Estrada e Lushnjës në 55-vjetorin e saj

1581
Nga Kozma GJINI 

Estrada Profesioniste e qytetit të Lushnjës mbush 55 vjet nga dita e krijimit të saj. Lëvizja artistike amatore dhe kushtet ekonomiko-shoqërore që shërbyen si bazë për ngritjen e estradës. Shfaqjet artistike rraskapitëse nëpër fshatra dhe qytete të vendit për të bërë edukimin komunist të masave. Pse regjisori Piro Mani jepte dy aktorë në këmbim të artistit Hekuran Zhiti? Artistët e mëdhenj të artit dhe të kulturës të Lushnjes: Vaçe Zela, Vath Korreshi, Margarita Xhepa, Kristaq Dhamo, Ilia Shyti etj, elita intelektuale myzeqare e artit tonë kombëtar, të rreshtuar në punën kulturore-artistike. Pse i tërhoqi Tirana artistët? Talentet e reja dhe aktorët më në zë të Shqipërisë: Tano Banushi, Mirush Kabashi, Leka Bungo, Bujar Kapexhiu, Filip Çakuli “kripa e gjellës” së shfaqjeve artistike në qytet. Çensura, frika e daljes nga roli dhe e reja e shfaqjeve të përbashkëta mes estradave të qyteteve. Pëllumb Kulla dhe Luftar Paja me shokë…e ngritën estradën e Fierit në piedestal. Ku qëndronte baza e sukseseve që premiera në monizëm shfaqej 10-15 herë, madje me bileta, kurse sot nuk vete njeri në shfaqje qoftë edhe falas? Flet ekskluzivisht, për herë të parë për “Telegraf”, aktori i Estradës profesioniste të Lushnjes, z. Petraq Dhimitri

-Si e kujtoni historikun e fillimit të estradës profesioniste të qytetit?
-Estrada profesioniste e qytetit të Lushnjës u krijua më 15 prill 1962. Pra, kaluan 55 vjet. Krijimi i estradës erdhi si rezultat i ekzistencës së një lëvizjeje artistike amatore masive që ekzistonte në qytet dhe në fshat. Kjo lëvizje amatore shërbeu si “bërthamë-bazë” për ngritjen e Estradës. Disa djem të arsimuar të qytetit si: Gëzim Libohova, Vangjel Myzeqari, Ilia Shyti etj, kishin vënë në skenë: drama, komedi, skeçe e pjesë të ndryshme të cilat ishin mirëpritur nga spektatorët. Ndër aktorët shquheshin për lojë të mirë: Koço e Olimbi Sallata, Dhimitraq Nushi, Niko e Beatrice Deda, Sulo Kosova, Leka Bello, Adem Gjata, Merceta Mebelli etj. Më pas lëvizja artistike do të pasurohej me talente që do të bëheshin zëri i kombit si: Vaçe Zela, Ajete Nepravishta (Brahimi), Flora Mebelli, Liljana Pazari, Dajlan Begolli etj. Një gjallëri jo të zakonshme mori jeta kulturore me ardhjen e aktorëve të rinj: Hekuran Zhiti, Dhimitraq Nushi, Jovan Bizhyti, Suzana Aliçka, Aneta Gjermeni, Liri LLazo, Vide Gjermeni (Puka), Milika Prifti, Elida Korreshi, Valbona Hekurani dhe instrumentistëve: Thanas Gramatiko e Tahir Beqiri. Pjesa tjetër e estradës do të plotësohej me amatorë të cilët merreshin nga qendrat e punës. 

-Kur jeni aktivizuar për herë të parë në estradë? Cili u zbuloi si talent në fushën e artit?
-Ardhja ime në estradë nuk ishte një rastësi. Kisha kohë që aktivizohesha në grupet artistike të fshatit që kur isha në shkollën e mesme. Një ditë organizohej një koncert në fshat. Unë këndova një duet me Athina Voglin me titull “Çobanit”. Takova me drejtuesin e muzikës, profesor Niko Dedën, i cili pasi më dëgjoi më tha të vija pasditeve që të filloja provat. 20 nëntori 1963 ka qenë data që unë u bëra aktor profesionist i estradës dhe dola para publikut si solist i këngës popullore me duetin “Rrugës mos më ndal” teksti Sh. Karajt, muzika N. Deda. Kam kënduar rreth 15 duete me Vide Gjermenin e më pas me Athina Voglin, e cila më pas do të bëhej edhe bashkëshortja ime.

-Z. Petraq, ju hytë në estradë si këngëtar dhe pastaj u bëtë aktor. Pse ndodhi ky kalim?
-Ndodhi, sepse mua më ka pëlqyer gjithmonë aktrimi. Gjatë viteve shkollore në Tiranë vazhdimisht shikoja estradën apo teatrin. U njoha me shumë aktorë si Margarita Xhepa, Ilia Shyti, Behije Çela, Luan Qerimi apo të mëdhenjtë: Naim Frashëri, Kadri Roshi, Viktor Gjoka, Mihal Popi, Maria Logoreci etj. Madje në hartimin e fundit mora temën “Personazhi i Lolës në dramën “Toka Jonë”. Roli që më pëlqente ishte ai i fshatarit babaxhan myzeqar, përfaqësues i trevës trevës që e luaja me gjithë shpirt. I kisha qejf rolet humoristike. Më vuri në provë Hekuran Zhiti dhe më pëlqeu, kur luaja skeçe. Gjithsej në jetën artistike, me rreth 158 premiera, kam realizuar mbi 600 role. Kam punuar me 18 regjisorë të nderuar nga T. Demiri (i pari) deri te L.Bungo (i fundit).

-I ka shkelur të gjithë fshatrat e rrethit estrada juaj?
-(Qesh). I kemi shfaqur premierat e estradës jo vetëm në të gjithë fshatrat e Lushnjës, por edhe të gjitha qytetet e Shqipërisë me përjashtim të Bilishtit që, për fat u nisëm, por na u prish autobusi rrugës.

-Çfarë përfitonte estrada nga turnetë që bënte jashtë rrethit?
-Përvojë. Fillimisht takimi i parë zonal i estradave, i cili u bë në Durrës (1963) ku merrnin pjesë: Durrësi, Lushnja, Berati dhe Fieri. Lushnja ishte estrada më e re mes tyre. Lushnja u paraqit bukur, me njerëz të rinj dhe të talentuar. Në drekë dhamë shfaqje për popullin në Kavajë dhe Shijak. Të nesërmen bëhej oponenca dhe diskutimet për shfaqjen tonë ku u thanë fjalët më të mira. Në shtator 1963, me regjisor, Gëzim Libohovën, u vu në skenë premiera “Takim me sezonin”.Estrada kreu pastaj një turne edhe në Elbasan. Pjesa jonë u shfaq në Elbasan e në Cërrik. Sallat qenë të mbushura plot. Në mëngjesin e ditës së dytë u takuam me trupën e Elbasanit dhe aktorët e teatrit të Elbasanit Artistët Demir Hyskja e Lec Shllaku folën me superlativa për shfaqjen tonë. Në mars 1964 u realizua turneu më i gjatë në qytetet: Vlorë, Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Ersekë, Korçë, Pogradec. Shfaqjet u pritën shumë mirë. 

-Dilnit jashtë shtetit me trupën tuaj?
-Ansambli i Lushnjës ka shkuar deri në Greqi. Ishin këngëtaret: Elida Korreshi, Liljana Kanina, grupi valltarëve, koreografi Vangjel Lala, drejtori i Shtëpisë së kulturës Kristaq Papa. Dhamë shfaqje në disa qytete të Greqisë dhe rreth 10-12 shfaqje nëpër fshatra. Kjo ishte para ardhjes së demokracisë. 

-Cili ishte pozicioni i aktorit të talentuar Hekuran Zhiti, (babait të Visarit) në estradë?
-Hekuran Zhiti ishte talent i rrallë. I papërsëritshëm. Ishte aktor dhe autor improvizues i shkëlqyer. Humorist i thekur, si i thonë fjalës. 50-60% të materialeve të estradës kishin për autor Hekuran Zhitin. Hekurani ishte talent i lindur për humor. Kur dhamë një shfaqje në Korçë, Piro Mani, që ishte regjisori i teatrit, kur e pa lojën e Hekuranit në skenë, u habit dhe na tha: “Më jepni Hekuranin, t’u jap dy aktorë”. Hekuranin sa e shikonin në fshat e thërrisnin me emrin e personazheve. Kur u forcua lufta e klasave e nxorën në pension për ta ndaluar të aktivizohej më.

-Kush i krijonte tekstet për estradën tuaj?
-Fillimisht i krijonte H. Zhiti dhe më pas, J. Bizhyti, G.Kongoli, F.Cakuli, K.Papa, L.Bungo… Merrnim materiale edhe nga rrethet apo nga libri “Estrada” ose “Letrari i ri” që botohej në Tiranë 

-Cilët janë regjisorët që kanë punuar në estradën e Lushnjës?
-I pari ishte T. Demiri. Pas tij erdhën: G.Libohova, N.Nova, M.Nepravishta, J.Bizhyti, V. Nocka, K. Papa, Gj. Lala, V. Londo, R.Kice, L.Bungo.Kanë punuar edhe regjisor të jashtëm si: Myqerem Ferrai, Gj. Vlashi, H.Rama, A. Çuliqi, L.Veshi, Cekja i Beratit, A.Filipi etj.

– A ishte një risi ardhja e regjisorit Leka Bungo në estradën e qytetit?
-Ardhja e Leka Bungos në Lushnje ishte fat për trupën tonë artistike. Me ardhjen e Lekës estrada pati një tjetër frymëmarrje të re dhe të çliruar nga “prangat” e së kaluarës gjë që e ngriti nivelin e estradës. Ishte një regjisor me eksperiencë e vizion. Ai i vuri aktorët në një baraspeshë, ku çdo aktor të tregonte vlerat e tij. Ai bëri dhe një thyerje të rregullit, sepse që në shfaqjen e parë, mori të ftuar Mirush Kabashin dhe në numrin tjetër Tano Banushin, “Artist i Popullit”.Ishte një eksperiencë e gjallë të shikoje se si luante Tano Banushi në skenë. Shfaqjet Leka i regjistroi e transmetoi në RTSH.

-A keni luajtur ndonjë rol në filmat shqiptarë?
-Kam luajtur në filmin “Rruga midis dy legjendave”.Skenari ishte i Vath Korreshit dhe regjia e Piro Milkanit. Filmimet i xhiruam në Bedat të Karavastasë, ish-komuna Remas. Ishte një rol dembeli që m’u ngarkua mua. Më pas, kam luajtur edhe në një film tjetër televiziv..

-Sa shfaqje në total ka dhënë estrada e Lushnjes gjatë 40 vjetëve?
-(Nxjerr bllokun). Ka dhënë rreth 160 premiera në 3750 shfaqje në qytet dhe në fshat, me 1 milion e 650 000 spektatorë. Ka shkelur të gjithë territorin e republikës. 

-Në ç’mënyrë censuroheshin tuaja?
-Censurimi bëhej para se të zgjidhej materiali letrar. Po të dilje nga “brazda” gjatë shfaqjes, duhej të mendonte mirë se kishe të bëje me bukën e gojës… Ne e dinim rrezikun dhe ruheshim. Kisha rolin e një xhandari në një skeç dhe futa një detaj me kokën time. Për të motivuar hyrjen në skenë, u futa duke ngrënë misër të pjekur dhe u “rrëzova” në skenë.“Hiqe atë, më thanë. -Nuk ha misër xhandari!”

-Aktorë, solistë apo instrumentistë të rinj a erdhën në estradë?
-Erdhën dhe jo pak.Përmendim: V. Bani, J. Oldashi, L. Hila, A.Vogli, R.Kamani, K.Papa, A. Cauli, L. Hila, D.Lloti, F.Neritani, L.Shani, N.Nushi, A.Shkëmbi. Trupa e estradës në këtë kohë kishte 9 aktorë dhe 4 këngëtarë profesionistë si: E. Korreshi, V. Hekurani, L.Kanina e L.Manahasa.

-Po Razi Brahimi me ç’motiv erdhi në Lushnje?
-Kjo ndodhi pas vitit 1966. Atëhere shkrimtarët, kompozitorët, krijuesit e artit në përgjithësi qarkullonin në qytete të ndryshme për të qenë më afër bazës. Razi Brahimi erdhi me detyrë drejtor i Shtëpisë së kulturës së qytetit. Bashkë me të ishte edhe këngëtarja Ajete Brahimi, e shoqja e tij. Ajo ndenji nja tre vjet si këngëtare e estradës dhe u transferua në Tiranë.

-Cilët kanë qenë dirigjentët e orkestrës së estradës?
-N. Deda, F. Filipeu, M. Kulla, T. Luari nga Berati, R. Ismaili, Ll. Borova, E. Doko, N. Nova…A. Rrëza.

-Cilat premiera të kanë mbetur në kujtesë?
-Premiera e fundit që ka pasur sukses të paparë ka qenë “Të dua” e vënë në skenë më 5/11/90, me regjisor K. Papa, asistent regjisor P. Dhimitri, dirigjent Ll. Borova, skenografia A. Xhomo. Shfaqja u pëlqye shumë nga spektatorët.Kjo shfaqje u dha 36 herë në Lushnje, Elbasan, Durrës. I paharruar ka qenë edhe takimi kombëtar në nëntor 1990 ku vendi pritës ishte Lushnja. Erdhën këtu: estrada e Vlorës, Beratit, Fierit, Elbasanit. Takimin e hapi Lushnja. Shfaqja u prit me ovacione. Ishin në sallë trupat simotra dhe të dërguar si: Josif Papagjoni, Muharrem Topi, Ilir Dangëllia,Ëngjëll Nazari. Në përfundim shfaqja e estradës profesioniste të Lushnjës u cilësua më e mira e konkurrimit kombëtar.

-Ç’mendime keni për humorin e estradën në përgjithësi sot?
-Kam vërejtje se humori sot bëhet me batuta banale, me figura romësh apo njerëz me të meta në të folur apo që kanë fatkeqësi mendore. Nuk është mirë të tallemi me ta. Kur shoqëria dhe të afërmit e tyre bëjnë ç’është e mundur që t’i integrojnë në shoqëri, ndërsa estradat i bëjnë objekt humori. Kjo nuk është e drejtë. Ka një paradoks këtu.

-Ju ka mbetur ndonjë skeç apo fabul ndërmend nga rolet tuaja?
-Skeçi “Takim në fushë” shkruar nga J. Bizhyti. Si lejtmotiv kishte “Mirë, o, shumë mirë!” ose “Grurë e misër, plot”, “Thyerja e gurit:, ose premiera “Më lejoni t’ju përqafoj” me regji të M. Ferra dhe autor Pëllumb Kulla. Roli i fshatarit te tabloja muzikore koreografike me regjisor Piro Mani, ose rolet në skeçet :”Në stërvitje”, “Vizita e inspektorit”, me tekst të Filip Çakulit ose “Mësuesi rezervë” sipas tregimit të Ndini Bardhit.

-Po premiera për fëmijë jepte estrada juaj?
-Po. Një e tillë ka qenë në vitin 1972. Titullohej “Ne dhe ju së bashku”, me regjisor Jovan Bizhytin, drejtues muzike Rudak Ismaili, piktor Tahsin Demiri. Trajtonte problemet e edukimit të fëmijëve. Spektakli ishte ndërtuar në mënyrë të tillë që i vinte në lëvizje fëmijët. U pritën mirë këngëtaret e vogla P.Hasanbelliu e L.Kola. Krahas estradës ishte edhe teatri i kukullave me regjisor Ll.Kola.

-Ju keni organizuar edhe shfaqje të përbashkëta me estrada të qyteteve të tjera. Ç’ishin këto shfaqje?
-Po. Një të tillë e bëmë me estradën e Fierit. Artistja Vaçe Zela, zemra e trupës, ishte qershia mbi tortë e shfaqjes.Ishte korrik 1983 .Titullohej: “Flokë dëbore në prill” shkruar nga Pëllumb Kulla dhe Enver Isufi, vënë në skenë nga regjisori Leka Bungo, skenografi Sabaudin Xhaferri dhe muzikë të kompozitorit Maksim Shehu. Këngëtarja Elida Korreshi këtë radhë ishte në rolin e Lirikës që e interpretoi mjaft mirë. Aktorët të tjerë të pëlqyer ishin: L. Paja, P. Dhimitri, A. Dhimitri, A. Cauli, H.Dervishi etj. Merita e komedisë qëndronte te skicimi i disa personazheve që u realizuan me sens humoristik. Kompozitori Aleksandër Lalo atëherë shkroi te gazeta “Drita” për suksesin e shfaqjes.

-Kur dhe pse u mbyll estrada e Lushnjës? Si e keni pritur ju të stafit mbylljen e estradës?
-E pritëm me zemërim mbylljen e estradës. U mbyll në janar 2004 me vendim të këshillit bashkiak. Na dhanë fletushkat e pushimit nga puna më 7 janar ku lexohej se estrada do të ristrukturohej. E bukur ishte gjetja, sepse nuk kishe të drejtë as të ankoheshe.

-A është i vlerësuar aktori Petraq Dhimitri?
-Jo vetëm unë, por edhe artistë të tjerë janë vlerësuar nga Bashkia e qytetit me tituj e stimuj të ndryshëm. Është e rëndësishme që kjo gjë të shikohet edhe në perspektivë. 

-I “zbukuronte” shtypi i ditës ndopak shfaqjet tuaja, si i pasqyronte?
-Për shfaqjen “Kur qeshin zemrat” G. Kongoli e F. Çakuli shkroi një artikull të gjatë te gazeta “Drita”..Ishte viti 1982. Shfaqja u vu në skenë me punën këmbëngulëse të regjisorit Leka Bungo me dekor të Bujar Kapexhiut, drejtues muzike Llazi Borova. Aktorët që kanë arritur të krijojnë karaktere ishin: A. Dhimitri, H. Dervishi, A. Cauli, P. Dhimitri, S. Myzeqari, N. Beqo, A. Maka, A.Basha. K. Llogone, A.Kamani, E.Shtëmbari, S.Qendro, etj. Për interpretimin dhe ekzekutimin muzikor krahas E. Korreshit, L. Kaninës, A.Bufit u duartrokitën edhe: A. Maka, B.Kici, N. Mati etj. Shkrimi mbyllej me mesazhin: “Shembulli i trupës së estradës profesioniste të Lushnjës duhet të ndiqet edhe nga trupat e tjera të estradave të vendit.
Sigal