Faji i gruas!

767
Ilir Kadia

Tre ditë lashë nam nëpër shtëpi. Kërkoja dhe nuk i gjeja çelësat e mi. Kryesori, çelësi i garazhit. Kërko e shaj gruan! Ajo merr pantallonat e mi i hekuros, merr xhaketat e xhupat e mi andej këtej nëpër shtëpi dhe i vendos nëpër varëse… e deri rrobat e reja i blen për mua pa më pyetur! Se po të qe për mua as për 100 vjet s’më bie ndërmend të ndërroj garderobë! Pardje p.sh më bleu një xhup pa mëngë! Asaj i pëlqeu shumë! Mua… hajde më! E mora e s’di më tej. Nejse, e lamë tek çelësat! Ku nuk i kërkova! Në të gjitha xhepat, raftet more, po deri tek shtëpitë e makinat e djemve. U tërbova fare. Kërkoja e shaja gruan! Ku m’i ke futur?! Apo i ke fshehur më qëllim që të mos dal nga shtëpia. Ajo me qetësi më thosh të mos mërzitesha se nuk më bën mirë për diabetin. I ka fshehur shejtani, tha, ja sikur kanë dalë! Por u bënë tre ditë! 

Sot paradite kur ajo shkoi në punë, më shkoi mendja tek xhupi pa mëngë. Thashë ta veshja e t’i krekosesha vetes si qëmoti para pasqyrës me duar në xhepa! Ashtu bëra! E gjeta, e vesha, dola para pasqyrës, futa duart në xhepa dhe… në xhep të djathtë çelësat!!! 

U gëzova më shumë se Duka kur u rizgjodh Presidenti i Federatës sot. 

Mora fill gruan në telefon t’i jap lajmin e gëzuar. 

-Po shyqyr, o burrë, se na çmende! Ma vije fajin mua gjithë kohës! 

-Po faji yt ishte! A ma bleve ti xhupin pa mëngë?! -i thashë e mbylla nervoz telefonin.


Sigal