Faik Konica, si u dëbua me anije nga Korfuzi në Triste me urdhër të konsullit austriak

689
Sigal

Në nëntorin e vitit 1913, Faik Konica u largua nga oborri i Esat Pashës, në Durrës prej 6 Fuqive të Mëdha

 Princi Vilhelm Vidi arriti në Durrës më 7 mars 1914 në orën 3 pasdite. Në fakt Esat Pashë Toptani, pak kohë më parë kishte nxitur Faik Konicën që të organizonte demonstrata dhe protestat kundër Vidit. Këtu bëhet fjalë për nëntorin e vitit 1913, kur Faik Konica punonte si përkthyes dhe si konsulent në kabinetin e Esat Pashës, pikërisht në sarajet e Durrësit. Por ndodhi e kundërta. Faik Konica me urdhër të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, (KNK), u dëbua nga Shqipëria. Dhe Esat Pashë Toptani ishte njeriu që e priti triumfalisht Vidin, në emër të shqiptarëve për t’i dorëzuar kurorën. Më tej, për kryeqytet të Shqipërisë Princ Vidi zgjodhi pikërisht Durrësin, ku edhe kishte ndikim të fortë Esat Pashë Toptani. Esat Pasha me qëllim që të siguronte një pozitë me rëndësi në kabinetin qeverisës të princ Vidit, zyrtarisht deklaroi se e mirëpret caktimin e tij për princ të Shqipërisë, por fshehurazi vazhdoi tërë kohën, të nxiste lëvizjen për një princ mysliman në vend. Më 17 mars Vidi formoi qeverinë e re shqiptare, në krye me Turhan Pashë Përmetin, një diplomat i vjetër që kishte qenë ambasador i perandorisë Osmane për 25 vjet rresht në Peterburg të Rusisë. Kabinetin e tij qeveritarë e përbënin: Esat Pashë Toptani-Ministër i Luftës dhe i Punëve të Brendshme, Aziz Pashë Vrioni-Ministër i Bujqësisë dhe i Tregtisë, Myfit bej Libohova, Ministër i Drejtësisë dhe i Kultit, Dr. Mehdi bej Frashëri-Ministër i Financave, Hasan Bej Prishtina, Ministër i Postë-Telegrafikeve. Dr. Mihal Turtulli-Ministër i Arsimit; 7. Prenk Bib Doda-Ministër për Punët Botore.

Kush e dëboi Faikun

Faik Konicën e dëbuan strukturat ndërkombëtare të 6 fuqive të mëdha. Në atë kohë Faiku po bënte shërbime të bindura ndaj oborrit të Esat Toptanit dhe ishte njëri prej njerëzve më të besuar të Esatit. Por para ardhjes së Princ Vidit Faik Konica me urdhër të Esat Pashë Toptanit filloi të shante Vidin, duke u tallur me të. Madje, duke thënë se po të vinte Vidi në Shqipëri, ai, Faiku do të organizonte protesta me popullin. Kjo nuk i pëlqeu ndërkombëtarëve që dukej se nuk po gjenin karar me Shqipërinë. Dhe zgjidhja me Vidin kishte qenë mundësia e fundit për të njehsuar gjykimin e të 6 fuqive të mëdha. Por Faiku kundërshtonte. Prandaj atë e hoqën nga oborri i Esat Toptanit, së bashku me një nga nipërit e Toptanëve që ishte Fadil Pashë Toptani. Në Durrës ishte përhapur me shpejtësi lajmi për dëbimin e Faik Bej Konicës dhe Fadil Pashë Toptanit. Ata njiheshin si mbështetës të Esat Pashës. Kjo tregonte se marrëdhëniet midis tyre ishin plasaritur. Mbase Esati mund të ishte detyruar ta bënte këtë largim. Arsyeja ishte e njëjtë, si në të gjitha rastet e dëbimeve të bashkëpunëtorëve. Në atë periudhë kohore, Esati po servilosej pa asnjë rezervë ndaj Princ Vidit, i cili pritej të vinte nga dita në ditë. Dukej se intrigat e tij nuk kishin funksionuar në shërbimet ndaj grekëve, serbëve apo malazezëve. Më në fund, ai mendonte se shansi i vetëm mbetej Princ Vidi. Ndaj bëri një fushatë promovuese për Vidin në një formë të përsosur. Qysh në fillimet e veta fushata numëroi dy “viktima”, të cilët ishin Faik Konica dhe kushëriri i Esatit, Fadil pashë Toptani. Akuza ndaj tyre ishte se shanin dhe denigronin Princ Vidin. Ky qé shkaku i dëbimit nga oborri i qeverisë toptanase. Thuhej se para dëbimit, Esati i ndiqte të dy miqtë e tij të vjetër me spiunë të paguar mirë. Por më vonë u sqarua plotësisht se shkaku i largimit të Faik bej Konicës dhe Fadil pashë Toptanit, kishte ardhur në formë urdhri nga konsujt italianë dhe austriakë. Kjo për arsye se Faiku dhe Fadili, megjithëse ndiqeshin nga spiunët, kishin deklaruar se me mbërritjen e Princ Vidit, do të organizonin një demonstratë kundër tij. Madje, do ta fërshëllenin sapo të zbriste në tokën shqiptare. Këtë veprim ata do ta bënin në shenjë servilizmi ndaj Esat Pashës, për t’i treguar atij, se, “ne të njohim vetëm ty, si princ të shqiptarëve”. Për këtë arsye, konsulli austriak thirri Esat Pashën dhe e pyeti si qëndronte problemi në fjalë. Ndërsa konsulli Lamb, bënte të paditurin për një fakt të tillë. Ai mendonte se divergjencat midis tyre duhej të kishin lindur për çështje të brendshme, si pjesë e stafit të Esatit. Austriakët i thanë Esatit se, gjuha që po përdorej tregonte mungesë respekti ndaj dy qeverive që ishin mbrojtësit e natyrshëm të Shqipërisë. Esati kroi kokën. Prej vitesh i kishte pëlqyer ta quanin princ të ligjshëm të shqiptarëve. Madje edhe Faik Konica i kishte lënë përshtypjen e një oborrtari të talentuar. Midis të tjerave konsulli austriak i tha Esatit se për heqjen e  Faik Konicës edhe konsulli italian mendon të njëjtën gjë. “Ata duhen dëbuar nga Durrësi, – tha konsulli austriak në formë ultimative. Esat Pasha e kuptoi që ardhja e konsullit ishte shenjë e qartë e garancisë për mbijetesën e tij të ardhshme. Ndaj pranoi t’i bënte kurban dy nga besnikët e vet më të devotshëm dhe më të njohur për subjektet e intrigave të thurura ndaj të tjerëve. Vapori i tyre do të nisej po atë mesditë. Konsulli Lamb, duke dëgjuar sirenën e anijes që nisej nga Korfuzi për në Trieste, e cila dëbonte dy bashkëpunëtorët e Esatit, kishte thënë: Asnjë prej dy personave nuk ka një karakter të atillë, sa të thuash se largimi i tyre mund të shihet si ndonjë fatkeqësi e madhe. Jam i sigurt se pa kaluar shumë kohë, ata do të kthehen në Shqipëri. Të dy konsujt, italian dhe austriak, i rekomandonin Esatit të kontrollonte mirë partinë që dukej e armiqësuar me princin, madje edhe duke përdorur forcën, në rast se lindte nevoja. Ndërsa Vidi, Me t’u vendosur në fronin e Shqipërisë, princ Vidi u përpoq të zgjidhte problemin më urgjent dhe më të ndërlikuar të vendit, atë të largimit të trupave greke nga Shqipëria e jugut dhe të vendosjes së administratës shqiptare në këto vise . Por qysh në fillim ai tregoi se nuk ishte i vendosur të mbronte deri në fund, pa kompromis interesat e shtetit shqiptar. Për të zgjidhur këtë çështje ai hyri në bisedime me qeverinë “vorio-epirote” të shpallur në Gjirokastër. Dhe për këtë qëllim Vidi caktoi si komisar të jashtëzakonshëm për Shqipërinë e Jugut oficerin holandez Tomson, i cili kishte ardhur në Shqipëri për të ristrukturuar xhandarmërinë shqiptare. Ky shkoi në Korfuz dhe më 10 mars zhvilloi bisedime me përfaqësuesin e “vorio-epirotëve”, Karapanon. Dhe që atë ditë gjithçka tjetër dështoi në veprimtarinë e shkurtër të princ Vidit.