Fadil Kepi – akademik honoris causa i certifikuar nga opinioni

1853
Nga Prof. Dr. Zyhdi DERVISHI
Shtatmesatar, me mbipeshë si të përllogaritur për t’i dhënë lëkurës së tij transparencë të veçantë. Sytë e kaltër dhe flokët e bardha, përherë të ndritshme e shumëfishojnë transparencën që buron nga thellësitë fisnike të shpirtit të tij. Herët në mëngjes dhe në mbrëmjet e vona, ditët me diell përvëlues dhe mbrëmjeve me të ftohtë cingëritës atë e shikon të ecë me ritëm rinor sidomos rrugëve të Tiranës dhe të fshatrave përreth saj. Takon e bisedon buzëqeshur me shumë njerëz, të grup-moshave të ndryshme, veçanërisht me ato të moshës së tretë. Shumë shqiptare, veçanërisht banorë të Tiranës, të Vorës, të Durrësit e të Prezës me këtë përshkrim lakonik do të identifikonin pa kurrfarë mëdyshjeje specialistin më të shquar për problematikën komplekse ekonomike, sociale e psiko-kulturore të sigurimeve shoqërore, të pensioneve dhe pensionistëve në Republikën e Shqipërisë, zotin Fadil Kepi. Është energjik e punë-shumë si rrallëkush në moshën e tij. Nëse do të perifrazonin një sociolog të shquar do të thoshin se nuk të besohet që djaloshi Fadil Kepi është 76-vjeçar.
1. Vazhdues i denjë i virtyteve më të arrira
Fadil Kepi ka lindur në Prezë, e cila ka qenë një nga qendrat urbane më të rëndësishme të hapësirës shqiptare nga shekulli i II Para Erës së Re deri në fillim të shekullit XX. Në veprën “Historia e Skënderbeut” Marin Barleti e ka emërtuar Prezën edhe si Tirana e Vogël. Vitet e para të shekullit XX, një nga kapedanët më të mëdhenj të shqiptarizmës, të artit, të studimeve të kulturës shqiptare e njëherazi martir i shkencave antropologjike të popullit shqiptar, At Shtjefën Gjeçovi (1874-1929) shkroi novelën “Mnera e Prezës”. Kjo novelë trajton problematikën e emancipimit të vajzave dhe grave në shoqërinë shqiptare gjysmë-feudale të fillimshekullit XX. Gjeçovi ngjarjet e kësaj novele i ka vendosur në qytetin Prezës, të cilin e përshkruan me standardet më të arrira të një qendre urbane. Në rrjedhën e trazuar të historisë qyteti i Prezës është ngritur dhe rrënuar disa herë në rrafsh arkitektonik dhe ekonomik. Por në rrafsh shpirtëror modelimi psikokulturor i banesave të Prezës, veçanërisht në profilet e tij më të ndritshme është konsoliduar e zhvilluar pandërprerë. Ndër profile të tillë më të rëndësishëm mund të konsiderohen prirja për të ndihmuar të tjerët me shpirt altruist, qëndrimet larg skajshmërive politike, mençuria për të tejkaluar mosmarrëveshjet e kontradiktat me kosto sa më të ulët në shumë rrafshe, komunikimi me fjalën e ëmbël duke shmangur paragjykimet e përgojimet e ndërsjella etj. 

Familja ku është lindur, rritur dhe shoqërizuar Z. Fadil Kepi në rrjedhën e disa brezave i kishte të brendësuara në shkallën më të epërme vlera kulturore të tilla. Në rrjedhën e disa brezave deri te babai i tij Tahiri, fisi Kepi ndër banorët e Prezës është karakterizuar si “fis njerëzish mejti”, domethënë fis burrash aq të urtë e të mirë që nuk konfliktohen me askënd, pra që nuk mund të vriteshin për gjak.

Dhe vetë Z. Fadil i ka avancuar më tej vlerat e fisit Kepi dhe të fisit Demirixhiu të nënës. Nëna e tij Deje është dekoruar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë si nënë që “ka lindur dhe edukuar mirë 7 fëmijë”. Ata kanë punuar, punojnë dhe jetojnë me ndershmëri, përkushtim dhe korrektësi të admirueshme nga banorët e Prezës dhe më gjerë.

I shoqërizuar me virtytet më të arrira z. Fadil ka rrezatuar dhe rrezaton mençuri, mirësi e frymë altruizmi në të gjithë mjediset universitare, të institucioneve shtetërore e kulturore, të medieve e organizatave shoqërore ku ka studiuar, punuar dhe vazhdon të punojë si ekspert i nivelit më të lartë të mjaft çështjeve sociale dhe veçanërisht të sigurimeve shoqërore, të pensioneve etj. Në harmoni të përhershme me bashkëshorten Zyra, Z. Fadil ka brumosur edhe vajzën Albana, specialiste në fushën e bankave dhe djalin Ervin, ekonomist i diplomuar në Universitetin New Yorkut, Tiranë. Madje ai ka dhënë dhe jep ndihmesë të veçantë për mirëshoqërizimin e mbesave e të nipave në linja të fisit dhe sidomos të mbesave nga djali dhe vajza.
2. Virtuoz e dinjitoz në të gjithë linjat e komunikimit
Në rolin e ekspertit me nivelin më të epërm të kualifikimit profesional për çështje të sigurimeve shoqërore Z. Fadil Kepi për vite me radhë ka qenë dhe është i pranishëm në media të ndryshme, si gazeta, televizione, radio etj. Shpesh ai u është përgjigjur dhe i përgjigjet drejtpërdrejtë pyetjeve të të interesuarve për probleme të sigurimeve shoqërore, veçanërisht për ato të pensioneve. Komunikimet e tij publike janë shumë interesante sepse karakterizohen nga këto veçori kryesore:

E para. Z. Fadil Kepi njeh në detaje legjislacionin e Republikës së Shqipërisë për sigurimet shoqërore që është në fuqi dhe atë që ka qenë në fuqi vite më parë, madje edhe atë të periudhës së regjimit socialist totalitar dhe më parë. Një njohje e tillë e regjistruar në hardiskun e një kujtese të admirueshme, gati kompjuterike e ndihmon atë të japë në pak sekonda përgjigje të saktë edhe për problemet më të ndërlikuara. Reagimi i shpejtë profesional, intelektual i Z. Fadil Kepi i përngjet funksionimit të një programi kompjuterik të sofistikuar. Në këtë aspekt ai sfidon shumëçka, veçanërisht moshën e vet.

E dyta. Pas vitit 1990 deri në ditët tona në Republikën e Shqipërisë zhvillimi i ekonomisë së tregut dhe procesi i demokratizimit të jetës së vendit janë shoqëruar me vështirësi e sfida të shumëllojshme si mosfunksionimi normal i mjaft strukturave shtetërore, evazioni fiskal, shmangia e mjaft firmave private, madje edhe e strukturave shtetërore të caktuara nga detyrimet për t’u paguar punonjësve sigurimet shoqërore, shëndetësore etj. Në rrethana të tilla trajtimi, sidomos në nivele publike i problematikës së sigurimeve shoqërore kërkon, veç të tjerash, edhe guximi politik dhe intelektual. Z. Fadil Kepi ka qenë dhe është gjithnjë në ballë të përpjekjeve të tilla guximtare për të pohuar publikisht të vërteta të hidhura të shoqërisë shqiptare për shumëçka, veçanërisht për çështje të sigurimeve shoqërore, të pensioneve. Gjatë bisedës në një nga televizionet jopublike më të rëndësishme të hapësirës shqiptare ai deklaroi fare hapur se ky televizion ka rreth 700 punonjës, prej të cilëve vetëm 35 ose vetëm 5 për qind janë të siguruar, madje edhe për këta televizioni paguan kontribute të vogla, në kufijtë e minimales. 

E treta. Duke pasur vizion të qartë profesional, përvojë shumëvjeçare dhe intuitë praktike Z. Fadil Kepi u ka sugjeruar strukturave përkatëse shtetërore zgjidhje racionale të guximshme për shumë çështje që kanë të bëjnë me mungesa në dokumentacion për kategori të ndryshme punonjësish që kanë punuar përgjatë viteve të regjimit socialist totalitar, veçanërisht në kooperativat bujqësore, me trajtimin analogjik e logjik të mjaft situatave të mungesës problematike të dokumenteve të caktuara, të cilat në mënyrë të pakontestueshme kanë ekzistuar në vitet e funksionimit të ekonomisë socialiste të planifikuar e të centralizuar në Republikën e Shqipërisë, me shmangien e mjaft proceseve gjyqësore të kushtueshme dhe psikologjikisht sfilitëse për mjaft pensionistë etj. 

Me trajtimin e problemeve të tilla Z. Fadil Kepi shpërfaq në mënyrë sintetike profilin e tij altruist, angazhimin e tij sistematik për t’u gjendur në krah pensionistëve dhe përgjithësisht njerëzore në nevojë, guximin e tij për t’u përballur haptazi me strukturat përkatëse të shtetit shqiptar, të cilat sidomos përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit jo rrallëherë kanë nëpërkëmbur qëllimshëm ose pa dashje interesa jetike të grupimeve të caktuara sociale, veçanërisht ato të moshës së tretë.

Përvoja tregon se vetëm njerëzit e ndershëm, të cilët në karrierën e tyre profesionale e shoqërore nuk kanë asnjë njollë, mund të afishohen publikisht me kuota të tilla të larta guximi profesional e politik, shoqëror e intelektual. Z. Fadil Kepi ka kryer detyra të rëndësishme në struktura të ndryshme administrative, ekonomike e kulturore të shtetit shqiptar. Duke qenë se përfundoi studimet me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, ai ka punuar si pedagog në shkollat e larta, nëpunës i niveleve të larta në Ministrinë e Arsimit e të Shkencës, në Bankën e Shqipërisë, në Ministrinë e Financave, Kryetar Bashkie në Vorë dhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, përgjegjës i Sektorit të Përgjithshëm në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë etj. Në detyra të tilla shumëkush mund të përgojohej për shumëçka. Ndërsa Z. Fadil Kepi i ka kryer me sukses funksione të tilla me kuotat më të larta të korrektësisë, të ndershmërisë. Ai jo vetëm ka qëndruar vite drite larg çdo abuzimi, por edhe ka ruajtur personalitetin e tij nga çdo hije korrupsioni, në të cilat mund të jenë përfshirë kolegë përreth tij.

E katërta. Përvoja historike provon se një nga faktorët që ka ndikuar më shumë në zhvillimin me ritme më të shpejta të shoqërive më të urbanizuara të Perëndimit, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, ka qenë dhe është profilizimi i ngushtë i specialistëve. Në këtë aspekt shoqëria shqiptare, sidomos përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, ecën në kahe të kundërt. Shumë shqiptarë, pa ose me dashje kanë ndryshuar herë pas here profesionin e tyre. Ndërsa Z. Fadil Kepi në këtë anë shpërfaqet plotësisht sipas standardeve perëndimore. Nëpërmjet punës sistematike shumëvjeçare ai është vetëformatuar si specialisti më i kualifikuar i problematikës së sigurimeve shoqërore, veçanërisht të pensioneve. Në një shtet që funksionon normalisht Z. Fadil Kepi do të duhej të ishte kryekëshilltari i strukturave përkatëse shtetërore më të larta, pavarësisht ngjyrave politike të partive në pushtet. Angazhimi i tij në detyra të tilla nuk do të ishte thjeshtë një nderim për Z. Fadil Kepi, por një shërbim dinjitoz, i frytshëm në dobi të interesave jetike të popullit shqiptar. Përvoja tregon se një nga burimet kryesore të gjithë fuqisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është edhe bazimi i strukturave shtetërore në mençurinë e specialistëve më të kualifikuar, pavarësisht nga mosha e tyre. 

Ai është gjithnjë i buzëqeshur. Buzëqeshja e tij e ndritshme në bisedat mes miqsh, në këshillimet e të interesuarve të shumtë për çështje sociale, në bisedat publike në shumicën e televizioneve që funksionojnë në Republikën e Shqipërisë shpreh në mënyrë sintetike shpirtin e tij të fisëm, sigurinë e plotë në saktësinë e mendimeve që shpreh, dashamirësinë e përkushtimin altruist për çdo shqiptar, mik (ai ka miq të shumtë), të njohur e deri të panjohur.
3. Vlerësime të epërme për shumëçka
Për veprimtarinë profesionale, studimore e publicistike të Z. Fadil Kepi kanë shprehur vlerësime studiues me grada e tituj shkencorë më të lartë, shkrimtarë e gazetarë të shquar etj. Shkrimtari i shquar Dritëro Agolli e ka karakterizuar “të mrekullueshme veprimtarinë e Z. Fadil Kepi edhe në institucion, edhe në politikë”. Studiuesi shqiptar më i kualifikuar për radiot shqiptare dhe historikun e tyre, Doktori i Shkencave të Komunikimit Arben Muka, në punimin monografik “70 radio shqip në 70 vite (1938-2008)”, ndër të tjera, ka shkruar: “Një nga emisionet më të ndjekura të Radios Fantazi ishte biseda me ekspertin e njohur të pensioneve dhe sigurimeve, Fadil Kepi. Një emision i drejtpërdrejtë që bazohej në interesimin e dëgjuesve për problemet e tyre personale apo të familjes. Kavaja, është një nga qytetet me nivel shumë të lartë të emigracionit, kryesisht në Italinë fqinje. Të shkëputur nga punët në Shqipëri, të afërmit e tyre kërkonin të dinin nëse përfitojnë pension dhe çfarë mase. Fadil Kepi një njohës i mirë i problemeve, por dhe një komunikues i durueshëm dhe i pasionuar sqaronte dhe risqaronte në minutazhin e tij procedurat e reja në lëmin e sigurimeve, ndryshimet në legjislacion, mënyrat e përllogaritjet etj.” Ndërsa gazetarët e “Telegraf”, që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë me z. Fadil Kepi prej më shumë se 8 vitesh, kanë theksuar se ndër të tjera, shprehet për bashkëpunimin afatgjatë me Z. Fadil Kepi. Ata nënvizojnë: “Mund të them me plot gojë, që është krenari të punosh me Z. Fadil Kepi. Është njeri korrekt, shumë i zoti,profesionist dhe me shumë vizion për legjislacionin e pensioneve”.

Gjithashtu Z. Fadil Kepi ka dhënë ndihmesë të veçantë edhe për rilevimin e vlerave, veçorive subkulturore të zonës së Prezës. Ai ka botuar disa shkrime analitike në gazetën “Preza” dhe në disa gazeta të tjera. Edhe për këtë veprimtari ai është vlerësuar me kuota maksimale nga personalitete të kulturës shqiptare. Madje gazetari dhe publicisti i shquar Kristo Mërtiri ka botuar edhe një poezi në gazetën “Telegraf” të datës 23.07.2011. Në vijim po citojmë tri strofa të saj:
Kjo kumuri’ e bukur
Zërin ku e gjeti
Ja fali në Prezë
Vetë Fadil Kepi.
Tek ky burrë i mençur
Me themele Prezë
Falen hallexhinjtë
Marrin pakës rreze.
Falen gazetarët
Me një barrë shkollë
Kurrë s’thotë u lodha
Është institucion.
Ndërkohë gazetari Fran Gjoka, në një shkrim të botuar me rastin e 75-vjetorit të lindjes së Z. Fadil Kepi e ka krahasuar për nga rëndësia dhe qëndrueshmëria veprimtarinë e tij profesionale dhe kulturologjike si diamant i pazhbëshëm.
4. Një titull shkencor i veçantë
Z. Fadil Kepi është autor i më se 1000 shkrimeve të botuara në revista e gazeta të ndryshme si “Telegraf”, “Mësuesi”, “Panorama”, “Shekulli”, “Preza” etj. Ai gjithashtu ka botuar 5 libra: 
1) 1001 pyetje për problemet sociale
2) A doni të dini për pensionet, papunësinë, ndihmat ekonomike dhe problemet e tjera të sigurimeve shoqërore 
3) Legjislacioni për problemet sociale
4) Ja ç’duhet të dini për pensionet
5) Ligji i ri për sigurimet shoqërore,

të botuar nga Shtëpia Botuese “Morava” (Tiranë 2015). Në këtë libër trajtohen me kompetencë profesionale problemet bashkëkohore të shoqërisë shqiptare që kanë të bëjnë me mekanizmat juridiko-ekonomike të përllogaritjes së pensioneve, me pensionet sociale dhe rëndësinë e shumanshme të tyre, me sigurimet e emigrantëve shqiptarë që punojnë në vende të tjera dhe të fermerëve, me lejet e lindjes dhe shpërblimet përkatëse etj.
Sidomos përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit shoqëria shqiptare përjeton trysninë e paradokseve të shumëllojshme problematike, dramatike e deri qesharake.

Një nga paradokset më shqetësuese për të tanishmen dhe të ardhmen, së paku të afërt, po traumatizon edhe veprimtarinë kërkimore shkencore. Jo pak specialistë mbajnë tituj të lartë shkencore si “profesor” dhe “akademik” pa pasur kurrfarë kontributi real në shkencë, madje me shumë hije dyshimesh në personalitetin e tyre. Ndërsa me Z. Fadil Kepi ngjet e kundërta. Ndonëse ka kontribute reale në shkencë dhe ka formatim më dinjitoz të intelektualit, ai nuk ka as titullin “profesor” dhe as atë “akademik”. Unë mendoj se Z. Fadil Kepi mund të karakterizohet si “akademik honoris causa”, për t’u dalluar nga akademikët e paaftë e me personalitet të gjymtuar. Këtë titull nderi atij ia ka akorduar opinioni i shëndoshë i shoqërisë shqiptare, qindra e mijëra shqiptarë që kanë komunikuar me të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet teknikave të komunikimit masiv. Unë vetëm po e artikuloj një vlerësim të tillë real, më të epërm, plotësisht të merituar dhe që kurrsesi nuk njolloset nga interesa të caktuara vetjake, qofshin këta ekonomike, politike etj.

Shënim: Si drejtor i Gazetës “Telegraf”, u ndjeva shumë i gëzuar kur u takova me Prof. Zyhdi Dervishin dhe më tha, se kishte sjellë një shkrim për ikonën e çështjeve sociale dhe pa dyshim humanistin e halleve të përditshme, z. Fadil Kepi. Më duhet të shtoj pa dijeninë e autorit dhe të vetë Profesorit të çështjeve sociale dhe trajtimit të pensioneve z. Fadil Kepi, se ai konsumon orë të tëra duke pritur dhe sqaruar me dhjetëra qindra njerëz dhe qytetarë të ndryshëm. Ai është pjesë e shpjegimeve të pyetjeve që bëhen në emisionet e mëngjesit “Koha për t’u zgjuar” në News 24, të Bashkim Hoxhës dhe “Forum” në Shijak TV. Të zonjushës Eliana Hoxha. Nuk ka fjalë që mundet të përshkruajë etikën,qytetarinë, profesionalizmin, humanizmin, vlerat e Prof. Fadil Kepi. Mbi të gjitha ai është jo vetëm njohës i ligjeve por edhe shpjegues i tyre ,pasi vetë Ligji është bërë që tu shërbejë qytetarëve dhe të ndalojë këdo që kërkon të abuzojë me të. Ndaj urimi im dhe i pronarit të gazetës “Telegraf”, z. Agim Çiraku është: “Faleminderit që jeni mes nesh miku dhe mjeshtri i papërsëritshëm Fadil Kepi!”
Diçiturat e fotove
1) Z. Fadil Kepi nxënës në shkollën 8-vjeçare
2) Z. Fadil Kepi me Dritëro Agollin dhe bashkëshorten e tij, Sadije
3) Z. Fadil Kepi mes miqsh para shkollës “Sherif Dervishi” Budull (Prezë)
4) Z. Fadil Kepi në studion e punës
5) Z. Fadil Kepi duke dhënë leksione
Sigal