Eva Idrizllari: Shoqëria shqiptare ka nevojë për njerëz të vërtetë, që të thonë të vërtetat e saj

733
Sigal

PERSONAZH/ Eva Idrizllari – autore, gazetare, moderatore ne media, publiciste dhe fotografe

Një rikthim i bujshëm i Eva Idrizllarit. Emisioni i saj i mëngjesit u bë një ndër më të ndjekurit në tërësinë e televizioneve shqiptare. Korrekte, serioze, e thjeshtë, komunikuese, ambicioze, studiuese, këto janë disa nga karakteristikat e Evës si gazetare, moderatore dhe publiciste. Fillimet e saj në Radio- Tirana, përkojnë me vitet e para të demokracisë, ku ajo solli një frymë të re në median fonike së bashku me gazetarin Agim Pipa dhe Ariana Qatipin. Karakteristikë e Evës në ftesat në studio është ajo që përballë të ftuarve vjen edhe mjaft kompetente, korrekte pasi ka lexuar shumë për ‘ta, ditë më parë. Kjo e bën që dhe vetë i ftuari të besojë se ajo është profesioniste në profesionin e saj te gazetares kërkuese. Por mbi të gjitha Eva është e thjeshtë, e çiltër, miqësore, aspak tendencioze, kjo e bën atë të admirueshme në publik.

  -Një rikthim i suksesshëm i Evës në ekran. Zonjusha e mëngjeseve të dikurshme u rikthye të rizgjonte pas disa vitesh përsëri publikun. Një ide e menduar nga Eva?

Ky program u riformatua nga unë si një kërkesë nga drejtuesi i medias, ndërsa unë i kisha paraqitur një projekt tjetër bashkëpunimi. Ma dha këtë detyrë për t’i ndërtuar dhe moderuar një “Mëngjes express” që do t’i ngrinte audiencën “Ora Nevvs” në konkurrencën e programeve të mëngjesit, nisur kjo nga përvoja ime si një nga bashkautorët e para dhe me eksperiencë të këtij programi të hershëm, që ka startuar në tvsh pas ’90-ës me ndryshimet strukturore të këtij institucioni.

 – Si u ndjeve ditën e parë pas një shkëputjeje të gjatë në media?

U ndjeva mirë sigurisht. Me emocionet e këndshme të një rikthimi të pritshëm nga ana e publikut dhe të ftuarve që ma demonstronin me entuziazëm gjatë intervistave së bashku në studio. Pasi të të besojnë në cilësitë profesionale si gazetare është më shumë se një kompliment.

 Çfarë të veçante kishte ky emision për Evën në raport me mëngjeset e tjera në tv?

U bë zëri i komunitetit. Një dritare shprese për problemet e qytetarëve. Ku goditeshin dukuritë negative të shoqërisë, abuzimet. Në këtë emision u përpoqa të sjell gazetarinë që nuk bëhet palë, por që i shkon të vërtetës me guxim dhe kurajë. Të jesh e ndërgjegjshme për mua nuk është e vështirë, pasi e dashuroj këtë profesion. Dhe shoqëria shqiptare ka nevojë për njerëz të vërtetë, që të thonë të vërtetat e saj. Kjo ishte e veçanta e këtij formati që unë solla së bashku me stafin e “Mëngjes express”.

 – Kush janë më të vështirë në emision, politikanët, shkrimtarët, pedagogët, mjekët, ekonomistët apo ministrat?

Për mua askush nuk është i vështirë. Mbase për ‘ta është e vështirë të gjenden përballë pyetjeve të mia që duan me këmbëngulje përgjigjet që kërkohen.

 -Kur je ndjerë në këtë emision me intensitet të lartë dhe emocional?

Kur vonohej ndonjë i ftuar ose nuk njoftonte mungesën. Kjo më mërziste se më duhet të gjeja zgjidhje të momentit për të plotësuar kohën. Por përvoja e gjatë në transmetimet direkte si moderatore dhe autore e programeve që unë kam drejtuar më ka mësuar se si të improvizoj zgjidhje për ti kaluar edhe këto situata. Aq sa ndonjëherë më duket se kam lindur edhe për të bërë aktoren.

 – Mendoni se pas pushimeve do sjellësh diçka tjetër në këtë emision?

Sezonin e ri nuk do jem unë drejtuesja e këtij programi. Këtë rol ia kanë dhënë dikujt tjetër. Unë po përgatitem për të realizuar një projektin tim, që kërkon shumë angazhim për vetë përmasat e tij të një shfaqjeje televizive.

 Çfarë vuajnë në përgjithësi emisionet e televizioneve shqiptare në mëngjes?

Nuk dua të gjykoj emisionet që shfaqen në media. Thjesht kërkoj nga vetja që si krijuese të sjell projekte që i shkojnë ndërgjegjësimit të komunitetit.

  Tashmë me një performancë të re, e mendoni veten në radhët e politikës?

Nuk e kam menduar veten në politikë. Ndofta se, në Shqipëri politika i ngjan më shumë gjuetisë së shtrigave.

 – Çfarë i mungon politikanëve shqiptarë në raport me intelektualët e heshtur?

Në fakt unë do të thoja se çfarë u mungon intelektualëve të heshtur në raport me politikanët e zëshëm. Iu mungon paturpësia. Të jesh i paturpshëm, edhe kur mashtron ky quhet guxim prej politikani.

 – Pse qëndroni larg politikës?

Nëpërmjet profesionit të gazetares e kam të pamundur t’i qëndroj larg politikës. Por si oponente e saj. Sikundër edhe respektoj njerëzit e ndërgjegjshëm të saj që janë një pakicë që luftohen fort brenda llojit.

 – A ka sot shumë xhelozi dhe thashetheme mes figurave të medias? 

Sigurisht që ka. Por mua nuk më ka shqetësuar kjo. Pasi konkurrencën në media e shoh si gjënë më normale, që stimulon prurjet e reja të ideve. Por çështja është se kjo konkurrencë nuk po shihet e trajtohet e tillë, si stimuluese në drejtim të vlerave, sesa po bëhet e dëmshme dhe e rrezikshme në goditjen ndaj vlerave të profesionistëve. Unë kam mbi 20 vjet karrierë në media, por gjithmonë i kam njohur cilësitë e tjetrit dhe jam pajtuar me punën e arritur. Pasi nuk e kam vuajtur ndonjëherë kompleksin e mungesës së aftësive të mia profesionale. E dua këtë profesion, kam punuar shumë për ta zotëruar dhe jam përpjekur të sjell gjithmonë ide dhe risi. I di dimensionet e mia, ndaj të bie në kompleksin e xhelozisë për kolegët do të thotë të pranoj me pëlqimin tim të jem inferiore.

    -Çfarë i dhe Ora News dhe çfarë more prej saj në këta muaj?

Ora New i dhashë përkushtimin tim si gazetare. energjitë. Të ftuarit e larmishëm dhe cilësorë. I solla audiencën. Besimin e publikut.  Dhe prej kësaj media mora si këmbim vetëm mosmirënjohjen.

 – Më shumë të pëlqen të shoqërohesh me meshkuj apo me femra?

Unë jam natyre sociale. Ndaj dhe u bëra gazetare.

 – Cila është arma më e fortë e femrës në jetë?

Unë nuk e di se kë konsiderojnë si armë të tyre femrat… Ndërsa unë di të zotëroj virtyte.

 Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?

Çdonjëra ka një problem të sajin. Femrat nuk janë problematike. Është sistemi shoqëror që i hedh në probleme. Varet se sa kurajë kanë ato të gjejnë pozicionin e tyre social dhe të ngrenë personalitetin si femra.

 – Kur ndiheni më mirë kur ju thonë jeni e bukur, apo jeni inteligjente?

Nuk çarmatosem nga komplimentet. Por më pëlqen kur më vlerësojnë për formimin tim.

 -Mendimi juaj për operacionet plastike?

Nuk më pëlqen të paragjykoj të tjerët për zgjedhjet e tyre. Por unë kam zgjedhur të vjetërsohem në mënyrë natyrale. Fatmirësisht nuk po e shoh ende të mbërrijë… edhe pse koha po kalon.

 -Makina, parfumi, veshjet e preferuara?

Këto janë bisedat që zënë vend në përgjithësi në takimet mes femrave. Por unë jam indiferente, pasi nuk më pëlqen të flas për këto gjera. Janë kaq personale dhe më tepër se t’u japim prioritet duhet thjesht t’i konsiderojmë praktikisht.

 Cili vend i Shqipërisë të pëlqen për plazh?

Mua më pëlqen të eksploroj vende të pashkelura nga unë. Ose plazhe të virgjër, që për fat kanë mbetur ashtu natyrale, të paprekur. Pasi jam shumë natyraliste dhe më pëlqen të ushtroj edhe fotografinë.

 -Çfarë do të lexoni këtë verë?

Gjatë programit të mëngjesit shumë autorë dhe botues që i kam intervistuar më kanë dhuruar librat e tyre.  Kam shumë për të lexuar…

 – Cili është vendi që keni në plan për të vizituar?

Planet nuk më pëlqen t’i tregoj. Pasi unë jam natyrë e rezervuar për jetën private.

 -Cila është ngjyra e rrobave që pëlqeni në verë?

Si bionde më shkojnë dhe më qëndrojnë mirë të gjitha ngjyrat në veshje. Ndaj nuk mund të veçoj ndonjërën… Gjatë verës unë jam më shumë midis sportives dhe elegancës.

 – Cili është ushqimi i preferuar gjatë verës? Po frutat?

Më pëlqejnë gatimet me bazë prodhimet e detit. Por jo vetëm si shijuese, por edhe t’i përgatis vetë si një amvisë e mirë në kuzhinë. Frutat e stinës sigurisht më pëlqejnë. Por nuk jam shumë hamëse si natyrë, më tepër më pëlqen të provoj shijet.

 Cila është pija e preferuar gjatë verës?

Uji. Thatësira kërkon hidratimin. Uji është sa i domosdoshëm për këtë, por edhe mjaft purifikues.

 – A e duroni dot vapën? 

Jo. Te nxehtit, zagushia më krijojnë bezdisje. Ndaj me këto ndryshime që ka pësuar klima, vera nuk hyn tek stina ime shumë e preferuar.

 -Më mirë në verë apo në dimër?

Duke menduar vapën që po kalojmë, më mirë në dimër. Por varet, edhe ku jeton për ta kaluar stinën respektove në kushte të përshtatshme.

  – Në këtë stinë të pëlqen të udhëtosh me aeroplan apo me makinë?

Me avion për mbërritje të shpejtë në destinacion. Me makinë, kur dua të shijoj ndjesinë e turistes kurioze.

 – A i keni për zemër udhëtimet?

Sigurisht. Më thuaj kush nuk i do udhëtimet?!

  Albert Z. ZHOLI