë që kam vdekur.

         Me të drejtë, mund të lindë pyetja: çfarë pa më shumë në jetë ky njeri, det apo gurë? Meqë e kemi të pamundur, të marrim një përgjigje prej autorit, le t’ia lëmë kohës ta vendos, se sa shumë ka ecur në kohën e demokracisë dhe, se sa pak ka heshtur në kohën e monizmit. Në këtë dilemë, ai s’është i vetëm, pasi aty jemi të gjithë. Një dëshmi e gjallë e kësaj që themi, është dhe fshirja në fasadën murale.