Fatbardh Marku: Nënë Tereza më përcolli qetësi, pasi të impononte të kontrolloje çdo gjest dhe të pastronte nga çdo mendim inatç

573
Sigal

PERSONAZH/ Flet piktori dhe skenografi Fatbardh Marku:  Kam realizuar mbi 200 skenografi dramash, estradash dhe komedish

Pas përfundimit të studimeve të larta për pikturë e caktuan në RTSH, si skenograf dhe si punonjës pasi Institutin e mbaroi me rezultate të larta. Sipas tij “të emëroheshe apo të punoje në atë kohë në RTSH ishte luks, por njëkohësisht dua të them se nuk dinim fare se si punohej në këtë institucion kaq të veçantë. Ne në atë kohë ne mundoheshim të mësonim nga RAI dhe unë doja të kisha informacionet e duhura për profesionin e skenografisë pasi e kisha zgjedhur vetë degë. Ishte shumë i befasuar nga skenografia pasi shikonte metafizikën e këtij profesioni në këtë vend pune. Në konceptin e tij, “ky profesion të mban në lëvizje, të ndjekësh zhvillimet për të bërë një gjë të re. Magjia e televizionit është e madhe, pasi emisionet aty ishin të pafundme. Ndaj dua të them (thekson Bardhi) se kam bërë pafundësisht skenografi me emisione të të gjitha fushave. Ka bërë skenografi, për emisione të ndryshme, për koncerte të mëdha, për Festivale këngësh, për Festivale në RTSH, emisione të muzikës së lehtë, emisionet speciale të vitit të Ri, etj. Portretet janë realizuar duke u mbështetur në portrete tipike të personaliteteve të njohura shqiptare, si dhe të gjitha shkrimet e shenjta janë në gjuhën shqipe.

 Ju folët për skenografi të Festivaleve të RTSH. Në sa Festivale keni bërë skenografinë?

Kam bërë skenografinë e nj Festivali. Ishte Festivali i 15-të. Dua të them se skenografitë e Festivaleve të tillë ishin shumë të rrezikshëm pasi shikoheshin me lupë zmadhuese. Një gabim apo një teprim që mund ët quhej modern interpretohej ndryshe. I shmangesha sa mundesha kësaj skenografie. I mbaj mend debatet që u bënë për Festivalin e 11 pasi atë vit unë u caktova me punë në RTSH. Pra ajo pjesë e Festivaleve nuk më tërhiqte, ndaj bëja çmos të shmangesha.

 Kush ka  qën drejt i RTSH, kur ju morët emërimin?

Atë vit kur u emërova ishte Todi Lubonja, pastaj rierdhi Thanas Nano, pastaj mbaj mend që erdhi Marash Hajati, i cili solli një frymë të mirë, një frymë më liberale, një frymë bashkëpunimi të panjohur më parë.

 Ju keni bërë dhe dy skenografi të dy filmave artistik televiziv/ Cilët ishin këta dy filma dhe si u realizuan.

Ishin filmat “Udha e shkronjave” dhe “Plumba Perandorit”. Këto filma kanë lënë gjurmë të thella tek teleshikuesi. “Udha e shkronjave” kishte regjisor Vladimir Priftin dhe kishte një skenar të mrekullueshëm dhe mblodhi rreth vetes aktorët më të mirë shqiptar. Ky ishte debutimi i parë televiziv në thellësi të kohërave, duke sjellë një moment historik të jashtëzakonshëm. Ky skenar ishte .Shumë skena janë realizuar në pyllin e Divjakës pastaj në Nartë, Në Zvërnec dhe  malet e Llogarasë. Po ashtu filmi “Plumba Perandorit” mbetet nj realizim i bukur dhe i vështirë. Rreth 90% është realizuar në Tiranë. Mbaj mend në atë kohë që Tirana transformohej nga skenat butaforike. Pra elementi  kryesor i këtij filmi ishte butaforia. Çdo gjë ndryshohej me elementë butaforikë të flamujve perandorak, afishe pa fund, kostumografi pompoze, skenografi pompoze, para jepte atë shkëlqim butaforik të perandorisë. Ishte një eksperiencë e bukur.

 Ju më vonë u larguat në teatrin “Skampa” në qytetin e Elbasanit. A solli risi në punën tuaj dhe jetën artistike ky qytet?

Në Elbasan isha larg syrit të pafajshëm të vëzhgimit. Në këtë qytet gjeta dhe qetësinë artistike, pasi tashmë mu dha mundësia dhe koha të merrem dhe me grafikën. Pa lënë pas dore teatrin. Me ardhjen e regjisorëve të rinj në vitin 1985, në teatrin e Elbasanit ndodhën ndryshime. Fryma e re kishte tjetër mënyrë pune. Atmosfera ndryshoi, Ardhja e regjisorit Spiro Duni bëri që tetari jonë të marrë të tjera performanca dhe hapësira.  Pati njëfarë ndryshimi dhe liberalizmi në shfaqjet e reja, të cilat nis do ishin vënë në skenë më para do të ishin shumë të rrezikuara. Të gjitha këto spikatën dhe çuan në realizmin e nj shfaqjeje të bukur me nj regji tejet të avancuar të Spiro Dunit “sa shumë gjethe të thara ranë ën atë vjeshtë”. Kjo ishte një komedi e Pëllumb Kullës e cila u trajtua në nj gjuhë jashtëzakonisht figurative. Kjo komedi bëri bujë në gjithë vendin ku ne morëm pjesë në një Festival Kombëtar në vitin  1989 ku si komedi dhe si aktorë u nderuan të gjithë me çmim të parë. Pra çdo zë apo element i komedisë zunë vend të parë, si regjia, spektakli, skenografia, drita, etj…

 Sa skenografi keni realizuar në tetar përveç atyre të emisioneve, spektakleve, etj.?

Mund ët them se në arkivin tim mund të kem rreth 150 skenografi teatrale të realizuara jo vetëm në Elbasan, por edhe në TK, në Fier, Durrës, etj…Por duke futur dhe skenografitë e estradave mund të jenë rreth 200 skenografi.

 Po me TK kur ke bashkëpunuar ?

kam punuar qysh në vitin 1974 duke bërë skenografinë e dramës “Lumi i vdekur” si i jashtëm, pasi funksiononte dhe në këtë mënyrë. Regjisore këtu ishte Drita Agolli. Në vite të ndryshme kam punuar dhe me Lazer Filipin dhe tashmë që jam  pjesë e teatrit Kombëtar vumë në skenë dramën “Një rrugëtim i gjatë  drejt natës” sërishmi me regjisorin Spiro Duni. Ishte një vepër e madhe, shumë e bukur e cila u mirëprit jashtëzakonisht. Kjo vepër kishte një gjuhë jashtëzakonisht të vështirë ku duhej nj regjisor i fortë ku dhe viheshin në provë së bashku me të dhe aktorët. Kjo dramë do lojë të fortë, aktorë të fuqishëm.

-Kush nga Sekretarët e parë në Elbasan ishin më të afruar me teatrin?

Mund të them se në përgjithësi të gjithë këta Sekretarë ishin të dashur me ne. P.sh Jashar Mezelxhiu ishte njeri dashamirës i teatrit, nuk kishte tendenca të pate gabimin. Ishte Pali Miska që vinte vazhdimisht dhe Hekuran Isai. Pra nuk kishim ndonjë presion apo kontroll me tendencë, jo. Nuk them se nuk na kanë lënë të punojmë. Personalisht nuk kam ndjerë asnjë presion në Elbasan.

Kur ke filluar të merrni pjesë si piktor në ekspozitat e regjimit komunist?

Për herë të parë kam filluar të marrë pjesë në vitin 1978 dhe pas atij viti thuajse kam marrë pjesë çdo vit. Në krijimtarinë time kishte  tematikë ndryshe, me idilet lirike, idilet e dashurisë, jetën e fshatit, natyrën dhe njerëzit dhe jo me kubikët e misrit. Kam krijuar njerëz që shijonin natyrën e bukur të fshatit, gjelbërimin, barin, pra pikturë si ndjeshmëri artistike të pa politizuar dhe butaforizuar. Të gjitha këto ishin dhe janë në grafik. Kjo është gjinia që unë preferoj më shumë. Pra bardhë e zi.

Po puna në vaj nuk është preferencë e juaja? Sa ekspozita personale ke hapur?

Është shumë pak, pasi unë ngulmoj në atë gjini, në atë punë që e bëj më të mirë se të tjerët dhe grafikën besoj e kam të një niveli të tillë. Edhe në pikturë nuk do isha keq, por këtu jam aty ku besoj nuk më konkurrojnë lehtë. Gjithsej kam hapur  3 ekspozita personale, njëra prej të cilave në vitin 1992.

Kush është ndërmarrja juaj më e vështirë në artin e pikturës?

Në vitin 1993 mua mu besua një detyrë e jashtëzakonshme për të bërë pikturat, ikonat, të gjitha afresket murale të një kishe në Elbasan. Kjo është kisha e Shën Pjetrit një kishë e vjetër me shumë vlera.

Si ta besuan këtë kishë?

Këtë kishë ma besuan pasi i kisha bërë një skulpturë dhe ja dhurova Nënë Terezës. Këtë dhuratë ja bëra kur ajo vinte dhe shikonte shtëpitë e fëmijëve që kishte në kujdestari. Skulptura është një guvë që shfaqet Shën Maria. Këtë skulpturë e punova për 6 muaj në vitin 1993. Kjo është 1.2 metra e lartë dhe është sot në një nga këto shtëpi. Fill pas një muaji mua më ofruan këtë punë, pasi kur i dhashë skulpturën dhuratë Nënë Tereza mori duart dhe mi bekoi. Se si u ndodha atë ditë. Duart mu bënë më të lira. Trupi më i lehtë. Ishte moment emocional. Fill pas disa muajsh  më erdhi kjo detyrë. Kjo kishë është në qendër të Elbasanit, është ndërtuar në vitin 1930 dhe është rindërtuar dhe menaxhuar nga bazilanët e Manastirit të Gropa Terrata në Itali. Aty janë të gjithë arbëresh. Të gjithë janë bazilainë të ritit ortodoksë katolik bizantin nën predikimin e Papës së Romës dhe quhen Kisha katolike Lindore. Kjo kishë (katolike Lindore ) krijoi një shtresë të re në profesionin tim, ose hodhi themelet e një krijimtarie të re të pakultivuar nga unë. Pra profesionalizmit tim i mungonte kjo shtresë, pasi nuk kisha punuar mbi artin bizantin. E plotësova këtë boshllëk. Në historinë e artit thuajse nuk përmendej arti bizantin. Teknikat e punimit bizantin kanë të veçantat e tyre. E veçanta e kësaj pune është se janë bërë 410 metër katror piktura murale ku punova nga 1994-‘98. Pas kësaj pune gjigande në këtë fushë mbas 11 vjetësh më ka ardhur një vlerësim i mrekullueshëm nga Vatikani “Kalvalier i Shën  Silvestrit”. Si duket Vatikani i studion shumë këto tituj dhe i vlerëson pasi dërgon specialistë që i shohin herë pas here. Këtu mësova dhe punimet në vitrazh. Vitrazh do të thotë punime të figurave artistike në xham. Një punë e vështirë por e bukur. Sot vitrazhi përdoret jo vetëm në kisha, por edhe në fasada dhe objekte të veçanta. Një gjini shumë e bukur që më magjeps, pasi aty punohen dhe figura gjeometrike pa diskutuar figurat artistike, apo shkrehje të ndryshme artistike. Këtu shfrytëzohet  transparenca e dritës në xham, loja e dritave në xham.

 Të ndalemi pak tek figura e Nënë Terezës, kur dhe si dëgjove për ardhjen e saj në Shqipëri?

 -Kisha dëgjuar për të kur erdhi për herë të parë dhe e shoqëroi Nexhmije Hoxha. Atëherë ardhja e saj bëri bujë. Ishte një lajm shumë sensacional për kohën. Kureshtja për figurën e saj bëri që të lexoj sa më shumë. U ndjeva krenar për jetën e saj kur dëgjova se ishte nderuar me çmimin Nobel. Kështu respekti për fenë m’u rrit ndjeshëm. Unë jam rritur nën hijen e kishës Katolike Lindore mbasi e kam përballë shtëpisë sime të lindjes.

 Çfarë të ka bërë përshtypje në figurën e Nënë Terezës?

Diku kisha lexuar se dy janë shqiptarët e mëdhenj me të cilët duhet të krenohemi patriku ikumenik i Kostantinopolit Atenagora, i cili me përqafimin e tij historik në Jeruzalem me Papa Palin e VI, hapi rrugën e mirëkuptimit të dy grupimeve më të mëdha të krishtera… dhe tjetra ishte Nënë Tereza, një figurë e madhe që gjithë bota i përulej me respekt. Si ajo nuk ka të dytë në botë. Kudo edhe sot ajo është unike në të gjitha drejtimet.

 Si u lidhe me motrat e Nënë Terezës në Elbasan? 

Në ditët e para të demokracisë, mu afruan motrat e saj të shtëpisë së Nënë Terezës në Elbasan në mënyrë të thjeshtë duke më kërkuar ndihmë për meshat që bëheshin në atë kohë përballë shtëpisë sime, ndihmë, të cilën unë ua jepja pa asnjë shpërblim. Duke parë punën e tyre në shërbim të njerëzve në nevojë, përkushtimin në punë, më lindi ideja për të bërë një skulpturë në oborrin e shtëpisë së tyre (Skulptura është një guvë që shfaqet Shën Maria.), gjë që ja thashë e ato e mirëpriten duke bërë shpenzimet e materialeve, vepra u realizua në fillim të vitit 1993.

 Kur dhe si ju lajmëruan për takimin me Nënë Terezën?

-Kishte disa muaj që vepra ishte realizuar dhe një ditë motrat në orët e paradites, më lajmëruan se kishte ardhur Nënë Tereza në Elbasan dhe donte të më falënderonte. U nisa me shpejtësi për atje dhe shtëpia ishte plot me kureshtarë. Motrat sapo më panë lajmëruan Nënë Terezën e cila mu afrua dhe më falënderoi, me kapi të dyja duart dhe mi mbështolli lehtas me të sajat duke më falënderuar dhe bekuar..Ishte një prekje hyjnore dhe mua mu krijua sensacioni  se nuk peshoja, sikur isha në ajër. Ajo ishte e vogël, më vinte deri te mjekra. Instinktivisht doja të gjunjëzohesha për tu barazuar por ndjeva kundërshtinë e saj dhe nuk munda ta bëj…

Ky ishte rasti për porosinë e kishës së Shën Palit?

-Po atë ditë mora porosinë për të pikturuar kishën e Shën Palit përballë shtëpisë sime.

Sa zgjati takimi me Nënë Terezën?

-Mbase zgjati disa minuta, por mua mu duk vetëm një çast dhe po atë ditë u luta bashkë me të dhe motrat e tjera në kapelën e vogël të tyre, privilegj i madh ky, ku dhe mora disa impresione për të realizuar një grafikë.

 A kishe mundësi të rrije gjatë me Nënë Terezën?

-Kurrsesi jo, ndaj them isha me fat. Kur vinte ajo ishte kaq shumë e rrethuar me të tjerë saqë ishte e vështirë të rrije me të, thuajse e pamundur… Unë vetëm atëherë e kam takuar dhe shkëmbyer dy fjalë falënderimi…

 Si e kujton sot atë ditë?

-Gjithmonë e kujtoj atë ditë. Një rast i rrallë që pak vetave u takon në jetë. Ajo të përcillte vetëm qetësi, të impononte të kontrolloje çdo gjest dhe të pastronte nga çdo mendim inatçor, mëkatar, që mund të të prishte këtë qetësi. Sa herë e kujtoj them me vete: unë kam patur fatin të takoj një engjëll, engjëjt nuk rrinë vetëm në qiell, unë e takova këtu, në tokë.