Etleva Demollari: Gratë e huaja në Trashëgimi: pioniere të kulturës pa kufij

803
Përgjatë historisë së njerëzimit, gratë kanë luajtur një rol vendimtar në trashëgiminë kulturore ose për faktin se kishin pushtet për ta bërë këtë me anë të statusit që u jepte pasuria dhe pozita në shoqëri ose për shkak të profesionit, edukimit, ndjeshmërisë së tyre, shkaqe këto që nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin. I detyrohemi figurave mbretërore femërore për disa nga muzetë më të rëndësishëm në botë: për “Hermitage” Katerinës II së Rusisë, për “VAM”- Viktorias që pati dëshirën t’ia përçonte dizajnit industrial format dhe aftësitë krijuese ose Perandoreshës Pahlavi hapjen e muzeve të artit modern në Iran pas Luftës së dytë Botërore, bamirëseve të pasura krijimin e “MoMA”-s në Ne-Jork dhe galerinë Peggy Guggenheim. Roli i tyre ka qenë gjithashtu vendimtar për hyrjen në trashëgimi të formave kulturore të konsideruara të vogla. Kanë qenë të shumta gratë artiste dhe shkrimtare që kanë ndezur shkëndijën e vetëdijes mbi trashëgiminë kulturore. Kështu për shembull, George Sand-i në Francë diti të mbledhë përralla popullore të Sologne dhe Puisaye në vitet 1840 e të inkurajojë Shopenin për të hedhur në pentagram meloditë fshatare. Mund të themi me krenari se përkrah George Sand-it (Arnandine Lucia Aurora Dupin, 1804 – 1876) dhe konteshës d’Agoult (Marie Catherine Sophie 1805 – 1876 e njohur dhe me pseudonimin Daniel Stern) në Francë, një ndër tre gratë më të famshme të shekullit XIX ishte dhe princesha rumune me origjinë shqiptare: Elena Gjika (Dora d’Istria, 1829 – 1888). Në të njëjtën kohë me George Sand-in në Francë, nën ndikimin e lëvizjes kulturore përparimtare të Europës, Dora d’Istria me aktivitetin e saj si shkrimtare dhe publiciste, përkrahu lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, duke publikuar ndër të tjera: “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”, 1866 tek Revue des deux mondes e Parisit.

 Ky ishte një moment mjaft i rëndësishëm për faktin se në një nga revistat më autoritare e të përhapura të kulturës së asaj kohe,ndoshta për herë të parë i paraqitej një publiku ndërkombëtar lexuesish një studim ku deklarohej me bindje ekzistenca e një kombi shqiptar që si i tillë kishte të drejtën të respektohej për identitetin dhe kulturën e tij. Si humaniste ajo kishte vizione të qarta politike në shërbim të popujve të vegjël. Përveç folklorit shqiptar, mblodhi e studio edhe folklorin e një varg kombësish evropiane. Është quajtur me të drejtë mbretëreshë e kulturës europiane pasi shkroi jo vetëm për emancipimin e gruas rumune, shqiptare e serbe sipas këngëve popullore, por edhe për atë hungareze, bullgare, greke, turke etj. Dora d’Istria shquhej si eksperte e kombësive ballkanike dhe në shkrimet e veta ka përfshirë aspekte nga jeta, historia dhe kultura e këtyre popujve,duke e përkrahur luftën e tyre për liri, pavarësi dhe përparim. Anëtare e Akademisë italiane dhe qytetare nderi e parlamentit grek, me veprën e saj mund të konsiderohet si një nga pionieret e para të Europës së Bashkuar. 

Mes vizitorëve të huaj të shekullit të 19-të, falë shërbimeve, ekspeditave dhe udhëtimeve të një numri të madh diplomatësh, ushtarakësh, shkencëtarësh, artistësh, shkrimtarësh të huaj që kalojnë nëpër Shqipëri dhe botojnë në Evropë raporte, ditarë, shkrime, vizatime duke na dhënë burime dhe informacione të shumta, që sot ndihmojnë shkencat albanologjike si lëndë e parë e paçmuar arkivore, shquhen me kontributin e tyre edhe disa gra. Mary Edith Durham (1863-1944), udhëtarja që u kthye në antropologe, kjo pioniere e etnologjisë, u angazhua me pasion ndaj Shqipërisë që me vizitën e parë në vitin 1900 dhe ky përkushtim i mbeti i patjetërsueshëm deri në fund të jetës. Udhëtimet nëpër Shqipëri e mbushën me një vlerësim të pashoq për njerëzit dhe kulturën e tyre unike. “Ndërsa Shqipëria i dha një kuptim jetës së saj, zonjusha Durham e rivendosi Shqipërinë në Kujtesën e Europës” shkruan bashkëlobuesi i saj, parlamentari britanik Aubrey Herbert. Me studimet, publicistikën dhe veprat e saj :“Shqipëria e Epërme” dhe “Brenga e Ballkanit”, ajo është sot një pikë referimi e rëndësishme për sa i përket zakoneve folklorike, organizimit social e fisnor, ligjeve zakonore, besimeve fetare dhe përrallave tradicionale shqiptare, veçanërisht në veri të Shqipërisë. 

Materialet dokumentare dhe dëshmitë që gjeti në Shqipëri e shtynë të vinte në praktikë metodat e hulumtimit etnografik dhe antropologjik, ku mund të gjenden gjurmët e relativizmit kulturor dhe të etnografisë krahasuese. Regjistrimet më të hershme të këngëve popullore shqiptare (në vitin 1905) janë bërë nga Edith Durham dhe janë depozituar në arkivat e Bibliotekës Britanike, ku mund të dëgjohen edhe sot, pas më shumë se një shekulli. Falë Edit Durhamit, që ecte nëpër malet shqiptare, duke marrë me vete një gramafon të rëndë e duke regjistruar këngë tradicionale, këngë të kënduara thjesht me zë, ose të shoqëruara me lahutë, këto regjistrime janë tani pjesë e arkivës botërore të këngës së hershme dhe muzikës popullore. Një tjetër udhëtare e shquar, që eci në gjurmët e punës së Edit Durhamit, në besë të shqiptarëve, për t’i thënë botës perëndimore të vërtetën për Shqipërinë dhe shqiptarët është amerikania Rose Wilder Lane (1886- 1968), autorja më e njohur dhe më e paguar në botë e asaj kohe, që në vitin ’20 vizitonte malet e Shkodrës, kryesisht Dukagjinin, por edhe Matin, Tiranën dhe Durrësin ku u njoh me jetën dhe traditat shqiptare. Te shqiptarët që kishin ruajtur të paprekur mikpritjen, gjuhën, kulturën dhe traditat e hershme ajo gjeti legjenda të vjetra, këngë të lashta të shoqëruara me instrumente muzikorë të vjetër “qindra e qindra vite para se të vinin romakët”. Dhe u bind se këta njerëz ishin më të vjetërit në Evropë dhe nuk i kishin humbur ende zakonet e tyre prehistorike. Ajo krijoi një opinion të tërë proshqiptar që në atë kohë e tregoi, Presidenti Wilson me fjalën e tij, në Lidhjen e Kombeve, kur përkrahu shqiptarët dhe Shqipërinë. 
Befasuese
Janë befasuese përshkrimet e hollësishme të pazarit të Tiranës e të Klosit, zakonet e familjes shqiptare, ngado, mendimet për politikën ballkanike, besimet fetare, punën dhe dëfrimin, veshjen, ushqimin, për lulet e kopshtet. Në ditarët e saj kanë vend qytetarë e peizazhe nga e gjithë Shqipëria: që nga Shkodra deri në Butrint, që nga Durrësi deri në Korçë. Faktet që ajo sjell përbëjnë një pasuri etnografike. Disa këngë si “Kënga e Mark Gjeloshit”,”Kënga e Ahmet Zogut” janë të shkruara në shqip nga autorja. Në libër gjenden edhe foto të bëra nga vetë autorja e cila fikson njerëz dhe pamje nga Dukagjini. Me propozimin e Rauf Ficos, ministër i Punëve të Jashtme dhe ministër i Punëve të Brendshme të mbretërisë shqiptare, në vitin 1929, Rose Wilder Lane u nderua me dekoratën “Oficere e Urdhrit të Skënderbeut”. 
“Majat e Shalës”
Por, në veprën e vet për shqiptarët, “Majat e Shalës”, kishte skalitur një portret shumë dashamirës të Ahmet Zogut, dhe me këtë kapitull ajo e bëri veprën e vet të pabotueshme në kohën e komunizmit ne Shqipëri, gjë e cila pasoi me një gjysmë shekulli mungesë njohjeje nga shqiptarët. Kjo mike e madhe e shqiptarëve, me anë të artikujve, tregimeve e librave të saj, i tregoi publikut amerikan dhe atij ndërkombëtar se një vend e një popull i vogël nuk sjell më pak vlera se të tjerët në historinë dhe kulturën botërore, kur mbart, që nga kohët e lashta deri në ditët tona, një gjuhë e një kulturë ndryshe. Një tjetër grua e huaj me kontribut të çmuar në trashëgiminë kulturore shqiptare është dhe Viktori Puzanova (1893 – 1967), bizantologia ruse që studioi artin bizantin në Shqipëri, themeluesja e shkencës së kërkimit në fushën e artit mesjetar ikonografik. Deri në ardhjen e saj në Shqipëri me këmbënguljen e etnologut të njohur Rrok Zojzi, nuk kishte asnjë traditë studimi të ikonografisë mesjetare shqiptare. S’dihej asgjë mbi piktorët mesjetarë shqiptarë. Nuk njihej Onufri, nuk njihej “e kuqja” e veçantë e tij. 

Shkenca e studimit të ikonografisë dhe e restaurimit të saj në Shqipëri janë të lidhura pandashmërisht me emrin e Puzanova-s. Për Viktori Puzanovën, Onufri është i një rangu me zografin e madh rus të shekullit të XV, Andrej Rublov që është mbiquajtur Rafaeli i artit bizantin. Njohja shumë e gjerë që kishte Puzanova për ikonografinë ruse, e më vonë falë edukimit e punës së saj edhe për ikonografinë greke, bullgare dhe serbe, i dha besueshmëri shkencore kërkimit të saj në fushën e ikonografisë shqiptare. Ajo zbuloi se deri në mesjetën para osmane, shqiptarët ndiqnin të njëjtin ritëm zhvillimi kulturor me perandoritë e mëdha, si Bizanti, dhe që ikonografia e kohës së Arbrit kishte ngjyresa të një shkolle lokale, që mbante gjurmët e botës shqiptare. 
Me pasion e modesti ajo iu kushtua një fushe tërësisht të papranishme në albanologji deri atëherë. Studioi kishat e Korçës, të Përmetit, të Vlorës (manastirin e Zvërnecit), të Sarandës, Himarës, Beratit dhe të Elbasanit, ku gjeti dhe identifikoi traditën e ikonografëve të famshëm vendës, të njohur në botë kryesisht përmes emrit të Onufrit të Neokastrës (Elbasanit). Puzanova zhvilloi ekspedita edhe në kisha fshatrash të largët, si Valshi e Shelcani. Përfundim i këtyre studimeve është jo vetëm identifikimi, koleksionimi e përshkrimi shkencor i tematikës së afreskeve, ikonave, pikturës murale, që ishin ruajtur deri atëherë dhe që përbëjnë një prej monumenteve të korpusit të trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar, por Puzanova paralelisht, riprodhoi afrsket me temat themelore ikonografike, ku identifikohej gjurma vendëse e shkollës së piktorëve arbër. Koleksioni i saj prej 32 riprodhimesh të afreskeve të kishave shqiptare figuron në ruajtje të Muzeut të Artit Mesjetar shqiptar në Korçë. Riprodhimet e Puzanova-s janë në përmasa reale. Rëndësia e këtyre riprodhimeve është e jashtëzakonshme, edhe për faktin se një pjesë e madhe e origjinaleve, u shkatërruan gjatë periudhës komuniste. 

Është interesante se si këto gra të huaja: Durham (Britani e Madhe), Wilder Lane (SHBA) e Puzanova (Rusi) magjepsen nga trashëgimia jonë kulturore dhe kthehen në promovueset mbarëbotërore të saj, duke treguar ashtu si Dora d’Istria, se çdo komb sado i vogël, me veçoritë e tij specifike plotëson dhe pasuron thesarin e përgjithshëm të kulturës botërore. Lista e grave të huaja që kanë kontribuar në ruajtjen, njohjen e studimin e trashëgimisë sonë kulturore është e gjatë. Ajo vazhdon të zgjerohet çdo ditë falë daljes së Shqipërisë nga periudha e gjatë e izolimit komunist dhe falë interesit që tregohet ndaj saj nga shumë studiues e dashamirës të huaj të artit, historisë e kulturës. Por ajo që dëshirojmë të vëmë në pah në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore e të Ditëve Europiane të Trashëgimisë duke zgjedhur të flisnim për kontributin e grave të huaja është se ato më mirë se kushdo tjetër treguan me veprën e tyre se kultura nuk njeh kufij dhe se trashëgimia e çdo populli, sado të vogël nuk përbën vlerë thjesht për identitetin e atij kombi, por për mbarë njerëzimin. 
*Përgjegjëse e Sektorit të Programeve Edukative
Muzeu Historik Kombëtar
Sigal