Evanthi Ciko, misionare e dijes dhe e humanizmit…

86

(In Memorium për “Mësuesen e Merituar” Evanthi Ciko, me rastin e 1 – vjetorit të ndarjes nga jeta)

Flasin Ilir Çumani, Lume Blloshmi dhe Nadire Buzo

Një telefonatë e beftë në mëngjesin e asaj dite të nxehtë korriku më stepi deri në përhumbje, më preu të gjithë humorin dhe fuqinë fizike për të nisur ritmin e ditës, sipas ritualit të zakonshëm. Thirrja në atë orë të çuditshme ku dita sapo kishte nisur të zbardhte, më erdhi nga profesori i nderuar, maestro Zhani Ciko. E njoha menjëherë zërin e tij karakteristik, por nuk e di pse një parandjenjë e keqe më kaploi menjëherë, sepse kohë më parë isha në dijeni edhe të shëndetit jo të mirë të nënës së tij, Evanthisë, nënës tonë të madhe, ose siç njihet tashmë nga të gjithë, “Nëna e jetimëve”. – “Mamaja na la…” – Ky ishte togfjalëshi që vinte përtej linjës tjetër i telefonit nga një zë me dridhje, i lodhur edhe nga dhimbja, sigurisht. Edhe sot që u mbush plot një vit që nuk e kemi më midis nesh, nuk arrij të kuptoj se cila ishte ajo shtysë që më nxiste të mendoja gjithmonë në imagjinatën time se Evanthi Ciko nuk bën pjesë tek vdekëtarët natyralë, ngase ajo që për së gjalli u kthye në sytë e të gjithëve ne, në simbolin e jetës, dashurisë, gëzimit dhe lumturisë. Është e padiskutueshme tashmë se, Evanthi Ciko ka qenë dhe mbetet një prej figurave më të spikatura të jetës kryeqytetase dhe të mbarë. Koha që ajo punoi si drejtuese në institucionin e shtëpisë së fëmijës në Tiranë, ishte relativisht jo e gjatë në raport me vitet që kanë punuar edhe kolegë të tjerë të saj, por fryma si reformatore dhe filozofia që solli kjo misionare në jetën e këtyre institucioneve, la gjurmë të pashlyera së pari në memorien e atyre fëmijëve që edhe sot e kësaj dite e kujtojnë me shumë respekt dhe dashuri, edukatoren, nënën dhe drejtoreshën e tyre Evanthi Ciko. Nën shembullin e modelit të saj, shtëpitë e fëmijëve, anembanë vendit u shndërruan nga institucione të tipit klasik, ku jeta e brendshme organizohej në mënyrë kolektive dhe me shumë fëmijë në grup, në institucione moderne e bashkëkohore. Shumë ndere, tituj e dekorata morri në jetën e saj, si një vlerësim dhe mirënjohje për punë dhe kontributin e çmuar në fushën humane, si veprimtare e palodhur shoqërore, por edhe si mësimdhënëse e metodiste e shkëlqyer në profesionin e saj të mësuesisë. Mes tyre spikatin titujt “Mësuese e Merituar”, akorduar nga Kuvendi Popullor, “Simbol i Vlerave Humane”, akorduar nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë dhe Medalja e “Mirënjohjes”, akorduar nga Presidenti i Republikës, pak kohë se të ndahej nga jeta. * Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

Lume Blloshmi s’e thirri kurrë emrin baba por njohu dhe një nënë të dytë Evanthi Cikon

Vajza e vogël që nuk e njohu dhe nuk e thirri kurrë emrin baba, rritej me shumë dashuri mes të afërme të saj, asaj i pëlqente shumë të këndonte të kërcente e të këndonte pa fund, e habitur po pa i ditur rrethanat e hidhura, ajo ëndërronte dhe vetëm ëndërronte se një ditë do të bëhej artiste e madhe, do të këndonte skenave të mëdha dhe do të bëhej një soprano e famshme si Maria Kalas dhe Marie Kraja. Vogëlushja do ëndërronte gjatë të bëhej pianiste pa e ditur se nuk mundej.  Pavarësisht gjithë këtyre vështirësive Lumturi Blloshmi kishte lindur për t’u bërë artiste. Po cila ishte ajo grua që ndikoi në orientimin e saj drejt artit viziv dhe  Lumja nuk do ta harrojë asnjëherë?!  Pikërisht Evanthi Cikon…

Mbetet e veçantë për të

E rrethuar mes kujtimesh të paharruara për njerëzit e saj të dashur dhe nxënësve të veçantë, jeta e Evanthi Cikos ka një kuptim madhor, të cilin ja dhuroi përmes të tjerash edhe profesioni i bekuar i mësuesisë.  Në festat e 7-8 Marsit Lumja do t’i dhurojë mësueses pikturat e saj nga më të bukurat. Mësuesja e dashur nuk do të mungonte asnjëherë në evenimentet e saj.

Nadire Buzo-regjisore

Evanthi Ciko ishte një grua e veçantë humane misionare e vërtetë e kauzës arsimore të një vendi

Evanthi Ciko ishte një grua e veçantë humane dhe intelektuale, misionare e vërtetë e kauzës arsimore të një vendi të varfër dhe të prapambetur tërësisht. Lume Blloshmi të cilës i kam bërë një film dokumentar, në bisedat e gjata për fatin dhe jetën e saj të vështirë përmendëte shpesh mësuesen e saj të veçantë dhe ndikimin e madh në jetën e artistes…..( flet ne film)  Kur nisa të filmoja, mësuesja Evanthi Ciko ishte objektivi i parë. Përveç intervistës së gjatë prej të cilës ishte vështirë të shkëpusje fragmente pasi ishte totalisht interesante jo vetëm në ato çka tregonte për fëmijët e shkollës 11 janari, ku së bashku me fëmijët e udhëheqësve të lartë të shtetit komunist si fëmijët e Mehmet Shehut, Manush Myftiut, etj. ishin dhe fëmijë me ngjyrë apo të tjerë të mbetur jetim nga regjimi dhe luftrat. Interesant është fakti se Lumen e kishte ulur në bangë me djalin e Mehmet Shehut, persekutorit qe i kishte vrarë babanë. Korrektesa e Evanthisë ishte absolute.. Njerëz të tillë të duken jo vetëm pa moshë e gjithmonë të rinj, porse të krijohet e ideja e pavdekshmërisë, ndaj kur kujtoj lajmin e vdekjes së saj për mua ishte e pa besueshme, porse në ndërgjegje pak e vrarë që se intervistova përsëri atë grua me një vitalitet të rrallë, megjithëse e falënderoj jetën që më dha rastin ta njoh dhe komunikoj me të, pasi shembulli i saj ishte i papërsëritshëm